22.5 C
Tirana
E premte, 19 Shtator 2025
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-së (44)

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha 

VALDETE RIFAT JASHARI
(27.7.1983 – 5.3.1998)

Lufta e zhvilluar në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 nuk mund të përshkruhet thjesht si një luftë e zakonshëm apo si një përballje e rregullt ushtarake sipas modeleve klasike të luftës konvencionale. Ajo ishte një përplasje asimetrike dhe e jashtëzakonshme, që doli përtej kornizave të zakonshme të strategjisë dhe taktikës ushtarake të njohur deri atëherë.

Në të vërtetë, kjo luftë përfaqësonte një kontekst krejtësisht specifik historik dhe politik. Ishte një përpjekje e popullit shqiptar të Kosovës për të thyer prangat e një sundimi të gjatë, të dhunshëm dhe të strukturuar mbi robërinë dhe diskriminimin kombëtar dhe mohimin e të drejtave më themelore. U zhvillua jo midis ushtrive të mirëpajisura dhe të balancuara, por midis një force shtetërore të madhe, të pajisur me makineri të rëndë lufte dhe me kontroll të plotë institucional, dhe një lëvizjeje çlirimtare që buronte nga populli, e përbërë kryesisht nga vullnetarë, luftëtarë të mobilizuar shpirtërisht dhe të lidhur fort pas idealit të lirisë.

Në këtë kuptim, lufta nuk kishte kufij të qartë fronti, nuk i bindej rregullave të luftës konvencionale dhe shpesh zhvillohej në terren të vështirë, në forma guerile dhe me taktika të përshtatura sipas kushteve dhe rrethanave të veçanta lokale. Luftëtarët e UÇK-së u përballën me një armik që kishte epërsi të dukshme në teknikë dhe në logjistikë, por ata mbështeteshin në përkrahjen popullore, në njohjen e terrenit dhe në një vendosmëri të pathyeshme morale dhe kombëtare.

Kjo ishte një luftë e motivuar jo vetëm nga nevoja për mbijetesë fizike, por edhe nga aspirata për dinjitet kombëtar dhe të drejta njerëzore, një luftë për të rimarrë në dorë fatin historik dhe politik të vendit. Prandaj, çdo përpjekje për ta përkufizuar brenda modeleve klasike të luftës së armatosur do të ishte e mangët dhe do t’i mohonte karakterin e saj të vërtetë, një luftë çlirimtare, popullore dhe thellësisht e drejtë, që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës dhe ndikoi në mënyrë të thellë në ndërgjegjen kombëtare shqiptare.

Një nga aspektet më të dhimbshme dhe tragjike të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 ishte mungesa e plotë e rregullave dhe e respektit për normat dhe konventat ndërkombëtare të luftës. Në vend që të ruhej një minimum humaniteti edhe në mes të përplasjes së armatosur, u shfaq një egërsi sistematike dhe e pamëshirshme ndaj popullatës civile, që përbën një nga faqet më të zeza të asaj periudhe.

Kjo nuk ishte një luftë midis dy palëve të barabarta që respektonin Konventën e Gjenevës apo parimet themelore të të drejtës humanitare. Përkundrazi, ajo karakterizohej nga një strategji e përllogaritur e terrorit dhe e frikësimit, që kishte për synim shkatërrimin e strukturës sociale shqiptare dhe nënshtrimin e plotë të popullit të Kosovës.

Fëmijët, më të pafajshmit dhe më të pambrojturit e shoqërisë, nuk u kursyen aspak. Shumë prej tyre u vranë në mënyrë të pamëshirshme, duke lënë plagë të pashlyeshme në ndërgjegjen kolektive. Gratë, shumica prej të cilave nuk kishin mbajtur kurrë armë në dorë, u bënë objekt i dhunës seksuale të organizuar – një krim lufte i përdorur si mjet për poshtërim dhe thyerje morale të komunitetit shqiptar. Po ashtu, pleqtë dhe plakat – simbol i mençurisë dhe i trashëgimisë së brezave – u masakruan pa mëshirë, së bashku me të rinjtë që sapo nisnin jetën. Nuk u kursye askush dhe nuk u njoh asnjë kufi njerëzor.

