6.5 C
Tirana
E martë, 14 Janar 2025
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

BASHKIMI KOMBËTAR DHE DIALOGU ME BABAIN

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Sabile Basha Sabile Keçmezi-Basha

Të qash – ky akt i thjeshtë dhe i fuqishëm, një shpërthim i pastër i ndjenjave që dëshmon se brenda trupit tonë të brishtë rreh një zemër e gjallë, e ndjeshme. Lotët, qofshin ata të gëzimit apo të hidhërimit, janë vula e përjetshme e humanizmit tonë. Ata janë zëri që shpërthen kur fjalët nuk mjaftojnë, kur emocionet kapërcejnë çdo kufi të arsyes. Dhe pikërisht sot, zemra ime shpërtheu në lot gëzimi.

E ulur në karrigen time të punës, përballë detyrës së rëndë të hulumtimit mbi programet gjenocidale serbe kundër shqiptarëve, një barrë që mban brenda saj peshën e një historie të dhimbshme, veshët e mi papritur u mbushën me një tingull që mposhti çdo melodi tjetër. Ishte zëri i udhëheqësit të Parlamentit të Kosovës që vinte nga televizioni, një zë i fortë dhe solemn që kumtonte: “Sot, në Parlamentin e Kosovës, po mbahet takimi i parë i përbashkët i parlamenteve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.”

Fjalët e tij më tronditën. Si një valë e fuqishme që godet një breg, ato ngritën kokën time nga kompjuteri dhe më detyruan të ndalem. Televizioni po fliste për një moment historik, një moment që shpirtin tim e mbushi me një dritë të re. Gjithë përkushtimi im, gjithë ato orë të kaluara duke lexuar mbi dhimbjen dhe padrejtësinë, papritur gjetën një kundërpeshë të bukur – një çast bashkimi, një çast triumfi të dinjitetit shqiptar.

Sytë e mi, që deri pak çaste më parë shihnin vetëm ekranin e zymtë të punës, tani shihnin një tjetër ekran, një dritare drejt së ardhmes. Dhe aty, mes asaj skene të televizorit, lotët filluan të rrjedhin. Nuk ishin lot dhimbjeje, por lot shprese, lot krenarie. Ishin lot që dëshmonin se, edhe në errësirën më të thellë, ka gjithnjë një dritë që na thërret. Sot, ajo dritë erdhi nga fjalët e një lideri, nga një akt që mishëronte ëndrrën e çdo shqiptari – bashkimin, solidaritetin dhe forcën për të ecur përpara si një komb i vetëm.

Ai çast, aq i thjeshtë dhe aq madhështor, më bëri të kuptoj se edhe kur jemi të zhytur në errësirën e dhimbjes dhe padrejtësisë, ekzistojnë momente që na japin arsye për të buzëqeshur, për të ndjerë, për të shpresuar. Dhe ndoshta, në fund, kjo është ajo që na bën njerëz – aftësia për të qarë, për të ndjerë, për të ëndërruar.

Befasia që më përshkoi ishte si një rreze drite që depërton papritur mes reve të zymta. Në sallën solemne të Kuvendit, çdo detaj dukej si një pjesë e një mozaiku të përkryer. Aty ishin ulur të gjithë të zgjedhurit e popullit, të cilët vinin nga dy anët e malit – një ndarje politike që për një kohë të gjatë kishte qëndruar si një pengesë mes vëllezërve dhe motrave. Por sot, kjo ndarje dukej si një iluzion i shkuar, një hije që nuk kishte më forcë për të ndarë ata që u përkisnin njëri-tjetrit.

Ata ishin aty, të qeshur dhe të lumtur, si të kishin kaluar një jetë të tërë së bashku, pa ndonjë pengesë që mund të kishte mbajtur larg frymën e bashkimit. Çdo fytyrë ishte një pasqyrim i një gëzimi të qetë, i një harmonie të rrallë që rrallëherë ndodh të shohësh në këto mjedise zyrtare. Dukej sikur çdo njeri ishte ulur në vendin më të natyrshëm, më të vetin, si një zog që gjen çerdhen e vet pas një udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm.

Për një vëzhgues të jashtëm, që nuk e njihte peshën historike të këtij momenti, kjo pamje mund të dukej e zakonshme, një mbledhje e thjeshtë parlamentare. Por për ata që e dinin, për ata që e kishin ndjerë ndarjen e dhimbshme dhe ëndrrën për bashkim, kjo ishte një çudi e madhe, një mrekulli që i kalonte kufijtë e fjalëve.

Ata ishin të gjithë aty, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, të rrënjosur në të njëjtën tokë, të bashkuar nga i njëjti qiell. Çdo buzëqeshje, çdo fjalë e shkëmbyer, çdo prani ishte një deklaratë e qartë: Ne jemi një. Ne jemi këtu, së bashku, në vendin tonë, në historinë tonë. Dhe kjo ndjenjë, kjo pamje, ishte një poezi e gjallë, një himn për bashkimin që e ndihmon shpirtin të besojë se, përkundër të gjitha sfidave, ne mund të jemi të pandashëm, të plotë.

