Shkruan: Lekë Mrijaj
Ka disa ditë që ndodhem për vizitë në Hamburg të Gjermanisë. Gjatë kësaj kohe, duke qenë larg Kosovës, por shpirtërisht gjithmonë i lidhur me vendin tim, kam pasur rastin të lexoj dhe të reflektoj mbi disa modele zgjedhore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë lexim krahasues, vëmendjen time e ka tërhequr në mënyrë të veçantë modeli kroat i zgjedhjeve parlamentare, i cili, sipas mendimit tim, vertetë e ofron një shembull më të afërt të përfaqësimit territorial, qytetar dhe institucional.
Në Kroaci, përfaqësuesit parlamentarë zgjidhen në dhjetë njësi zgjedhore territoriale, ku secila zgjedh nga 14 përfaqësues. Ekziston po ashtu një njësi e veçantë për qytetarët që jetojnë jashtë Kroacisë, si dhe një njësi e veçantë për pakicat kombëtare, të cilave u garantohen tetë vende në Parlament. Ky model nuk është i përsosur, sepse asnjë sistem zgjedhor nuk është i tillë, por ai ka një cilësi të rëndësishme demokratike: e afron deputetin me qytetarin dhe e lidh më qartë përfaqësimin politik me territorin, me zonën, me vendbanimin dhe me bashkësinë konkrete njerëzore.
Prandaj, nga këndvështrimi im qytetar, kombëtar dhe demokratik, mendoj se edhe Republika e Kosovës duhet të hapë një debat serioz, institucional dhe gjithëpërfshirës për ndryshimin e ligjit zgjedhor. Kosova nuk mund të vazhdojë pafundësisht me një model ku i gjithë vendi trajtohet si një zonë e vetme zgjedhore. Sipas sistemit aktual, Kosova konsiderohet një zonë e vetme shumëmandatëshe, ndërsa Kuvendi ka 120 deputetë, prej të cilëve 100 ndahen proporcionalisht ndërmjet subjekteve politike dhe 20 vende janë të garantuara për komunitetet joshumicë.
Unë personalisht nuk e mohoj rëndësinë e përfaqësimit proporcional. Përkundrazi, proporcionaliteti është një vlerë demokratike, sepse ruan peshën e votës dhe shmang shtrembërimin e vullnetit qytetar. Por proporcionaliteti nuk duhet ta zhdukë lidhjen ndërmjet deputetit dhe zonës prej nga vjen qytetari. Një deputet që zgjidhet vetëm nga lista e përgjithshme partiake, pa një lidhje më të qartë territoriale, shpeshherë mbetet më afër qendrës së partisë sesa qytetarit të zakonshëm.
Pikërisht këtu edhe qëndron nevoja për reformë. Kosova do të duhej të ndahej në 10 zona apo njësi zgjedhore proporcionale, të ndërtuara mbi bazën e popullsisë, baraspeshës territoriale dhe drejtësisë përfaqësuese. Pra, secila zonë do të zgjidhte një numër të caktuar deputetësh, në mënyrë që qytetari i Dukagjinit, i Anamoravës, i Llapit, i Drenicës, i Prizrenit, i Mitrovicës, i Prishtinës apo i viseve të tjera të Kosovës ta dinte më qartë se kush e përfaqëson dhe kujt mund t’i kërkojë përgjegjësi.
Një reformë e tillë do ta bënte deputetin më pak figurë abstrakte partiake dhe më shumë përfaqësues konkret të qytetarëve. Ai nuk do të mund të fshihej vetëm pas logos së partisë, pas liderit apo pas fushatës qendrore. Ai do të duhej të dilte para qytetarëve të zonës së vet, të dëgjonte hallet e tyre, të njihte rrugët, shkollat, spitalet, bujqit, të rinjtë, mërgimtarët, familjet dhe problemet reale të vendit. Demokracia nuk jeton vetëm në studio televizive dhe në seli partiake, por jeton në terren, në lagje, në fshat, në qytet dhe në hallet dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
Në këtë model, një vend të veçantë duhet ta ketë edhe diaspora shqiptare dhe qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Mërgata jonë nuk është thjesht burim remitencash. Ajo është pjesë e gjallë e trupit kombëtar, ekonomik, kulturor dhe politik të Kosovës. Prandaj, mergata duhet të ketë përfaqësim më të qartë, më të dinjitetshëm dhe më institucional. Nuk mjafton që mërgata të kujtohet vetëm gjatë fushatave, vetëm për vota, vetëm për para, vetëm për tubime dhe fotografi. Ajo duhet të ketë zë real në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, çdo reformë zgjedhore duhet të ruajë dhe të garantojë vendet e veçanta për komunitetet joshumicë në Kosovë. Kjo nuk duhet parë si barrë, por si pjesë e arkitekturës demokratike të shtetit. Një shtet i drejtë nuk peshohet vetëm me mënyrën se si e trajton shumicën, por edhe me mënyrën se si e mbron pakicën. Në këtë aspekt, modeli kroat, me një njësi të veçantë për pakicat kombëtare, mund të shërbejë si shembull i dobishëm krahasues, pa u kopjuar verbërisht, por duke u përshtatur me realitetin kushtetues dhe shoqëror të Republikës së Kosovës.
Prandaj, qëndrimi im personal është i qartë, përderisa të mos hapet seriozisht çështja e reformës zgjedhore dhe derisa të mos ndryshohet ligji në drejtim të zonave zgjedhore proporcionale, unë do të abstenoj nga votimi në zgjedhjet nacionale në Republikën e Kosovës.
Ky abstenim nuk është ikje nga përgjegjësia qytetare. Nuk është indiferencë ndaj shtetit. Nuk është mohim i demokracisë. Përkundrazi, është një formë proteste qytetare, një thirrje për ndryshim dhe një shenjë pakënaqësie ndaj një sistemi që, sipas mendimit tim, nuk e afron sa duhet përfaqësuesin me qytetarin.
Unë si qytetar i Republikës së Kosovës, dua të votoj, por dua të votoj në një sistem ku vota ime ka lidhje më të qartë me vendin tim, me zonën time ku jetoj dhe veproj, me bashkësinë time dhe me përgjegjësinë konkrete të deputetit. Dua të votoj në një sistem ku qytetari nuk është vetëm numër në listat partiake, por pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ndërtimin e përfaqësimit demokratik të shtetit.
Kosovës i duhet një ligj i ri zgjedhor dhe më i drejtë, më përfaqësues, më territorial, më i afërt me qytetarin dhe më i përgjegjshëm ndaj mërgatës. Vetëm atëherë zgjedhjet nacionale do të kenë kuptim më të plotë demokratik. Dhe vetëm atëherë deputeti si deputet do të jetë jo vetëm njeri i partisë, por edhe njeri i zonës së tij zgjedhore, jo vetëm zë i liderit, por zë i qytetarit, dhe jo vetëm pjesë e listës, por bartës i përgjegjësisë publike.
Ndaj edhe deri atëherë, abstenimi im mbetet qëndrim qytetar, moral dhe demokratik, me një heshtje aktive kundër një sistemi që duhet ndryshuar për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Hamburg, më 28 maj 2026.











