“DY GURËT” E BABAIT I GJETA NË PELADHI

0
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ÇELIKU

Historikisht, kemi qenë popull i përndjekur dhe pushtuar, i arratisur me  shekuj maleve për liri. Mëmëdhe, dhe Atdhe. Dimërit, nëpër vende të nxehta, e Pranverës në vendlindje. Nateditë, kemi shtegtuar si lejlekët nëpër Turqi, Rumeli, Kosovë, Shqipëri dhe botë. Edhe, të përzënë me dhunë nga vendlindja, në kohën e Turqisë dhe Serbisë Madhe, edhe në Jugosllavi.

Im nip, Arsllan Ҫeliku (stërnipi i kaçakut të maleve, Emin Ҫeliku – Xhambazi). Krahut djathtë të Kryngritjes të Dervish Carës (1843-1844) për Ҫlirimin e Shkupit me pretendime edhe për çlirimin Velesit, Prilepit, dhe Manastirit (Trojeve Etnike Shqiptare), ku edhe shpartallohen kryengritësit nga ushtria turke, në Katllanovë të Shkupit, më dha një mundësi t’i vizitioj ato Troje Etnike Shqiptare.

Që, sipas historianit Moisi Murra: “Kjo vlen edhe për kapedanin shqiptar të shekullit XIX, Emin Xhambazin e Kërçovës, që i pa dhe i mati ngjarjet e kohës me grykën e pushkës, por edhe me fuqinë e mendjes; për të cilin kërkimet në drejtim të tij, në literaturën e kohës, nuk janë shumë entuziaste. Edhe pse burimet historike heshtin për këtë hero kombëtar, kujtesa popullore i ka ruajtur të gjalla bëmat e tij nacionale, për shkëputjen nga Perandoria Otomane, fitimin dhe ruajtjen e pavarësisë kombëtare dhe formimin e një administrate kombëtare, me përfshirjen e të gjitha viseve shqiptare, nga Tivari në Prevezë, nga Adriatiku në Prilep.

Paraardhësit e familjes Ҫeliku, kanë qenë fis shtegtar si lejlekët, që kanë shtegtuar trojeve etnike shqiptare. Verës, në vendlindje. E dimrit, nëpër botë. Herë duke ikur nga përndjekja e Perandorisë Osmane dhe serbe, e herë nga hakmarrja. Sipas një studimi të historianit Moisi Murra: “Të parët e Emin Xhambazit e kanë prejardhjen nga Kastrati i Shkodrës. Atje kanë pasur mbiemrin Arrasi. I pari i fisit përmendet Loc Arrasi.

Dikur, Loci me vëllezër u largua nga Kastrati dhe zuri vend në fshatin Grykë Nokë të Dibrës. Por dhe prej këtu ikën e ranë buzë Drinit të Zi, në një vend që i dhanë për emër, mbiemrin e tyre, Arras.

Në traditën gojore thuhet se Loc Arrasi, në një luftë me Malin e Zi, ka mbajtur flamurin dhe nuk e ka lënë të bjerë në tokë. Nga kjo kohë Locin nisën ta quajnë: Loc Bajraktari. E për rrjedhojë fisi u quajt Bajraktari.

Aty nga vitet 1710 – 1740 Osman Bjaraktari, bashkë me Sulejman Carën, babanë e Dervish Carës së njohur, nga fshati Bardhaj – Reç i Dibrës së Poshtme, u kthyen kurrizin fshatrave të tyre dhe ecën drejtë lindjes, ku u ndalën në Pallçisht të Poshtëm. Besohet se ata kishin lidhje gjaku a miqësie.

…Osman Bajraktari, gjyshi i Emin Xhambazit të Cërvicës, për shkaqe të panjohura prej nesh, Osman Bajraktari lëvizi dhe nga Pallçishti i poshtëm bashkë me tre djemtë e tij: Ramën, Sadikun dhe Veselin. Rama dhe Sadiku vendosen në fshatin Cërvicë të Kërçovës, ndërsa Veseli në fshatin Desovë të Prilepit. Fisi Bajraktari në Dibër përmenden si fis punëtor, i ndershëm, por dhe i sertë. Nuk dihet sesi e kur, por ka gjasa se dhe nga Desova djali i Osmanit, Rama, u largua dhe u vendos në fshatin Peladhi të krahinës së Grykës së Madhe.

