TRAKTET E LËVIZJES ILEGALE DHE REZISTENCËS SHQIPTARE ( 31 )

0
Traktet në Kosovë

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

TRAKTI I BOTUAR NË GAZETËN LIRIA, 1981

Thirrja e ndërgjegjes kombëtare në traktin e vitit 1981

Në vitin dramatik dhe historik të 1981-it, kur rrugët e Kosovës u mbushën me jehonën e protestave studentore dhe me zërin e fuqishëm të kërkesave për barazi, liri dhe status të drejtë politik, lëvizja shqiptare nuk ishte vetëm një akt rezistence fizike, por një përpjekje e gjerë për të mobilizuar ndërgjegjen kombëtare në të gjitha hapësirat ku rronte fjala shqipe. Në këtë kontekst, publikimi i një trakti të veçantë në gazetën “Liria” – organ i rëndësishëm i mërgatës shqiptare – përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë historike, ideologjike dhe kulturore.

Qysh në rreshtin e parë, traktati thërriste me një zë të qartë dhe të fuqishëm: “TË MBLIDHEMI TË BASHKUAR RRETH FLAMURIT FITIMTAR TË POPULLIT TONË!”. Kjo nuk ishte një thirrje e zakonshme patriotike, por një përkthim i situatës së rëndë në një apel për veprim. Flamuri, simboli i përhershëm i identitetit dhe qëndresës shqiptare, shndërrohej këtu në një pikë bashkimi, në një emblemë të përpjekjes kolektive për të shpëtuar jo vetëm tokën, por edhe dinjitetin kombëtar që po rrezikohej nga dhuna dhe shtypja e aparatit shtetëror jugosllav.

Trakti nuk ndalej vetëm në thirrjen bashkuese, por e thellonte mesazhin përmes një motoje të fuqishme të marrë nga rilindësi ynë i pavdekshëm, Sami Frashëri:“KUSH NUK DERDH NJË PIKË GJAKU PËR TOKË TË VET, KUSH NUK JEP ASNJË QINDARKË PËR TË, AI S’KA TË DREJTË AS TË VARROSET NË TË.” Ky citim, i vendosur në zemër të traktit, e kapërcen kohën kur është shkruar dhe shndërrohet në një imperativ moral e historik që flet për çdo brez. Ai nuk ishte vetëm thirrje për sakrificë – ishte një kusht për përkatësi. Frashëri, përmes kësaj sentencë, i jep kuptim të ri konceptit të atdheut: jo si hapësirë fizike që trashëgohet pa kontribut, por si një tokë që kërkon përgjegjësi, përkushtim, gjak dhe mund.

Në këtë mënyrë, trakti i vitit 1981 nuk ishte vetëm një dokument proteste, ai ishte një mjet edukimi politik, një instrument i ndërgjegjësimit kombëtar dhe një pasqyrë e bashkërendimit mes mërgatës dhe atdheut të pushtuar. Ai i ftonte shqiptarët, kudo që ishin, që të mos mbeteshin spektatorë të dramës së popullit të tyre, por të bëheshin pjesë aktive e historisë – përmes kontributit të tyre financiar, përmes angazhimit në kauzë, dhe nëse kërkohej, përmes sakrificës më të madhe- gjakut.

Ky tekst i botuar në gazetën Liria përbën një sintezë të fuqishme të tri përmasave të rezistencës shqiptare: flamuri si simbol i bashkimit, fjala si mjet i vetëdijesimit dhe gjakut si shprehje e përkushtimit maksimal. Ai mbetet edhe sot një dëshmi se në kohë të rënda, shqiptarët kanë ditur të flasin me gjuhën e historisë, duke e vënë fjalën në shërbim të veprimit, dhe të vlerave në shërbim të çlirimit.

