
Sarë GJERGJI
Anton Nikë Berisha, Bimorja, botimi i tretë sipas botimit të dytë të përpunuar, Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan, 2023.
Romani Bimorja i Anton Nikë Berishës ndërtohet mbi një ngjarje historike të rëndë: vdekjen e Pjetër Bogdanit, zhvarrimin dhe përdhosjen e trupit të tij. Megjithatë, pesha e romanit nuk qëndron në rikrijimin e episodit historik, por në mënyrën se si ai shndërrohet në shqyrtim të marrëdhënies ndërmjet pushtetit dhe kujtesës. Që në hyrje të veprës, kumtari shpall se trupi i të quajturit “mëkatar” do të nxirret nga varri dhe do t’u qitet qenve (f. 5). Lexuesi, pra, e njeh që në fillim ngjarjen drejt së cilës lëviz rrëfimi. Tensioni lind nga mënyra se si pushteti mbërrin deri te ky akt dhe, sidomos, nga pasojat që ai prodhon. Kjo zgjedhje e zhvendos romanin nga rindërtimi historik drejt hetimit letrar të mekanizmave të frikës, bindjes dhe kujtesës.
Pas kumtit hyrës, rrëfimi kthehet te Porta e Lartë, te dosjet, raportet, urdhrat dhe njerëzit që duhet t’i zbatojnë ato. Këtu shfaqet një nga gjetjet më domethënëse të romanit: arkivi. Dosjet hyjnë drejtpërdrejt në mekanizmin narrativ. Kur Sadriazemi vështron morinë e dokumenteve, i duket se prej tyre “i shpalosej gjithë historia e Perandorisë” (f. 13). Pamja ka peshë të veçantë, sepse tregon një pushtet që jo vetëm sundon, por edhe regjistron, klasifikon dhe ruan. Mirëpo kërkimi i provave kundër Bogdanit prodhon një rezultat të kundërt nga ai i synuar. Sa më shumë hapen dosjet, aq më e dukshme bëhet figura e tij. Dokumenti që duhet ta rëndojë fillon ta dëshmojë. Në këtë kuptim, arkivi del njëkohësisht si instrument kontrolli dhe si ruajtës i pavullnetshëm i kujtesës.
Pjetër Bogdani është qendra e romanit edhe pse fizikisht mungon. Ai nuk ndërtohet përmes veprimit të drejtpërdrejtë, por përmes gjurmëve që ka lënë: letrave, raporteve, kujtimeve, respektit të njerëzve dhe frikës së kundërshtarëve. Pikërisht kjo mungesë përbën një nga zgjidhjet më të qëlluara të veprës. Bogdani bëhet gjithnjë e më i pranishëm sa më shumë që të tjerët flasin për të. Letrat e përfshira në roman e nxjerrin përtej funksionit kishtar dhe e paraqesin si figurë të lidhur me lirinë, atdheun dhe vazhdimësinë shpirtërore të bashkësisë. Për Portën, rreziku nuk lidhet më vetëm me atë që ai ka bërë sa ishte gjallë, por me mundësinë që fjala dhe shembulli i tij të vazhdojnë të veprojnë edhe pas vdekjes.
Përballë kësaj pranie të munguar, autori ndërton aparatin administrativ të Perandorisë. Ai nuk paraqitet thjesht si forcë e jashtme. Nëpunësit druhen nga eprorët, peshojnë fjalët, shmangin përgjegjësinë dhe përpiqen të mbijetojnë brenda hierarkisë. Frika, prandaj, nuk lëviz vetëm nga pushteti drejt të nënshtruarve; ajo qarkullon edhe brenda vetë pushtetit. Secili i druhet hallkës mbi të dhe, për t’u mbrojtur, e përcjell trysninë më poshtë. Dhuna fiton kështu karakter sistemik: nuk paraqitet si shpërthim i rastit, por si rezultat i një mekanizmi ku urdhri, bindja dhe vetëmbrojtja kushtëzojnë njëra-tjetrën.
Kadiu Abdul Hikmeti është figura ku kjo psikologji shfaqet më qartë. Në fillim ai beson në efektin e frikës dhe në fuqinë e demonstrimit publik të dhunës. Përdhosja e trupit duhet të shërbejë si mësim për të gjallët. Mirëpo zhvillimi i ngjarjeve e ndryshon gradualisht gjendjen e tij të brendshme. Përhapja e këngëve, dështimi i ndalimeve dhe pamundësia për ta kontrolluar emrin e Bogdanit e çojnë nga siguria në ankth. Kadiu mbetet ushtrues i pushtetit, duke u bërë njëkohësisht edhe rob i tij: ai mund t’i frikësojë ata që ndodhen poshtë, ndërsa vetë jeton nën frikën e hierarkisë së vet.
Ky pozicion i dyfishtë i jep atij një thellësi që jo të gjitha figurat e administratës e arrijnë. Disa personazhe mbeten më afër funksionit të tyre në tablonë historike dhe ideore sesa individualiteteve plotësisht të zhvilluara. Kjo pabarazi nuk e cenon strukturën e romanit; përkundrazi, e bën më të dukshme forcën e atyre çasteve kur personazhi, përtej funksionit të tij tipik, fiton individualitet dhe pas rolit administrativ shfaqen frika, dyshimi, ankthi, vetëpërmbajtja ose ndjenja e pamundësisë.
Skena e Sheshit të tregut përbën qendrën dramatike të veprës. Trupi i Bogdanit nxirret para njerëzve dhe u hidhet qenve. Dhuna këtu nuk i drejtohet më të vdekurit; objekti i saj i vërtetë është publiku. Pushteti ka nevojë që akti të shihet, sepse vetëm përmes spektaklit ai mund të prodhojë frikë. Reagimet e njerëzve janë trupore dhe psikologjike: neveri, mpirje, pamundësi për ta përballuar pamjen, çrregullim i perceptimit. Toka, qielli dhe vetë qyteti duken sikur marrin pjesë në tronditje. Berisha e nxjerr kështu episodin nga kufijtë e përshkrimit dokumentar dhe e shndërron në përvojë morale e shpirtërore.
Kjo mënyrë e të shkruarit është një nga shenjat dalluese të prozës së Berishës. Metaforat, personifikimet, parandjenjat, besimet dhe shenjat ogurzeza bëjnë që bota e jashtme të marrë gjendjen e brendshme të personazheve. Në skenat më të realizuara kjo dendësi i jep rrëfimit intensitet të fuqishëm poetik. Megjithatë, intensiteti poetik nuk shndërrohet gjithnjë në të njëjtën masë në forcë narrative. Në disa pasazhe grumbullimi i figurave e ngadalëson veprimin dhe e zhvendos përkohësisht vëmendjen nga ngjarja te puna e gjuhës. Kjo nuk e vë në diskutim poetikën e romanit, por shënon kufirin e saj: disa nga faqet më të fuqishme janë pikërisht ato ku figuracioni përmbahet dhe i lë më shumë hapësirë situatës njerëzore.
Në këtë pikë merr rëndësi Ndre Trushi. Ai e kupton se ushtria pret reagimin e turmës për ta përdorur si arsye për një gjakderdhje të re. Zgjedhja e tij nuk është heroizmi impulsiv, por përmbajtja. Ai kërkon të ruhet emri dhe fryma e veprës së Bogdanit. Heshtja e njerëzve, prandaj, nuk është as zbrazëti, as dorëzim; ajo është refuzim i skenarit të përgatitur nga pushteti. Këtu romani arrin një nga kthesat e tij më domethënëse: qëndresa zhvendoset nga reagimi i menjëhershëm fizik në kohën e gjatë të kujtesës.
