Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Çfarë humbi Serbia në Kosovë: territorin apo legjitimitetin?
Prandaj Kosova nuk u bë “serbe” thjesht sepse mbi të u ushtrua pushtet serb në periudha të caktuara. Pushteti dhe identiteti nuk janë sinonime. Një administratë mund të vendoset dhe të largohet; kufijtë mund të ndryshojnë; regjimet mund të lindin dhe të bien; por identitetet kolektive, kujtesa historike dhe ndjenja e përkatësisë së njerëzve nuk ndryshohen me dekret. Për shqiptarët që përbënin shumicën dërrmuese të popullsisë në fund të shekullit XX, Kosova mbeti hapësira e tyre jetësore, kulturore dhe politike, pavarësisht se cili pushtet e administronte atë në një moment të caktuar historik.
Dhe ndoshta këtu duhet kërkuar përgjigjja ndaj gjithë atij investimi politik që për dekada u bë për ta paraqitur Kosovën si pronë të padiskutueshme të Serbisë. Mund ta pushtosh një hapësirë, por pushtimi nuk prodhon vetvetiu përkatësi; mund ta sundosh një popull, por sundimi nuk të jep domosdoshmërisht besnikërinë e tij; mund ta shkruash hartën sipas fuqisë së momentit, por nuk mund ta vizatosh me të njëjtën lehtësi identitetin në ndërgjegjen e njerëzve. Pikërisht aty gjendet kufiri i forcës politike.
Në fund, historia e Kosovës dëshmon se dhuna mund të shkaktojë tragjedi të jashtëzakonshme, mund të zbrazë përkohësisht qytete e fshatra, mund të shkatërrojë shtëpi dhe të detyrojë njerëzit të kalojnë kufijtë si refugjatë, por nuk është një instrument që mund të krijojë në mënyrë të qëndrueshme legjitimitet politik. Përkundrazi, në rastin e Kosovës, represioni dhe dhuna e viteve të fundit të sundimit të Beogradit kontribuuan në thellimin edhe më të madh të bindjes së shqiptarëve se e ardhmja e tyre politike nuk mund të ndërtohej nën sovranitetin serb.
Dhe kjo është ndoshta ajo që propaganda e kishte më të vështirë ta pranonte: Kosovën mund ta kontrolloje për një kohë, mund ta quaje me emrin që dëshiroje, mund ta vendosje në hartat dhe kushtetutat e tua dhe mund të përsërisje pafundësisht se ishte “e jotja”, por nuk ekzistonte forcë politike që, vetëm përmes dhunës dhe imponimit, mund ta shndërronte vullnetin, identitetin dhe ndjenjën e përkatësisë së shumicës së popullsisë së saj në diçka tjetër. Në këtë kuptim, beteja vendimtare nuk ishte vetëm për territorin; ishte për legjitimitetin. Dhe pikërisht aty politika e forcës pësoi dështimin e saj më të madh.
Kufijtë e Kosovës nuk janë një trillim i lindur dje, as një vijë e improvizuar në hartë pas përfundimit të luftës së vitit 1999 dhe as një konstruksion i krijuar vetëm në çastin e shpalljes së pavarësisë më 2008; ata kanë historinë e tyre politike dhe administrative, të dokumentuar në periudha të ndryshme, dhe arkivat, hartat, dokumentacioni institucional, aktet kushtetuese e administrative dhe burimet e tjera historike dëshmojnë mënyrën se si territori i Kosovës është përcaktuar, administruar dhe rikonfiguruar përgjatë kohës. Arkivi, kur lexohet me kujdes dhe pa urdhra ideologjikë, është një dëshmitar kokëfortë: ai nuk flet me emocionet e tribunave politike, nuk brohorit parulla dhe nuk përshtatet lehtësisht me mitet që ndërtohen shumë kohë pas ngjarjeve; ai ruan dokumentin, datën, vendimin, hartën dhe gjurmën institucionale të një kohe.