Përveç humbjeve njerëzore, synimi ishte edhe shkatërrimi i çdo gjëje që kishte vulë shqiptare: shtëpi, shkolla, objekte fetare dhe kulturore, monumente historike. Ky shkatërrim i planifikuar nuk ishte rastësor, por pjesë e një strategjie të pastrimit etnik që synonte të zhdukte praninë dhe kujtesën shqiptare nga ato troje.

Në këtë kuptim, lufta në Kosovë nuk ishte vetëm një konflikt ushtarak, por një akt i rëndë barbarie që sfidoi ndërgjegjen ndërkombëtare dhe mbetet një dëshmi e gjallë e nevojës për drejtësi dhe kujtesë historike. Për të kuptuar dhe për të vërtetuar qartë natyrën e dhunshme dhe çnjerëzore të luftës në Kosovë, nuk nevojitet të kërkojmë shumë shembuj të shpërndarë apo të largët. Mjafton të ndalemi tek një nga ngjarjet më të fuqishme dhe më tronditëse të asaj kohe – epopeja e lavdishme dhe tragjike e familjes Jashari në Prekaz.

Ky akt qëndrese nuk është vetëm një fragment i dhimbshëm i historisë sonë të re, por një pasqyrë e qartë dhe e pamohueshme e brutalitetit me të cilin përballej populli shqiptar në përpjekjen e tij legjitime për liri dhe vetëvendosje. Në këtë rast, përmasat e dhunës nuk u kufizuan vetëm në përballje të armatosura mes luftëtarësh, u shënjestrua një familje e tërë – burra, gra dhe fëmijë – duke u masakruar pa dallim dhe pa mëshirë.

Masakra ndaj familjes Jashari nuk ishte një incident i izoluar apo një teprim i rastësishëm ushtarak, por një ilustrim i zhdërvjelltë i një strategjie të planifikuar terrori dhe zhdukjeje. Ajo tregoi qartë se çfarë lloj makinerie shtetërore dhe çfarë ideologjie të egër represive kishte përballë populli shqiptar, një forcë që nuk hezitonte të përdorte metodat më çnjerëzore për të shtypur çdo zë lirie dhe për të thyer vullnetin e një kombi të tërë.

Heroizmi i familjes Jashari, që zgjodhi të mos dorëzohej përballë rrethimit dhe armëve të rënda, simbolizon sakrificën më të pastër dhe më të ndritur të këtij ideali. Të jetosh dhe të vdesësh për lirinë, edhe kur çmimi është vetë jeta e të dashurve më të afërt.

Përmes këtij shembulli të vetëm, bëhet e qartë për çdo vëzhgues të paanshëm se populli shqiptar nuk po kërkonte asgjë më shumë se një të drejtë themelore, të jetonte i lirë dhe i barabartë në vendin e vet. Dhe po bëhet gjithashtu e qartë se çfarë lloj monstruoziteti dhe dhune sistematike duhej të kapërcente për të realizuar këtë aspiratë të ligjshme.

Beteja e Prekazit, e zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mbetet një nga ngjarjet më monumentale dhe njëkohësisht më tragjike të historisë sonë të re kombëtare. Është një kapitull i veçantë në kujtesën tonë kolektive, ku krenaria për qëndresën heroike ndërthuret me dhembjen më të thellë për humbjet e pësuara. Për tri ditë të tëra, familja Jashari u përball me një rrethim të hekurt dhe një agresion të pamëshirshëm shtetëror, duke luftuar me vendosmëri të pashoqe për të mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe njerëzor të shqiptarëve të Kosovës.

Në këtë betejë epike, të gjithë anëtarët e familjes Jashari, të vendosur në Kullën e tyre që u bë simbol i pavdekshëm i rezistencës, dëshmuan trimëri dhe vendosmëri të jashtëzakonshme. Në qendër të kësaj qëndrese qëndronte Adem Jashari – figura legjendare e luftës çlirimtare – i cili, së bashku me vëllain e tij Hamzën, babain Shabanin dhe të gjithë Jasharët e tjerë, refuzuan të dorëzoheshin përballë forcave shumëfish më të mëdha të armikut.

