Gjeneral ® Piro Ahmetaj: “Fitorja e studenteve në Beograd, shembull për revoltën e Tiranës”!

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Sigurisht, po ndjek me vëmendje të shtuar jo vetëm humbjen e merituar, ose fundin pa lavdi të Aleksandër Vuçiç (ish-ministrit të propagandës të Millosheviçit/kasapit të Ballkanit si dhe për 14 vite Nr. 1 i Serbisë), por edhe një kakofoni mitomanësh të gjithëditur, që nga fitorja e listës së studentëve të Beogradit, ndërtojnë “oshilacione shpresëdhënëse” edhe për e revoltat e Tiranës.

Ndërsa në pamundësi për t’iu përgjigjur studiove, gazetave, aq më pak për të replikuar me hijena politike të rraskapitur nga uria perverse për të mbajtur apo marrë qoftë edhe me gjak pushtetin, në vijim gjeni:

  1. Dallime thelbësore si dhe 5-mesazhe nga studenent e Beogradit për revoltat e Tiranës:

Mesazhi nr. 1: Për dy vjet rresht, të rinjtë, studentët dhe elitat mendjehapura në Beograd I’a dolën duke gjunjëzuar autokratin e moderuar Aleksandër Vuçiç, i cili përgjatë 14 viteve të sundimit të tij, i kishte vjedhur, zhgenjyer dhe lodhur serbët. Konkretisht, në një betejë shembullore, pa djegur gjykata, pa shkatërruar asnjë bankë dhe pronë publike dhe shtetërore, si dhe pa dhunuar dhe lënduar askënd, dhanë mesazhin më të mirë të demokracisë në Ballkan: “Askush nuk i reziston dot fuqisë së votës së lirë”. Ndaj, bashkë me fitoren e pushtetit, studentët Serb dhanë një mesazh suksesi, kryesisht për bashkëmoshatarët e Tiranës, dhe jo vetëm.

Ndërsa, pas 5 muaj protesta paqësore për/me flamingot dhe pavarësisht thirrjeve nga aktorë të moderuar, Ambasada e SHBA, si dhe të drejtës legjitime për të protestuar, qindra të rinj, kryeshisht student në Tiranë, shumica radikalë të pa identifikuar (të maskuar), përgjatë këtyre 18 ditëve, fatëkeqësisht kanë demonstruar barbari të pashembullt kundër gjykatave, bankave, bizneseve, pronave, objekteve dhe pasurisë publike, duke kërcënuar seriozisht personelin e policësë shtetit si dhe misionin e revoltës legjitime.

Mesazhi nr. 3: Për rreth 2 vjet durim dhe përpjekje shembullore, studentët e Beogradit, jo vetëm e sfiduan makinerinë shtetërore të z.Vuçiçit, por njëherësh gjunjëzuan edhe udhëheqësit e opozitës radikale si dhe mbeturinat më të egra të nacionalizmit serb, duke i imponuar të (shkriheshin) nën siglën e listës së dominuar (90%) prej tyre. Fituan pushtetin (140/250), pasi, që në krye të nisjes, prodhuan një identitet pa maska dhe entitet politik (opozitën reale/zyrtare), si dhe një elitë, të kryesuar nga një mjek i panjohur dhe figura të pakapura nga politika e vjetër.

Ndërsa përveç dhunës së padobishme dhe të pakontrolluar, revolta e Tiranës mbetet ende kakofoni ilegalësh për protagonizëm, në përballjen jo vetëm me shtetin e dalldisuar nga fuqia bolshevike e mbi-pushtetit, por edhe me pronarët e opozitës fasadë (të keq-katandisur në kompani private e falimentuar, e braktisur nga demokratët dhe shqiptarët si dhe e izoluar nga SHBA, UK dhe Perëndimi); pa folur për kuvendarët e llojit të Zenqineve, Muleshëve, etj, pra, vetëm si barrë në borderonë e shtetit.

Mesazhi nr. 4: Shkurt, pavarësisht leksionit shembullor që dhanë studentët e Beogradit për standardet e zgjedhjeve demokratike (pranimin e rezultatit brenda 24 orëve), fatëkeqësisht Shqipëria edhe pas 35 viteve, ka damkën e më të diskredituarit të zgjedhjeve ndër 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (Serbi, Kosovë, Bosnjë, M-Z dhe M-V). Kjo s’do shumë komente, pasi shqiptarëve do t’u mjaftonte të ri-kujtonin kujën/betejën turpëruese të humbësve te radhës, që nga dita tjetër e shpalljes se fituesit, si dhe raportet qesharake të burokratëve të OSBE/ODIHR-it për hapa para/mbrapa në zgjedhje.

Mesazhi nr. 5: protestat e studentëve të Beogradit shënuan fundin pa lavdi të Vuçiçit, i cili,  në 14 vjet bëri “përpjekje të admirueshme për të pirë nga më shumë se 5 nëna”! Kështu, për të mbajtur pushtetin, përditësonte partneritetin gjeo-strategjik me Kremlinin dhe Pekinin, mbante zgjuar aleancat e vjetra (p.sh kontrata me Parisin për avjon luftarak), si dhe me kollaron e të moderuarit, i bënte presion Brukselit dhe Washingtonit që: “ta mbështesnin pa kushte në fitoret ndaj radikalëve”!

Ndërsa, përkundër shpërdorimit stalinist të fuqisë së mbipushtetit si dhe përtej krizës politike/Opozitës fasadë, Tirana zyrtare ka qënë dhe mbetet e vendosur për agjendën euroatlantike. Për ta ilustruar, përmendim disa arritje: “pjesëmarrja në Bordin Trump të Paqes dhe rreshtimi kundër Gardës Terroriste të Iranit; marrëveshja mes Kroacisë, Kosovës dhe RSh dhe 5% e PBB-së për mbrojtjen; projekti i Porto Palermos (Bondsteel-i detar i SHBA/NATO), i ndërthurur me Korridorin 8; kontributet për Ukrainën;Huaja mbi 300 Milion $, si dhe forcimi i besimit strategjik me SHBA-në dhe BE-në, etj.”!

  1. Mesime dhe pesë këshilla strategjike për suksesin e revoltës së Tiranës:

E përsëris, “këshilla nr. 1”:  j’u adresohet të rinjve, vajzave dhe djemve të lindur në liri (>91), emigrantëve dhe mbarë shqiptarëve, pjesëmarrës ose jo në këto revolta: “të ndalin në mënyrë të pakushtëzuar dhunën barbare kundër gjykatave, bankave, bizneseve private dhe pronave publike, përfshirë infrastrukturën shtetërore dhe Policinë e Shtetit, etj”, pasi këto jo vetëm e nxijnë imazhin e vendit, por edhe rrezikojnë seriozisht të vrasin frymën dhe misionin e shenjtë të kësaj revolte, pra aspiratën për ardhmërinë euroatlantike të kombit.

Këshilla nr. 2: Përtej distancimit të pakompromis nga klithmat e hienave politike [për rotacion me gjak, pra jo me vota si shembulli Serbisê], duhet që sa më shpejt edhe mē mirë, protagonistët ta transformojnë,  këtë revoltë në një lëvizje politike (p.sh Lëvizja për Shqipërinë), duke u imponuar si opozita zyrtare dhe për t’u konfirmuar në zgjedhjet e parakohshme si shumicë qeverisëse dhe shpresëdhënëse për mbarë shqiptarët.

Këshilla nr. 3: të fokusohet jo vetëm kundër fuqisë staliniste të mbipushtetit dhe korrupsionit zyrtarëve të lartë, etj, por edhe kundër çdo kompromisi me pushtuesit e opozitës fasadë [ish/PD), aq më tepër kundër përpjekjeve të dëshpëruara të politikanëve zullumqarë, kundër protagonizmit të skuthëve të port-Haleve, ose kryetarëve të partive pa anëtarë si dhe seksereve rreth tyre.

Ndërsa përtej thirrjeve “Rama dhe Berisha në burg”dhe pavarësisht nëse “e urrejnë apo e duan”, e vetmja palë për zgjidhje mbetet i gjithëpushtetshmi, pra Edi Rama, pa të cilin nuk bëhet as qeveri teknike, as ndryshohet ligji famëkeq i zgjedhjeve të 2025, as ka garanci për zgjedhje të ndershme dhe as tejkalohet kriza politike që ka gjunjëzuar Shqipërinë! Ndërsa, përtej oshilacioneve të humbësit të katër palë zgjedhjeve si dhe broçkullave “me ose pa non grata nga SHBA dhe UK”, z. Berisha nuk e shoh si faktor, por problemin e përdhosjes së opozitarizmit, njëherësh edhe të krizës politike në vend.

Këshilla nr. 4: Përtej oshilacioneve të Supremit hallemadh dhe insinuatave të vartësve të Gaze-Muleshit, etj: “Ku është ambasadori i ri i SHBA-së, gjenerali Wendit (!?) etj.”, mbetet me peshë kritike që kjo revoltë të mos shpërdorohet për interesat Sllavo-Ruse, por të fokusohet në forcimin e partneritetit strategjik me SHBA dhe integrimin në BE. Thënë këtë, u lutem protestuesve, madje edhe në gjunjë: “Mos u shpërdoroni kurrsesi në beteja anti-Trump dhe antikombëtare njëherësh, as për agjenda radikale të tipit Beleri, as për zjarrvënës të stërvitur në Moskë, Teheran apo gjetkë!”

Këshilla nr. 5: Pasi revolta studentore të formalizohet si opozita e vetme zyrtare e RSh, përfaqësuesit e zgjedhur prej saj duhet të komunikojnë me faktorët ndërkombëtarë, përfshirë listën e fitimtarëve ose pushtetarët e rinj në Beograd, të cilëve, përkunder realitetit të pakthyeshëm dhe retorikës shabllone (përcaktimet kushtetuese, të ngjashme me ligjin e luftës të Greqisë), duhet të heqin dorë nga kërcënimet ndaj “kufijve të Kosovës”! Për më tepër, perspektivën e dialogut me Kosovën, njëherësh edhe marrëdhëniet me RSh, duhet parakushtëzuar me rikthimin e masave të mirëbesimit reciprok në rajon, si dhe me agjendën e integrimit në BE të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Së fundmi, uroj e kjo revolt t’ia dal me sukses për t’a gjunjëzuar dhe tejkaluar këtë elit, në fakt sekt-zullumqarësh, të cilët përgjatë 35 vitet që lamë, pushtuan politikën, privatizuan Republikën, grabitën pronat si dhe shpresat e shqiptarëve për barazi para ligjit, demokraci funksionale dhe vlerat perëndimore.

* Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Senior Ekspert për çështjet e Sigurisë Kombëtare,
Ballkanit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit