
Mikel Gojani
Natasha Xhelili, Rreth soneteve të Anton Nikë Berishës. Botoi, “Beqir Musliu”, Gjilan 2026
Këto ditë pa dritën e botimit libri i Natasha Xhelilit me titull “Rreth soneteve të Anton Nikë Berishës”, që është një studim i rëndësishëm dhe me vlerë të shumëfishtë.
Në kërkim të thellësive të fjalës poetike dhe të mendimit
Në këtë studim Natasha Xhelili dëshmohet autore, e cila e vëzhgon dhe e hulumton qenësinë e veprës letrare, e interpreton tekstin e soneteve dhe i zbulon shtresat e thella kuptimore që mbart fjala artistike. Në profilin e saj krijues e studimor vërehet prirja për ta parë letërsinë përmes leximit të vëmendshëm e të thelluar.
Natasha Xhelili përpiqet të depërtojë në universin poetik të Anton Nikë Berishës, duke e trajtuar sonetin si hapësirë të lirisë krijuese dhe të shprehjes moderne. Titujt si “Drita e dijes dhe pesha e krijimit”, “Soneti si paradoks – strukturë klasike për një liri moderne”, “Vetmia si lëvizje – spektri i përvojës së brendshme” dhe “Heshtja – tingull i padëgjuar i vetmisë”, dëshmojnë përcaktimin për çështjet estetike, filozofike të tekstit të soneteve.
Studimi nuk përqendrohet vetëm në veçoritë formale të sonetit, por edhe në pasurinë dhe veçantinë e gjuhës që përdor autori, në përjetimet e vetmisë dhe mundësinë e ndikimit estetik të tekstit në marrësin.
Librit i prin një Parathënie, e cila shërben si hyrje orientuese për lexuesin, ndërsa më pas vjen pjesa me titull domethënës “Drita e dijes dhe pesha e krijimit”. Vetë ky titull bart një ngarkesë të veçantë simbolike. Dija dhe krijimi vendosen në një marrëdhënie plotësuese: e para ndriçon dhe interpreton, ndërsa e dyta e krijon botën artistike përmes fjalës. Kështu, studimi letrar paraqitet si një akt njohjeje, por edhe si një ballafaqim dhe përgjegjësi intelektuale përballë veprës artistike. Një nga vlerat e rëndësishme të kësaj qasjeje është trajtimi i sonetit jo thjesht si një formë e trashëguar poetike, por si strukturë tekstore që mund të përmbajë përvoja, ndjesi dhe mendime të thella. Në kapitullin “Soneti i parë i përmbledhjes ‘Hire të vetmisë’”, vëmendja përqendrohet te pika e nisjes së këtij universi poetik.
Veçanërisht domethënës është trajtimi i sonetit në kapitullin “Soneti si paradoks – strukturë klasike për një liri moderne”, që përbën një nga boshtet më interesante të interpretimit, ku vihen në pah marrëdhëniet ndërmjet traditës dhe modernitetit. Soneti, si formë me rregulla të caktuara shtjelluese, nuk e kufizon domosdoshmërisht lirinë krijuese. Përkundrazi, ai mund të bëhet një mënyrë ku të shprehurit modern, ndjeshmëria individuale dhe përvoja bashkëkohore gjejnë shprehjen e tyre më të thellë. Pikërisht në këtë ndërthurje qëndron paradoksi artistik: brenda kufijve të një forme të përcaktuar lind një liri e gjerë shprehëse poetike.
Një vend të rëndësishëm në studim zë edhe “Vetmia si lëvizje – spektri i përvojës së brendshme”. Në këtë kontekst vetminë nuk duhet kuptuar vetëm si mungesë të tjetrit apo si izolim fizik. Ajo shfaqet si gjendje e ekzistencës, e ndërgjegjes, si udhëtim drejt vetvetes dhe si proces i vazhdueshëm i njohjes së botës së brendshme.
Soneti 19, thekon autorja, e paraqet vetminë si një parim aktiv krijues, një fuqi që nuk pushon kurrë.
