Pse Vatikani nuk i konsideron Martir Monsinjor Dom Ernest Çobën dhe Pater Zefin e Traboinit? Gjegje nuk ka! Por ndergjegja duhet ta vrasë ndokend për këtë mohim të dy Meshtarëve që u ekzekutuan nga komunistët shqiptare dhe jugosllavë.
Nga Kolec P. Traboini
Patër Zefin e Traboinit (16 nëntor 1910, Ljarje, Tivar – 4 shkurt 1945, Traboin, Hot), e ka Martir të Kombit Malësia e Hotit dhe asnjë malësor katolik a feje tjetër qoftë, nuk po ka dert se politikat e fshehta të Vatikanit e përjashtuan nga lista e shpallur me 38 martirë katolikë të Shqipërisë, se mundet që trojet na i ndanë në histori, por kombi shqiptar as nuk ndahet e as nuk shuhet përmbi dhe në jetë të jetëve dhe as martirët e heronjtë nuk mund të na i ndajnë. Ata që ka në zemër populli kurrë nuk i mohon e as i harron. Duan apo nuk duan politikat e ditës, Patër Zefi i Traboinit është në zemrën e në mendjen e malësorëve të Hotit sot e përgjithmonë e jetës. Ashtu qoftë!
Patër Zefi,- Leonard Tagaj – famullitari i Traboinit ka lindur në Ljarje të Tivarit më 16 nëntor 1910. Mësimet fillore i mori në vendlindje e më pas ashtu si dhe At Martin Gjoka shkoi në Shqipëri e vazhdoi shkollën Seminarin Françeskan në Troshan. Leonard Tagaj vazhdoi studimet teologjike në kolegjin Shën Antonit në Romë e me pas Innsbruck, Austri. Me mbarimin e studimeve shugurohet meshtar më 19 korrik 1936. Mori detyrën e famullitarit në Traboin të Hotit. Më pas shërbeu në Kosovës, Mali i Zi, dhe në Malësinë e Madhe.
Ishte nga ata meshtar të lidhur fort me popullin dhe detyrat e fesë i kryente bashkë me një përkushtim atdhetar çfarë bënte që ta donin aq shumë malësorët. Ardhja e komunizmit në trojet shqiptare do të sillte dhe dhunën mbi atdhetarët e përkushtuar, por po aq ashpër do të silleshin edhe ndaj klerikëve, veçmas atyre katolikë që kishin qenë gjithherë ushqyesit me shpirtin e lirisë e përkushtimit ndaj kombit. Ata që e kanë njohur e tregonin si një njeri i hapur, i sinqertë, buzagaz, që rrezatonte dritë e mirësi te kushdo që rasti fatlum e sillte të kalonte pranë tij.
I ri në moshë por me përkushtim të madh ai u bë pjesë e familjeve të Hotit, jetonte me të gjitha problemet që ata kishin. Shquhet për urti, për këshillën e mirë dhe ndihmën që i jepte të vobektëve. Duke qenë se kishte lindur në qytetin shqiptar të Tivarit, i cili po tjetërsohej nën represionin e regjimit të asaj kohe, ai i dinte të gjitha hallet e mëdha që kishin shqiptarët të cilëve u mohoheshin të gjitha të drejtat. Kishte mbetur vetëm kisha si një vend ku mund të ndjeheshe pak më i lirë, e Patër Zefi ua krijonte këtë ndjesi lirie me predikimet e tij që ngjallnin shpresë e preknin zemrat e lëndueme të malësorëve të Hotit.
Komunistët jugosllavë ani pse në aleancë e miqësi me komunistët shqiptarë, ndaj shqiptarëve në ish Jugosllavi nisën dhunën dhe vrasjet masive. Megjithëse i lajmëruar për ardhjen e forcave komuniste me në krye kriminelin Bajo Stankoviçin, katil-vrasësi i shqiptarëve, Patër Zefi nuk pranoi të braktiste kishën ku shërbente. Ai ishte betuar që të mos e ndalonte për asnjë arsye sado madhore vendin e vet si shërbestar i përkushtuar i Urdhrit fetar që përfaqësonte, por e mbante fort edhe ideja se bashkatdhetarët e vet shqiptarë kishin nevojë tu gjendej mbështetja morale me fjalën e mirë shelbuese.