Pas përdhosjes, vëmendja largohet gradualisht nga trupi dhe kalon te fjala. Bogdani kujtohet, shkrimet e tij lexohen, emri i tij hyn në ninulla dhe ngjarja shndërrohet në këngë. Trupi, që deri atëherë kishte qenë qendra e përplasjes, zëvendësohet nga kujtesa.
Figura e Gjat Fusharit e mishëron më qartë këtë kalim. Ai ulet pikërisht në vendin ku trupi ishte përdhosur dhe këndon: “N’vend se n’vorr në zemra t’kemi!…” (f. 132). Brenda romanit, ky varg e tejkalon funksionin elegjiak. Varri mund të gjendet dhe të dhunohet; kujtesa e bashkësisë nuk është po aq e kapshme. Pushteti ka marrë në zotërim trupin, por jo kuptimin që ai trup ka për njerëzit. Prandaj as burgosja e këngëtarit nuk e mbyll procesin. Lahuta mund të thyhet dhe njeriu të burgoset, por kënga tashmë ka kaluar te të tjerët. Pyetja “Po si mund të burgoset kënga?” (f. 134) përmbledh me thjeshtësi të veçantë idenë që romani zhvillon në pjesën përmbyllëse.
Këtu shfaqet edhe kundërvënia më frytdhënëse e veprës: arkivi dhe kënga. Të dyja ruajnë të kaluarën, por sipas logjikave të kundërta. Arkivi regjistron, klasifikon dhe mbyll; kënga qarkullon, ndryshon bartës dhe i shpëton pronësisë së një institucioni të vetëm. Ironia qëndron në faktin se të dyja përfundojnë duke e ruajtur Bogdanin: pushteti sepse e heton, populli sepse e kujton. Dokumenti nuk mbetet vetëm mjet kontrolli; ai bëhet dëshmi. Kënga nuk mbetet element folklorik; ajo bëhet mënyrë e bartjes së kujtesës. Përmes tyre romani ndërton dy forma të ndryshme të pranisë së së kaluarës.
Edhe futja e emrit të Bogdanit në ninullat e nënave ka domethënie të veçantë. Kujtesa largohet nga sheshi, burgu dhe hapësira publike për të hyrë në jetën familjare. Ajo kalon nga brezi që e ka përjetuar ngjarjen te brezi që do ta njohë përmes fjalës së të tjerëve. Kështu romani nuk e paraqet kujtesën vetëm si reagim ndaj dhunës, por si proces trashëgimie.
Në këtë dritë mund të lexohet edhe titulli Bimorja. Motivet e tokës, rrënjës, mbirjes dhe vazhdimësisë lidhen natyrshëm me fatin e figurës së Bogdanit: ajo që synohet të shkulet mund të zërë rrënjë në një trajtë tjetër. Trupi humbet, ndërsa emri shpërndahet në dokument, rrëfim, ninullë dhe këngë.
Forca e romanit qëndron pikërisht në këtë përmbysje. Në fillim Perandoria duket se zotëron të gjitha mjetet e veprimit: administratën, urdhrin, ushtrinë, burgun dhe hapësirën publike. Në fund ajo përballet me diçka që nuk mund ta kontrollojë me të njëjtat mjete. Dhuna mbi trupin e Pjetër Bogdanit është kulmi i fuqisë së saj materiale, por njëkohësisht zbulon kufirin e kësaj fuqie. Akti që duhej të prodhonte frikë dhe harresë prodhon kujtesë.
Pikërisht këtu Bimorja e gjen arritjen e saj më të qëndrueshme artistike. Historia nuk mbetet vetëm ajo që ka ndodhur, por bëhet edhe mënyra se si njerëzit zgjedhin ta mbajnë mend dhe ta përcjellin. Bogdani, fizikisht i munguar gjatë pothuajse gjithë veprës, bëhet kështu prania e saj më e vazhdueshme. Në fillim kërkohet varri i tij; në fund kuptohet se ai nuk ndodhet më vetëm aty.