“Ëndërrimtare që asnjëherë s’pushon/ ta ngjallësh frymën e hullive të jetës”.
Kapitulli “Gjuha e natyrës si dialektikë e brendshme” hap një tjetër mundësi interpretimi. Natyra nuk paraqitet thjesht si sfond i përjetimeve poetike, por si një sistem shenjash dhe simbolesh përmes të cilave shprehet gjendja shpirtërore e njeriut. Ajo ndërlidhet e komunikon me botën e brendshme, ndërsa dukuritë natyrore mund të marrin kuptime që tejkalojnë përmasat konkrete. Kështu, natyra dhe shpirti ndërtojnë një marrëdhënie dialogu, ku secila pasqyron dhe e interpreton tjetrën.
Me interes është edhe kapitulli “Anatomia e universit sonetor”, ku vetë nocioni i anatomisë sugjeron një depërtim në strukturën e brendshme të tekstit. Kjo qasje nënkupton shqyrtimin e elementeve që përbëjnë sonetin: organizimin e vargut, ritmin, figuracionin, simbolikën, ndërtimin e mendimit dhe mënyrën se si këto përbërës bashkëveprojnë për të krijuar tërësinë shprehëse artistike.
Kapitulli “Drita dhe errësira – ekologjia e shpirtit” sjell një përmasë tjetër të interpretimit simbolik. Drita dhe errësira janë dy gjendje të kundërta, por edhe plotësuese të përvojës njerëzore. Ato mund të lexohen si shenja të shpresës dhe të dëshpërimit, të njohjes dhe të pasigurisë, të pranisë dhe të mungesës. Përmes këtij dualizmi, bota poetike merr thellësi kuptimi, ndërsa shpirti njerëzor paraqitet si një hapësirë ku bashkëjetojnë kundërshtitë dhe kërkimi i vazhdueshëm për drejtpeshim.
Në kapitullin “Elementi narrativ brenda soneteve”, autorja i kushton vëmendje një aspekti interesant të organizimit poetik. Edhe pse soneti është një formë lirike, brenda tij mund të ndërtohen situata, rrjedha mendimi, përjetime dhe sekuenca që bartin karakter narrativ. Kjo ndërthurje e lirizmit me elementet rrëfimtare e pasuron tekstin poetik dhe i jep lexuesit mundësinë të zbulojë jo vetëm ndjeshmërinë, por edhe zhvillimin e një përvoje të brendshme.
Ngjashëm ndodh edhe me kapitulli “Vetmia – portë drejt shpirtit poetik”, ku vetmia merr kuptimin e një hapësire të qenësishme të krijimit. Ajo bëhet porta përmes së cilës poeti depërton në thellësitë e qenies, për të nxjerrë në dritë mendime dhe ndjenja që në jetën e përditshme mund të mbeten të pathëna.
Një kapitull i veçantë është “Heshtja – tingull i padëgjuar i vetmisë”. Ky formulim përmban një paradoks të qëlluar: heshtja, ndonëse nuk ka tingull në kuptimin e drejtpërdrejtë, mund të jetë një nga format e fuqishme të komunikimit shpirtëror. Ajo bart fjalë të pathëna, dhimbje të papërshkruara dhe mendime që nuk arrijnë të shndërrohen në ligjërim të zakonshëm. Në këtë kuptim, heshtja nuk është zbrazëti, por një prani e thellë, një gjuhë e veçantë e shpirtit.
Rëndësia e të shprehurit poetik
Me rëndësi për vlerësimin e përgjithshëm të veprës është kapitulli “Vlera e ‘Hire të vetmisë’ në kontekstin letrar bashkëkohor”. Përmes kësaj qasje dhe këtij vështrimi vepra vendoset në marrëdhënie me zhvillimet dhe prirjet e poezisë moderne. Soneti, si formë e trashëguar nga tradita, dëshmon se vazhdon të ketë mundësi të shprehës edhe në letërsinë e sotme. Kjo tregon se vlerat e traditës nuk janë domosdoshmërisht të kundërta me risinë, por mund të shërbejnë si bazë për kërkime dhe realizime të veçanta estetike.
