23.9 C
Tirana
E dielë, 20 Shtator 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj KUR M…T BȄHEN MULLARȄ!

KUR M…T BȄHEN MULLARȄ!

0
Llesh Ndoj

OPINION

Rreth aktualitetit gjithëshqiptarë në rajon

Nga Llesh NDOJ

Një ndër shprehjet e vjetra popullore, kur donte të tipizonte një situatë të pakëndshme e ku turpi ishte i dukshëm e sheshit, thoshte: “Asht’ bâ mu…i mullarë!”. Më duket se aty jemi. Bile jo vetëm jemi, por jemi edhe “të dhi…r, edhe krenarë”. E kur ndjehesh krenar me “mullarin e mu…t”, gjendja s’ka ku shkon më keq se kaq. Në rreshtat vijues do të mundohem të jap opinionin tim modest rreth kësaj çështje, ndarë në tri plane: Kosova dhe nevoja urgjente për t’a larguar marren, Shqipëria dhe koha për t’a pastruar “mu..in” dhe shqiptaria dhe nevoja për një “Besëlidhje” panshqiptare me të ardhmen e kombit.

Kosova sot, kur po afron tri dekada liri, për fatin e keq tonin, gjendet përsëri në një udhëkryq historik. Sikur të mos mjaftonte gjendja jo e kandshme ekonomike, braktisja e vendit nga rinia e perspektiva e paqartë, vitet e fundit ajo po vuan edhe mungesën e kohezionit politik. Bajraktarizmi tipik shqiptarë ka nxjerr krye dukshëm në këto troje, e ndjenja atdhetare kombëtare është sfumuar nga krenaria e të qënit “gjel në grumbullin e plehut”, stoku i të cilit po rritet dita – ditës. Kjo gjendje është reflektuar dukshëm edhe në zbehjen, për të mos thënë humbjen, dukshëm të mbështetjes ndërkombëtare. Pa diplomaci, faktori ndërkombëtar duket i lodhur me tekat tona tejet fëminore.

Jo vetëm kaq, pra rënie e humbje e mbështetjes nga faktori ndërkombëtarë, por jemi përballë një agresioni të shtuar të kundërshtarëve historikë të Kosovës, e Serbia ka marr dukshëm njëfarë përparësie, jo thjesht propagandistike por edhe gjeopolitike, duke shfrytëzuar mungesën e unitetit ndër ne dhe apatinë e miqve euro – atlantikë. Në ndihmë të saj, së fundmi, vjen edhe vendimi i Gjykatës Speciale të Hagës. T’a kishte shkrue Serbia një vendim të tillë, zor se do të ishte më i ashpër, por edhe kaq i kamufluar, me kujdesin për të goditur jo katër persona, Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin, as vetëm luftën çlirimtare të Kosovës, por thelbin e çështjes shqiptare në tërësi. Krejt çka serbët kanë dasht dhe ia kanë bërë Kosovës ndër shekuj, përmes shqiptimit të një vendimi absurd nga një gjykatë kundraverse, po tentohet tua faturojnë shqiptarëve. Marre!

Mirëpo, të keshë marre duhet me e ditë çka është marrja. Këta ndërkombëtarët e Hagës nuk e njohin marren, as turpin, por më duket se edhe ne më keq se kaq, jemi mësue me fenomenin “marre”! Po, marre është ai vendim, marre është sjellja deri në këtë pikë e gjendjes nga ne, marre është ndarja jonë në qëndrimin ndaj, saj pasi ka ndodhur, por e keqja më e madhe është se marrja është bërë “mullar” e ne krenohemi me të. Absurditet më të lartë se fakti që ai vendim u shqiptua “Në emër të popullit të Kosovës”, nuk ka dhe nuk mund të ketë.

Këtu marrja na bie ne, ose të paktën na bie barra e provës për t’a larguar marren. Janë dy shfaqje të dukshme të kësaj marrje: E para, ngritja e asaj gjykate dhe e dyta fakti se shqipfolës ka gjasa të jenë dëshmitarët më të shumtë dhe më të shëmtuar të të ashtuquajturit “Tribunal” i Hagës. Unë nuk jam aq naiv sa të pretendoj se Kosova nuk duhej t’a votonte atë Gjykatë, por marrja qëndron tek fakti se Kuvendi atje ka votuar jo një gjykatë speciale për një çeshtje të caktuar, por humbjen e sovranitetit të vet, të fituar me gjakun e çlirimtarëve të Kosovës e të udhëhequr nga ata që sot janë në bankën e të akuzuarëve të Hagës joshqiptare.

