Opinion…
nga Rexhep Çullhaj
Jo pak, por po mbushen afro dy muaj që në Tiranë, qytetin tonë, zhvillohet një protestë qytetare. Në thelb të saj janë mungesa e kushteve, problemet e punësimit, keqqeverisja, administrimi i dobët i fondeve publike, korrupsioni që duket se ka depërtuar në çdo qelizë të jetës së përditshme, nepotizmi, ryshfeti, pabarazia në tendera dhe mungesa e meritokracisë – një fjalë që duket sikur nuk duhet përmendur. Po ashtu ngrihet shqetësimi për dhënien dhe shitjen e pronave publike jo pronarëve të ligjshëm, por individëve që nuk kanë asnjë lidhje me to. Parullat janë shkruar, janë ekspozuar dhe, ajo që më bën më shumë përshtypje, është se protestuesit nuk kritikojnë vetëm pozitën.
Ata drejtojnë kritika edhe ndaj opozitës për flirtin me pushtetin dhe për mënyrën se si ka qeverisur kur ka qenë vetë në pushtet. Po çfarë po ndodh këto ditë? Qeveria nuk reagon. Presidenca nuk dihet se ku qëndron.Pozita në vend që të dëgjojë me vëmendje zërin e qytetarëve, merret me numrin e protestuesve: ishin 200 apo 500? Për mua, kjo nuk ka rëndësi. Edhe nëse do të ishte vetëm një protestues, ai meriton të dëgjohet dhe të lexohet me kujdes për të kuptuar se çfarë kërkon. Nuk është zgjidhje që zëri i qytetarëve të zëvendësohet me debate të ashpra në studio televizive, me gjuhë agresive, arrogancë dhe përplasje të panevojshme.
Demokracia nuk matet me tonin e zërit, por me aftësinë për të dëgjuar. Pozita duhet të ulet dhe të bisedojë në mënyrë qytetare me protestuesit. Nëse janë dyqind veta, është më se e mundur të mblidhen në një sallë dhe të zhvillohet një dialog i hapur e i sinqertë. E njëjta gjë vlen edhe për qeverinë. Institucionet nuk duhet t’i shohin protestuesit si kundërshtarë, por si qytetarë që kërkojnë të dëgjohen.
Unë besoj se protestuesit, opozita dhe mazhoranca mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët komunikimi, me respekt dhe përgjegjësi, për çdo kërkesë të drejtë. Vetëm përmes dialogut mund të arrihen zgjidhje që i shërbejnë interesit publik. Le të qëndrojmë larg dhunës, urrejtjes, arrogancës, bullizmit, mendjemadhësisë dhe naivitetit. Shqipëria ka nevojë për më shumë dialog, më shumë dëgjim dhe më shumë përgjegjësi nga të gjithë.











