Xhelal Zejneli
Mark Tueni, është i pari romancier amerikan, i formuar pavarësisht traditës evropiane.
* * *
Vepra e Tuenit, e krijuar në kufirin midis romantizmit dhe realizmit, shoqërisë agrare dhe industriale, lindjes dhe perëndimit të kontinentit amerikan, është vendtakim i miteve dhe burim i temave që ia kanë çelur rrugën zhvillimit të përgjithshëm të letërsisë amerikane të mëvonshme. E kanë quajtur baba të letërsisë amerikane.
* * *
Emri i plotë: Samuel Langhorne Clemens; Pseudonimi: Mark Twain; Lindi më 30 nëntor 1835; Vdiq më: 21 prill 1910; Profesioni: shkrimtar, ligjërues, sipërmarrës; Llojet letrare: roman, humoreskë, novela, udhëpërshkrim; kujtime (memoare) Periudha letrare: Letërsia amerikane e shekullit XIX.
Samuel Langhorne Clemens (Florida, Missouri, 30 nëntor 1835 – Redding, Connecticut, 21 prill 1910), shkrimtar amerikan, autor i romaneve të famshme “Aventurat e Tom Sojerit” (1876) dhe “Aventurat e Hakëllberi Finit” (1884,1885), të vendosura në brigjet e lumit Misisipi të jugut amerikan. Me paraqitjen e tij në letërsinë amerikane, merr fund dominimi i autorëve nga Anglia e Re (New England). Qysh i gjallë arrin famë ndërkombëtare.
Ushtroi ndikim mbi prozatorin amerikan, laureat i çmimit “Nobel” (1949), Uilliam Fokner (William Faulkner, 1897-1962) dhe prozatorin amerikan, laureat i çmimit “Nobel” (1954), Ernest Heminguej (Ernst Hemingway, 1899-1961). Ka qenë një prej shokëve të rrallë të Nikola Teslës (1856-1943)*. Humorist i shquar i letërsisë botërore, është i pari romancier amerikan i ngritur pavarësisht nga tradita evropiane. E quajnë baba të letërsisë amerikane.
Shënim: Nikola Tesla ka qenë inxhinier, futurist dhe shpikës serbo-amerikan. Njihet për kontributet e tij në projektimin e sistemit modern të furnizimit me energji elektrike, me rrymë alternative. Lindi në Smilan të Kroacisë më 10 korrik 1856. Vdiq në Nju-Jork, më 7 janar 1943.
Fëmijëria dhe rinia – Emri i vërtetë i Mark Tuenit është Samuel Langhorne Clemens. Nëna Xhejn (Jane), e lindur Lampton (1803-1890) ka qenë prej Kentucky-t, kurse babai John Marshall Clemens (1798-1847) ka lindur në Virxhini. Prindërit e Markut janë takuar kur babai është shpërngulur në Missouri. Pas disa viteve, ose më saktë më 1823, janë kurorëzuar. Kanë pasur shtatë fëmijë. Fëmijërinë e kanë përjetuar vetëm tre prej tyre: vëllai Orion (1825-1897), Henri (1838-1858) i cili humb jetën me rastin e shpërthimit të anijes lumore dhe motra Pamela (1827-1904). Samueli (Marku i ardhshëm) ka qenë fëmija i gjashtë. Motra Margaret (1833-1939) ka vdekur e vogël, vëllai Benjamin (1832-1842) ka vdekur kur ka qenë dhjetë vjeç, kurse vëllai Pleasant (1828-1829) ka jetuar jo më shumë se gjashtë muaj.