Por kjo betejë nuk kishte vetëm një çmim simbolik, se ajo u pagua me jetën e 59 dëshmorëve, pjesëtarë të lagjes Jashari dhe miqve që atëherë ndodheshin në kullë dhe që vendosën të ndanin fatin e tyre. Humbjet ishin të rënda dhe të dhimbshme, një sakrificë e madhe që goditi veçanërisht familjen e Shaban Jasharit. Nga kjo familje, mes atyre që dhanë jetën për lirinë, ishin: Shaban Murat Jashari, Zahide Shaban Jashari, Zarife Bahtir Jashari, Hamëz Shaban Jashari, Feride Ramadan Jashari, Adem Shaban Jashari, Adile Bahtir Jashari, Hidajete Rifat Jashari, Valdete Rifat Jashari, Igballe Rifat Jashari, Igball Rifat Jashari, Selvete Hamzë Jashari, Afete Hamzë Jashari, Besim Hamzë Jashari, Lirie Hamzë Jashari, Blerim Hamzë Jashari, Fatime Hamzë Jashari, Blerina Hamzë Jashari, Fitim Adem Jashari dhe Kushtrim Adem Jashari.

Beteja e Prekazit mbetet një dëshmi madhështore e vendosmërisë për të mos iu nënshtruar asimilimit dhe dhunës, një akt i pastër i flijimit për liri që do të mbetet përherë frymëzim për brezat që do të vijnë. Prekazi u bë kështu jo vetëm një vend i sakrificës, por edhe një simbol i pathyeshmërisë dhe i ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Dëshmitë dhe të dhënat historike mbi Betejën e Prekazit tregojnë qartë se kjo ngjarje nuk ishte thjesht një akt qëndrese burrash të armatosur, por një akt i përgjithshëm familjar dhe kombëtar, ku të gjithë – pa dallim moshe apo gjinie – morën pjesë me guxim dhe vendosmëri të rrallë. Një nga figurat më prekëse dhe njëkohësisht më të ndritura të kësaj sakrifice të jashtëzakonshme është pa dyshim edhe Valdete Jashari, vajza e vogël e kësaj familjeje heroike.

Edhe pse ende në moshën e fëmijërisë, Valdetja dëshmoi një trimëri të jashtëzakonshme, duke e fituar me të drejtë dhe me nder vendin e saj në altarin e pavdekësisë kombëtare. Përkundër moshës së njomë, ajo u përball me rrethimin dhe sulmet brutale me një dinjitet të jashtëzakonshëm, duke e mishëruar në mënyrën më të pastër dhe më prekëse heroizmin familjar të Jasharajve.

Hyrja e Valdetes në faqet e lavdisë kombëtare nuk është thjesht një episod emocional apo një kurorëzim simbolik. Ajo është dëshmi e gjallë e asaj që përfaqësonte Beteja e Prekazit, një akt të përgjithshëm vetëflijimi për lirinë, ku askush nuk u tërhoq dhe ku edhe fëmijët më të vegjël u bënë pjesë e historisë, duke u shndërruar në simbole të pastërta të qëndresës dhe dashurisë për atdheun.

Kështu, Valdete Jashari nuk mbetet thjesht një viktimë e pafajshme e dhunës barbare, por ngrihet në kujtesën kolektive si vashëza trime, një emër që përfaqëson heroizmin e brezit më të ri të shqiptarëve dhe amanetin e pashlyeshëm të gjakut të derdhur për liri. Prania e saj në altarin e lirisë është një thirrje e përhershme për ta çmuar dhe për ta mbrojtur lirinë me të njëjtin guxim dhe vendosmëri që treguan Jasharajt në ato ditë të marsit 1998.

Valdete Jashari lindi më 27 gusht 1983, në Prekazin e Ulët të Skenderajt, një vend që do të bëhej simbol i pavdekshëm i qëndresës kombëtare. Ajo ishte bija e Rifat Jasharit dhe Zarife Bahtir-Jasharit, pjesë e një familjeje me traditë të njohur atdhetarie dhe sakrifice.