Një natë të errët forcat komuniste rrethuan Çelen e Kishës së Shën Gjonit në Hot, arrestuan Patër Zefin dhe bashkë me të Vasel Mirashin, Camaj nga Vuksalekaj i Hoti dhe i pushkatuan më 4 shkurt 1945 në vendin e quajtur Lugjet e Thella në mes të Grudës dhe Hotit. Në një burim tjetër thuhet: Komunistët jugosllavë arrestuan famullitarin e Traboinit, At Leonard Tagaj (i quejtun Patër Zefi nga malësorët) me Pjetër Zekun Camajn (kushëri me Smajl Mark Lulin) dhe Vasel Mirash Camajn (Vojvoda i Vuksanajve). Këta u pushkatuen pa proçes juridik. 100 plumba e përshkuan trupin e famullitarit. Ishte vetëm 35 vjeç.
Kur nisi të marrë rrugë për mbarë ideja që priftërinjtë katolikë të ekzekutuar nga diktatura të shpalleshin shenjtor të Kishës Katolike ishte shpresa se në atë listë do të ishin edhe Monsinjor Ernest Çoba dhe Patër Zefi i Traboinit. Të dy këta të ekzekutuar, i pari i vrarë me injeksion në spitalin e burgut në vitin 1980, e tjetri i pushkatuar pa gjyq me 100 plumba nga kriminelët e shtetit jugosllav, siç do të bënin një muaj më pas në vendlindjen e Patër Zefit, në Tivar, duke ekzekutuar më shumë se 3000-4000 djem shqiptar nga Kosova. Për shqiptarët në të dy anët e kufirit ishin hapur portat e ferrit komunist që bënte gjenocid mbi popullin, ngjashëm me atë çfarë ndodhte në kampet famëkeqe naziste të shfarosjes.
At Zefi i Traboinit, megjithëse u ekzekutua pa mëshirë nga falangat komuniste, mesa duket nuk u mor në konsideratë martirizimi i tij nga Vatikani me shkakun se e konsideron krim të një shteti tjetër, pra krimi nuk kishte ndodhur në Shqipëri a thua sikur vetëm krimet që ndodhnin në Shqipëri të ishin krime ndaj Njerëzimit dhe Zotit. Por Patër Zefi i Traboinit u ekzekutua se ishte prift katolik shqiptar, dhe nuk kishte pse të bëhej ky dallim, sepse kësisoj ja mbulon historinë e krimeve shtetit ku ndodhi ngjarja dhe martirët viktimizohen së dyti. Kjo nuk ngjall ndjesi të mire ndër katolikët e Malësisë. Ne nuk hyjmë në punët e fesë, por përderisa ata konsiderohen martirët shqiptarë të fesë katolike kur na gjenden në atë listë italiane, madje gjermane, pse duhej përjashtuar Patër Zefi i Traboinit. Pse vunë gishtin e heqjes nga lista pikërisht mbi të. Kujt i interesonte që të shpëtonte nga njolla e krimit në ndërgjegje shtetin vrasës?
Dhe pse bëhen kësisoj dallimesh, apo se lufta për asimilimin e shqiptareve të mbetur nën sllavët, Vatikani i quan realizim faktik tashmë dhe duhet kokulur ta pranojmë. Pse krimet e bëra në Shqipëri dalin me të drejtë në evidencë dhe krimet e përbindshme të bëra mbi shqiptarët në trojet e mbetura jashtë Shqipërisë u dashka lënë në harrese? Nuk është për tu çuditur kur sheh se përurimi i Katedrales së re të Tivarit, që është vendlindja e martirit të Hotit Patër Zefi i Traboinit, u krye në një ceremoni ku gjithçka të krijonte përshtypjen se je në një komunitetit sllav. Madje edhe fjalët e Krishtit kur i jepte mision apostullit Pjetër për të mbajtur çelësin e Amshimit; në murale ishin shënuara në gjuhën serbe “Tebi cu dati kljuceve” kur Jezusi nuk i ka thënë këto fjalë në gjuhën serbe, se serbët at botë ishin nëpër shpellat Azisë, jetonin me kope e ende nuk ishin bërë njerëz të qytetëruar.