Kur Samueli ishte katër vjeç, shpërngulet me prindërit në Hannibal, qytet portual në lumin Misisipi, ku e ndjek shkollën fillore. Babai ka qenë avokat dhe gjyqtar. Në vitin 1847, ai vdes nga ndezja e mushkërive (pneumoni). Samueli shkon në zanatin për shtypshkronjë. Më vonë punon si tipograf nëpër shumë qytete të Amerikës – në Nju-Jork, në Pensilvani, në Filadelfi etj. Pas kësaj punon si timonier i avullores në lumin Misisipi, deri në fillim të luftës civile në Amerikë (1861), kur iu bashkëngjit një kohë të shkurtër kalorësisë së Konfederatës. Atë vit iu bashku vëllait në territorin e sapokrijuar në Nevadë, ku punoi në minierën e argjendit.
Veprimtaria letrare – Në vitin 1862 Samueli bëhet raportues i gazetës “Enterprise” në Virginia City në Nevadë, kurse në vitin 1863, për po atë gazetë, me pseudonimin Mark Tuen (Mark Twain), fillon të shkruajë artikuj. Në lumin Misisipi kjo shprehje ka kuptimin “shenjë piloti për 12 hapa thellësi.” Në vitin 1864, pas shpërnguljes në Kaliforni, apo më saktë në San Francisko, takon shkrimtarin humorist amerikan Çarls Ferer Broun (Charles Farrar Browne), i njohur me pseudonimin Artemus Uard (Artemus Ward 1834-1867) dhe shkrimtarin amerikan Bret Hart (Francis Bret Harte, Albany/New York, 1836 – Camberley, Angli, 1902) të cilët e mbështesin në punën e tij.
Në vitin 1865 e përpunoi përrallën që e kishte dëgjuar në fushat e arit të Kalifornisë dhe e publikoi me titullin „Bretkosa e famshme kërcyese nga Qarku Calaveras“ (The Celebrated Jumping Frog of Calaveras County, 1865). E mori rrugën për në Havaje. Për disa muaj, vepra u popullarizua shumë. Në vitin 1867 ligjëron në Nju-Jork. Po atë vit viziton Evropën dhe Palestinën. Tallet me qytetërimin dhe me institucionet evropiane të mplakura. Tallet edhe me respektin e thellë të bashkudhëtarëve amerikanë që tregojnë ndaj tyre.
E fiton respektin e shkrimtarit të parë autokton amerikan i cili krijon në mënyrë të pavarur nga tradita dhe modelet evropiane.
Udhëtimet e sipërthëna i paraqiti në udhëpërshkrimin “Të pafajshmit jashtë vendit” (The Innocents Abroad, 1869) që zmadhon disa aspekte të kulturës evropiane, që i ka impresionuar turistët amerikanë.
Në vitin 1870 martohet me Olivia Langdon. Pas një qëndrimi të shkurtër në qytetin Buffalo (shteti Nju-Jork), çifti i ri shpërngulet për në Hartford në Konektikat (Connecticut).
Pjesa më e madhe e veprave më të mira të Tuenit janë shkruar në vitet ’70 dhe ’80 të shekullit XIX në Hartford si dhe gjatë verës në fermën Quarry vendit Elmira (shteti Nju-Jork).
Në veprën “Duke e përpunuar ashpër” (Roughing It, 1872) i përshkruan në hollësi aventurat e hershem të tij në kohën kur ka qenë minator dhe gazetar. Në romanin nostalgjik argëtues “Aventurat e Tom Sojerit” (The Adventures of Tom Sawyer, 1876) flet për fëmijërinë në qytetin pranë brigjeve të Misisipit, kurse në veprën “Endacaku jashtë vendit” (A Tramp Abroad, 1880) flet për udhëtimin nëpër Shfarcvaldin (Schwarzwald) gjerman. “Princi dhe lypësi (1882) është roman për fëmijë. Fokusohet në ndërrimin e identitetit në Anglinë tudore.
„Jeta në Misisipi“ (Life on the Mississippi, 1883) kombinon paraqitjen autobiografike të përvojave të veta si pilot lumi. Aty e paraqet fëmijërinë dhe pilotimin në Misisipi të krahasuar me përjetimin e Misisipit 20 vjet më parë. Romani satirik “Jenki në pallatin e mbretit Artur” (A Connecticut Yankee in King Arthur’s Court, 1889) flet për shtypjen e njerëzve në Anglinë feudale.