Të moshuarit thonë, se: në fshatin Peladhi ka ekzistuar një familje me mbiemërin Ramë Osmani, që ka pasur mbiemrin Bajraktari, por me që largimi nga Desova e Prilepit ishte bërë për shkaqe hasmërie dhe për t’u ruajtur nga rreziqe të reja, mbajtën për mbiemër, emrin e babait të tij Osman, duke u thirrur Ramë Osmani. Në Peladhi familja e Ramë Osmanit ka qëndruar disa vite. Sot në Peladhi nuk ekziston fis me mbiemrin Ramë Osmani, çka dëshmon se ata ishin larguar nga ky fshat.

Nga Peladhia zunë vend në lagjen Ҫelike të fshatit Cërvicë të Kërçovës. Këtu, diku rreth viteve 1812 – 1816, lindi Emin Ramë Osmani (Bajraktari). Duke ndjekur mbiemrin e të parëve të Emin Ramë Osmani (Xhambazi), na rezulton kjo radhitje: Arrasi-Bajraktari-Osmani-Zajazi-Kërçova.”

Gjurmët e Babait tim i gjeta në Peladhi (Shqipëri), katund të cilin e kishte vizituar më herët im vëlla, Ramë Ҫeliku. Ndoshta, para tij edhe vetë Babai, Emin Ҫeliku. Dhe, kur u kthye në vendlindje, më tha: E gjeta, dhe e vizitova fshatin nga ku e kemi prejardhjen, vend ku nuk ha as pula gurë. E dija, se: shqiptarët, gjatë Perandorisë Osmane (Rumelisë), kanë lëvizur matanë “kufinjëve” politik të Trojeve Shqiptare.

Po, nuk e dija, se: kishin ikur nga vendlindja, ku pula nuk hante gur. Vendlindje e paraardhësve, që mua pas kësaj vizite mes maleve më mori malli edhe për gjarpërinjë. Shtëpitë gjysëm të rrënuara, kishin mbetur shkretë. Kroni i katundit, dhe lugu i drurit, ku pinin ujë kafshët. “Dy gurët” e Babait. Pemët, që gjatë këtyre shekujve ishin shumuar, por jo edhe njerëzit. Gërmadha të shtëpive plot pemë në oborr: kumbulla, mollë, ftonj, rrush… Dhe, Shpella mbi Katund si vend strehimi nga pushtuesit.

Peladhia, fshat ende pa rrugë. Mezi u ngjitëm malit me xhipin e nipit Arsllan Ҫeliku: Destan Rama dhe me djalin e tij Petrit Rama, unë Kalosh Ҫeliku me nipërit Bajram dhe Arsllan Ҫeliku. Vendbanimin e hershëm i njohur në tefterin turk në vitin 1467. Fshat me tradita të hershme atdhetare, patriotike, kulturore dhe arsimore. Bukuritë e rralla natyrore: fusha, kodra, male, pyje e shpella. Vendstrehim strategjik, në veriperëndim të luginës Gryka e Madhe, që ka qenë dhe mbetet një portë hyrse dhe dalëse për udhëtarët që lëviznin nga lindja në perëndim dhe anasjelltas në drejtim të Tiranës dhe bregdetit shqiptar.

Historikisht, portë hyrëse dhe dalëse edhe për armiqtë shekullor pushtuesë: turqit dhe serbët historik. Nga ky vend nisi lufta që njihet me emrin “Beteja e Torviollit”, në qershor 1444. Forcat e shumta ushtarake turke, këtu u përqëndruan me çadra e topa nëpër llogore. Sulme luftarake kundër ushtrisë të Skënderbeut. Beteja e parë dhe fitorja e parë e Skënderbeut, e cila i hapi rrugë malore dhe shpresë, se do të triumfonte mbi turqit nga beteja, në betejë.

Fshati është i rrethuar me kodra dhe male të larta të veshura me drurë: lisi, shelgje, plepa,  shkozë, mullezë, lule e bar të gjelbërt. Lugina me burimet e ujit nga malet, gurra dhe pemë. Kroni i Katundit me pesë plepat roje përkarshi kokë më kokë. Sot, fshati pa pela dhe dhi të egra nga ku e mori edhe emrin Peladhi, ende është gjallë. Bariu, ku Skënderbeut i dhuroi një dhi, si simboli i fitores. Simbol, që sipas një gojëdhënie, Skënderbeu e vuri në kokën e përkrenares.

Sot, shqiptarët ende janë të rrethuar me kufinj politik. Jo, në Trojet Etnike Shqiptare Historike, po të ndarë copë-copë në disa shtete të “vëllazërim-bashkimit”. Sot për sot, hë për hë, i kanë dy shtete: Shqipërinë dhe Kosovën. Ditën e Nesërme, pritet ta kenë edhe shtetin e tretë shqiptar, në “Ballkanin e Hapur”: Maqedoninë e Veriut.

Pamarrë parasysh ngjarjet politike – historike të superfuqive, ndoshta edhe hakmarrjes brez pas brezi. Ose, përndjekjeve shekullore pushtuese. Asimilimit, të shqiptarëve me besim ortodoks në “maqedonas”. Nuk e marr me mend, se: hakmarrja ka qenë më e rëndë se pushtimi shekullor historik turk dhe serb. Shkaku, se; “Dy gurët” e  Babait, ende ishin gjallë në Shqipëri, nuk kishin lëvizur nga vendi mes pemëve dhe gjalbërimit të maleve.

Natyra i ka falur fshatit: lumin, fushën, malin, kodrat, dhe bregoret. Lumi shfrytzohet për vaditje, peshkim dhe plazh në stinën e verës. Përmes fshatit kalon “Rruga e Arbërit”. Rrugë, që fillimet e saja i ka shumë të hershme, dikur si rrugë këmbësore e shtruar me kalldrëm dhe gurë, sot si rrugë moderne e shtruar me asfalt. Thonë, se: nëpër këtë rrugë kaloi Skënderbeu me 300 kalorës dibran për në Krujë. Karvanë të kuajve dhe këmbësorëve, që udhëtonin asaj kohe për në Tiranë, Durrës a gjetkë në Shqipëri, nga të dy Dibrat, Kërçova, Struga, Gostivari, Tetova, Shkupi dhe Ohëri për të blerë bukë dhe kripë për familjen.

Në mes të fshatit, edhe sotekësaj dite ndodhet një lis i madh shekullor, që s’e mbërthejnë dot as katër-pesë burra. Druri i Male Zeqirit, që mban në trung një tabelë me mbishkrimin: “Monument Natyre – mbrohet me ligj”. Lis, rrënjët e të cilit Babai do t’i barti me vete edhe në fshatin Cërvicë (Kërçovë), mbjellë në mes të Livadhit, rrëzë Ҫuke. Rrap, i cili do më ndjek mua si shkrimtar edhe në Prishtinë dhe Shkup. Hije, ku do t’i strehojë poetët me poezitë e tyre nga të gjitha Trojet Etnike Shqiptare. Rrap, që me Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: “Takime nën Rrap”, i pari e futi vargun shqip në Shkup.

Mali “Temla”, rrëzë të cilit shtrihet fshati Peladhi me në gji disa shpella, por tri janë më të rëndësishmet për fshatin; Shpella mbi Katund me një minidhomë, ku rrinë dhe flejnë barinjtë. Në rast rreziku nga armiqtë dhe pushtuesit edhe si strehim për fshatarët. Shpella e nëndheshme mbi lagjen Hysa. Dhe, mbi lagjen Gjoka Shpella e Mrizit (ku mrizonin dhentë). Që të tria shpellat, shërbenin edhe si vendstrehime për banorët e fshatit, sa herë që sulmoheshin nga pushtuesit.

Peladhia e Epërme, në mes të katundit kishte edhe tre burime uji: Kroi i ujit të pijshëm, Kroi i lugjeve (ku ishin vendosur lugje druri për të pirë ujë kafshët shtëpiake), dhe Kroi i Grave (aty lanin rrobat gratë).

Peladhia si fshat strategjik, rrugë e shkelur, ka qenë edhe shesh lufte nga pushtuesit: “Që këtu niste sulmi i furishëm kundër ushtrisë turke, me trungje, hunj, kofinj të lyer me pis me katran që prodhohej nga rrëshira e pishës prodhuar në Malin e Duriqit, shkarpat e ndzura e rrokullisje gurësh nga Temla”. Peladhia, nuk u pushtua vetëm nga turqit, po edhe nga serbët.