Valdete Jashari ndoqi shkollimin fillor në Skënderaj, ku shquhej për rezultate të shkëlqyera dhe përkushtim të rrallë ndaj mësimeve. Ajo nuk ishte thjesht një nxënëse e zellshme, ajo dallohej për mençurinë, seriozitetin dhe ndershmërinë që e karakterizonin në çdo hap. Në marrëdhëniet me shokët dhe shoqet e klasës ishte e dashur dhe e respektuar, duke krijuar një atmosferë miqësore dhe të ngrohtë rreth saj.

Kur Kosova nisi të përjetonte periudhën e saj më të trazuar dhe të dhunshme, me shpërthimin e luftës çlirimtare, Valdetja, si një bijë e denjë e familjes Jashari, nuk mund të qëndronte indiferente. Ajo tregonte ndërgjegje të jashtëzakonshme për moshën e saj të re. Shpesh, në biseda me shokët e klasës, u fliste hapur dhe me pasion për nevojën e përgatitjes dhe të vendosmërisë për të dalë përballë sfidës së madhe të mbrojtjes së atdheut. Fjalët e saj nuk ishin thjesht frymëzuese, por bartnin seriozitetin e një edukate të thellë atdhetare dhe të një ndërgjegjeje të formuar që herët.

Ajo të binte në sy për një maturi dhe mençuri që nuk përputhej me moshën e saj, duke u bërë një model i vërtetë mes bashkëmoshatarëve. Përveç kësaj, Valdeten e përshkruante një modesti e natyrshme dhe një dashuri e thellë për atdheun, që nuk ishte e zhurmshme, por e qartë dhe e ndershme në çdo gjest të saj.

Valdetja u formua dhe u rrit në të njëjtën frymë që karakterizonte gjithë fëmijët e kësaj treve të përvuajtur dhe krenare – një mjedis i ngarkuar me sfida historike, ku idetë e lirisë, të rezistencës dhe të përkushtimit kombëtar nuk ishin thjesht fjalë të mësuara në libra, por pjesë e përditshmërisë dhe e identitetit. Në këtë kuptim, jeta dhe formimi i saj ishin pasqyrë e një edukate të pandërprerë që përgatiti brezat e rinj jo vetëm për të ëndërruar për lirinë, por edhe për ta fituar dhe mbrojtur atë me çdo çmim.

Valdetja u rrit në një mjedis të ngarkuar me tension dhe vetëdije të lartë kombëtare. Ashtu si vëllezërit dhe motrat e saj, ashtu si kushërinjtë – bijtë e Hamzës dhe Adem Jasharit – edhe ajo u formua që herët në dijeni të plotë për misionin e familjes së saj. Ajo e dinte se babai i saj, Rifati, xhaxhallarët Ademi dhe Hamza, gjyshi Shabani dhe e gjithë familja e madhe Jashari ishin të vendosur në mënyrë të palëkundur për rezistencë ndaj pushtuesit serb.

Një prej përvojave më të forta dhe më të rrezikshme ishte ngjarja e 30 dhjetorit 1991. Atëherë, Valdetja ishte vetëm dymbëdhjetë vjeç – një moshë e njomë, kur zakonisht fëmijët e gjejnë ngushëllimin në lojë e fantazi, por për të nuk kishte vend për pafajësi të tilla. Po atë ditë, milicia serbe, e mbështetur nga forcat ushtarake, kishte ndërmarrë një rrethim të plotë të kullës së Jasharajve në Prekazin e Ulët.

Ky episod mbeti i pashlyer në kujtesën e saj të re, skena tronditëse të rrethimit dhe të përplasjes së armatosur, kur babai i saj, Rifati, së bashku me Ademin dhe Hamzën, rezistuan tërë ditën, duke mos pranuar kurrë të dorëzoheshin përballë forcave të pushtuesit. Ajo i pa me sytë e saj ato momente të jashtëzakonshme që formësuan jo vetëm identitetin e saj personal, por edhe ndërgjegjen kolektive të familjes Jashari si vatër e pashuar e qëndresës dhe e idealeve të lirisë.