* * *
Romani “Aventurat e Hakëllberi Finit” (The Adventures of Huckleberry, Finn,1884) është kryevepër. Paraqet vazhdim të romanit “Aventurat e Tom Sojerit” (The Adventures of Tom Sawyer, 1876) dhe konsiderohet si më e mira vepër Tuenit. Në roman flitet për fëmijën e quajtur Hak (Huck) i cili ikën nga i ati me një trap në lumin Misisipi me robin e arratisur Xhim (Jim). Midis tjerash, kjo vepër ia jep lexuesit pasqyrën e jetës në lumin Misisipi para luftës civile në Amerikë. Në këtë vepër për ikjen e përbashkët dhe për shoqërimin e fëmijës Hak (Huck) dhe të robit Xhim (Jim), në të cilën bota e idealizuar e natyrës paraqitet në kontrast me përshkrimin realist të lakmisë njerëzore dhe të instinktit vetëshkatërrues.
* * *
Për t’i botuar veprat e veta si dhe ato të shkrimtarëve të tjerë, në të njëjtën vit kur publikohet “Hakëllberi Fini”, Tueni themelon kompaninë Charles L. Webster and Company
Vepra më e rëndësishme që e botoi kompania janë “Kujtimet personale” (Personal memories), në dy vëllime, 1885-1886, të gjeneralit amerikan të luftës dhe të presidentit Ulysses S. Grant* 1822 – 1885).
Shënim: Ulysses S. Grant (1822-1885) ka qenë prijës ushtarak dhe shkrimtar, një prej personave më të merituar të fitores së Veriut në Luftën Civile Amerikane. Ka qenë presidenti i 18-të i ShBA-sw.
* * *
Në vitin 1894, ndërmarrja bankrotoi për shkak të investimit të pamjaftueshëm në makinën automatike të shkrimit.
Ligjërimet nëpër botë dhe udhëpërshkrimi “Duke ndjekur ekuatorin” (Following the Equator, 1897) që lindi në bazë të atyre udhëtimeve, i mundësuan Tuenit t’i shlyente borxhet. Autori i përshkruan udhëtimet me një humor të hidhur.
* * *
Puna e tij në vitet 1890 dhe 1900 karakterizohet nga një pesimizëm dhe hidhërim i theksuar të shkaktuar nga mossuksesi afarist dhe më vonë edhe nga vdekja e së shoqes dhe të dy vajzave. Vepra të kësaj periudhe janë “Tragjeditë e budallait Vilson” (The Tragedy of Pudd’nhead Wilson, 1894). Është një novelë veprimi i të cilës është vendosur në jugun e ShBA-së para luftë civile. Aty autori kritikon racizmin.
Në biografinë sentimentale “Kujtime personale të Zhan d’Arkut” (Personal Recollections of Joan of Arc, 1896).
Shënim: Zhan d’Ark (Jeanne d’Arc / Joan of Arc; Lindi në fshati Domrémy-la-Pucelle, Francë, rreth vitit 1412- Vdiq në Ruen, Francë, 30 maj 1431) është një shenjtore mbrojtëse e Francës, e nderuar si mbrojtëse e kombit francez gjatë rrethimit të Orleanit dhe këmbënguljes për kurorëzimin e Karlit VII të Francës gjatë Luftës Njëqindvjeçare. Konsiderohet si heroinë që e shpëtoi Francën nga Anglia pas një zbulimi hyjnor.