Shpallja e pavarësisë, trevën dibrane e gjeti mes dy zjarreve, shteteve fitimtare të luftës ballkanike, Serbia dhe Bullgaria. Rreziku më i madh i vinte nga Serbia, e ndihmuar nga Cari i Rusisë. Serbët në vitin 1913, pas Dibrës e pushtuan edhe Peshkopinë. Grykën e Vogël, Grykën e Madhe, dhe nëpër fushën e Bulqizës dolën deri në Qafën e Buallit, në kufi me Matin. Populli i Dibrës duke mos duruar zgjedhën e re pushtuese serbe, u çua në kryengritje popullore. Kryengritësit u ndihmuan edhe nga bullgarët, të cilët ishin kundra Serbisë, dhe kërkonin që ajo të largohej nga Shqipëria.

Pjesmarrës në kryengritje ishin edhe disa burra të Peladhisë. Qeveria serbe, filloi ofenzivën kundër kryengritësve. Kudo, që shkeli ushtari serb, vrau, preu, dogji e masakroi popullin shqiptar. E dogji Sofraçanin. Fshat më fshat kërkoi dorëzimin e armëve. Shtëpisë të Hasanit  i vunë zjarrin, dhe kur filloi t’i dalë flaka, kërcitën fishekët e fshehur nëpë hatulla. Komandanti, urdhëroi që Hasani të theret me thikë. Serbët me thika therën edhe shumë shqiptarë për mosdorëzimin e armëve.

Peladhia, siç thotë populli: nga shiu, ra në breshër. Zogu, posa erdhi në pushtet 24 dhjetor 1924, i premtoi popullit: përmisimin e gjendjes ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Fatkeqsisht, ai e mashtroi popullin. Nuk mbajti asnjë premtim. E mbyti me taksa. Kulmi i “lulëzimit” të Shqipërisë, arriti pranvera e vitit 1939. Bashkë me pranverën atë vit, 7 prill 1939, erdhën edhe plumbat e fashistëve italianë. Italia fashiste kapitulloi më 08 shtator 1943. Në Shqipëri, erdhi edhe armiku më gjakatar, më i egri, nazizmi gjerman. Sistemi komunist. Edhe,  Neokomunist, “Demokracia” me hebet në krah…

Gëzimin më të madh banorëve të fshatit Peladhi, sipa mësuesit nga ky fshat në librin e tij “Fshati në këmbët e Temlës” (Tiranë, 2021), ua solli ai 01 shtatorit i vitit 1949, kur në fshatin e tyre u hap për herë të parë Shkolla fillore. E ndërtuar me kontribut vullnetar të banorëve. Hop i madh cilësor, duke i ngjitur një nga një shkallët e arsimimit nga ai fillor, der në arsimin e mesëm. I hapi rrugët e dijes për djemtë dhe vajzat e fshatit, krijoi kushte mundësie për vazhdimin e arsimit të lartë, të cilin e kryen dhe u diplomuan shumë kuadro për nevoja të institucioneve.

Dita e Verës, festë pagane që e festonte Elbasani dhe disa vise në trojet etnike shqiptare, u bë shkak që në rrethana disi specifike u shpall edhe festë zyrtare në Shqipëri. Sisot, më kujtohet edhe mua si fëmijë në Katund, kur herët në mëngjes ende pa dalë drita, nëna me një degë lulethane na stërpikte me ujë burimi, që të rritemi dhe bëhemi të fortë si thana. Përdore, na e lidhte edhe një verore kuqebardhë, të cilën pas një muaji, posa ta shihnim dallëndyshen e parë duhej ta hudhnim në lumë.

Vite më vonë kur u rrita burrë, në festën e Ditës Verës: Festivalin Ballkanik të poezisë “Trëndafilat e Elbasanit”, i organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan (2010), ku edhe e fitova Ҫmimin “Skampini”, një verore ma lidhi përdore një poete në Elbasan. Verore, të cilën e mbajta përdore një muaj në Shkup, dhe posa e pash dallëndyshen e parë, nga Ura e Gurit e hudha në Vardar.

Sulltan Nevruzi është ditëlindja e Imam Aliut në Qabe. Ditë, kur çdo gjë ringjallet, lindë shpresa për gjithë njerëzimin. Festa e Nevruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bekteshian në shekullin e XV-XVI. Ditë, që festohet më 22 mars. 21 marsin, pasdite, pasi ka perënduar dielli, mbi derë sipa zakonit merret kashtë thekre, sokore dhe behet lidhja e pemëve. Njëri e lidh me kashtë pemën, tjetri matet sikur po e pret dhe thuhen këto fjalë:

Do të pres me sokorre,
Do të mbledh me bakore,
Do të pres me sopatë,
Do të mbeldh me thasë.

Pemën që s’bën kokrra: Do ta pres se s’bën, – thotë njëri.
Mos e pre se ban… – thotë tjetri.

