20.8 C
Tirana
E premte, 10 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Lajme NJERIU QË LIGJËRONTE QETËSINË

NJERIU QË LIGJËRONTE QETËSINË

0
Nuhi Rexhepi

Nuhi REXHEPI (1942-2026)

Shkuarja e shpirtit të profesorit tim Nuhi Rexhepi në botën e pakthyeshme të amshimit, nuk më lë indiferent! Tash pas këtij kumti për vdekjen e Profesor Nuhiut, nuk qetësohem dot pa i hedh pak radhë, që i kam shqiptuar diku gojarisht në kujtime ndejash, por nuk i kam shkruar…

Prania edukative mësimore e profesorit tashmë të ndjerë, më ka përcjellë në dy rrethana të moshës sime: si nxënës i profesorit në gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit dhe, si studentë në Filologjikun e Universitetit të Prishtinës. Më ka përcjellë i njëjti karakter, e njëjta qetësi, e njëjta buzëqeshje, i njëjti durim pa asnjë shfaqje nervozizmi, e njëjta kulturë e ligjërimit të Tij, ndonëse në Fakultet dukshëm më e zgjeruar e emrit të përveçëm Nuhi Rexhepi.

I pastër, i prajshëm në pyetje-përgjigje, i durueshëm në pritjet e Tija për vonesën time të dorëzimit të provimit me shkrim, madje në minutat kalimtar të kohë-zgjatjes së paraparë të provimit. Mirëpo, Profesori Nuhi ishte aty me modelin e durimit në pritje. Profesori Nuhi Rexhepi kishte një diell rrezatues, të atillë çfarë i duhej për të na mbajtur të pashkëputshëm nga goja e tij, prej nga i rridhnin fjalët e ligjëratës përkatëse. As bërtima, as shtrëngatë kundruall zhurmës bezdisëse të morisë së nxënësve, përkatësisht të studentëve në nivelin akademik nga grimasat e fytyrës dhe shqiptimit të fjalëve të Tija prej urtaku. Të tillët si Profesor Nuhiu i duheshin arsimit tonë kombëtar në të gjitha shkallët e ngjitjes së dijes dhe të vlerave qytetëruese…

Te profesor Nuhiu nuk hasa folklorizma të kurrfarë ngjyrimesh. Ndonjëherë kur nuk fliste zëshëm i fliste heshtja, i fliste qetësia… Nuhi Rexhepin si bashkëqytetarë tonin e kishim vlerë dhe, tash do ta kemi faqe kapitulli të Librit të Madh të Kujtesës. Duke shpaluar këtë Libër të Kujtesës, te të dashurit e Tij dhe mes nesh, zgjohen dhimbja, krenaria, loti dhe gjakimi për modelin njerëzor e miqësor që ndërtoi në mesin tonë Profesor Doktor Nuhi Rexhepi! Pushoftë i qetë në paqen e pasosur!

Dërgoi për publikim, Mehmetali Rexhepi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.