Sabile Keçmezi-Basha
JANINA
Janina nuk është grua
Por asaj shumë i ngjan
Është e bukur edhe sot
Si një ëndërr e pa ëndërruar
Janina
Ka vite që nuk flet shqip
Ama me qerpik të lodhur
Të uron mirëseardhjen
Ali Pash Tepelena nga kalaja
Të zgjatë dorën ashtërore
Dhe të tregon hartën e grisur
Të Pashallëkut të harruar
Dhe pandërprerë të fletë
Për rrugën me shumë pikëpyetje
Sonte, liqeni i Janinës është i qetuar
Për të shkuar deri te ishulli “Kastros”
E kodra menjëherë mëtan
Kërkon derman për plagët që kullojnë dhembje
Në kala ende shkruhen fermanët
Për kthimin e kohës
Me myhyr të pashait
Në trupin e pa kokë
Kërkohen sytë tek Porta e Silirvisë
Janina nuk është grua…
Grua nuk është Janina…
Por në çdo nëntë muaj
Ka dhembje për lindje
Po edhe tani rënkon nga dhembja
Që korbat i shkërmoqën trupin
Janina nuk fal
– as sot
– as nesër
– as një ditë tjetër
Kurrë nuk të falë Janina
Për plagët që nuk mbyllën
Në trupin e prangosur
Janinë, 27 qershor 2024