
Nga Gjon Marku
Mirdita, si pjesë territoriale e Shqipërisë, është treva që e ka vetudhëhequr veten. Kjo është diktuar nga arsye të ndryshme në luftë të ashpër me izolimin dhe barbarinë skllavëruese. Kjo trevë del në evidencë pikërisht gjatë sundimit turk nëpërmjet gadishmërisë për qëndresë. Albanologu i shquar gjerman Peter Bartël thekson se; “Mirdita prej kohësh kishte një qeveri autonome që nuk u cënua dot as nga zaptuesit turq. Shoqëria e kanunit ka prejardhje patriarkale, nëse ligjet e sotme janë të mangëta, atëherë e vjetra ngre krye”, -vijon ai”.(1) Faktorët kryesorë dhe baza themelore e kësaj vetëqeverisjeje autonome është e drejta zakonore e saktësuar dhe sanksionuar në “Kanunin e Lekë Duakgjinit”, i cili, sidomos për të huajt, është një shenjë e fortë identifikimi dhe identiteti.
“Po të studiohet me kujdes Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe veçanarisht kapitujt mbi fiset dhe ndarjet e tyre, mbi pronën, familjen, martesën dhe trashigiminë, -ka shkruar Nopça, -do të shohim në ralitetin shqiptar, gjurmët e lashtësisë”. (2)
I të njëjtit mendim është edhe Painsippi kur shprehet se: “Trualli i malësorëve shqiptarë ka qenë deri në vitet 1947 dhe deri në këtë kohë në mënyrë vertetë absolute, një ishull i izoluar i drejtësisë së lashtë, në epokën e re të drejtësisë europiane”. (3)
Nëse këtë të drejtë zakonore dokësore e shohim si themelin e mbijetesës, rrënjët e saj janë tej shekujve, bile deri në lashtësi.
E drejta zakonore e pashkruajtur, ka qenë burimi kryesor i së drejtës derisa dolën ligjet e shtetit. Kështu ka ndodhur në Egjipt, në Babiloni, në kodin e Hammurabit, apo në Hindi me kodin Manu, në Greqinë e Vjetër me ligjet e Solomonit e të Drakonit, në Romën e Vjetër me 12 tabelat, si dhe gjatë Mesjetës me shumë ligje të tjera.
Mendimtarë të ndryshëm, duke filluar nga Aristoteli, juristët e Romës së vjetër e deri te Hegli e kanë quajtur të drejtën zakonore “të drejtë të pashkruar”.
Dihet se në shtetet ilire, shtetin e Arbërit, në shtetin e Skëndërbeut e në vazhdimësi, e drejta zakonore shqiptare e pashkruar ka qenë burimi kryesor i të drejtës.
“Kanuni i Lekë Dukagjinit” për shumë shekuj u kthye në mit e ai mori forcë të madhe vepruese sidomos në shek. XVI, kur qytetet shqiptare u shkatërruan nga thmelet.
Organizimi i Mirditës në unitetetin e 12 bajrakëve me kapedanin në krye, shtëpia e Gjomarkajve, qe shpallur “Themeli i Kanunit”. (4)
Mirdita, “Kanunin e Lekë Dukagjinit” e ka bazën e vet themeltare të mbijetesës dhe të vetëqeverisjes, edhe pse ligjet e tij, si e drejtë zakonore për shekuj, mbetën “të drejta të pashkruara” derisa kanuni u mblodh nga Shtjefën Konstandin Gjeçovi në Gomsiqe të Mirditës dhe u botua si vepër më vete, rreptësisht e strukturuar, në vitin 1933.
Kjo e drejtë zakonore jetoi gjatë e pashkruar si rregullator i marrëdhënive shoqërore për disa arsye:
– Për shumë shekuj jetuan marrëdhëniet patriarkale fisnore.
– Ekzistonte organizmi vetëqeverisës posaçërisht në Mirditë.
– Pushtimi i gjatë osman pengoi formimin e shtetit të pavarur shqiptar.
– Ekzistonte një prapambetje e madhe në arsim.
– Zotëronte mentaliteti i fuqishëm për të jetuar si të parët tanë, etj.
Mbrojtja e kësaj të drejte zakonore kontribuonte në mbrojtjen e autonomisë vendore të Mirditës, po ashtu ruajtja e së drejtës zakonore ishte dhe pjesë përbërëse e vetëdijes kombëtare. Kanuni u ngjiz në Mirditë, si epiqendër e tij. “Ai vetë është një minierë e tërë mahnitëse e gjenisë njerëzore me emërin e së drejtës”. Edhe kur është tepruar, sensi ka qënë vetëm përpjekja për të realizuar drejtësi. Prandaj është cilësuar i shenjtë.
“Pa dyshim, – thekson Prof. Ismet Elezi, merita kryesore u takon mirditasve, të cilët ruajtën në kujtesën e tyre normat e së drejtës zakonore bashkë me autonominë vendore. Ndërkaq duhet vënë në dukje fakti se Kanuni i Lekë Dukagjinit është burimi kryesor i së drejtës zakonore shqiptare”.(5)
Ndërsa Tonin Çobani shkruan: “Larg garnizoneve ushtarake dhe institucioneve te imponuara, shqiptarët do të ruanin lirinë e tyre, besimin e tyre, gjuhën dhe kulturën e tyre, ligjet e tyre”. (6)
“Kanuni i Lekë Dukagjinit”, ose Kanuni i Maleve, quhet i tillë pse veprimtarinë e tij dhe zbatimi i tij bëhej në malet e Veriut të Shqipërisë. “Nëpër male e nepër luginat malsorët çojnë një jetë të thjeshtë ku sundon i Pari i Shtëpisë; kjo jetë ka faqe trimnije dhe shihje të Homerit, sikur kangë të kreshnikëve”.(7)
Ligjet e “Kanunit të Lekë Dukagjinit,” sipas VValther Painsippit, rrejedhin nga vendimet “ligjore” të marra në Kuvendet e Përgjithshme të fisieve dhe të bajraktarëve.(8)
Karakteristika themelore e Kanunit është se parimet (nderi, besa, mikëpritja, burrëria etj.) dhe institucionet kryesore të organizimit shoqëror, (familja, prona trashëgimia, ligjet e pleqëve etj.) përbëjnë dhe shtyllat kryesore të tij. “… Ndër Malësorët kishte fuqi ligji i rreptë i maleve, “Kanuni i Lekë Dukagjitit….” –thekson Painsippi
Zakonet shqiptare, sa të egra ndaj së keqes, aq edhe njerëzore ndaj së mirës, rekomandojnë: “Hasmi fisnik gjithmonë i shmanget familjes së viktimës dhe rrethit të saj, me qëllim që të mos i rëndojë ende më shumë. Madje shkon edhe më tej: për t’i nderue sa më shumë, dhe u përulet duke iu çue njerëz të mirë e burra të urtë për t’u ba lutje për falje! Ndërsa hasmi burrë (e ky gjest fisnik veçse ia rrit vlerën!); dhe rrethi dhe familja e viktimës, burrnisë së hasmit burrë i përgjigjen me të njëjtën monedhë I vret prulja fisnike e hasmit burrë dhe e falin.” Edhe pse “gjaku lahet me gjak”.
Le të arsytojmë mbi fenomenin e gjakmarrjes. Gjeçovi e përcakton “gjakmarrjen si detyrim shoqëror”. Por ne na takon të shtyhemi pak më tej: Pse ka rrjedhë ky detyrim shoqnor? Edhe përgjigjja është gati: Pse mungon shteti i së drejtës! Dhe pikërisht pse Shqipëria (pra kombi shqiptar) pesë shekujt e fundit ishte e pushtuar nga turqit, pra nuk kishte shtet të vetin të së drejtës lindi nevoja e një organizimi dhe funksionimi tjetër (dokesore) në fis, bajrak apo bashkim bajrakësh. Për këtë arsye Urtia shqiptare nxori nga gjiri i saj Kodin e së drejtës zakonore, -KANUNIN, me anë të të cilit sheshoheshin mosmarrëveshjet, jepej drejtësia, bëhej bashkimi e organizohej mbrojtja e trevave shqiptare. Dihet se Shqipëria ka qënë e pushtuar nga pushtues mizorë. Kësisoj edhe e drejta Zakonore, KANUNI, ka gjasë të jetë më shumë sesa civil, Kanun Ushtarak. Kësodore është e justifikueshme edhe ndonjë privim që bije ndesh me të “Drejtat e njeriut të sotëm.”
“Ai, të cilit iu muar nderi, zihet i dekun nga kanuni”. (9)
Kanuni i Lekë Dukagjinit është gjithësesi edhe ligji modern, i cili i jep rëndësi të veçantë mendimit dhe gjykimit të lirë. Është vendosur në ligj parimi “fjala mort s’bën”, nga ana tjetër fjala ka peshë të jashtëzakonshme përderisa “beja lan gjaqe”. E askërkush nuk ka të drejtë ta dyshojë benë e bame që bëhet mbi kryqin e ungjillit.
Kanuni i maleve të Shqipërisë nuk e veçon njeriun prej njeriut, “Shpirt për shpirt se dukën e fal zoti.” “I miri e i keqi kanë një çmim.” “Del i miri prej të keqit e i keqi prej të merit,” sanksionohet në Kanun, po ashtu “Burri i fortë merr gjobën e vet.” Pra Kanuni nuk dallon, nuk paragjykon, nuk mban krahun e askujt për shkak të pozitës, të racës, të fesë. Çdo njeri ndihet i barabartë në bashkësi, në kuvend, në shtëpi, në dasëm e në mort.
Nderi, besa, mikëpritja, burrëria kanë një vend të veçantë në Kanunin e Lekë Dukagjinit, ku ato përbëjnë shtylla të forta të tij dhe kjo më së miri, duket në pozitën krejt të favorizuar të mikut. Mbrojtja e tij kishte të bënte me mbrojtjen nga çdo lloj rreziku që mund t’i kanosej. “Shpia asht e zotit dhe e mikut” gjithsesi kjo ka një kuptim të madh e shkon deri atje sa me u pre miku në bukën e tjetrit, merrej gjak për të. Por nga ana tjetër miku duhej me u ndjerë si në shtëpinë e vet, pra duhej respektuar deri në maksimum duke i bërë nderimet e nevojshme “bukë e kripë e zemër”. E pra atij i lëshohej kryet e vendit si për nderim, si dhe ma në të pamë e në shej, si edhe të mos përzihet ndër robt e shpisë”. Miku nga ana e vet ka shumë rregula që nuk mund t’i shkelë. Si t’i prish mikut, çdo dhunë t’i baje kuej, lypet mbi ty.”
“Besa” është tradita më e shenjtë; kur njeriu ka besën e një persoi të mirë të njërit fis, çnderimi më i madh pret fyesin e saj prej çdo personi të atij fisi. Besa shqiptare jo vetëm që mbahet dhe mbrohet me vullnetin më të mirë, por shqiptari po të jetë nevoja jep edhe jetën për të mbrojtur besën. Një udhëtar nën fjalën e besës është nën mbrojtje të shenjtë”. (10)
Ndërkohë te Rose Lane përfytyrimi që u jep këtyre anëve është i tillë: “Më dukej sikur isha kthyer në një vend që e njihja prej kohësh dhe këtu e ndjeja vetën në vendin tim. Kisha harruar se këta njerëz ende jetonin fëmijërinë e racës ariane dhe se unë isha bij e një shekulli që, për ta, ishte në një të ardhme të largët e të panjohur. Për mua njëzet e pesë shekuj ishin zhdukur sikur të mos kishin qenë kurr.” (11)
Faik Konica shkruan “Standarti etik i shqiptarit është besa, pra, fjala e dhënë. Pavarsisht nga rrethanat, kur një shqiptar jep fjalën, ajo nuk mund të shkelet dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj marrveshjeje të shkruar.” (12)
Gjergj Fishta shkruan:
“Gjak e vjamë, der’ n’kupë të gjunit,
Bukë shqiptare mbas kanunit.” (13)
E ky ligj i Lekë Dukagjinit bazohet te nderi personal, që është gjithmonë dhe nderi i fisit,
“Preki’i herë ti n’tokë të Parve,
Prki’i herë ti n’erz të fisit,
Edhe ty kan me t’diftue,
Se si dijnë këta me u bashkue”. (14)
“Lart në ato male- pikërisht atje, në ato male, -shton studiuesja amerikane ROSE LANE, -njerëzit jetojnë sikurse jetonin njëzet shekuj më parë, kur grekët ose romakët, ose sllavët nuk njiheshin ende. Atje lart ka qytete parahistorike, legjenda, këngë, doke të vjetra dhe askush nuk di gjë për to. Në fakt, askush nuk ka qenë ndonjëherë atje”. (16)
“Unë jam konservatore, madje dhe raksionare. Unë do të doja t’i ruaja malet shqiptare kështu siç janë”. (15)
Kanuni kurrësesi nuk është i barabarë. Burri i fortë merr gjobën e vet, –thuhet në Kanun, por kurrësesi Kanuni nuk lejon dhunimin dhe shëmtimin fizik, gjymtimin e organve të njeriut, duarve, syve, fytyrës, etj. Krejt ndryshe ndodh me të drejtën bizantine.
“Ky popull, ashtu si dhe malsorët tonë në Austri deri para pak kohësh, nuk kishin nevojë për juristë e sisteme moderne juridike për ta përballuar jetën, për këtë arsye, për këtë popull me moral kaq të shëndoshë e të pastër nuk ishte e vështirë të mbante mend ligjet dhe normat, e përveç kësaj kujtesa e njerëzve që e përçojnë dijen vetëm gojarisht është tepër e zhvilluar”. (16)
“Në studimet europiane termi fis shpesh është përdorur për të grupuar popujt e lashtë”. (17)
Kanuni shpesh është sulmuar edhe padrejtësisht. Bëhet e ditur se sipas statistikave të përafërta, konkludohet se mbi dy herë më shumë vrasje në vitet 1990-2000 janë kryer në Jug, atje ku kanuni nuk njihet fare! Madje vrasje makabre, të cilat kanuni i ndëshkon rreptë. Dhe kjo nuk ka ndodhur kurrësesi pse atje zbatohet kanuni. Por nga ana tjetër përderisa në Veri numri i vrasjeve është dy herë më i pakët kjo tregon se e Drejta Zakonore në njëfarë mënyre po e kryen detyrën e vet. Së paku vrasje makabre nuk ka! Me keqardhje duhet pohuar se shpesh në medja çdo vrasje në Veri thirret si gjakmarrje. Një gjë është e padiskutueshme, që Kanuni është i rreptë për të gjithë njëlloj! Pa dallim! Edhe Kapidanin e Mirditës, që është thirrë “Themel i Kanunit të Lekë Dukagjinit”, e ka ndëshkuar.
Lind një pyetje: Pse shfaqet fenomeni kanun?
Nëse ai shfaqet, kjo nuk vjen për faj të tij, por nga pazotësia e politikanëve të sotëm për të nxjerrë ligje fisnike, detyruese dhe zbatimin e tyre me përpikmëri.
Nga ana tjetër shtyllat e vetëdijes njerëzore venë në themel të Kanunit familjen, pronen, trashigiminë, ligjet e pleqëve etj.
Trajtimi i familjes në Kanun përcakton qartë pozitën e kësaj qelize bazë të shoqërisë, në vetvete, në lidhje me vllazninë, gjininë, fisin, flamurin e gjer kombin.
Detyrat e të zotit të shtëpisë përcaktohen qartë dhe prerazi. Këtu duket se mbahet parasysh fort një tregues, ai i të qenit kujdestar për të tjerët; natyrisht kihen parasysh mosha, por së pari mençuria, urtësia.
“I zoti i shtëpisë ka për detyrë kryesore me mbajtë udhën e drejtësisë në shtëpi, e mos me majt krahun ma tepër njënit se tjetrit; me u ble armë djemvet kur ta shohë se janë ba për to.
E njëjta gjë është edhe për të zonjën e shtëpisë, por kjo nuk do të thotë se pushteti i tyre është i pakufizuar; përkundrazi gjindja e shtëpisë ka të drejtë me i heqë nëse nuk punojnë për të mbarën e shtëpisë”.
Kanuni e koncepton femrën si qënie të dobët, ndaj e sheh si njësoj inferioriteti duke i dhënë një rol dytësor në raport me burrin. Doeomos kemi këtu edhe njërën ndër pikët më të kontestueshme të Kanunit, por duhet pasur parasysh shkalla e emancipimit kulturor, niveli arsimor dhe zhvillimi shoqëror. Por edhe sot në majft qytetërime nuk është arritur barazia reale midis burrit dhe gruas.
Kanuni nuk mund të thuhet se e nëpërkëmb gruan, bile përkundrazi, Kanuni në mjaft raste e merr në mbrojtje, sidomos gruan e vejë. Femrën kurrësesi nuk e prek hakmarrja. Është veprim i turpshëm t’u shkaktosh një dëm apo t’i fyesh. “Ai që vret një grua detyrohet dy gjaqe”. Kurrësesi gruaja nuk është e mbyllur. Ajo dilte në festa, shkonte në kishë e mjedise të tjera publike. Burri i blen mundin e të jetuemen grues, por jo jetën e saj.
Kanuni përcakton qartë edhe gjithçka që ka të bëjë me pronën, ujin, vijën, arën, livadhin, etj.
Kanuni ngrihet kundër martesave pa kurorë, rrëmbimit të vajzave, etj.
Për njerëzit që nuk njohin Kanunin apo thelbin e tij, shpesh ai njësohet me gjakmarrjen. Por ka edhe më keq kur mohuesit dhe aq më tepër denigruesit e tij, këtë dukuri e përdorin si argument për rrëzimin e tij. Në të vërtetë ky problem është shumë më i thellë sesa mohimi apo pohimi kategorik. Në fakt vetë kanuni paralajmëron “mos vra” dhe më pas përcakton vrasjen për gjak “Gjak për gjak”. Normat kanunore vetë janë tepër të thella e të menduara, e kështu në këto norma është saktësuar dukshëm kërkesa e përsëritur për të falur gjakun. Kështu “ Fjala mort nuk bën” e ardhur në të njëjtin nëntekst “goja s’qet kënd në gjak” apo “Çmimi i jetës është nji si për të mirin, për të keqin” Por duhet të kemi parasysh një gjë “po qiti pushkë prita mbi gra, fëmijë, shpi a mbi bagëti, punon kundra kanunit.” Gjithashtu kanuni përcakton qartë se “vetëm dorasi bije në gjak” pra kjo e barazvlefshme me shprehjen “Gjaku shkon për gisht”. Nga marrja e gjakut përjashtohen gratë, fëmijët, prifti.
Sot ka një anomali të theksuar, ndërkohë që nga elita kulturore, juridike kërkohet që kanuni të arshivohet si një monoment historik i së drejtës, njerëz të malësive shqiptare nga ana tjetër pretendojnë se zbatojnë Kanunin në çështjet e pronësisë e gjer vetëgjyqësi.
Ky është raliteti objektiv i vendit tonë. Shqipëria qeveriset nga Kushtetuta dhe ligjet bashkëkohore demokratike. Nga ana tjetër veprojnë normat e së drejtës zakonore në disa zona malore për zgjidhjen e çështjeve të caktuara. Me një fjalë duam apo nuk duam, objektivisht ekziston dualizmi juridik. Por ky është një fenomen kalimtar. Me forcimin e shtetit të së drejtës, me forcimin e ndërgjegjes juridike në shtresat e gjera të popullsisë, do të respektohet kushtetuta dhe ligji i shtetit, kurse zbatimi i kanunit do të bëhet i panevojshëm.
Natyrisht ky është një proces historik dhe nuk mund të realizohet ashtu siç duam ne, sepse aktualisht forcimi i autoritetit të shtetit, e të ligjit, lë shumë për të dëshiruar. Por, një gjë dihet me siguri, se e ardhmja iu takon ligjeve demokratike për rregullimin e marrdhënieve shoqërore në të gjitha fushat e jetës. Kanunet do të vlerësohen si monumente të kulturës popullore në tërësi, dhe asaj juridike në veçanti, për të cilën Mirdita ka merita të mëdha historike.
Le të shohim bie fjala dhjetëvjetëshin e fundit.
Gjatë këtyre dhjetë-katërmbëdhjetë vjetëve të fundit, kur në disa zona të Malësisë së Madhe, në Shkodër, në Tropojë, nisën të gjallërohen vrasjet për gjakmarrje, në Mirditë ato kanë qenë të pakta dhe shkojnë drejt zhdukjes.
Sigurisht, shpjegimi i këtij fenomeni mund të bëhet më i plotë nga studiuesit e analistët mirditorë. Sipas mendimit tonë, këtu kanë vepruar e veprojnë një sërë faktorësh historikë, shoqërorë, arsimorë, kulturorë, fetarë e psikologjikë. Mjafton të merret si model fshati Gëziq, qendër e hershme kulturore, ku rreth 100 vjet nuk ka ndodhur vrasje për gjakmarrje. Veç të tjerash, në Mirditë ka ndikuar ekzistenca për shumë kohë e organizimit të fuqishëm vetëqeverisës, nga ku është kultivuar ndjenja e respektit të shtetit e të ligjeve të tij. Gjithashtu ka ndikuar besëlidhja e Mirditës e vitit 1944 për faljen e gjaqeve. Gjithsesi shembulli pozitiv i Mirditës tregon se gjakmarrja nuk është një fenomen fatalisht i pashmangshëm. Kjo le të shërbejë edhe për ato zona ku plaga shoqërore e gjakmarrjes anticivilizuese e antinjerëzore, sjell pasoja të rënda për trevat tona të malësive.
Shpesh në organet e shtypit dhe media të tjera ka një trajtim ekzaltues, empirik, të nxituar të problemit të gjakmarrjes, Kanunit, mungesë njohjeje, teprim në shifrat e të ngujuarve etj. Por edhe reagimi ndaj kësaj inkompetence të shtypit është i rrallë nga studiuesit, psikologët, funksionarët e shtetit për të qartësuar opinionin dhe për të mos e keqinformuar atë. Kjo është e lidhur me faktin pse në shtyp e në mediat e tjera vendase u është dhënë përparësi qëllimeve komerciale, kronikave të zeza, me manipulime shifrash dhe thuajse aspak punës së parandalimit të këtyre dukurive.
Më lejoni ta ilustroj me një shembull konkret. Në Gjykatën e Mirditës para disa vitesh ishin gjykuar 12 vrasje për motive të ndryshme. Sipas shtypit këto paraqiteshin si vrasje për gjakmarrje, ndërsa në të vërtetë ishin vetëm 5 të tilla.
Një gazetë qëndrore me shifra të mëdha shkruante se në Shqipëri ishin kryer në një vit 600 vrasje për gjakmarrje, çka absolutisht nuk është e vertetë. Mbështetur në këtë artikull një gazetë qëndrore e huaj shkruan një artikull me titull “Mbretëria e Vdekjes” për Shqipërinë. Kur erdhi në Tiranë artikullshkruesi u sqarua se shkrimi i tij ishte absurd e antishqiptar.
E vërteta është se shumica e madhe e artikujve apo e bisedave në median elektronike për këtë problem bëhen nga njerëz të painformuar mirë, apo inkompetentë e pa përgjegjësi etike e morale.
Detyra e studiuesve, e psikologëve, e sociologëve, juristëve dhe funksionarëve të shtetit është të sqarojë opinionin publik, të qartësojnë nocionet e gjakmarrjes e të hakmarrjes në kuptimin e gjerë të fjalës, si dhe motiveve të tjera të vrasjes, sepse vrasjet për truall nuk janë për gjakmarrje, ashtu sikurse vrasjet për të larë hesapet midis pjesëmarrësve të bandave të armatosura, apo për çështje nderi etj.
Për sa u përket vrasjeve në përgjithësi, për motive të ndryshme, në familje apo në mjediset shoqërore, ato janë fenomene jo vetëm për Mirditën e Shqipërinë, por botërore.
Natyrisht duke folur posaçërisht për Mirditën ka rëndësi të njihet gjendja, dinamika dhe struktura e këtyre vrasjeve, sa janë p.sh. për motive pronësie, sa për motive të tjera të dobëta. Por kjo nuk mjafton. Për mjekimin e çdo sëmundjeje kërkohet të vihet diagnoza, ashtu edhe për veprat penale duhen njohur e zbuluar shkaqet dhe kushtet favorizuese. Nga analiza e këtyre shkaqeve merren edhe masat parandaluese, që janë hallka vendimtare në luftën kundër kriminalitetit. Në masat parandaluese hyjnë ato që kanë karakter ekonomiko-shoqëror, duke luftuar varfërinë, ulur papunësinë, etj. Si dhe masa të tjera që lidhen me çarmatimin e popullsisë, etj.
Nuk ka dyshim se lufta parandaluese kërkon forcimin e rolit të shtetit, ndërtimin e shtetit të së drejtës, funksionimit normal të organeve të policisë, të prokurorisë e të gjykatës për zbulimin, kapjen, hetimin dhe gjykimin e personave fajtorë për vrasjet.
Natyrisht forcimi i shtetit arrihet në bashkëpunimin e tij me shoqërinë civile, me kumunitetin, në një front të përbashkët kundër vrasjeve dhe shkaqeve të tyre.
Literatura:
1. Marku, Gjon: “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”. Tiranë, 2009. f.294.
2. Nopça. Franc: “Burimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit”, në “Djalëria”, nr.4.1920.










