11.5 C
Tirana
E dielë, 25 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Letra që e fundos patriotin e zëshëm Milaim Zeka

Letra që e fundos patriotin e zëshëm Milaim Zeka

0
Milaim Zeka

Hashim Thaçi e votoi Gjykatën Speciale dhe quajti kundërshtarët e saj tradhtarë. Zeka e quan tradhti Hagën, por e kishte dorëzuar një rrëfim personal në Hagë. Ne e kemi dokumentin që e dëshmon atë.

Prej vitesh Milaim Zeka dëgjohet duke u mbytur në një prodhim industrial gënjeshtrash, një rrjedhë e pandërprerë fjalësh që synojnë t’i mbulojnë gjurmët, t’i turbullojnë faktet dhe ta zhvendosin vëmendjen sa herë që rrethi i pyetjeve shtrëngohet rreth tij. Pikërisht për këtë arsye, redaksia jonë ka vendosur t’i kushtojë një artikull të veçantë asaj që Zeka i ka thënë, jo publikut, jo studiove televizive, por vetë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në një letër që njësia jonë hulumtuese e ka siguruar dhe verifikuar në prill të vitit 20251.

Zeka është dëgjuar shpesh të thotë se kushdo që flet kundër UÇK-së është tradhtar dhe i lidhur me Serbinë. Në parim, kjo tezë gjen rezonancë në një shoqëri që e ka paguar lirinë me gjak dhe që e di mirë se sa lehtë mund të përdoret gjuha e drejtësisë për ta relativizuar krimin e agresorit. Por po ky Zeka, me të njëjtën siguri retorike, këmbëngul se edhe krijimi i Dhomave të Specializuara është vepër e Serbisë. Këtu ne ndahemi. Jo sepse Dhomat janë të paprekshme nga kritika, por sepse faktet që kemi konfirmuar tregojnë një histori shumë më të ndërlikuar.

Redaksia jonë ka verifikuar se Hashim Thaçi, në faza kyçe të karrierës së tij, ka qenë i rekrutuar nga shërbimi sekret francez2 dhe se ka punuar pa pushim për të minuar konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, duke nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare në favor të Serbisë dhe duke prodhuar barriera që në thelb e zhvlerësonin luftën çlirimtare të UÇK-së. Dhomat e Specializuara nuk e gjykojnë UÇK-në si organizatë, por individë3. Këmbëngulja e Zekës se ato gjykojnë vetë luftën është një narrativë politike, jo një përshkrim juridik.

Kjo e bën edhe më paradoksale figurën e tij. Një njeri që publikisht sulmon gjykatën, por që në prapaskenë i shkruan asaj një letër të gjatë, të ngarkuar emocionalisht, ku ndërton një autobiografi dramatike dhe njëkohësisht e vendos veten në qendër të çdo nyje historike të Kosovës moderne. Në atë dokument, Zeka nuk flet thjesht si qytetar apo si gazetar. Ai flet si dëshmitar i shpallur, si viktimë universale, si figurë kyçe pa të cilën, sipas tij, nuk mund të kuptohet as lufta, as paslufta, e as drejtësia.

Para se të hyjmë në vetë tekstin e letrës, mbeten disa pyetje që refuzojnë të mbyllen.

Gjatë luftës, Zeka filmoi ekskluzivisht një pjesë të mirë të UÇK-së në front. Vite më vonë, ai e kishte shitur paketën e këtyre pamjeve tek dokumentaristja serbe Sladana Zaric, e financuar nga RTS (Radio Televizioni i Serbisë) dhe e mbështetur nga Ministria e Brendshme e Serbisë, e njohur për filma që e paraqesin UÇK-në si organizatë terroriste dhe i rikthejnë akuzat e diskredituara për trafik organesh. Në një postim në Facebook në nëntor 20244, Zeka e konfirmon shitjen, e quan marrëveshje normale liçencimi dhe thotë se 1.950 eurot janë derdhur në llogarinë e bashkëshortes së tij në Tiranë. Ai nuk shpjegon pse ky material nuk iu ofrua RTK-së, që e kishte transmetuar më herët punën e tij, dhe kishte refuzuar t’i përgjigjej pyetjeve të detajuara të redaksisë sonë.

