Gani I. Mehmeti, (A.P / 25 April 2026 – 17:34, Kosova Sot Online)
Aleksander Vucic, në Konferencën Globale të Politikës ka folur për fuqitë e mëdha, SHBA-në dhe Kinën, dhe për atë se ku është Evropa në raport me to sa i përket zhvillimit të teknologjisë dhe aspekteve të tjera.
Ai këtu flet edhe për Kosovën dhe mospajtimin e tij me botën.
“Për shkak të mohimit të shkeljes së integritetit territorial të Serbisë, arrijmë në papajtueshmërinë tonë me politikën botërore”. – thotë Vuçiq, duke aluduar për Kosovën si pjesë të Serbisë! Sikur ka harruar ky Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, prej së cilës vetë Serbia ka kërkuar gjykimin. Dhe, disi, është shumë e pakuptueshme sesi nuk marrin vesh serbët, se është e drejtë e Kosovës të jetë e lirë, e pavarur, të jetë shtet. Si nuk mendon fare Vuçiqi se Kosova ka qenë vetëm si e pushtuar “pjesë e Serbisë”, dhe nuk ka qenë asnjëjherë pjesë e saj. Edhe shtete të tjera të mëdha e të forta kanë pasur koloni, por ato janë lënë të lira. Mandej, që kur ka dhënë Vendimin e vet GJND-ja, Serbia është dashur ta njohë Kosovën të lirë, për çka edhe e kanë njohur afër 2/3 e shteteve në botë.
“Dikush duhet të krijojë mundësi dhe mundësi për popullin serb dhe dikush duhet ta kuptojë pozicionin tonë”. – vazhdon Vuçiq. Këtu mbetet të analizohet se çfarë kërkon ky shovenist gjenocidal se çfarë duhet të krijojë për popullin serb, i cili, është plotësisht i shtrirë në tokat shqiptare, dhe nëse nisemi nga pozicioni serb, vetëm duhet t’i thuhet se duhet ta pranojë njohjen e Kosovës, që edhe ajo (Serbia) të jetë e lirë.
“Duhet të punojmë për zgjidhjen e problemit. Na duhen vendime të guximshme, përndryshe do të luftojmë dhe nuk do të arrijmë asgjë”, ka thënë Vuçiq. Sipas tij, u duhen vendime të guximshme, çka do të thotë e të kuptohet për njoihjen e Kosovës, ose për zgjidhjen e problemit të Kosovës, duhet të luftohet, por këtu është i vetëdijshëm se nuk do të arrihet asgjë!
Nuk bëhet i sinqertë dhe të pranojë se ajo bota, me të cilën sot nuk pajtohet, Kosovën dhe viset e tjera shqiptare, ia kishte dhënë Serbisë që nga shekulli XIX e sidomos nga viti 1878 e 1912. Për çka Europa dhe Bota vetëm se e ka bërë një korrigjim ndaj shumë gabimeve ndaj shqiptarëve.