Sa shumë do të ishte ndriçuar fytyra e babait tim sikur të kishte mundur të shihte këtë pamje, një pamje që rrëzëllente shpresë dhe bashkim. Ai, që kishte kaluar jetën duke ëndërruar për këtë çast, do të ishte mahnitur nga harmonia e asaj salle, ku të gjithë ishin ulur krah për krah, duke folur lirshëm, pa frikë dhe pa droje. Në atë moment, zemra e tij, e rrahur aq gjatë nga vuajtjet dhe padrejtësitë, do të ishte bërë mal. Çdo dhimbje e vjetër do të ishte shkrirë në atë ndjenjë të ngrohtë dhe triumfuese.

Vitet e kaluara në burgjet e errëta dhe të ftohta të kazamateve jugosllave, ato vite që i kishin gërryer shpirtin dhe trupin, do të ishin harruar si një ëndërr e keqe. Kujtimet e maltretimeve, goditjeve dhe poshtërimeve do të zbeheshin përballë kësaj pamjeje që fliste për dinjitetin dhe të drejtën për të qenë i lirë. Për të, kjo skenë do të ishte më shumë se një ngjarje politike – do të ishte mishërimi i sakrificës së tij dhe i brezave të tërë që luftuan për këtë ditë.

Ai do ta kishte parë këtë bashkim jo vetëm si një fitore të madhe për kombin, por si një shlyerje të heshtur të dhimbjes që mbante në zemër. Çdo fytyrë e buzëqeshur, çdo zë i ngritur për të folur pa drojë, do të kishte qenë për të një mrekulli e papritur, një dëshmi se vuajtjet nuk ishin të kota, se sakrificat e tij dhe të mijëra të tjerëve kishin ndërtuar themelet për këtë ditë të bardhë.

Dhe unë mund ta imagjinoj atë, duke qëndruar aty, ndoshta në një qoshe, me një buzëqeshje të ndrojtur, por plot krenari, duke thënë me zë të ulët, ndoshta vetëm për veten: “Ja, kjo është ajo që e ëndërrova. Ja, kjo është ajo që vlen çdo dhimbje.” Në atë moment, ai nuk do të kishte qenë vetëm një dëshmitar i së kaluarës së dhimbshme, por edhe një dëshmitar i triumfit të asaj ëndrre për të cilën jetoi dhe u sakrifikua.

“A po ndodh bashkimi kombëtar?” – do të pyeste ai me një zë të butë, por të ngarkuar me një drojë të lashtë, një pyetje që mbante brenda saj gjithë barrën e shekujve dhe ëndrrave të paplotësuara. Dhe unë, bija e tij, me krenarinë e një trashëgimtareje të së shkuarës së tij të lavdishme dhe të dhimbshme, do t’i tregoja rrugëtimin tonë deri këtu.

Do të flisja me ngazëllim për atë vit të paharruar, 1999, për atë pranverë kur toka e Kosovës u çlirua nga zinxhirët që e kishin mbajtur të robëruar për kaq gjatë. Do të rrëfeja për një çast të madh historie, kur ëndrrat e brezave të tërë, të ngarkuara me sakrifica dhe shpresë, më në fund filluan të marrin formë nën qiellin e Kosovës së lirë. Ishte një kohë kur dheu ynë lindi sërish, si një feniks që ngrihet nga hiri i vet, duke shpallur pavarësinë dhe sovranitetin e tij me një zë që përshkoi botën.

Do t’i flisja atij për ata që dhanë gjithçka për këtë tokë, që lanë pas rininë, familjet dhe jetën e tyre për të mbjellë lirinë. Dhe do t’i thosha se ëndrra e tij, ajo që ndoshta për dekada dukej si një horizont i largët, tani shkëlqente me një dritë të fortë. Qielli i Kosovës, dikur i errët nga dhimbja dhe vuajtja, tani ishte mbushur me yje të shpresës dhe krenarisë.

Dhe pastaj, me një krenari që nuk mund të fshihej, do t’i rrëfeja për atë ditë të madhe, kur unë, bija e tij, qëndrova si deputete e legjislacionit të parë të Parlamentit të Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht. Do t’i tregoja për momentin kur kalova pragun e Parlamentit të Shqipërisë si e dërguara e shtetit të lirë të Kosovës. Ishte një çast që mbante në vetvete historinë e brezave, një moment kur dy anë të një trupi të ndarë për një kohë të gjatë u panë sy më sy.

Do t’i thosha se ajo hapësirë nuk ishte më e ndarë nga kufijtë që ishin ngulur në trupin e dheut tonë, por ishte e bashkuar nga një frymë që lidhte të shkuarën me të ardhmen. Ishte një simbol i fuqisë së kombit, i guximit të tij për të ëndërruar dhe për të luftuar për një realitet më të drejtë. Dhe në atë çast, baba, ti do të kishe parë me sytë e shpirtit se ëndrra jote dhe e të gjithëve që luftuan për të, ishte bërë realitet.

Me zërin që dridhet nga emocionet dhe lotët që ndriçojnë në sy, do të përpiqesha t’i shpjegoja se çdo hap që hodha atë ditë, çdo fjalë që thashë, ishte një homazh për të dhe për të gjithë ata që guxuan të shpresojnë kur gjithçka dukej e humbur. Kosova ishte e lirë, dhe unë isha pjesë e atij kapitulli të ri, duke mbajtur në zemër kujtimin e brezave që e sollën atë deri këtu.

Atë ditë, për herë të parë, e ndjeva veten si pjesë e një historie më të madhe, si një fije e fortë që lidhte tokën e Kosovës me trungun e përbashkët të kombit. Ishte një moment i paharrueshëm, një çast që do të mbetej përgjithmonë i ngulitur në kujtesën time. Duartrokitjet që jehonin në sallën solemne dhe gëzimi që shpërthente nga çdo fytyrë përreth, ishin si një valë që më përfshiu krejtësisht.

Do t’i tregoja për ato duartrokitje jo si një akt formaliteti, por si një simfoni shprese dhe krenarie, si një betim i heshtur që kjo ditë nuk do të harrohej kurrë. Gëzimi ynë, ai gëzim që mbante brenda tij gjithë dhimbjet, luftërat dhe shpresat e të kaluarës, ishte i plotë dhe i sinqertë.

Në atë moment, do t’i thosha, ndjeva se ëndrra e tij dhe e shumë të tjerëve nuk ishte më një iluzion, por një realitet që ne e përjetonim dhe e ndërtonim bashkë. Dhe ndoshta ai, me një buzëqeshje të lehtë dhe një lot në cep të syrit, do të thoshte me zë të ulët: “Më në fund, ëndrra po bëhet realitet.”

Ndoshta ajo ditë e madhe kishte nisur të lindte shumë më herët, kur bijtë dhe bijat tona, me zemrat plot guxim dhe shpresë, u nisën në vitet e ’90-ta për t’u përgatitur për luftën e armatosur të UÇK-së. Ato vite të errëta dhe plot tension, ku çdo hap ishte një akt rebelimi dhe çdo frymëmarrje mbante brenda saj një betim për liri, ishin ndoshta fillimi i një epoke të re.

Ndoshta ajo ditë kishte marrë formë në ato momente kur djemtë dhe gratë luftëtare, bashkë me trimat e Kosovës, dolën maleve, duke sfiduar të ftohtin, terrin dhe armikun. Ato male, që për shekuj kishin qenë dëshmitarë të dhimbjes dhe krenarisë së këtij populli, tani mbartnin në gjirin e tyre zemrat që rrihnin me një qëllim të përbashkët – largimin e okupatorit, shporrjen e tij drejt vendit që i takonte, jashtë këtyre tokave që s’kishin qenë kurrë të tijat.

Ishte ndoshta aty, në atë zjarr të përbashkët, ku u farkëtua historia jonë moderne. Në thirrjet e lirisë, në zërat që buçisnin nga malet dhe fushat, në hapin e vendosur të atyre që nuk pranonin të nënshtroheshin, filloi të marr jetë një ëndërr e madhe. Ajo ëndërr që frymëzonte çdo zemër shqiptare, që i jepte kuptim sakrificave dhe që na mësonte se liria nuk dhurohet – ajo fitohet, e larë me djersë, gjak dhe krenari.

Ndoshta ajo ditë u krijua nga zemrat e plagosura, por të palëkundura; nga betejat e humbura, por që frymëzuan fitore të mëdha; nga shpirtrat e lirë që besuan se Kosova ishte e denjë për çdo sakrificë. Dhe kështu, në atë shpërthim të dhimbjes dhe guximit, ndoshta atëherë filloi rrugëtimi drejt dritës, drejt lirisë që ne sot e thërrasim me emrin e saj të vërtetë – pavarësi.

Ndoshta ajo ditë filloi të lindë atëherë, kur ne u dëbuam nga Kosova, duke lënë pas shtëpitë tona, tokën tonë, kujtimet tona. Në atë udhëtim të dhimbshëm, që ngjante me një eksod biblik, ne ecëm të thyer, por jo të thyer shpirtërisht. Dhe në atë errësirë të pasigurisë, gjetëm dritën te vëllezërit tanë – ata që na hapën dyert e shtëpive të tyre, por mbi të gjitha, edhe dyert e zemrave të tyre.

Aty, ne nuk gjetëm vetëm strehë; gjetëm ngrohtësi, dhembshuri dhe një ndjenjë të thellë bashkimi. Dhimbjet tona, që na rëndonin si një mal mbi supet, papritur u bënë edhe të tyret. Vuajtjet tona, që dukeshin të pafundme, u ndanë me ta, dhe peshën e tyre ne nuk e ndjenim më vetëm. Në ato çaste, çdo derë e hapur, çdo sofër e shtruar ishte një akt dashurie, një gjest që fliste për lidhjet e pandashme të një kombi të ndarë fizikisht, por kurrë shpirtërisht.

Sofrat e tyre nuk ishin thjesht vende ku ne gjetëm ushqim. Ato ishin simbole të shpirtit shqiptar, të një bujarie që nuk numëron as kafshatën e fundit dhe të një solidariteti që lind nga zemra dhe historia e përbashkët. Çdo kafshatë që ndanim, çdo fjalë që shkëmbenim, ishte një betim i heshtur se ne do ta përballonim së bashku këtë dhimbje, se ne do të qëndronim krah për krah, deri në fund.

Dhe ndoshta aty, mes vuajtjes dhe dashurisë, mes lotëve dhe përqafimeve, u hodhën themelet e një bashkimi më të madh – një bashkim jo vetëm i tokave, por i zemrave dhe shpirtrave. Një bashkim që na mësoi se, edhe në ditët më të errëta, shpresa gjendet në dorën që të shtrihet, në zemrat që rrahin në harmoni, dhe në sofrat që hapen me bujari, duke na kujtuar se ne jemi një.