Si mund të pranohet që Dhomat e Specializuara janë autorizuar nga ata që duhet t’a mbronin sovranitetin e Kosovës, si shtet brenda shtetit, jashtë çdo kontrolli sovran kosovar? Këtu qëndron marrja e parë. Mund t’i jepej asaj Gjykate gjykimi në dy a tri shkallë, por jo edhe gjykimi kushtetues. E tani, shteti i Kosovës gjendet i kryqëzuar e thuajse i bllokuar “shah – mat” në këtë çështje. Dreqi flet në emër të popullit të Kosovës, e ata që janë autorizuar me votën e popullit kosovar për të fol në emrin e tij, gjendjen “gojëkyçur” nga vetja.

Marre e përmbi marre kjo! Ai vendim, duke i lënë teoritë e kamufluara e të shqiptuara edhe përmes vendimit gjyqësorë, ka goditur thelbin e luftës çlirimtare të Kosovës, e më keq se kaq edhe thelbin e shqiptarizmës, ku një popull që kurrë s’pushtoi askënd, por luftoi në shtëpinë e vet për të mbrojtur veten e familjen, dënohet më shumë se pushtuesi i tij. Marrja nuk ndalet këtu! Gjykata, së shpejti mendoj unë, ka për të shpallur reparacione të shtetit të Kosovës ndaj “viktimave” të supozuara prej saj. A ka paradoks më të madh se kaq? U dogj gjithë vendi, u dëbuan miliona njerëz, u vranë pa asnjë mëshirë popullsia civile, thjesht dhe vetëm se flitnin shqip, u varrosën në varre kolektive burra, gra e fëmijë, u përdhunuan shtazërisht gra e vajza, e ua humbën edhe varret shqiptarëve, e tash po u kërkohet atyre edhe “të kërkojnë falje, edhe të paguajnë kompensime” ndaj pushtuesit. Këtu jo marrja, por mu…i, është bërë mullarë!

Çfarë duhet bërë?
Natyrisht, që mendjet e çartuna nuk gjejnë zgjidhje. Duhet urtësi, maturi, unitet mendimi e kordinim veprimesh. Personalisht e për mendimin tim, “prishja e mullarit” nis nga ligji. Kuvendi duhet t’i kthejë Kosovës së paku gjykimin kushtetues, në mos edhe atë të shkallës së tretë, duke rimarr një pjesë të sovranitetit të dorëzuar s’di se kujt e praktikisht Serbisë. Këtu duhet guxim, unitet, kordinim brenda veti, koordinim me shtetin shqiptar e me faktorin ndërkombëtar, në mënyrë që “mullarit të marres” të mos t’i bëhet maje me “mu…t”. Të gjithë duhet të ndjehen brenda mullarit të marres, e të bërë pis keqas, si ata që e votuan, si ata që s’e votuan Gjykatën Speciale, se “mullari i m…t” është ngulur në zemër të Kosovës, Shqipërisë e shqiptarisë e na “unifikon” të gjithëve me erën dekompozuese që lëshon në trojet tona.

Po në Shqipëri, në shtetin amë, atë që ishte ëndërra panshqiptare e duhej të ishte qendra e koordinimit të politikave kombëtare, si është gjendja? Fatkeqësisht edhe këtu marrja e m…t, të dyja së bashku, janë bërë mullarë. Era vjen kudo, e sado që mundohen t’a parfumosin, ajo bëhet gjithnjë e më e pështirë. Kush e ka fajin? Ndoshta këtu gjëja më e lehtë është të themi “të gjithë”, por kjo veçse e bën mullarin e mu…t më të madh e erën e tij gjithnjë e më të padurueshme. Njëri thumbit e tjetri patkoit i biem edhe në një situatë që s’është aspak e zakontë e ku duhej të ishim të gjithë bashkë. Kuvendi, në vend që të ishte non stop i mbledhur e të reagonte ndaj çështjes kombëtare, vazhdon të merret, duke treguar me gisht palët njëra – tjetrën, se kujt m…ti i vjen më shumë era.