Edhe pse ende në moshë fare të re, Valdete Jashari ishte dëshmitare e drejtpërdrejtë edhe e ngjarjeve të rënda dhe dramatike që shënuan përshkallëzimin e dhunës në Prekaz. Një nga episodet më të rëndësishme dhe formuese për të ishte rrethimi i dytë i kullës së familjes Jashari, i ndërmarrë nga forcat serbe më 22 janar të vitit 1998.

Në atë ditë të ftohtë janari, Valdetja nuk ishte një vëzhguese pasive e një krize të largët, ajo i pa nga afër të gjitha. Ishte dëshmitare e qëndresës së pathyeshme të gjyshit të saj Shabanit, të vendosmërisë së xhaxhallarëve Adem dhe Hamzë Jasharit dhe të guximit të kushërinjve që, pa ngurrim, mbajtën pozicionet dhe refuzuan dorëzimin. Për një vajzë të re si Valdetja, këto skena nuk ishin thjesht ngjarje të jashtme, por mësime të drejtpërdrejta mbi dinjitetin, sakrificën dhe përgjegjësinë ndaj atdheut.

Në këtë mënyrë, Valdetja nuk ishte thjesht një fëmijë që u rrit në kohë të vështira – ajo u rrit si pjesë e një familjeje që kishte bërë zgjedhjen e vet historike, të mos i përkulej kurrë dhunës dhe të mos pranonte kurrë robërinë. Ky formim i hershëm, i mbushur me shembuj të gjallë heroizmi dhe sakrifice, shpjegon më vonë edhe qëndrimin e saj të palëkundur në marsin e vitit 1998, kur do të bëhej pjesë e pavdekësisë në altarin e kombit.

Ajo pa me sytë e saj çmimin e rëndë të kësaj rezistence. Po atë ditë, kur sulmet dhe tensioni paralajmëronin se beteja e madhe po afrohej dhe se gjaku shqiptar do të derdhej edhe më shumë, plagë të rënda morën edhe Iliriana dhe Selvetja – dëshmi e prekshme se dhuna serbe nuk kursente askënd, as gra, as fëmijë, as të rinj.

Kjo përvojë e dytë e rrethimit nuk ishte vetëm një ngjarje që e traumatizoi Valdeten, por edhe një përgatitje e dhimbshme shpirtërore për atë që do të vinte. Ajo formoi tek ajo dhe tek të gjithë Jasharajt bindjen se mbijetesa dhe nderi i familjes, i fshatit dhe i krejt Kosovës nuk mund të mbroheshin ndryshe veçse me vendosmëri dhe flijim.

Në këtë kuptim, janari i vitit 1998 nuk ishte vetëm një muaj i ftohtë i kalendarit, ishte një prag i zjarrtë i historisë, një paralajmërim i qartë se beteja për mbijetesë dhe për liri do të kërkonte gjithçka, madje edhe jetën e më të rinjve dhe më të pafajshmëve si Valdetja. Dhe ajo e kuptoi këtë realitet jo përmes librave apo rrëfimeve, por duke e përjetuar në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe më të dhimbshme.

Ashtu si çdo anëtar i familjes Jashari, edhe Valdete Jashari ishte rritur dhe formuar në një traditë të thellë atdhetarie dhe të përkushtimit ndaj çështjes kombëtare. Edukimi i saj nuk ishte një proces i zakonshëm shkollor apo familjar, por një formësim i vazhdueshëm moral dhe patriotik, i ngjizur në frymën e rezistencës dhe të sakrificës për mbrojtjen e tokës amtare.

Në këtë mjedis, ideali i lirisë nuk ishte një nocion abstrakt apo një fjalë e zbrazët – ishte një detyrim i përditshëm, një virtyt që përcillej nga brezi në brez, nga gjyshi te babai e xhaxhallarët, e që me po aq seriozitet i instalohej edhe më të rinjve si Valdetja. Ajo e kishte kuptuar qartë që në moshë të vogël se të qenit pjesë e familjes Jashari nënkuptonte jo vetëm krenari, por edhe përgjegjësi të madhe, të ishe gjithmonë i gatshëm për të mbrojtur nderin dhe lirinë e atdheut.

Dhe kur erdhi koha e madhe e provës – ato ditë marsi në Prekaz – Valdetja nuk tregoi aspak luhatje apo frikë. Qëndresa e saj nuk ishte një rastësi, por shprehje e drejtpërdrejtë e edukatës dhe përgatitjes që kishte marrë. Ajo e dëshmoi me të gjithë qenien e saj se ishte bijë e denjë e kësaj familjeje emblematike, duke mishëruar në mënyrën më të pastër dhe më të ndritshme tiparet që e bënë emrin Jashari sinonim të sakrificës, guximit dhe dashurisë për atdheun.

Përmes vendosmërisë së saj të patundur dhe gatishmërisë për t’u flijuar, Valdetja vërtetoi katërçipërisht se ishte pasardhëse autentike e një tradite atdhetarie të rrallë, një pinjolle e denjë e trungut Jashari, që nuk u përkul kurrë përballë dhunës dhe padrejtësisë. Në këtë mënyrë, ajo e përjetësoi mesazhin se liria kërkon sakrificë dhe se dashuria për atdheun nuk njeh moshë apo përjashtim.

Më 5 mars 1998, familja Jashari kishte zënë pozicionet e saj të fundit në Kullën e Rezistencës në Prekaz, duke dhënë një mesazh të qartë dhe të vendosur ndaj forcave policore dhe ushtarake serbe se nuk do të lejonin që ushtria pushtuese të kalonte mbi trupat e tyre të gjallë, dhe asnjë serb nuk do të hynte e të ndynte pragun e shtëpive shqiptare pa u përballur me qëndresë të pamëshirshme. Ishte një deklaratë e fundit, e qartë dhe e paekuivokë e refuzimit ndaj nënshtrimit dhe dhunës, një qëndrim që mishëronte moralin e pathyeshëm të kësaj familjeje simbolike.

Në ato orë dramatike, të mbushura me shpërthime armësh dhe jehonën e rënkimeve të plagëve, Valdete Jashari ishte e ngujuar brenda kullës, krah për krah me nënën e saj, Zarifen, me motrat Hidajeten dhe Igballen, si dhe me vëllezërit e saj, Igballin dhe Bashkimin. Ajo ishte gjithashtu me të gjithë kushërinjtë e kushërirat e saj, të cilët ndodheshin nën një rrethim të hekurt dhe vdekjeprurës, të vendosur nga forcat serbe që synonin të shuanin zërin e lirë shqiptar me çdo mjet.

Valdetja ishte ende një vajzë e re, e sapo hyrë në pragun e adoleshencës, kur vendosi me vetëdije të mbetej në kullë, duke mos pranuar të largohej as të dorëzohej. Ajo la pas babain e saj të dashur, Rifatin, dhe vëllezërit Bashkimin e Muratin, si dhe motrën Ilirianën – të gjallë, por të mbartur kujtimin e saj dhe dhimbjen e humbjes.

A mund të vriten vallë engjëjt? Kjo është një pyetje që shpon ndërgjegjen dhe prek thellësisht shpirtin, sidomos kur përballemi me histori të tilla të jashtëzakonshme sakrifice. Në vdekjen e atyre që japin jetën për atdheun dhe për më të dashurit e tyre, përzihet në mënyrën më të ndërlikuar dhe më prekëse dhimbja më e madhe me krenarinë më të thellë.

Sepse është një dhimbje e pamasë të shohësh të rënët, të ndjesh boshllëkun që lënë pas, të kuptosh se jeta e tyre, me gjithë ëndrrat e paplotësuara dhe buzëqeshjet e shkurtra, është ndërprerë brutalisht. Çdo vdekje e tillë është plagë e hapur në trupin e një populli, një kujtim i përhershëm i një padrejtësie që nuk mund të harrohet.

Por, njëkohësisht, ka në të edhe një dritë të pastër dhe një madhështi morale që nuk shuhet. Sepse ata që bien për atdheun, ata që zgjedhin të sakrifikojnë gjithçka për lirinë dhe të mirën e më të dashurve të tyre, nuk shuhen kurrë vërtet. Ata e tejkalojnë vdekjen, duke u bërë pjesë e pavdekësisë kombëtare dhe të kujtesës sonë të përbashkët.