* * *
Veprat e mëvonshme përfshijnë dy tregime të shkurtra “Njeriu që e korruptoi Hadlejburgun” (The Man That Corrupted Hadleyburg, 1899) dhe “Lutja e luftës” (The War Prayer, 1905). Janë dy eseje filozofike, sociale dhe politike. Dorëshkrimi i veprës “I huaji misterioz” (The Mysterious Stranger, 1916) ka mbetur i paplotë. Është botuar postum në vitin 1916.
* * *
Në vitin 1907 Universiteti i Oksfordit e ka shpallur Tuenin Doctor Honoris Causa.
* * *
Në vitet e fundit të jetës, Tueni ka shkruar më pak. por shpesh ka folur publikisht për tema të ndryshme. Ka mbetur në kujtesë edhe për teshta me vija të bardha që gjithmonë i ka mbajtur me rastin e paraqitjeve publike. Vdiq në Stormfield.
* * *
Puna e Tuenit është e inspiruar nga Perëndimi jokonvencional. Popullariteti i veprave të tij i dha fund dominimit në letërsinë amerikane, të shkrimtarëve nga Anglia e Re (New England). Qysh i gjallë, fitoi famë me romanet satirike, me ligjëratat dhe shpirtin e gjallë. Ka qenë i pranishëm në qarqet më të larta të shkrimtarëve, të industrialistëve dhe të aristokracisë evropiane të kohës së vet. Më vonë, shkrimtarët e famshëm amerikanë, që të dy laureatë të çmimit “Nobel”, Ernest Heminguej (Ernets Hemingway) dhe Uilliam Fokner (William Faulkner) i janë referuar Tuenit si frymëzues të tyre. Bashkëkohësi dhe shoku i tij Uilliam Din Houells (William Dean Howells, 1837-1920)* e ka quajtur Mark Tuenin Abraham Linkoln i letërsisë.
Shënim: Uilliam Din Houells (William Dean Howells, 1837-1920) ka qenë romancier amerikan, realist, kritik letrar, dramaturg dhe diplomat. Njihej me nofkës “Dekan i Letrave Amerikane” .
* * *
Teni la pas vetes një biografi të papërfunduar të cilën e botoi në vitin 1924 sekretari i tij Albert Bigelow Paine.(1861-1937).*
Shënim: Albert Bigelow Paine (1861-1937) autor dhe biograf amerikan, i njohur për punën e tij me Mark Tuenin. Ka qenë anëtar i Komitetit të Çmimit Pulitzer. Ka shkruar trillime, humor dhe vargje.
* * *
Në gjysmën e parë të vitit 1990 është gjetur në Holivud (Hollywood) dorëshkrimi burimor i romanit “Hakëllberi Fini”. Në vitin 1992, pas një procesi gjyqësor të gjatë për të drejtën e pronësisë, dorëshkrimi dhe materialet e tjera, deri atëherë të pabotuara, iu dhanë bibliotekës Buffalo dhe Erie County (New York). Në vitin 1996 u botua botimi i reviduar (i rishikuar) i “Hakëllberit Finit” duke përfshirë edhe materialet e pabotuara.
* * *
Presidenti amerikan Heri Truman (Harry S. Truman, 1884-1972), një citat të futur në kornizë, e ka mbajtur mbi tryezë. Në vitin 2008, gjatë fjalimit parazgjedhor në Missourin e Mark Tuenit, Barak Obama (Barck Obama; Honolulu, Hawai, 1961- ) e vlerëson atë si satirikun më të madh të Amerikës.
Me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së Tuenit, gjatë vitit 2010 janë publikuar një sërë punimesh shkencore dhe profesionale të cilat opusin dhe ndikimin letrar të tij e kanë studiuar nga këndvështrime të ndryshme.
* * *
Vepra e Tuenit, e krijuar në kufirin midis romantizmit dhe realizmit, shoqërisë agrare dhe industriale, lindjes dhe perëndimit të kontinentit amerikan, është vendtakim i miteve dhe burim i temave që ia kanë çelur rrugën zhvillimit të përgjithshëm të letërsisë amerikane të mëvonshme.


