Autore:
Elife LUZHA
07.11.2025
Duke ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë – veçanërisht mënyra se si opozita po kërkon rikthimin në pushtet me çdo kusht – më erdhi ndërmend vepra e pavdekshme e George Orwellit, “Ferma e kafshëve” (1945). Kjo alegori e fuqishme e letërsisë botërore na kujton se, kur mungon përgjegjësia morale, idealet e lirisë shpesh manipulohen e shndërrohen në mjete për përfitim personal.
Një fenomen i ngjashëm është vërejtur edhe në Kosovën e pasluftës, ku për gati dy dekada pushtetin e ka mbajtur pothuajse e njëjta elitë politike. Orwelli këtë do ta quante “degjenerim të politikës”: momentin kur individi heq dorë nga besimi në ideale dhe interesat e shtetit zëvendësohen me ato partiake ose personale.
Në Fermën e kafshëve, Orwelli shpjegon se lufta për liri zakonisht nis me idealin e drejtësisë dhe barazisë, por sapo të fitohet liria, shpesh lind një rend i ri padrejtësish. Përmes metaforës së famshme “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat”, ai na paralajmëron se liria mund të shndërrohet në mjet shtypjeje – një realitet ku vet liria përdoret për ta mohuar atë.
Një paralelizëm i qartë mund të vërehet edhe në politikën kosovare, ku euforia e çlirimit u zëvendësua me etjen për pushtet – pushtet që shpesh u përdor si mjet manipulimi e jo si instrument përfaqësimi.
Në këtë kontekst, vlen të kujtojmë mendimin orwellian se “të thuash të vërtetën është një akt revolucionar”. Prandaj, edhe në Kosovë ka ardhur koha për një përballje të sinqertë me të vërtetën.
Qytetarët duhet të votojnë kandidatë me histori të pastër, duke vlerësuar integritetin dhe jo premtimet boshe. Është koha që besimi të mos u jepet më atyre që nuk i kanë shërbyer të mirës së përbashkët. Balotazhet dhe zgjedhjet nuk janë vetëm procese demokratike, por edhe momente reflektimi – për të vlerësuar integritetin dhe vizionin e atyre që kërkojnë të na përfaqësojnë.
Cikli orwellian i pushtetit në Kosovë
Për më shumë se njëzet vjet, qeverisjet në Kosovë kanë ndërtuar një lloj “cikli orwellian” – një rreth vicioz, ku pushteti ekziston vetëm për të ruajtur vetveten, ndërsa populli mbetet thjesht spektator. Kështu, në vend që të ndërtohet shteti, është ndërtuar një kulturë klienteliste dhe privilegjesh. Leximi i Fermës së kafshëve na kujton se liria mbetet e brishtë nëse nuk shoqërohet me moral politik dhe përgjegjësi qytetare.
Sot, kur opozita e bashkuar synon rikthimin në pushtet pa reflektuar mbi gabimet e së kaluarës, rreziku është i qartë: rikthimi i strukturave që për vite me radhë e trajtuan shtetin si plaçkë dhe jo si përgjegjësi, do të përbënte një prapakthim serioz në procesin e shtetndërtimit.
Kosova, më shumë se kurrë, ka nevojë për një kthjellim moral e politik – për një politikë që e sheh pushtetin si përgjegjësi e jo si trofe. Demokracia nuk matet me numrin e partive politike apo me përsëritjen e zgjedhjeve, por me cilësinë e llogaridhënies dhe ndershmërinë e përfaqësuesve politikë. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, të informuar dhe të guximshëm për të kërkuar llogari.
Sepse, siç thotë Orwelli:
“Çdo shoqëri që ndalon së kërkuari të vërtetën dhe përgjegjësinë politike, rrezikon të përfundojë në një “fermë”, ku pushteti nuk i shërben askujt tjetër, përveç vetes”.