Një tjetër element që ngre pikëpyetje mbi marrëdhëniet e Zekës me Zaric është edhe një paraqitje e tij në një emision të DTV Media, “n’PIKË: ‘Përrallat’ e Kuvendit të Kosovës para kohës së gjumit – Milaim Zeka | Afërdita Maliqi”.5

Në videon e publikuar rreth dy vite më parë, rreth minutës 35:18, Zeka flet me konsideratë të lartë për Sladana Zariç dhe e përmend historinë e bashkëpunimit me të, duke i dhënë asaj merita për punën dokumentare. Referencat e tij në këtë emision, të bëra publikisht shumë përpara postimit në Facebook ku konfirmon shitjen e materialeve, e thellojnë edhe më tej kontrastin mes qëndrimit të tij publik dhe pyetjeve që ngrihen mbi mënyrën e trajtimit të arkivës së tij filmike dhe mbi motivet e liçencimit të saj drejt një autoreje të financuar nga institucione shtetërore serbe.

  1. Pse Milaim Zeka shiti pamje të luftës së UÇK-së nga beteja e Koshares, në kufirin me Shqipërinë, te producentja serbe Sladana Zariç?
  2. Pse pikërisht Zariç, një emër që hetimet tona e lidhin ngushtë me Aleksandar Vulinin, një nga figurat më të spikatura të aparatit të sigurisë serbe?
  3. Pse këto pamje u përdorën për një dokumentar që ringjalli akuza të diskredituara për trafik organesh, akuza që drejtësia ndërkombëtare i ka hedhur poshtë?

Këto pyetje mbeten të hapura dhe do ta ndjekin Zekën për aq kohë sa ai jeton publikisht, derisa të mos japë jo vetëm përgjigje, por prova që mund të verifikohen.

Letra që ai i dërgon Zyrës së Prokurorit të Specializuar hapet me një fjali domethënëse. Ai thotë se nuk po flet për veten sepse ata tashmë kanë mjaft informacione për të. Dhe megjithatë, gjithçka që pason është një rrëfim i gjatë për veten. Ai përshkruan arrestimin e tij në vitin 1981, arratisjen nga Jugosllavia, jetën në Austri, Francë dhe Suedi, persekutimin nga shërbimet sekrete, burgosjen e familjes, zhdukjen e nënës. Rresht pas rreshti, ai ndërton figurën e një njeriu që është sulmuar nga të gjithë, nga jugosllavët, nga serbët, nga shqiptarët, nga komunistët, nga ish shokët e idealit. Është një narrativë e njohur, ku armiku është gjithmonë kolektiv dhe faji gjithmonë i jashtëm.

Më pas, Zeka e vendos veten në qendër të historisë politike të Kosovës. Ai thotë se e ka mbështetur Ibrahim Rugovën kur kjo ishte tradhti për të tjerët, se ka ndihmuar studentët, se ka bërë të njohur UÇK-në në botë, se ka qenë në Rambuje, se ka hyrë në luftë si gazetar. Ai i përshkruan konfliktet me krerët e UÇK-së, refuzimin për ta bërë drejtor të RTK-së sepse ishte i pakontrollueshëm, acarimin e marrëdhënieve me Hashim Thaçin në vitin 2012 pikërisht kur, sipas tij, nga qeveria suedeze u soll mesazhi për krijimin e Gjykatës Speciale.

Këtu letra merr një kthesë thelbësore. Zeka pretendon se e ka mbështetur themelimin e kësaj gjykate në të gjitha prononcimet e tij. Pretendon se ka publikuar lista të personave që do të ishin cak i saj dhe se për këtë është ndjekur, shantazhuar dhe sulmuar nga Thaçi dhe struktura të EULEX-it. Ai bën akuza të rënda për korrupsion, për video komprometuese, për prokurorë që kanë marrë miliona, për gjyqe të zvarritura qëllimisht. Por letra nuk ofron asnjë provë të bashkëngjitur. Ajo mbështetet tërësisht në zërin e tij, në autoritetin që ai i atribuon vetes.

Në pjesën e fundit, Zeka përshkruan veten si njeri të rrethuar nga akuza të fabrikuara, nga përgjime, nga kërcënime, nga një shtet që e ndjek. Ai thotë se është shpallur dëshmitar kryesor i gjykatës nga vetë Thaçi, se është kërcënuar me vdekje, se familja e tij po shkatërrohet. Dhe letra mbyllet me një nënshkrim solemn, ku ai e paraqet veten si deputet dhe si figurë publike që qëndron vertikalisht.

E lexuar si dokument juridik, letra është e dobët. E lexuar si tekst letrar, është një monolog tragjik. E lexuar si akt politik, është përpjekje për të kontrolluar narrativën dhe për ta fiksuar veten në arkivin e drejtësisë si figurë kyçe. Kontrasti mes kësaj letre dhe diskursit publik të Zekës është thelbësor. Publikisht, ai e sulmon Gjykatën Speciale si instrument kundër UÇK-së. Privatisht, ai i shkruan asaj dhe e paraqet veten si burim, si dëshmitar, si njeri pa të cilin e vërteta nuk mund të kuptohet.

Këtu qëndron edhe nyja e gjithë çështjes. Çfarë e motivoi Milaim Zekën të shkruajë këtë letër. Kush e nxiti. Në çfarë konteksti u prodhua. Dhe pse një njeri që akuzon të tjerët për tradhti dhe lidhje me Serbinë, vetë ka ndërtuar marrëdhënie të pashpjeguara me figura dhe struktura që i shërbejnë narrativave serbe. Përgjigjet nuk janë ende të plota. Por dokumenti ekziston. Dhe ai flet.

Detyra jonë nuk është të shpallim verdikte, por të ndriçojmë faktet. Letra e Milaim Zekës drejtuar Dhomave të Specializuara është një pjesë kyçe e mozaikut. Jo sepse ajo provon akuzat e tij, por sepse tregon mënyrën se si ai e sheh veten dhe rolin e tij në histori. Një rol ku ai është gjithmonë në qendër, gjithmonë i ndjekur, gjithmonë i domosdoshëm. Dhe pikërisht për këtë, ajo letër meriton të lexohet me kujdes, pa zhurmë, pa mitologji, vetëm me sy kritik dhe me respekt për të vërtetën që ende kërkon drejtësi.

Nëse Milaim Zeka thotë se kushdo që mbështet apo qëndron pas Dhomave të Specializuara është me Serbinë, atëherë çfarë e bën vetë Zekën letra që ai ia dërgon po asaj gjykate, me përulësi institucionale dhe me vetëofrim si dëshmitar?!

Nëse Haga, sipas tij, është instrument serb kundër UÇK-së, atëherë a është kjo letër një akt bashkëpunimi apo një rrëshqitje e pavetëdijshme e maskës?!

Dhe nëse në të njëjtën kohë ai shtiret si mbështetës i Hashim Thaçit, njeriut për të cilin ka thënë publikisht se duhet të kalbet njëqind vjet në burg, çfarë lloj morali është ky që e mallkon dhe përqafon të njëjtin person sipas nevojës së ditës?!

Çfarë do të thotë kjo për vetë Thaçin, i cili jo vetëm e miratoi këtë gjykatë, por e votoi, e shtyu përpara dhe i quajti tradhtarë të gjithë ata që refuzonin ta mbështesnin atë?!

Në këtë labirinth hipokrizie, kush është realisht me Serbinë dhe kush po luan teatër patriotizmi për të mbuluar panikun personal?! Sepse kur fjalët përplasen kaq dhunshëm me dokumentet, kur britmat publike bien ndesh me letrat private, atëherë nuk kemi më të bëjmë me bindje, por me mashtrim të qëllimshëm dhe me një përpjekje të dëshpëruar për ta shpëtuar veten duke i shpallur të gjithë të tjerët tradhtarë.

Kronikat e Barutit është një botim i pavarur, i mbështetur nga lexuesit. Për të marrë artikujt më të rinj dhe për të mbështetur këtë punë, abonohuni falas ose me pagesë.


REAGIM NGA IBRAHIM KELMENDI

MILAIM ZEKA – SHPIFËS ORDINER (?!)

Dje gazetari Vudi Xhumshiti paska publikuar në portalin

https://www.kronikab.uk/p/letra-qe-e-fundos-patriotin-e-zeshem

faksimilin e e-mailit që Milaim Zeka duhet t’ia ketë dërguar Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 30 gusht 2021. Ky e-mail qenka problematik për nga përmbajtja, e cila shkon deri aty sa rrëfehet për një video-incizim të seksit “klandestin” të presidentit Hashim Thaçi me kryeprokuroren e EULEX-it në Kosovë, me zonjën Isabel Arnal, në një vilë në Brezovicë.

Shqetësimi im konkret kësaj radhe ka të bëjë me shpifjen e Milaim Zekës, të cilën e përmban ky e-mail:
“Përndjekja ime ishte bërë edhe nga shteti jugosllav e serb, por edhe nga krerët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, me qendër në Zvicër dhe Gjermani (…) Më 4 prill 1984, përmes Ibrahim Kelmendit, më organizuan atentat në Gjermani.”

Kjo shpifje e ka për bazë një manifestim të organizuar në prill 1984, në Dyseldorf, me rastin e 3-vjetorit të demonstratave në Kosovë dhe 6-vjetorit të formimit të Klubit Shqiptar në Dyseldorf. Organizues të manifestimit ishin LRSSHJ (siç ishte akronimi i Lëvizjes për Republikë, e cila nga korriku 1993 u modifikua në akronimin LPK – Lëvizja Popullore e Kosovës) dhe Klubi Shqiptar. Në manifestim merrnin pjesë mbi 600 bashkatdhetarë.

Milaim Zeka dhe Xhafer Durmishi kishin ardhur nga Suedia. Kishin marrë përforcim edhe Xhevat Ramabajen dhe tre-katër tifozë të Sabri Novosellës. Të gjithë të pranishmit u befasuan kur Milaimi kërceu në bynë, dhe ia rrëmbeu nga dora mikrofonin arsimtares Shpetime Fida, e cila po moderonte manifestimin. Milaimi filloi të bërtiste: “Keni kujdes, shokët e Sigurimit në Tiranë më kanë ngarkuar të ju informoj se Xhafer Shatri është i dërguar nga UDB-ja…” (parafrazim).

Sylë Nuha, i caktuar nga Klubi si kujdestar për mbarëvajtjen e rendit, iu afrua dhe e luti Milaimin ta ndërpriste atë fjalim. Me atë rast, Musa Daka (i Kabashit), imigrant në Duisburg, i shkon pas Sylës dhe e godet me thikë në shpinë. Haxhi Bega, gjithashtu kujdestar për rendin, shkon për ta penguar Musën që të mos e godiste sërish Sylën. Me atë rast Musa e ther Haxhiun me thikë në barkë. Në bynë hyp edhe Haxhi Krasniqi, farefis i Musa Dakës, me revole në dorë, duke ulëritur që Milaimit t’i lejohej të mbante fjalim.

Ky ishte zhvillimi i atyre pak minutave tragjike. Unë i vërejta nga fundi i sallës. Syla i plagosur u nis të dilte jashtë sallës. E shoqërova, sepse pashë që ishte sulmuar, por nuk e pata dalluar se ishte therur me thikë. Fatmirësisht plagët nuk ishin të mëdha, meqë thika kishte qenë e vogël.

Pasi përfundoi manifestimi, u kthyem në Klub. Aty Ali Bega, më i moshuari i bashkëvendasve jezercas që ishin plagosur, tha: “Plagosjet nuk ndodhën për arsye private apo familjare, por u sulmua manifestimi i Lëvizjes; prandaj i mbetet udhëheqjes së Lëvizjes ta pleqërojë rastin. Ne e pranojmë pleqërimin që do ta bëjë.” (parafrazim)

Xhafer Shatri, i cili atëherë na ishte imponuar si kryetar i kryesisë së LRSSHJ-së, caktoi Faridin Tafallarin të formonte një komision hetues e pleqërues. Ai komision doli me qëndrimin se atë kriminalitet aksidental e kishte nxitur Milaim Zeka. Faridini e ka publikuar në libër të tij qëndrimin e komisionit.

Deri në atë manifestim, Milaimi, bashkë me Xhafer Durmishin, ishin afirmuar si kuadro udhëheqëse dhe propaganduese të LRSSHJ-së. Durmishi ishte edhe anëtar i kryesisë.

Nga ai moment, këta, bashkë me udhëheqësin e tyre Sabri Novosella, u vetëlarguan nga LRSSHJ-ja, duke deklaruar se po vazhdonin me organizimin e “lëvizjes së vërtetë”, me udhëheqje në Suedi. Simuluan edhe botimin e një “Zëri të Kosovës”, por pas pak muajsh e pushuan veprimtarinë.

Krejtësisht anakronik më ngjan ky dezinformim, nëse vërtet Milaimi ia ka përcjellë përmes e-mailit ZPS-së dhe përse dueht t’ia ketë përcjell.

* * *

Si ilustrim ofrova faksimilin e e-mailit që Milaim Zeka dueht t’ia ketë dërguar ZPS-së, më 30 gusht 2021.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.