Strategjitë antishqiptare në Kosovën e viteve ’80

Në periudhat kur liria sfidohet dhe drejtësia nëpërkëmbet, pushteti shtypës nuk vepron vetëm me mjete fizike, por aktivizon në mënyrë sistematike gjithë aparatin e vet ideologjik dhe propagandistik. Kjo u bë veçanërisht e dukshme në Kosovën e fillimviteve 1980, kur kërkesat legjitime të shqiptarëve për barazi, për përfaqësim dinjitoz dhe për status të barabartë me të tjerët në federatën jugosllave, u interpretuan nga pushteti si kërcënim për stabilitetin e rendit politik ekzistues. Në vend të dialogut dhe reformës, udhëheqësia jugosllave zgjodhi shtypjen, përçmimin dhe demonizimin. Sot, si një rit i përsëritur dhe i ftohtë politik, në Kosovë zbresin pa ndërprerje ministra dhe funksionarë të lartë, si nga qeveritë republikane, ashtu edhe nga strukturat federative.

Vizitat e tyre të shkurtra dhe të ngarkuara me udhëzime teknike për intensifikimin e represionit nuk synojnë mirëkuptimin apo stabilizimin e situatës, por ndjekin një logjikë të qartë strategjike: shtypjen me çdo mjet të rezistencës shqiptare dhe kontrollin e plotë të jetës publike në Kosovë. Pas këtyre vizitave, të cilat shpesh maskohen si “konsultime” apo “vizita pune”, këta funksionarë kthehen me ngut në Beograd, për të kurdisur plane të reja me frymë reaksionare e diskriminuese, duke i mbyllur dyert për çdo zgjidhje që do të merrte në konsideratë të drejtat themelore të popullit shqiptar, delte e dhëna nga trakti.

Në të njëjtën kohë, e gjithë makineria propagandistike e shtetit jugosllav vihet në lëvizje për të mbuluar realitetin e represionit dhe për të ndërtuar narrativën e fajësisë kolektive të shqiptarëve. Struktura të ndryshme si Lidhja Komuniste, Lidhja Socialiste, Lidhja e Rinisë dhe një sërë mjetesh të fuqishme të informacionit – nga gazetat e përditshme e deri te kanalet televizive – mobilizohen për të përhapur gënjeshtra, shpifje dhe diskurs urrejtjeje ndaj shqiptarëve. Në vend të raportimit objektiv, ato shndërrohen në vegla të prodhimit të frikës dhe të demonizimit të një populli që kërkon vetëm dinjitet dhe të drejtën për të jetuar i lirë në tokën e vet.

Propaganda zyrtare nuk ndalet as para figurës më të shenjtë për çdo shoqëri – nënës. Me një ligjërim të pashpirt, ofendohet nëna shqiptare jo për ndonjë akt konkret politik, por thjesht për faktin se ka lindur shumë bij dhe bija të guximshme – shumë “trima”, siç shkruhej me përçmim nga pena të instrumentalizuara të gazetarisë zyrtare. Ky diskurs nuk është vetëm mizor, por edhe thellësisht ideologjik. Ai synon ta paraqesë riprodhimin e jetës dhe të identitetit shqiptar si kërcënim, si akt “subversiv”, dhe si diçka që duhet ndalur. Në këtë mënyrë, vetë ekzistenca e shqiptarëve, numri i tyre, kultura e tyre familjare dhe ndjenjat e tyre më të thella bëhen objekt i kontrollit dhe urrejtjes institucionale.

Kjo qasje e dyfishtë – e bazuar njëkohësisht në forcë represive dhe në manipulim diskursiv – është dëshmi e një frike të thellë të pushtetit nga realiteti, se Kosova po zgjohej, se shqiptarët nuk pranonin më të jetonin të përkulur dhe se zëri i tyre, edhe i shtypur, kishte filluar të jehonte përtej kufijve. Andaj, të gjitha përpjekjet për ta paraqitur këtë zë si të rrezikshëm, për ta kriminalizuar kulturën e rezistencës dhe për të fajësuar nënën shqiptare pse i edukoi fëmijët me ndjenjën e lirisë, janë pjesë e një lufte të dëshpëruar për të ruajtur kontrollin mbi një realitet që ishte duke ndryshuar.