Pikërisht për këtë arsye, kur flasim për kufijtë e Kosovës, duhet të flasim me gjuhën e dokumentit dhe të historisë konkrete, e jo vetëm me gjuhën e miteve kombëtare. Kufijtë politikë dhe administrativë, natyrisht, kanë ndryshuar në periudha të ndryshme historike, sikurse kanë ndryshuar pothuajse në të gjithë Ballkanin, por Kosova si njësi territoriale dhe politike fitoi një përcaktim gjithnjë e më të qartë sidomos brenda Jugosllavisë socialiste, ku statusi i saj kushtetues evoluoi deri te autonomia e gjerë që gëzonte sipas Kushtetutës së vitit 1974. Prandaj, kur diskutohet Kosova moderne, nuk mund të sillet argumenti sikur territori i saj të ketë lindur papritur nga një vendim ndërkombëtar në fund të shekullit XX; ekziston një vazhdimësi institucionale dhe territoriale që duhet marrë seriozisht në çdo analizë historike.
Dhe pikërisht këtu duhet ta themi çështjen shtruar, pa e mbuluar me retorikë: formula se “Serbia e humbi Kosovën” është politikisht shumë më e ngarkuar sesa duket. Sepse fjala “humbi” krijon menjëherë idenë e pronësisë: humba shtëpinë time, humba tokën time, humba diçka që më përkiste. Mirëpo shtetet nuk janë pronarë privatë të territoreve dhe popujve në kuptimin në të cilin një individ është pronar i një shtëpie apo parcele. Sovraniteti, administrimi, pushteti dhe pronësia janë nocione të ndryshme, dhe pikërisht ngatërrimi i tyre ka ushqyer shumë prej tragjedive territoriale të historisë ballkanike.
Prandaj unë do ta shtroja pyetjen ndryshe: çfarë humbi Serbia në Kosovë? Nëse me “humbje” nënkuptohet humbja e kontrollit shtetëror dhe institucional që Beogradi ushtronte mbi Kosovën, atëherë kjo është një çështje konkrete historike që mund të analizohet dhe të datohet. Por nëse me këtë formulim synohet të thuhet se Serbia humbi një pronë të saj të përjetshme, atëherë pikërisht ky pretendim duhet vënë nën llupën e historisë. Sepse ushtrimi i pushtetit mbi një territor në një periudhë të caktuar nuk prodhon vetvetiu një titull pronësie përjetësisht të vlefshëm, sikurse as sundimi i dikurshëm i perandorive mbi territore të mëdha nuk u jep shteteve pasardhëse të drejtën që sot t’i kërkojnë ato territore si prona të humbura.
Këtu qëndron, sipas meje, edhe manipulimi semantik i fjalës “humbje”. Thuhet “e humbëm Kosovën”, në vend që të thuhet “humbëm kontrollin mbi Kosovën”; thuhet “na e morën Kosovën”, në vend që të analizohet pse shqiptaret e Kosovës arritën në përfundim se nuk mund ta ndërtonin të ardhmen e vet politike nën pushtetin e Beogradit. Vetëm disa fjalë ndryshojnë, por politikisht ndërmjet këtyre formulimeve ekziston një humnerë. E para krijon figurën e pronarit të grabitur; e dyta hap debatin mbi legjitimitetin e pushtetit, përgjegjësinë politike dhe arsyet historike të shpërbërjes së një raporti shtetëror.
Në vend që të pyetet vazhdimisht se kush “ia mori” Serbisë Kosovën, do të ishte shumë më e ndershme historikisht të pyetej se si e humbi shteti serb legjitimitetin te shqiptaret e Kosovës. Kur filloi kjo humbje? A filloi kur autonomia u godit rëndë në fund të viteve tetëdhjetë? A u thellua me përjashtimin e shqiptarëve nga institucione të ndryshme, me represionin dhe konfliktin politik të viteve nëntëdhjetë? Dhe a arriti pikën e pakthyeshme gjatë luftës së viteve 1998–1999, kur dhuna, dëbimet dhe krimet e kryera ndaj civilëve e bënë pothuajse të paimagjinueshme rikthimin e marrëdhënies së mëparshme politike? Këto janë pyetje shumë më të vështira sesa parulla “na e morën Kosovën”, sepse kërkojnë ballafaqim me përgjegjësinë dhe jo vetëm kultivim të ndjenjës së viktimës.
Arkivat janë të rëndësishme pikërisht sepse mund ta çlirojnë debatin nga kjo mjegull propagandistike. Le të hapen hartat, regjistrimet, dokumentet diplomatike, aktet administrative, kushtetutat, vendimet shtetërore dhe dëshmitë e periudhave të ndryshme; le të shihet se si ka ndryshuar statusi i Kosovës, kush ka ushtruar pushtet mbi të dhe në çfarë rrethanash është ushtruar ai pushtet. Por dokumentet duhet të lexohen të plota, jo duke marrë prej tyre vetëm ato fragmente që i shërbejnë njërës apo tjetrës mitologji kombëtare. Historia nuk duhet të jetë prokurore e një kombi dhe avokate e tjetrit; detyra e saj është të rindërtojë sa më besnikërisht atë që ka ndodhur.
Dhe pasi të bëhet kjo, mund t’i kthehemi edhe një herë fjalisë së famshme: “Serbia e humbi Kosovën”. Jo, do të thosha unë, Serbia humbi kontrollin politik dhe shtetëror mbi Kosovën; por ta paraqesësh këtë si humbjen e një prone të përjetshme është një interpretim krejt tjetër. Sepse një territor ku jetojnë njerëz nuk është objekt që një shtet e mban në xhep dhe një ditë i bie diku rrugës. Aq më pak mund të trajtohet një popull si pjesë e inventarit të një shteti, të cilin ky i fundit ka të drejtë ta zotërojë pavarësisht vullnetit, historisë dhe aspiratave të tij politike.
Prandaj formula “nuk mund të humbësh atë që nuk është e jotja” merr këtu kuptim më të gjerë politik: jo si mohim i faktit se Serbia ka ushtruar pushtet mbi Kosovën në periudha të historisë — një fakt që nuk ka arsye të mohohet — por si kundërshtim i idesë se ushtrimi i atij pushteti e shndërroi Kosovën në pronë të përjetshme të Serbisë. Pikërisht këtë dallim duhet ta bëjmë të qartë, sepse ndryshe historia e sundimit shndërrohet tinëzisht në histori pronësie, ndërsa kontrolli i dikurshëm paraqitet si e drejtë e pakufizuar për të ardhmen.
Atëherë me çfarë të drejte mund të flitet për një “pronë të humbur”? Me të drejtën e kujtesës historike? Kujtesa duhet respektuar, por ajo nuk është titull pronësie. Me të drejtën e monumenteve mesjetare? Ato janë trashëgimi historike dhe kulturore që duhet mbrojtur, por monumentet nuk përcaktojnë vetvetiu sovranitetin e sotëm. Me të drejtën e sundimit të dikurshëm? Atëherë do të duhej të rihapnim të gjitha hartat e Evropës dhe t’ua kthenim territoret perandorive dhe mbretërive që i kanë sunduar dikur. Historia moderne nuk mund të funksionojë mbi një parim të tillë pa e kthyer kontinentin në një konflikt të pafund pretendimesh territoriale.
Prandaj çështja duhet zhveshur nga metafora e pronës së humbur. Serbia nuk humbi një send që i përkiste përjetësisht; ajo humbi kontrollin mbi një territor, ndërsa shumë kohë përpara se ta humbiste atë kontroll, politika e saj kishte humbur besimin dhe pranimin e shqiptarëve që jetonin aty. Kjo është një humbje shumë më politike sesa territoriale dhe, ndoshta, pikërisht për këtë arsye është shumë më e vështirë për t’u pranuar.
Sepse territorin mund ta vizatosh në hartë dhe mund ta quash “të humbur”; por humbjen e legjitimitetit nuk mund ta fshehësh përgjithmonë pas hartës. Dhe ndoshta vetëm atëherë, kur fjala “humbje” të mos përdoret më për të ushqyer mitin e pronësisë, por për të analizuar dështimin e një politike ndaj njerëzve mbi të cilët pretendonte të sundonte, mund të fillojë një ballafaqim më serioz me të kaluarën dhe një marrëdhënie më racionale me të ardhmen.
E çfarë të themi atëherë për Kosovën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, për atë vit vendimtar 1945, kur në hapësirën jugosllave po ndërtohej një rend i ri politik, ndërsa popujve u premtohej se epoka e re do të mbështetej mbi lirinë, barazinë dhe të drejtën për të vetëvendosur dhe përcaktuar fatin e tyre? Pikërisht aty duhet të ndalemi më gjatë, sepse viti 1945 nuk ishte për Kosovën vetëm fundi i një lufte botërore dhe fillimi i një sistemi të ri; ai ishte një nga ato momente kur fati politik i një vendi përcaktohej në tavolina, kuvende dhe struktura pushteti, ndërsa vullneti i popullsisë së saj shqiptare mbetej thellësisht i kontestuar dhe i kufizuar nga raportet e forcës që po krijoheshin në Jugosllavinë e pasluftës.
Është e vërtetë se Kosova pas vitit 1945 u përfshi në sistemin e ri federativ jugosllav, konkretisht brenda Serbisë, por është po aq e rëndësishme të shtrohet pyetja politike se në çfarë rrethanash ndodhi kjo, sa përfaqësues kishte procesi dhe deri në ç’masë shqiptarët e Kosovës patën mundësi reale që ta shprehnin lirshëm vullnetin e tyre politik. Historia e atyre viteve nuk mund të kuptohet vetëm përmes formulimeve juridike që u vendosën më pas në dokumentet shtetërore; ajo duhet lexuar edhe përmes atmosferës së pasluftës, pranisë së forcave ushtarake, represionit ndaj kundërshtarëve politikë, arrestimeve, ndjekjeve dhe përplasjeve rreth së ardhmes politike të Kosovës.
Prandaj, përfshirja e Kosovës në Serbinë federale të Jugosllavisë së re nuk duhet paraqitur sikur të kishte qenë një proces i natyrshëm, i pakontestuar dhe i pranuar njëzëri nga shqiptarët e Kosovës. Pikërisht këtu historia kërkon kujdes: duhet të shqyrtohen vendimet politike të kohës, përfaqësimi, kundërshtimet dhe konteksti në të cilin ato vendime u morën. Sepse ekziston një dallim i madh ndërmjet një akti të miratuar nga institucionet e një sistemi politik dhe një vullneti popullor të shprehur lirisht, pluralisht dhe pa praninë e presionit shtetëror.
Kosova e pasluftës kaloi nëpër dekada të tëra transformimesh politike. Statusi i saj ndryshoi, kompetencat e saj u zgjeruan gradualisht dhe, veçanërisht me Kushtetutën jugosllave të vitit 1974, autonomia e Kosovës fitoi një përmbajtje institucionale shumë më të fuqishme. Kosova kishte Kuvendin, institucionet, përfaqësimin në strukturat federative dhe një shkallë të konsiderueshme të vetëqeverisjes. Megjithatë, edhe ky zhvillim nuk e mbylli çështjen e statusit të saj politik dhe as aspiratat e shqiptarëve për barazi më të plotë politike dhe republikë brenda federatës.
Pastaj erdhën vitet kur edhe ajo autonomi u godit rëndë. Fundi i viteve tetëdhjetë dhe fillimi i viteve nëntëdhjetë shënuan një kthesë dramatike: centralizimi i pushtetit në Beograd, kufizimi i autonomisë, largimet e shqiptarëve nga institucione të ndryshme dhe represioni politik e shoqëror krijuan një realitet të ri. Ajo që ishte ndërtuar për dekada si një autonomi kushtetuese u zhbë në një klimë tensioni dhe mosbesimi gjithnjë e më të madh. Pikërisht në këtë periudhë u bë edhe më e qartë se çështja e Kosovës nuk mund të mbahej pafundësisht nën kontroll vetëm përmes mekanizmave të pushtetit shtetëror.
Kosova u nëpërkëmb politikisht, njerëzit e saj u arrestuan e u përndoqën në periudha të ndryshme, kundërshtimi politik u shtyp dhe kërkesat për më shumë të drejta e tyre u trajtuan si kërcënim ndaj shtetit. Në fund të viteve nëntëdhjetë, konflikti kaloi në luftë të hapur dhe popullsia civile shqiptare përjetoi vrasje, dëbime masive, shkatërrime dhe forma të tjera të rënda dhune. Ishte një tragjedi që e bëri edhe më të thellë ndarjen ndërmjet Kosovës dhe pushtetit të Beogradit dhe që e ndryshoi përfundimisht drejtimin e historisë së saj politike.
Por këtu qëndron paradoksi i madh i historisë: ajo që për dekada ishte mbajtur brenda një strukture shtetërore pa një zgjidhje të pranuar nga shqiptaret, pas një rruge të gjatë konfliktesh, e cila pasoi nga një luftë e tmerrshme, rezistencës politike, përpjekjesh diplomatike dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, arriti në një kapitull krejtësisht tjetër. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj dhe filloi një etapë të re si republikë, duke u njohur më pas nga shumë shtete të botës, ndonëse pavarësia e saj vazhdon të mos njihet nga Serbia dhe nga një numër shtetesh të tjera.
Dhe pikërisht këtu historia fiton një simbolikë të veçantë. Një Kosovë që në vitin 1945 nuk e kishte pozitën e një republike në federatën jugosllave, që kaloi nëpër periudha represioni, burgosjesh politike, demonstratash, kërkesash për barazi, rrënimi të autonomisë, rezistence dhe, më në fund, lufte, shumë dekada më vonë doli para botës me institucionet dhe shtetësinë e saj. Për ata që kishin ëndërruar dhe punuar për këtë përfundim, ky nuk ishte vetëm një ndryshim juridik në hartën politike të Ballkanit; ishte përmbushja e një aspirate të gjatë politike për vetëvendosje dhe shtetësi.
Kosova kështu mori vendin e saj mes shteteve evropiane që e kanë njohur dhe ndërtoi marrëdhënie diplomatike me një pjesë të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, edhe pse procesi i konsolidimit dhe njohjes së plotë ndërkombëtare mbetet ende i papërfunduar. Pikërisht ky fakt e bën historinë e saj edhe më domethënëse: shtetësia nuk ishte fundi i të gjitha betejave politike, por fillimi i një përgjegjësie tjetër — ndërtimit të institucioneve demokratike, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe dëshmimit se liria për të cilën ishte sakrifikuar aq shumë mund të shndërrohej në një shtet funksional dhe dinjitoz.
Nëse do ta shihnim këtë rrugëtim nga larg, nga viti 1945 deri te 17 shkurti 2008, do të shihnim jo një vijë të drejtë, por një histori të mbushur me kthesa, zhgënjime, represion, rezistencë, përpjekje politike dhe sakrifica njerëzore. Do të shihnim një shoqëri që kaloi nga një status i kufizuar politik drejt autonomisë së gjerë, nga rrënimi i asaj autonomie drejt rezistencës dhe luftës, dhe më pas nga administrimi ndërkombëtar drejt shpalljes së shtetit të vet.
Prandaj, e vërteta e madhe politike nuk qëndron vetëm në faktin se Kosova u shpall shtet pas shumë dekadash; ajo qëndron në faktin se, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për ta mbyllur çështjen e saj përmes vendimeve të marra nga lart, aspirata për subjektivitet politik nuk u zhduk. Mund ta shtysh një çështje historike për dekada, mund ta heshtësh përkohësisht me forcën e shtetit, mund t’i burgosësh njerëzit që e artikulojnë dhe mund ta shpallësh të mbyllur në dokumente zyrtare, por nuk mund ta konsiderosh të zgjidhur përderisa ajo vazhdon të jetojë si kërkesë politike në vetëdijen e një populli.
Dhe ndoshta kjo është ironia më e fuqishme e gjithë këtij rrugëtimi: Kosova që në vitin 1945 hyri në rendin e ri jugosllav pa statusin që shqiptarët do ta dëshironin për të, pas më shumë se gjashtë dekadash trazirash historike doli prej rrënojave të Jugosllavisë dhe të luftës si republikë më vete. Ajo që për dekada ishte trajtuar si çështje që duhej administruar, kontrolluar ose heshtur, në fund u shndërrua në një çështje shtetësie. Dhe Kosova, pas një rruge të gjatë e të dhimbshme, u ul në tryezën e historisë jo më vetëm si objekt për të cilin vendosnin të tjerët, por si subjekt politik që kërkonte të fliste dhe të vendoste në emrin e vet.
Po atëherë, nëse këmbëngulim ta përdorim fjalën “humbje”, duhet të shtrojmë pyetjen deri në fund: çfarë humbi në të vërtetë Serbia në Kosovë? A humbi një tokë që i përkiste asaj në kuptimin e një pronësie të përjetshme historike, apo humbi kontrollin mbi një hapësirë dhe mbi një popullsi që, në periudha të caktuara, ishte vendosur nën pushtetin e saj? Pikërisht këtu nocioni i “humbjes” duhet zhveshur nga romantizmi nacionalist dhe duhet parë me syrin kritik me të cilin sot shihen edhe shumë prej perandorive dhe sistemeve koloniale të së kaluarës.
Vijon