Gjithë burrat e fshatit përgaditen për festën, therin qengjin, bëjnë gati mishin, përgadisin hashuren, dhe atë natë dhe të nesërmen për darkë hanë një ushqim të shijshëm. Rinia e fshatit pasdite mblidhen në livadhet e pakositura, dhe luajnë lojëra të ndryshme popullore: futboll, lojën kush e ka, kapërcim litari, kukumësheftas…

Shëngjergji, i vë kapakun dimrit, dhe pas tij pritet dita me diell – Pranvera. Është festë e besimit katolik. Shëngjergji, ende festohet nëpër disa vise të trojeve shqiptare. Festa e Shëngjergjit i ka rrënjët që në kohën e Ilirisë. Shëngjergji fillon nga pasditja e 05 majit, nata e Shëngjergjit, dhe kulminacionin e saj e arrin me 06 maj, ku njihet dhe festohet si Dita e Shëngjergjit. Mëngjesi i 06 majit çdo familje e gjen me një qengj të pjekur në hell.

Bajrami Vogël dhe Bajrami Madh (Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami) janë festa që bëhen pas mbarimit të muajit Ramazan. Ditën e Bajramit myslimanët shpërndajnë lëmoshë, solidaritet për të varfërit ta festojnë së bashku këtë festë të besimit mysliman. Kurban Bajrami është festa e flijimit. Festa sipas traditës islame nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhërit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë përms engjëllit të tij, Xhebrahilit dhe ta njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Dhe, në momentin kur Ibrahimi bëhej gati për të flijuaj djalin, Zoti dërgoi Zanën e Malit me një dash përdore, që ta flijonte atë, në vend të djalit.

Nuset e reja, herët në mëngjes fshijnë oborret, rrugën, rrugicat dhe sheshet kryesore të fshatit. Fëmijët dhe të rriturit vishnin tesha të reja. Një ditë përpara thereshin berrat(kurbanët), dhe pas faljes të Bajramit, shtrohej në sofër Dreka e Bajramit.

Baba Tomorri – Mali Shenjtë i Perëndive (Skrapar), janë ditët më të veçanta për bektashinj. Mijëra besimtarë bektashinj, ngjiten në Malin e Tomorrit, deri në vendin e njohur si Ҫuka e Abaz Aliut (2416 m. mbi nivelin e detit), për t’i kryer ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi  dhe paqe në familjen e tij. Simboli i kësaj feste është kurbani, sipas mitologjisë qengji është simboli i mirësisë dhe urtësisë. Është një festë e besimit bekteshian. Shqiptarët nga të gjitha trojet etnike shqiptare hipin në Baba Tomorr.

Tomorri, veç emrit të madh mitik, ishte ashtu siç thuhet në Iliadën e Homerit:

… O Zot, mbret i Dodonave Pellazgjike,
Që banon në ato vende të largëta,
E sundon mbi Dodonën
dimërkeqe,
Këmbëzbathur e
gjumëpërdhese…

Tomorri mbeti ashtu si një mal dimërkeq, këmbëzbathur, e i zbuluar. Por sot, Tomorri, luginat e korijet e tij, kanë një pamje tjetër, madhështore, magjepsëse dhe çudibërëse.

“Abaz Aliu zu Tomorrë
Dhe erdhi afër nesh
Shqipëria s’mbet e gjorë
Se Zoti e desh”. (Naim Frashëri)

Erdhi këtu, siç shkruan historia, në atdheun e Dodonës pellazgjike, në Tomorr, ku jetonin Perënditë, pasi në “Qerbela” po zhvillohej lufta kundër Jezitit të Mavijes, diktaturës më famëkeqe të kohës. Erdhi me foshnjat për t’i mëkuar ato me ujë, pasi kombi faqezi – siç thotë Naim Frashëri – i kishte rrethuar luftëtarët e “Qerbelasë”, u kishte prerë ujin, që ata të dorëzoheshin dhe të linin luftën e tyre për liri, demokraci e emancipim.