Po mu…i i njëjti mbetet, i ri apo i vjetër qoftë! Është ky mullar m…i i cili bën që deputetët të mbrohen me polici për të hyrë në Kuvend, që qeveritarët s’ballafaqohen dot me bëmat e tyre dhe masën që duhet të përfaqësojnë (se në fakt janë përfaqësues të m…it mullarë), që opozitarët s’dinë gjuhë tjetër veç luftës, frymës së urrejtjes, e nxirjes së fytyrës së Shqipërisë kudo ku munden, dhe e bëjnë këtë edhe të mirëpaguar nga taksat e shqiptarëve. Ja shfaqja e “mu…t mullar” ku është! Gjyqtarë e prokurorë që shqetësohen vetëm për pagat e tyre, të cilat i duan minimumi sa 100 pensionistë(!), bile kërcënojnë shtetin me ndjekje penale, jo për paaftësinë e tyre evidente, korrupsionin që vijon, e malin e dosjeve mbi të cilat flenë, për faktin që njerëzit vdesin ende pa e marr një verdikt drejtësie nga gjykatat tona, se njerëzit rrasen në burg se ashtu ja don qejfi një prokurori, apo ashtu i pëlqen politikës, në pritje të kërkimit të arësyeve, janë çeshtje që pakkush, për të mos thënë askush, shqetësohet në këtë vend.

Qeveritarët aktualë tashmë kanë shpikur edhe “praninë besnike”, për të zgjatur agoninë në pushtet, pasi i futën thikën pas shpine vetë konceptit “besë”, në gjithë këto vite që qeverisin të vetëm vendin. Komunikimi me faktorët politikë kombëtarë e ndërkombëtarë po njeh aktualisht një stanjacion të fuqishëm. Ja! Kemi të bëjmë jo një “m-mullar” por dy të tilla, brenda Shqipërisë, që duhet të rrezatonte faktorin përbashkues e modelin e shqiptarëve në rajon e në botë.

Le të themi dy – tri fjalë edhe për faktorin panshqiptarë në rajon, e gjendjen ku jemi. Dy “m – mullar”, këtu nuk e shprehin krejt realitetin, janë së paku tri të këtilla. Marrja, edhe në këtë plan “hahet me bukë”, “mu…i”, i shfaqur në luftën ndaj njëri – tjetrit, ka tejkaluar përmasat e mullarit e shfaqet kavaletë, e këtyre u shtohet hapur tashmë edhe një “m” tjetër: Myslimanizmi ekstrem politik. Ç’duan shqiptarët, nënshtetas të shteteve të tjera, të përzihen në punët që kanë të bëjnë me qeverisjen në secilin prej tyre? Ç’duan teoricienë, analistë e pseudoanalistë të shprehin e vjellin vrerë kundër figurave politike, shtetërore e kulturore në shtetin tjetër shqiptarë? Ç’duan ata që i ngacmojnë plagët tona, ende të pa shëruara, dhe merren me bindjet fetare e politike të tjetrit, kur shqiptaria po njeh nivelin e saj më të ulët të unifikimit të brendshëm dhe të përkrahjes ndërkombëtare.

Turma protestuesish në Kosovë kundër Hagës, flamingot pa asnjë ngjyrë flamingoje në Tiranë, shqipfolës që vjellin vrerë kundër shqiptarëve edhe në gjuhë të huaj, kinse patriotë që shesin për patriotizëm vjedhjen, shpifjen, spiunllëkun tek të huajt, vrasjen e denigrimin e vllaut, as dreqit nuk i duhen, jo më shqiptarizmës. Është koha për një Rilindje të vërtetë kombëtare, ose e ardhmja është në rrezik serioz. Kohët e vështira duhet të prodhojnë prijësa të zotët, e duhet të shënjojnë kthesa të mëdha. Dhe kjo kohë për ne uluret…!

Nga momenti i shqiptarëve, me dy shtete shqiptare në Ballkan, me faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut faktor shtetformues, me kryeministër shqiptar në Mal të Zi, me një autoritet në rritje në arenën ndërkombëtare, po rendim drejt pikës tonë më të ulët. E kjo, vetëm e vetëm për fajin tonë. Pse? Dashakeqët tanë aty kanë qenë, aty janë e aty do të jenë: Në pozicion e vigjilentë për stërkëmtha kundër nesh. Kush ka ndryshuar? Ne, dhe vetëm ne, me egon tonë të pakufishme për pushtet, jemi shkaktarët e përgjegjësit e kësaj situate dhe koha do t’na dënoje për këtë akt barbarë kundër shtetit dhe kombit.

Është e njohur thënia se është më e vështirë të menagjosh lirinë, se sa tiraninë. E kjo po vërtetohet ndër ne, pikërisht në kohën e lirisë. Pse? Sepse biem viktima të etjes së shfrenuar për pushtet, të bajraktarizmit tonë, të konceptit “le të cof lopa ime, veç mos t’i pjellë lopa vëlluit”.

Atdhetarët e vërtetë e kanë ditën sot.
Nesër, do të jetë e shkuar dhe e tejkaluar.

Lezhë, më 18.09.2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.