Një kontribut të veçantë përbën edhe kapitulli “Gjuha e thellësisë – fjalë të rralla në veprën e Anton Nikë Berishës”. Gjuha poetike është një nga elementet themelore që përcakton rëndësinë dhe mëvetësinë e një krijuesi. Përzgjedhja e fjalëve, përdorimi i shprehjeve të veçanta, nuancat kuptimore dhe pasuria leksikore krijojnë një botë përmes tekstit që e dallon autorin nga të tjerët. Vëmendja ndaj fjalëve të rralla është, në këtë kuptim, një përpjekje për të zbuluar jo vetëm veçoritë stilistike, por edhe thellësinë e mendimit dhe origjinalitetin shprehës së poetit.
Ajo që e bën studimin e Natasha Xhelilit me vlerë është pikërisht ndërthurja e disa planeve të leximit e të vështrimit të teksteve. Autorja e trajton sonetin si një hapësirë ku ndërthuren përvoja personale, ndjeshmëria estetike dhe reflektimi mbi ekzistencën. Kështu, analiza nuk mbetet vetëm në rrafshin e vargut, por synon të zbulojë marrëdhëniet e tij me botën e brendshme të krijuesit dhe me përvojën universale njerëzore.
Libri përmbyllet me shpjegimin e Fjalorit të fjalëve të rralla dhe me sonetin kushtuar shkrimtarit dhe studiuesit Anton Nikë Berishës. Ky sonet u shkrua si një homazh për poetin, në shenjë mirënjohje për rrugëtimin e gjatë nëpër sonetet e tij:
Ti s’vjen me britmë, por me peshë fjale,
si gur i lashtë që man zjarr në palcë;
çdo vepër e jotja hap një shteg në heshtje
dhe fjala mbart gjurmë përjetësie…
Kontribut i çmuar në studimin e tekstit të soneteve
Vepra studimore “Rreth soneteve të Anton Nikë Berishës” e Natasha Xhelilit paraqet një kontribut në fushën e studimit dhe të interpretimit të poezisë sonë. Përmes një qasje dhe interpretimi të ngritur autorja hap shtigje për një lexim më të thellë të veprës “Hire të vetmisë” të Anton Nikë Berishës dhe jo vetëm të saj. Njëherit studimi dëshmon se poezia nuk mbaron me leximin e parë. Ajo vazhdon të jetojë përmes interpretimeve, pyetjeve dhe zbulimeve të veçanta e të veçantive.
Në këtë kuptim Natasha Xhelili e vendos veten në rolin e lexueses kërkuese dhe të studiueses që përpiqet të ndriçojë shtresat e ndryshme të një vepre poetike, duke e kthyer analizën në një akt të mirëfilltë komunikimi me artin. Nëse te Anton Nikë Berisha soneti shndërrohet në një hapësirë të përqendrimit të përvojës shpirtërore, te Natasha Xhelili ai bëhet objekt i kërkimit, i interpretimit dhe i reflektimit kritik e estetik. Këto dy veprimtari, krijimi dhe studimi, takohen në një pikë të përbashkët: në përpjekjen për ta bërë fjalën artistike sa më të qëndrueshme përballë kohës.
Studimi “Rreth soneteve të Anton Nikë Berishës” është, pra, një ftesë për ta lexuar poezinë përtej fjalës së dukshme, për të depërtuar në heshtjen e saj, në simbolikën e saj dhe në ato thellësi ku fjala shndërrohet më tepër në përvojë shpirtërore.
Në fund mund të them se ky studim dëshmon sa fjala mund të jetë e fuqishme si kuptimësi, më drejt si shumësi kuptimore, ndërsa vetmia, përmes të shprehurit gjuhësor poetik, mund të shndërrohet në një botë të jashtëzakonshme e të pasur arti, që nxit një ndikim estetik të shumëfishtë.
Klinë, nëntor 2026