Prandaj, meqë jemi në një kishë katolike shqiptarësh, ndërtuar me paratë e shqiptarëve të Amerikës, duhej të shkruhej: “Ty do ta dorëzoj çelësin!”. Por mesa duket priftërinjtë katolikë të Tivarit ja kanë dorëzuar çelësat Serbisë e shpirtin djallit që vjen nga lindja. A e di shenjtëria e tij Papa Françesku se çfarë bëhet në trojet shqiptare, andej turku e këndej serbi madje duke na i rrëmbyer edhe kishat katolike. Si ajo në Tivar, por besa edhe më gjërë e kësisoj ndodhemi në qorrsokak.
Po një mendje na, a thua po merret edhe Kisha katolike me politike, ajo kishë që ka punuar aq shumë nëpër shekuj për çështjen shqiptare si u katandis kështu duke e tjetërsuar Katedralen katolike të Tivarit në forum serb?! Ndoshta e bëjnë atë punë për të afruar besimtar sllav, për ti ndjellë në katolicizëm, po ne shqiptarët atë kishë e duam siç ka qenë prej dymijë vjetësh, shqiptare e jo sllave. Dhe herët a vonë shqiptarët do ti kthehen qytetit të vet Tivarit të cilin e kanë braktisur prej shtypjes së egër mbi pozita kombëtare e fetare. Po fundja si mund t’ia japim Katedralen Katolike atyre që ekzekutuan tivarasin Patër Zefi pa gjyq, pa bërë asnjë krim e vetëm se qe prift katolik dhe shqiptar.
Në disa të dhëna thuhet se kur krimineli i UDB Bajo Stankoviçi i tha se çfarë kishte për të thënë si dëshirë e fundit se tash po e kryejmë punën, Patër Zefi mori kryqin, iu afrua Vasel Mirash Camajt të cilin edhe atë do ta pushkatonin, e rrëfeu më zë të ultë e i dha bekimin e fundit. Pastaj u kthye me fytyrë nga xhelatët, me duar te bashkuara drejtuar qiellit tha: “Rrnoftë Shqipnia! E bekoftë Zoti popullin shqiptar! Krishti asht mbreti i pavdekshëm!”
E qëlluan me 100 plumba në trup. Kaq e madhe ishte urrejtja ndaj meshtarit katolik dhe shqiptarit të madh. Dhe ishte vetëm 35 vjeç. Dhe përderisa ishte shenjt e martir në të gjallë pse të mos jetë edhe Shenjt e Martir edhe në të vdekur?
Ndërsa dilema; e duan apo nuk e duan kardinalët e Vatikanit Patër Zefin e Traboinit martir të fesë katolike, është për ata e jo për ne bijtë e Hotit, ai është e do të mbetet martir në zemrat e malësorëve të Hotit që nuk e harrojnë sa të jetë jeta.
Hoti, Malësia dhe e gjithë Shqipëria përkulen me nderim përpara këtij Martiri që me fytyrën e bukur prej shenjtori na tregon se cilësitë e larta njerëzore, mirësia, respekti, nderimi për njeri-tjetrin si shqiptarë dhe dashuria e pakufishme për Atdheun i japin njeriut kënaqësinë më të madh në jetë e për këto ja vlen çdo sakrifice. Ai djalë Tivari e shenjt Hoti e bëri sakrificën e vet në emër të dashurisë për bijtë e Malësisë së Hotit dhe të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhën në botë.
I dashur Patër Zefi, bir i Tivarit dhe Frati i Traboinit nuk të harrojmë!
As Monsinjor Dom Ernest Çobën e Shkodrës gjithashtu!
© Kolec Palok Traboini
2014 – 2026