Ose, A. Z. Ҫajupi në librin e tij me vjersha “Baba Tomorri” (ndë KAIRO, 1902): Pjes’ e parë Atdheu, pjes’ e dytë. Dashuria, Pjes’ e tretë. Përralla të vërteta dhe të rreme, dhe komedinë e vjershëruar Katrëmbëdhjetë vjeç dhëndërr, dhe Vjersha të tjera. Ose, te vjersha patriotike “Baba Tomorri”:

…………………………………………..
Tek Ti vinin njerzitë qëmoti
Për të msuar se ç’urdhëron Zoti.
Tek Ti lutem dhe u duke qarë
Të msoj ç’thotë dhe për shqipëtarë.
Kanë qenë trima të lëvduar
Dhe në luftë s’janë turpëruar;
Qenë trima dhe mëmëdhetarë,
Besa, fea, s’i kishnë dhe ndarë,
Shkonin jetën me puçkë në dorë,
Donin Shqipen, s’qenë tradhëtorë;
Lulëzonte gjithë Shqipëria,
S’e kish shkelur si sot robëria;
Gra e burra donin Shqipërinë,
Djem e çupa këndonin Lirinë.
………………………………………………..
Prifti, hoxha, kisha dhe xhamia,
Na gënjejnë… U prish Shqipëria…

Qyteti i Beratit është një pikënisje e mirë për të eksploruar malin e Tomorrit (i quajtur ndryshe “Olimpi Shqiptar”, ose “froni i perëndive”), i cili gjendet në një distancë prej 30-40 km larg nga qyteti. Festën e përvitshme, që nis me 20 gusht dhe përfundon pas 5 ditësh. Mitin e simbolit tonë kombëtar e lidhin me Dodonën Pellazgjike në malin e Tomorrit, në Shqipëri. Mjafton të studiohen librat dhe punimet të cilat kanë lënë autorë të lashtësisë, si: Herodoti, Plinius, Strabon, Hesiodi, Plutarku dhe të tjerë.

Mjafton të studiohen veprat e rilindasve tanë, si: Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami dhe Naim Frashëri, Ҫajupi, Ismail Qemali, Eqerem Vlora, Perikli Ikonomi, Ali Asllani, Hil Mosi. Miti i Zeusit Pellazgjik lindi në Tomorr?

Shume autorë dhe midis tyre dhe P. Ikonomi në librin e tij me titull “Historia e Tomorrit” thotë, se: Zeusi sipas mitologjisë ishte zot i Iliro-Pellazgëve, ai ishte i biri i Saturnit (Kronosi) dhe i Reas, zoti i natyrës dhe i gjithësisë.

Në një nga gurët është një shqiponjë brenda një rrethi. Shqiponja vetë është simbol i Dodonës dhe Pellazgo – Iliro – Shqipëtarve. Shqiponja është me krah hapur brenda rrethit dhe duket si në fluturim. Por rrethi vetë çfarë përfaqson? Rrethi vetë përfaqson simbolin e Diellit. Dielli si simbol është njohur dhe në kristianizëm ku ai personifikonte produktivitetin.

Tek shume popuj si ata Egjiptian por dhe pellazgo – ilirët, simboli i diellit eshte simbol i pavdeksisë. Ndërsa ai perëndon çdo mbrëmje, ai rilind apo ringjallet përsëri në mëngjes.
Shumë studiues e lidhin Orakullin e Dodonës me adhurimin e kultit të diellit pra me adhurimin e Zeusit vetë mbretit të perëndive.

Edhe, sot: nuk jemi të pushtuar nga armiqtë shekullor, po nga vetëvetja. Armiqtë e sistemit Neokomunist, ende mbi tokë në varre pa i shti. Popullin me rrënjë të thella, që nuk e shkuli turku, as serbi. Shekuj e shekuj i arratisur maleve për Liri. Sot, e përzë nga Atdheu Partia Politike teknefese.

“Dy gurët” e Babait, të mbuluar nga gjelbërimi i gjeta në Peladhi (Shqipëri). Po, nuk e gjeta Babain, as të parët e mi kaçakë të maleve…

Fshati i braktisur Peladhi, vendlindja e të parëve tanë në Shqipëri.

Bajram Ҫeliku, Destan Rama, Kalosh Ҫeliku dhe Petrit Rama te Kroni i Katundit, Peladhi.

Arsllan Ҫeliku, Destan Rama dhe Kalosh Ҫeliku, te Kroni i Katundit në Peladhi (Shqipëri).

Destan Rama dhe Kalosh Ҫeliku te Kroni i Katundit në Peladhi (Shqipëri).

Shpella mbi Katundin Peladhi (Shqipëri), ku banorët strehoheshin nga pushtuesit…

Kalosh Ҫeliku te “Dy Gurët” e Babait, në Katundin Peladhi (Shqipëri)…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.