Nga Rexhep Çullhaj
Prej ditësh, në rrjetet sociale shfaqen materiale me përmbajtje rozë apo seksuale. Secili është i lirë të zgjedhë si jeton dhe çfarë bën në ambientet e tij private, për sa kohë respekton ligjin dhe të tjerët. Por një gjë është krejt tjetër: përdorimi i zyrave, institucioneve dhe pronës publike për sjellje intime, materiale të tilla apo veprime që cenojnë dinjitetin e institucionit.
Zyrat e shtetit nuk janë ambiente private. Ato janë hapësira publike, të paguara dhe të mirëmbajtura nga qytetarët. Aty duhet të ketë punë, përgjegjësi, integritet dhe respekt për institucionin. Ne duam të shohim art, jo banalitet. Karakter, jo degradim. Përgjegjësi, jo shfrytëzim të hapësirës publike për qëllime private.
Nëse ligji dhe rregulloret nuk e përcaktojnë qartë, atëherë është koha që institucionet të vendosin rregulla të qarta për përdorimin e ambienteve shtetërore dhe për sjelljen në vendin e punës. Në ambientet private, përgjegjësia është e individit. Në zyrat e shtetit, përgjegjësia është edhe ndaj publikut. Prona publike duhet respektuar. Zyrat e shtetit nuk janë hapësira private.