Në këtë mënyrë, dhimbja nuk është vetëm vuajtje personale, por edhe një gur themeli mbi të cilin ngrihet krenaria kombëtare. Është një përkujtesë se liria nuk është e dhënë, por e fituar me gjak e sakrificë, dhe se idealet më të mëdha shpesh paguhen me çmimin më të lartë. Në çdo akt të tillë flijimi, populli gjen frymëzim për të ecur përpara, për të nderuar të rënët duke mbrojtur vlerat për të cilat ata dhanë jetën.

Prandaj, kur mendojmë për ata që u ndanë nga jeta për atdheun, kuptojmë se edhe pse vriten trupat e tyre, shpirti i tyre nuk shuhet kurrë. Engjëjt që ranë për lirinë tonë mbeten të gjallë në kujtesën tonë, shembuj të pavdekshëm të dashurisë më të pastër dhe të sakrificës më të lartë që njeh njerëzimi.

Jeta e Valdetes mbetet një nga kujtimet më të paharrueshme të asaj epopeje të përgjakshme, jo vetëm për familjen e saj por për gjithë kombin shqiptar. Sepse ajo u nda nga kjo botë në lulen e rinisë, duke mos përjetuar kurrë ato gëzime e ëndrra që i takonin një fëmije të moshës së saj. Por largimi i saj nuk ishte i kotë, ajo u shndërrua në një lulëkuqe të lirisë së Kosovës, një simbol i pastër i sakrificës që ushqeu dhe i dha kuptim lirisë sonë, duke lënë pas një amanet të përjetshëm për ta ruajtur dhe çmuar atë me çdo kusht.

Literatura:

  1. Fehmi Ajvazi, Figura e Adem Jasharit, Prishtinë, 2018
  2. Bardh Hamza& Faik Hoti, Jasharët, Prishtinë 2003
  3. https://www.radiokosovaelire.com/selvete-hamze-jashari-3-4-1977-5-3-1998/
  4. Bedri Tahiri, Adem Jashari legjendë e legjendave, Prishtinë 2008
  5. Ibrahim Çitaku, Drenica 1991-1999, Prishtinë 2004
  6. Bedri Tahiri, Drenica djep i trimërisë, Prishtinë 2008
  7. Jakup Krasniqi, Flijimi për lirinë, Prishtinë, 2011
  8. https://www.radiokosovaelire.com/valdete-rifat-jashari-27-7-1983-5-3-1998/
  9. https://sq.wikipedia.org/wiki/Antar%C3%ABt_e_Familjes_Jashari_t%C3%AB_r%C3%ABn%C3%AB_gjat%C3%AB_luft%C3%ABs_s%C3%AB_U%C3%87K-s%C3%AB
  10. https://telegrafi.com/keta-jane-59-deshmoret-e-rene-ne-betejen-e-familjes-jashari-dokument/
  11. https://sq.wikipedia.org/wiki/Rifat_Jashari
  12. https://sq.wikipedia.org/wiki/Rifat_Jashari
  13. https://www.dukagjini.com/rifat-jashari-i-kam-dhene-56-familjare-por-i-kam-fituar-8-milione-shqiptare/
  14. https://shqiptarja.com/tag/109567
  15. https://www.youtube.com/watch?v=Maggl33gv0M
  16. https://zeri.info/aktuale/396653/ne-sulmin-ndaj-jashareve-u-vrane-gruaja-dhe-kater-femijet-e-rifat-jasharit-rrefimi-per-ta/

(Vijon)

* Familja Jashari e Prekazit ka marrë shumë mirënjohje, falënderime e dekorata nga të gjitha instancat shtetërore të Kosovës e Shqipërisë. Për aktin heroik të kësaj familjeje, kryeadministratori i parë i Kosovës Bernard Kushner kishte theksuar se po të kishte çmim Nobël për rezistencë, çmimi i tillë pa dyshim do t’i takonte familjes Jashari.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit