Shkruan: Florim Zeqa, 20.04.2026
E kam thënë ditë më parë, po e përseris edhe tani pas dështimit të pritur të negociatave të LVV-së me LDK-në, se bashkimi i LVV-së me PDK-në është zgjidhja më e mirë për vendin dhe më optimale për Albin Kurtin.
Presidenti nga PDK-ja, zgjidhje realiste për vendin
Pas dështimit të bisedimeve me kryetarin e LDK-së, Albin Kurtit i ka mbetur vetëm PDK-ja si zgjidhje reale dhe optimale për të mos e dërguar vendin në zgjedhje.
Arritja e një marrëveshjeje politike me PDK-në dhe ofrimi i postit të presidentit për z. Bedri Hamza është zgjidhja më realiste dhe më pragmatike e Albin Kurtit, jo vetëm për zgjidhjen e krizës politike, por edhe për vazhdimin e qeverisjes aktuale.
Bashkëqeverisja LVV-PDK, përkatësisht koalicioni mes dy partive më të mëdha në vend, do të prodhojë stabilitet politik dhe mbarëvajtje të legjislaturës së X-të deri në fund të mandatit politik.
Për më tepër se kaq, ky do të ishte koalicioni më i natyrshëm i pasluftës në Kosovë.
Bashkimi i dy forcave politike me përafrim të bindjeve ideologjike do të ndikonte në konsolidimin e të djathtës shqiptare në Kuvendin e Kosovës si opozitë konstruktive, e cila gjithçka tjetër mund të quhet tani, vetëm opozitë jo!
Pra, përafrimi i PDK-së me LVV-në, përveqse i natyrshëm, është i dobishëm për vendin, dhe më lehtë i arritshëm sesa që ishte bashkimi i LDK-së me PDK-në në vitin 2007.
Andaj, për të mirën e vendit duhet lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe inatet personale për stabilitet institucional në shtetit tonë.
Bashkimi i LVV-së me PDK-në duhet të jetë produkt i një kompromisi të dyanshëm, që i bie se, LVV postin e presidentit duhet me ia dhënë partisë së dytë parlamentare, në këtë rast PDK-së me 22 deputet në Kuvend dhe ndarjen edhe të disa ministrive përkatëse në përputhje me fuqinë politike në Kuvend!
Kështu do të arrihej stabiliteti numerik në Kuvend për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pse jo edhe arritjen e një konsensusi politik për ndryshimet aq të nevojshme kushtetuese për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli dhe futjen e referendumit në aktin më të lartë juridik, për deklarimin plebishitar të popullit për çështje kruciale që determinojnë të ardhmen e vendit.
Albin Kurti e ka rastin historik të dëshmojë lidership dhe pjekuri politike në arritjen e koalicionit me PDK-në.
Në të kundërtën, për dështimin eventual në zgjedhjen e presidentit, e tërë përgjegjësia politike do të bie mbi të dhe Lëvizjen Vetëvendosje!
Në të kundërtën, zgjedhjet e reja nuk do të prodhojnë asnjë rezultat pozitiv për LVV-në, përveç rënies në elektorat dhe dobësimit të Albin Kurtit si lider më i votuar në Kosovën e pasluftës!
Andaj, Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe as për të eksperimentuar zgjedhje të reja me forca të vjetra politike pa ngjizjen e një alternative të re politike.