Terrori si strategji politike

Në periudha krizash të thella politike e shoqërore, kur një sistem qeverisës nuk arrin më të mbështesë autoritetin e vet në legjitimitet demokratik apo konsensus qytetar, ai shpesh dorëzon frenat e pushtetit në duart e elementëve më ekstremë. Pikërisht një skenar i tillë u konkretizua në Kosovën e viteve ’80, ku qeverisja federative jugosllave, në vend se të reflektonte mbi kërkesat e drejta të shqiptarëve për barazi dhe dinjitet, ia dorëzoi kontrollin e situatës strukturave më radikale të saj – shovinistëve më të tërbuar, të cilët, të pajisur me ideologjinë e urrejtjes dhe të përjashtimit, ndërmorën një fushatë të pashembullt dhune dhe terrori ndaj popullit shqiptar.

Këta elementë ekstremistë, të mbështetur nga strukturat më të larta të aparatit shtetëror dhe nga mekanizmat e dhunës institucionale, nuk kursyen asnjë mjet për ta nënshtruar popullin shqiptar. Ata përdorën polici ushtarake, burgime masive, përndjekje politike, shpifje sistematike dhe dhunë fizike si forma të organizuara të shtypjes kolektive. Në vend të dialogut, ata zgjodhën brutalitetin, në vend të së drejtës, ata instaluan frikën dhe në vend të respektit për diversitetin etnik dhe politik, ata ndërtuan një sistem represiv që synonte asgjësimin e çdo forme të qëndresës shqiptare.

Qëllimi i kësaj strategjie nuk ishte vetëm të shtypej protesta apo të ndëshkoheshin individë të veçantë. Objektivi i vërtetë ishte më i thellë: të përçmohej e të njollosej vetë natyra e luftës së drejtë të shqiptarëve – të cilësuar padrejtësisht si “kundërrevolucion” apo si “kërcënim ndaj rendit socialist” – dhe të diskreditohej morali i atyre që qëndronin në ballë të saj. Në këtë luftë të padrejtë, veçanërisht u goditën figurat më të ndriçuara të lëvizjes rezistuese: intelektualët, marksistë-leninistët, revolucionarët e vërtetë dhe patriotët shqiptarë, të cilët me guxim, vetëdije politike dhe sakrificë të jashtëzakonshme, mbrojtën kauzën kombëtare përmes mjeteve ideologjike, politike dhe qytetare.

Këta njerëz nuk përfaqësonin vetëm një opozitë të pushtetit autoritar, ata mishëronin një alternativë politike e shoqërore që përpiqej të ndërtonte një rend të ri – më të drejtë, më të barabartë dhe të lirë nga dominimi nacionalist. Duke u pozicionuar përballë dhunës me idealizëm dhe heroizëm, ata sfidonin jo vetëm aparatin shtypës të Jugosllavisë, por edhe mendësinë që e justifikonte atë. Për këtë arsye, u shpallën “armikë të shtetit”, u etiketuan si “separatistë”, “ekstremistë” apo “kundërrevolucionarë”, në përpjekjen për ta përbaltur moralin e lëvizjes që përfaqësonin.

Në fakt, e gjithë kjo fushatë e dhunës së organizuar dhe e propagandës shpifëse përbën një nga shembujt më të qartë të përdorimit të terrorit shtetëror si instrument për ta përmbysur të vërtetën dhe për ta deformuar realitetin politik. Ajo dëshmon se shovinizmi nuk ishte vetëm një rrymë kulturore apo ideologjike në Jugosllavi, por një komponent aktive e strategjisë shtetërore, e cila synonte dominimin përmes frikës dhe përjashtimit. Përkundër këtyre përpjekjeve për t’i thyer moralin dhe qëllimin e lëvizjes shqiptare, qëndresa nuk u thye. Heroizmi i bijve dhe bijave të këtij populli u bë burim frymëzimi për breza të tërë, duke dëshmuar se përballë terrorit, guximi ishte më i fortë se frika, dhe se popujt nuk nënshtrohen përfundimisht kur kanë të drejtën në anën e tyre.

Rezistenca shqiptare përballë makinerisë shoviniste jugosllave

Në historinë e popujve që janë përballur me pushtime, shtypje dhe mohime të të drejtave më elementare, ekzistojnë momente kur forca morale dhe uniteti i tyre marrin përmasa të tilla sa që tronditin vetë themelet e pushtetit shtypës. Kjo është ajo që ndodhi në Kosovë në fillim të viteve ’80, kur populli shqiptar, i bashkuar dhe i vetëdijshëm për drejtësinë e kauzës së tij, i dha një goditje të rëndë dhe shteruese strukturave shoviniste të Beogradit, të cilat për vite me radhë kishin ndërtuar një sistem të dhunës, diskriminimit dhe përjashtimit sistematik.

Kjo qëndresë nuk mori formën e një revolte të përkohshme, por u shndërrua në një lëvizje të gjithanshme popullore, që përfshiu të gjitha shtresat e shoqërisë dhe që u manifestua në mënyra të ndryshme. Përmes demonstratave të fuqishme në qytete dhe fshatra, përmes grevave të organizuara me disiplinë e vendosmëri, përmes aksioneve të vazhdueshme të rezistencës civile dhe përmes formave pasive të mospërputhjes me ligjin e padrejtë – duke refuzuar t’i nënshtrohen sistemit që përbuzte çdo përpjekje për barazi dhe dinjitet.

Rezistenca shqiptare, në thelb të saj, ishte përballje etike, politike dhe historike me një regjim që nuk i njihte shqiptarët si subjekt të barabartë në federatë, por si objekt të kontrollit dhe nëpërkëmbjes. Me këtë qëndrim të qëndrueshëm, shqiptarët i shtjerrën deri në fund mjetet e durimit dhe mençurisë politike të qeverisë jugosllave. Përballë kësaj valë qëndrese, çdo përpjekje e shtetit për të kontrolluar situatën – qoftë përmes forcës brutale, mjeteve të propagandës apo represionit të përhapur – filloi të tregohej gjithnjë e më shumë joefikase, e lodhur dhe, në thelb, e dështuar.

Sistemi shtetëror, ndonëse i pajisur me një aparat të fuqishëm policor e ushtarak dhe me infrastrukturë të sofistikuar të mbikëqyrjes dhe ndëshkimit, nuk ishte më në gjendje të ndalte një popull të zgjuar, të organizuar dhe të frymëzuar nga ideali i lirisë. Çdo vendim i Beogradit, pavarësisht kahjes apo formës së tij, haste në pengesa të njëpasnjëshme në terren. Refuzimi masiv i shqiptarëve për t’iu bindur diktatit të padrejtësisë e kishte kthyer Kosovën në një hapësirë të papërshkueshme nga logjika e sundimit autoritar.

Ky dështim i mekanizmave shtetërorë për ta nënshtruar lëvizjen shqiptare nuk prodhoi reflektim, por një reagim edhe më të ashpër. Sa më shumë që shteti dështonte, aq më shumë shtohej zemërimi i tij. Tërbimi shovinist rritej jo më vetëm nga dita në ditë, por nga çasti në çast, duke shfaqur shenja të qarta të humbjes së kontrollit, të mungesës së qartësisë strategjike dhe të një frike të pashprehur – se e vërteta dhe drejtësia e popullit shqiptar do të triumfonte pavarësisht çdo përpjekjeje për ta shtypur.

Në këtë përballje të gjatë, populli shqiptar i Kosovës nuk u gjunjëzua. Ai tregoi se nuk ka pushtet që mund të mposhtë një popull të bashkuar në ideal dhe të vendosur në drejtësinë e vet. Dhe kjo është ndoshta goditja më e fuqishme që çdo sistem shtypës mund të përjetojë, ta kuptojë se përballë dinjitetit kolektiv dhe vullnetit për liri, asnjë arsenal nuk mjafton.

Shovinizmi shtetëror përballë rezistencës së popullit shqiptar në Kosovë

Në përballje me një qëndresë të pazakontë për nga përmasa, vendosmëria dhe kohezioni shoqëror, pushteti shovinist jugosllav i viteve ’80 e ka humbur orientimin strategjik dhe qartësinë politike. Në vend që të ballafaqohej me realitetin në mënyrë të matur e racionale, ai u përfshi nga një panik institucional, i cili jo vetëm që e çoi drejt vendimeve të gabuara, por e futi në një qorrsokak politik e moral nga i cili nuk ishte më e lehtë të dilte.

Qëndresa shqiptare, e cila buronte jo nga një tekë politike, por nga një e drejtë historike, njerëzore dhe kushtetuese, po e sfidonte pushtetin jo vetëm në rrugë dhe në institucione, por edhe në nivelin e vetëdijes kolektive dhe të legjitimitetit ndërkombëtar. Përballë kësaj lëvizjeje që rritej përditë në shtrirje dhe thellësi, çdo masë e ndërmarrë nga aparati shtetëror jugosllav – qoftë përmes represionit të drejtpërdrejtë, qoftë përmes propagandës – prodhonte efektin e kundërt. Në vend që ta shuante zemërimin popullor, e thellonte atë, në vend që ta thyente vullnetin, e përforconte, dhe në vend që ta frikësonte popullin, e trimëronte edhe më shumë.

Kjo situatë paradoksale ka zbuluar një dështim thelbësor të aparatit shtetëror për të kuptuar dinamikat e një shoqërie që nuk mund të nënshtrohet më përmes dhunës dhe demagogjisë. Ndërsa udhëheqësit jugosllavë shpresonin që përmes aksioneve ndëshkuese do të ndalonin hovin e kërkesave legjitime të shqiptarëve, realiteti në terren dëshmonte të kundërtën. Për çdo hap shtypës, ngrihej një valë e re solidariteti, për çdo arrestim, shtohej një protestë, për çdo përpjekje për përçarje, forcohej ndjenja e përkatësisë dhe e bashkimit.

Në këtë kontekst, vetë elita politike jugosllave po përballej me një alternativë të vështirë. Ose të përmbushte kërkesat themelore të shqiptarëve – të drejtën për barazi, për vetëvendosje dhe për trajtim të dinjitetshëm – ose të mbante të instaluar përgjithmonë një regjim ushtarak të fshehtë në Kosovë, përmes pranisë së përhershme të milicisë dhe ushtrisë. Kjo e fundit, përveçse e papërballueshme në aspektin financiar dhe politik, ishte edhe shenjë e qartë e dështimit të një modeli shtetëror që pretendonte të ishte i bashkuar, i barabartë dhe socialist.

Mirëpo për fat të keq, në vend që të zgjedhin rrugën e maturisë politike, të dialogut dhe të reflektimit, udhëheqësit shovinistë preferuan të veprojnë të verbuar nga zemërimi dhe ideologjia e urrejtjes. Tërbimi politik dhe arroganca nacionale u bënë pengesa kryesore për zbatimin e mjeteve të arsyes dhe të gjakftohtësisë. Në vend të vetëpërmbajtjes, zgjodhën dhunën, në vend të reflektimit, zgjodhën demagogjinë, në vend të njohjes së realitetit, u përpoqën ta mohonin atë me mjete të vjetruara represive.

Në fund të fundit, kjo sjellje e pushtetit shovinist nuk është tregues force, por tregues frike – frikë nga fuqia e të drejtës, nga qëndrueshmëria e një populli që e di se ka të drejtë, dhe nga ardhja e pashmangshme e një të ardhmeje që nuk mund të ndërtohet më mbi themelet e padrejtësisë. Dhe pikërisht këtu qëndron forca më e madhe e qëndresës shqiptare në Kosovë, jo në përdorimin e dhunës, por në qëndrimin e vendosur, të vetëdijshëm dhe të pathyeshëm përballë një makinerie që ka humbur jo vetëm kontrollin, por edhe arsyen.

( vijon )

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.