Ndoshta ajo ndodhi atëherë, kur fijet e jetës filluan të endeshin mes nesh dhe Shqipërisë, kur vajzat tona gjetën shtëpi dhe dashuri në atë tokë amë, dhe vajzat e tyre sollën dritën e zemrave të reja në Kosovë. Ishte një qark i bukur, një ritëm i heshtur që lidhte brigjet e ndara nga kufijtë, por të bashkuara nga gjaku dhe shpirti.

Kur vajzat tona shkuan përtej maleve dhe lumenjve, për të ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri, ato nuk u larguan – ato vetëm zgjeruan horizontin e dashurisë sonë. Dhe kur bijat e Shqipërisë erdhën në Kosovë, ato sollën me vete një copëz të diellit të jugut, një frymë të re që ndriçoi sofrat tona dhe ngrohu zemrat tona.

Në këto lidhje, në këto unaza të bashkuara, ne nuk pamë thjesht martesat e zakonshme, por ura të forta që u ndërtuan mes dy pjesëve të një shpirti të pandashëm. Ishte një akt i heshtur bashkimi, një rikthim tek ajo që gjithnjë kishte qenë e jona – një komb, një familje, një zemër e përbashkët.

Dashuritë që lulëzuan mes këtyre dy tokave ishin më shumë se marrëdhënie personale; ato ishin mesazhe të fuqishme që fshinin kufijtë dhe krijonin një hartë të re, atë të ndjenjës dhe të përkatësisë së përbashkët. Dhe ndoshta, në ato momente, u deshën vetëm një buzëqeshje e një vajze shqiptare dhe një përqafim i një djali nga Kosova për të rikthyer atë ndjesi të lashtë të bashkimit, që frymonte nën qiellin e të dyjave tokave tona.

Kështu, dashuria u bë ura më e fortë mes nesh – një urë që nuk shembet kurrë, sepse ndërtohet mbi themelet e gjakut, të historisë dhe të shpresës për një të ardhme të përbashkët.

Po, baba, u bë bashkimi kombëtar. Jo si në ëndrrat me brohoritje dhe flamuj të valëvitur në çdo shesh, jo me zhurmën e fishekzjarrëve që çajnë natën, por me atë mënyrën e heshtur, të ngadaltë dhe të natyrshme, që nuk kërkon ceremoni madhështore. U bë, sepse çdo ditë ne po e gjejmë veten tonë, njësoj, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Ne po ecim mbi të njëjtën tokë, po marrim frymë nën të njëjtin qiell dhe po shijojmë të njëjtën ndjenjë përkatësie.

Kosova është Kosovë, e Kosova është Shqipëri – kështu më ke thënë gjithmonë, baba. Dhe tani, kur e shoh këtë realitet të heshtur, mësoj se bashkimi nuk është vetëm një akt i zhurmshëm, por një ndjenjë që mbin dhe rritet brenda nesh, në rrënjët e përbashkëta të historisë dhe kulturës sonë. Nuk ka nevojë për fjalë të mëdha kur vetë jeta e përditshme dëshmon këtë unitet – në mënyrën si ndihmojmë njëri-tjetrin, si hapim dyert, si ndajmë ëndrrat dhe shpresat tona.

Bashkimi po ndodh çdo ditë, baba, në çdo hap që hedhim drejt njëri-tjetrit, në çdo sofër që shtrihet për të mirëpritur vëllezërit dhe motrat tona, në çdo fjalë dashurie që ndërlidh të kaluarën me të ardhmen. Është një bashkim që nuk ka nevojë për fishekzjarrë për ta dëshmuar, sepse ai jeton në zemrat tona, në frymën tonë. Dhe ti, që gjithmonë ke ditur ta shohësh të madhërishmen tek e thjeshta, ndoshta tani do të buzëqeshje dhe do të thoshe: “Po, bija ime, kështu duhet të jetë – jo me zë, por me zemër.”

A të kujtohet, baba, ato netët e vona kur errësira mbulonte gjithçka dhe ne flisnim sikur askush nuk na dëgjonte, sikur bota përreth të pushonte së ekzistuari? Në ato momente, zëri yt merrte një ton të veçantë, të qetë por të mbushur me një vendosmëri të thellë. Ti më thoshe: “Do të jetoj për këtë tokë, por edhe do të vdisja për të, sepse ia vlen. Një ditë gjithsesi do të jemi të bashkuar.”

Ato fjalë më ngjanin si një premtim i dhënë jo vetëm mua, por vetë kësaj toke që na mbante në gjirin e saj. Çdo fjalë që thoshe mbante peshën e një dashurie të pamasë, një dashuri që nuk kërkonte shpërblim, por që lindte nga vetë ndjenja e përkatësisë. Ishte si një betim i heshtur që lidhej me rrënjët e kësaj toke dhe me ëndrrat e atyre që kishin luftuar dhe vuajtur për të.

Në ato momente, errësira nuk më dukej më e frikshme, sepse zëri yt ndriçonte gjithçka. Dashuria jote për tokën ishte si një pishtar që nuk shuhej kurrë, një flakë që të ngrohte edhe në netët më të ftohta. Dhe tani, kur kujtoj ato netë, e kuptoj se ato fjalë ishin më shumë se një shprehje dëshire – ishin një testament, një udhërrëfyes për brezat që do të vinin pas teje.

Ti më mësove se të jetosh për një ideal është po aq fisnike sa të japësh jetën për të. Dhe tani, kur shoh këtë tokë, kur ndiej këtë unitet që po lind dalëngadalë, e kuptoj se fjalët e tua ishin profetike. Një ditë, më thoshe, do të jemi të bashkuar. Dhe tani e di, baba, se ajo ditë është gjithnjë pranë, në çdo hap që hedhim drejt njëri-tjetrit, në çdo ëndërr që mbajmë gjallë për të ardhmen.

Ja, sot, me sytë e mi pashë atë që zemra e dinte prej kohësh – bashkimi kombëtar kishte ndodhur shumë kohë më parë, në thellësitë e shpirtrave tanë, në dashurinë që nuk njihte kufij, në ndjenjën që na mbante të bashkuar përtej ndarjeve fizike. Por sot, për herë të parë, ne jo vetëm që e pamë, por e shijuam madhështinë e këtij bashkimi, të kthyer në një realitet të prekshëm.

Ishte një çast kur gjithçka dukej e përkryer. Nuk kishte më pengesa që të ndanin zemrat tona, nuk kishte më mure të padukshme mes nesh. Kishim përpara një komb që frymonte si një trup i vetëm, që rrihte si një zemër e vetme. Në atë moment, e ndjeva peshën e historisë dhe krenarinë e një të ardhmeje që po merrte formë.

Ky bashkim nuk ishte vetëm një akt politik apo një moment simbolik. Ishte një dëshmi e fuqisë së shpirtit tonë, e ëndrrave që kishin jetuar në heshtje për dekada, e përkushtimit të brezave që nuk e humbën shpresën. Sot, ne e pamë madhështinë e këtij kombi të bashkuar jo si një ide abstrakte, por si një realitet të gjallë që mund ta ndjenim në çdo përqafim, në çdo fjalë, në çdo shikim plot krenari.

Dhe kështu, në atë çast, kuptova se bashkimi nuk kishte ndodhur vetëm sot. Ai kishte qenë gjithmonë këtu, në rrënjët tona të përbashkëta, në kujtesën e gjallë të një populli që kurrë nuk reshti së besuari në vlerën dhe madhështinë e vet. Sot, thjesht, ne e bëmë atë të dukshëm, të prekshëm, dhe për këtë, zemrat tona rrihnin me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe dashurie.

Ndoshta, baba, bashkimi kombëtar nuk ndodhi nëpër tryeza politike apo mes traktatesh ndërkombëtare, por në momentin kur u hap tuneli i Kalimashit. Ishte një moment i thjeshtë, por me peshë të thellë shpirtërore, kur rrugët u shtrinë si krahë të hapur, duke na lejuar të lëvizim lirshëm, andej-këndej, sikur pengesat shekullore të ishin zhdukur si nga një magji e papritur.

Kur për herë të parë udhëtova nëpër atë tunel, ndjeva se Shqipëria ishte më pranë se kurrë. Sa afër ishte, baba, dhe sa shumë më habiti kjo afërsi! Një jetë të tërë kam ëndërruar të shkoj atje, të prek atë tokë me duar dhe ta shoh me sytë e mi. Por për vite të tëra, ajo kishte mbetur një vend i largët, një horizont i paarritshëm, që dukej sikur ekzistonte vetëm në ëndrrat e mia. Ishte një distancë që nuk matej me kilometra, por me pengesa të shpirtit dhe realitetit.

Dhe megjithatë, Shqipëria nuk kishte qenë kurrë larg për mua. Ajo ishte gjithmonë aty, jo në hartë, por në zemrën time. Ishte një vend që nuk mund ta prekja me dorë, as ta shihja me sy, por që e ndjeja në çdo rrahje të shpirtit. Ishte aty, një herë e përgjithmonë, si një dritë që nuk shuhet, si një zjarr që nuk ftohet, si një dashuri që nuk plaket.

Kur kalova përmes Kalimashit dhe pashë atë tokë që kisha dashur gjithë jetën, ndjeva sikur një pjesë e shpirtit tim më në fund ishte kthyer në shtëpi. Ishte një ribashkim i heshtur, një përqafim i padukshëm mes zemrës sime dhe dheut që kisha dashur aq shumë. Në atë çast, bashkimi kombëtar nuk ishte më një ideal i largët, por një realitet i brendshëm, një ndjenjë që përshkonte çdo qelizë të qenies sime.

E kuptova, baba, se bashkimi nuk është vetëm çështje kufijsh; është çështje zemrash. Shqipëria kishte qenë gjithmonë këtu, në Ty, në mua, dhe tani, më në fund, unë isha aty, në të. Dhe kjo ishte mrekullia e vërtetë: jo thjesht lëvizja përmes një tuneli, por lidhja e përjetshme mes një zemre që dashuron dhe një atdheu që pret, gjithmonë, me krahët hapur.

O Baba, pusho i qetë, sepse ëndrra jote, ajo që e mbajte të gjallë gjithë jetën tënde, sot u bë realitet. Ajo ëndërr që dikur dukej si një yll i largët në horizont, tani shkëlqen mbi tokën që ti deshe aq shumë. Dhe unë, bijë e asaj ëndrre dhe e sakrificës sate, qëndroj sot përpara këtij momenti të madh dhe ndiej se zemra jote, diku larg, rreh në paqe.

Pusho i qetë, heroi im. Fjalët e tua, që dikur më mësuan se vlen të jetosh dhe të luftosh për atë që do, sot kumbuan brenda meje si një himn i përjetshëm. Sakrificat e tua nuk ishin të kota; çdo hap që hodhe, çdo dhimbje që përballove, çdo shpresë që nuk e dorëzove, u bë gur themeli për këtë ditë. Dhe tani, kur bashkimi dhe liria që ëndërrove janë më shumë se fjalë – janë jetë – unë e ndiej fuqinë dhe dritën e trashëgimisë tënde.

Ti, heroi im, nuk je më vetëm një kujtim. Ti je fryma që përshkon këtë tokë, je zëri i qetë që na thërret të mos harrojmë se nga kemi ardhur dhe pse jemi këtu. Pusho i qetë, baba, sepse fëmijët e tu janë këtu, duke ruajtur dhe ndërtuar atë që ti e deshe më shumë se çdo gjë tjetër – një komb të lirë, të bashkuar dhe krenar. Dhe në këtë paqe, ti je gjithmonë me ne, një dritë që nuk do të shuhet kurrë.

“E flamuri, ku është?” – më pyete me atë zërin tënd të butë, por që mbartte një pritje të gjatë, një pritje që s’kishte njohur fund. Flamuri me shqiponjën e zezë, ai që gjyshja e ruante në arkën e saj të vjetër, sikur të ishte një thesar i shenjtë. Po, baba, kaherë e kam nxjerr nga ajo arkë. Nuk është më i fshehur, nuk është më një sekret që na mbante të zgjuar natën nga frika e zbulimit. Sot ai valëvitet krenar përpara shtëpisë sonë, duke dëshmuar atë që ti gjithmonë kishe ëndërruar.

Po, baba, Bashkimi Kombëtar ka ndodhur. Jo si një shpërthim i madh që e ndryshon botën brenda një dite, por si një rritje e qetë, e pandalshme, që mbin në zemrat dhe jetët tona çdo ditë. Ai nuk është vetëm në flamurin që valëvitet, por në mënyrën si ne jetojmë, si ëndërrojmë dhe si e ndjejmë këtë tokë si të njëjtën shtëpi, pavarësisht kufijve.

Flamuri, baba, është aty jo vetëm si një simbol, por si një kujtesë e gjithçkaje që kemi kaluar dhe gjithçkaje që kemi ndërtuar. Ai flet për sakrificat tua dhe të atyre që erdhën para teje, për dashurinë që nuk u dorëzua kurrë. Sot, ai nuk është më një relikt i fshehur në një arkë, por një flamur i gjallë, që flet për unitetin që ne e ndjejmë në çdo frymëmarrje.

Pusho i qetë, baba, sepse ëndrra që bartëm për breza me radhë është bërë realitet. Dhe në çdo valëvitje të atij flamuri, në çdo hap që hedhim drejt njëri-tjetrit, ne të kujtojmë ty dhe gjithë ata që na mësuan se Bashkimi Kombëtar nuk është vetëm një akt i madh politik, por një ndjenjë që jeton në zemrat tona. Dhe ajo ndjenjë, baba, nuk do të shuhet kurrë.

Ëndrra jote, baba, e mbushur me plagë dhe gjak, më në fund u bë realitet. Rrënjët e asaj sakrifice të shenjtë, të cilat ti dhe bashkëkohësit e tu i ujitët me djersë, vuajtje dhe gjak, tani kanë çelur pemën e lirisë. Unë dhe fëmijët e mi qëndrojmë të përulur dhe mirënjohës jo vetëm për ty, por për çdo brez që e la rininë e vet të mërdhihet pas hekurave të burgjeve të okupatorit.

Kujtoj mundimet e tua, netët e gjata që kalove duke ëndërruar për një ditë të bardhë, për një atdhe të lirë ku fryma të jetë e lehtë si flladi i mëngjesit dhe ku kënga të mos jetë e ndalur nga frika. Kujtoj vitet kur ti dhe shokët e tu i flijuat më të bukurat stinë të jetës për një ëndërr që dukej aq larg, si një yll që shkëlqen, por nuk mund të preket. Burgjet ishin kthyer në tempuj ku ju kultivuat shpresën, dhe çdo vuajtje ishte një gur i vendosur në themelet e kësaj lirie që ne sot e gëzojmë.

Në heshtjen e përjetësisë tënde, baba, zëri yt jehon brenda meje, duke më kujtuar se liria nuk është dhuratë e rastësisë, por një trashëgimi e fituar me flijime të pamasë. Ndaj, ne, fëmijët e lirisë, jemi rojet e kësaj dhurate të shenjtë. Me mirënjohje dhe respekt, do të kujtojmë ty dhe të gjithë ata që ëndërruan të pamundurën dhe luftuan për të bërë realitet atë që bota mendonte se nuk mund të ndodhte.

Pusho, heroi im, në paqe. Rruga që hape me sakrificën tënde është sot rruga jonë, e cila na thërret të ecim me krenari, duke mbajtur të gjallë kujtimin e flijimit tuaj. Dhe ndërsa brezat rriten nën hijen e kësaj peme lirie, ata do të mësojnë të çmojnë çdo frymëmarrje, çdo hap të sigurt, çdo këngë të lirë, si një testament i përjetshëm i shpirtit tënd dhe i ëndrrës sate të përgjakur.

Dhe sot, ndërsa dëgjoja fjalimet që mbushnin sallën e Kuvendit të Kosovës, tingulli i fjalëve nuk ishte thjesht politikë; ishte jehonë. Ishte jehona e brezave që dikur ëndërruan të pamundurën dhe e kthyen në një flamur të ngritur lart në erën e historisë. Në mes të atyre diskutimeve, ndjeva një oshtimë të thellë, sikur zërat e atyre që ranë për bashkimin kombëtar të kishin hyrë në sallë. Sikur fryma e tyre të përhapej në çdo qoshe, duke duartrokitur në një heshtje madhështore.

Ata zëra nuk ishin vetëm kujtim, por një lloj rikujtimi i fuqishëm, një thirrje që vinte nga një botë tjetër, ku plagët e luftës janë tashmë medalje dhe vuajtjet janë bërë himne të shenjta. Çdo fjalë e thënë nga foltorja e Kuvendit dukej sikur prekte një tel të padukshëm, duke zgjuar kujtimet e rrugëve me gurë të rrahur nga hapat e të rinjve që e lanë rininë për idealin e kombit të bashkuar. Aty ku sot flasin të zgjedhurit, dikur flisnin të pushkatuarit, të torturuarit, të dënuarit pa faj, por kurrë të dorëzuarit.

Imazhi i tyre më shfaqej para syve: burra dhe gra që ngrinin flamurin në heshtje, mes natës dhe rrezikut, duke ia besuar erës ëndrrën e tyre, që sot na përket të gjithëve. Ishin ata që i dhanë kuptim fjalës “bashkim,” duke e shkruar atë me gjak, me sakrifica që tejkalonin të zakonshmen, me një dashuri aq të pastër për atdheun sa çdo kufi dukej i përkohshëm.

Salla e Kuvendit, e mbushur me zëra të sotëm, dukej sikur shndërrohej në një amfiteatër të përjetësisë, ku duartrokitjet e padukshme të të rënëve përqafoheshin me fjalimet e sotme. Dhe unë, dëgjuese e zakonshme e këtij spektakli të jashtëzakonshëm, ndjeva barrën dhe bekimin e një trashëgimie që na thërret të jemi të denjë për të. Fjala e tyre, oshtima e tyre, është një urdhër i heshtur për të mos harruar dhe për të ndjekur rrugën që ata nisën.

Sot, nuk ishin vetëm deputetët që flisnin. Ishte historia që pëshpëriste, kujtimi që jehonte, dhe shpirtrat që mbështesnin çdo hap që e afron këtë tokë me ëndrrën e tyre më të madhe: bashkimin e të gjithëve nën të njëjtin qiell, të njëjtin flamur, dhe të njëjtën dashuri për atdheun.

Ishte sakrifica juaj, e dhënë brez pas brezi, që e mbolli këtë ditë të madhe në kopshtin e historisë sonë. Çdo hap që bëtë mbi dheun e ngrohtë të atdheut, çdo vuajtje që duruat nën hijen e errët të shtypjes, ishte një gur themeli për këtë ditë të shumëpritur. Ju ishit arkitektët e shpresës dhe rojet e një ëndrre të madhe, duke e mbajtur gjallë atë në zemrat tuaja edhe kur bota dukej se kishte harruar.

Baba, përulem para jush, jo vetëm për guximin që patët për të përballuar furtunat, por edhe për durimin tuaj – atë durim të heshtur, por të palëkundur, që ndërtoi urat drejt lirisë. Ishte mençuria juaj që na udhëhoqi, një mençuri e trashëguar si një thesar i çmuar, që i dha forcë brezave për të qëndruar të patundur ndaj padrejtësive dhe të vendosur në rrugën drejt qëllimit të shenjtë.

Ju nuk luftuat vetëm për një ditë; ju luftuat për një të ardhme. Në çdo hap, ju bartët peshën e brezave të ardhshëm mbi shpatullat tuaja, duke na dhënë ne privilegjin të gëzojmë një realitet që dikur ishte vetëm një ëndërr. Dhe tani, ndërsa kjo ditë ndriçon si një diell mbi qiellin tonë, unë ndiej jehonën e përpjekjeve tuaja në çdo rrahje të zemrës sime. Çdo liri që sot marrim si të mirëqenë, është një testament i forcës suaj, një dëshmi e dashurisë suaj të palëkundur për atdheun.

Baba, kjo ditë nuk është vetëm e jona; është e juaja. Është fryti i gjakut dhe djersës suaj, i netëve të gjata plot ankth dhe ditëve të mbushura me sakrificë. Është një monument i pashoq që qëndron në zemrat tona, një kujtesë e përhershme e asaj se çfarë do të thotë të duash një tokë deri në fund të frymës.

Në këtë ditë të madhe, ne nuk gëzojmë vetëm arritjen; ne përkulemi para historisë që e solli atë deri këtu. Ne përulemi para jush, baba, dhe para të gjithë atyre që e lanë dritën e shpirtit të tyre të ndriçojë këtë udhëtim të gjatë. Dhe ndërsa kjo ditë shkëlqen, kujtesa juaj na mban të fortë, duke na kujtuar se çdo liri kërkon një zemër që të guxojë, një shpirt që të durojë, dhe një mençuri që të udhëheqë.

Ishit ju, meritorët e kësaj dite të madhe, apo ishte historia vetë, ajo që me dorën e saj të pamëshirshme e të drejtë, ndërtoi urat drejt lirisë? Ishin brezat, njëri pas tjetrit, që me shpirtin e tyre të palëkundur e flijuan gjithçka për një ideal më të madh se vetvetja. Ishin ata që, si rrënjët e një peme të lashtë, ushqyen tokën e Kosovës me gjakun dhe ëndrrat e tyre, duke e bërë atë të lulëzojë në një pranverë lirie.

Ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës – një zjarr i ndezur nga zemrat e atyre që nuk pranuan të nënshtrohen. Brenda saj u mblodhën djemtë dhe vajzat e Kosovës, por edhe ata të Shqipërisë, që përtej kufijve të imponuar nga historia, u bashkuan nën një ideal të vetëm: lirinë dhe bashkimin e atdheut. Ishin ata që sfiduan armikun jo vetëm me armë, por me një shpirt të pathyeshëm, me besimin se e drejta dhe liria janë të pashmangshme, si drita që shpërthen errësirën.

Në çdo betejë, ata nuk mbanin vetëm armë, por edhe flamurin e triumfit, një simbol që nuk ishte thjesht një copë stofi, por një testament i gjallë i sakrificave të brezave. Ai flamur ishte mbështjellë me betimet e të parëve, me plagët e të burgosurve, me lotët e nënave dhe buzëqeshjet e fëmijëve që ëndërronin një të ardhme më të mirë. Kur ky flamur valoi i lirë, ai nuk ishte thjesht një triumf mbi armikun; ishte një triumf mbi padrejtësinë, mbi dhimbjen dhe mbi çdo përpjekje për të na heshtur si popull.

Merita nuk i përket vetëm një brezi, një grupi, apo një individi. Ajo është një orkestër e madhe, ku çdo brez ka luajtur notën e tij në këtë simfoni të lirisë. Historia ishte dirigjenti, brezat ishin muzika, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte ajo melodi që u ngrit mbi të gjitha, duke i dhënë zë shpresës dhe forcës së një populli që nuk pranoi të zhdukej.

Sot, ndërsa kujtojmë këtë rrugëtim, duhet të përulemi para atyre që flijuan gjithçka, që sfiduan frikën dhe që dolën përballë armikut me guximin e një mali dhe ëndrrën e një ylli. Kjo ditë është fryt i sakrificave të tyre, një testament i përjetshëm që do të mbetet si frymëzim për brezat që do të vijnë, një ftesë për të ruajtur gjithnjë atë që ata fituan me kaq mund dhe dashuri për atdheun.

Kosova, baba, tani ka gjetur rrugën e saj, atë udhë që ju dhe brezat tuaj e kërkuat mes furtunave të historisë dhe sakrificave të pafund. Është një rrugë që dikur ishte e mjegulluar nga dhembja, përndjekja dhe padrejtësia, por që tani shkëlqen si një rreze drite në horizontin e lirisë. Kosova sot është e lirë, një fjalë që dikur dukej si një ëndërr e largët, dhe e pavarur, si një zog që më në fund ka gjetur qiellin e vet për të fluturuar.

Sot, kufijtë e saj, nga Mitrovica në veri deri në Konispol në jug, janë më shumë sesa vija të vizatuara në një hartë; ato janë damarët që mbartin frymën e bashkimit dhe krenarisë kombëtare. Çdo pëllëmbë toke është e mbushur me kujtime të së kaluarës, me dëshmi të sakrificave të shumta, dhe me premtimin për një të ardhme të ndritur. Mitrovica, me zemrën e saj që rreh në dy brigje, dhe Konispoli, me tokën që përqafon qiellin dhe detin, janë simbolet e një atdheu që nuk njeh ndarje në shpirt.

Baba, ëndrra juaj është bërë realitet. Kosova nuk është më një emër që pëshpëritej me frikë, por një flamur që valëvitet krenar në qiellin e lirë. Ajo nuk është më një tokë e heshtur nga padrejtësia, por një zë që dëgjohet në botë, duke shpallur me krenari pavarësinë e saj. Në çdo hap që hedh, Kosova shpreh mirënjohjen për ju dhe për të gjithë ata që dhanë gjithçka për këtë moment.

Por kjo rrugë nuk është vetëm e kaluar dhe e tashme; ajo është gjithashtu një përgjegjësi. Ne, fëmijët e lirisë, mbajmë mbi supe barrën për ta ruajtur këtë sovranitet, për ta ndërtuar këtë shtet mbi themele të forta dhe për ta bërë të denjë për ëndrrat dhe flijimet që e sollën deri këtu. Dhe kështu, baba, Kosova ecën përpara, duke ruajtur gjurmët e sakrificave tuaja dhe duke ndriçuar rrugën për brezat që do të vijnë.

20 dhjetor, 2024
Prishtinë

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.

Shkrimet e fundit