Luli i Vocërr, nën interpretimin e Fran Carës… (Kujtime, mbresa dhe mesazhe nga mësuesi pensionist, Fran Cara)

0
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Biseduesi: Vitet e shkuara, sidomos ato të fëmijërisë dhe të rinisë së hershme, sado nostalgji të kemi për to, nuk kthehen më. Ato na bëjnë jehonë përmes kujtimesh që flenë brenda nesh. Ndonjëherë është mirë t’i zgjosh dhe nuk është mëkat, as rrahje gjoksi për “Belulin” t’ua transmetojmë brezave pasardhës, qoftë si ndodhi apo arritje të asaj moshe me vlera, sadopak historike, për një rreth lexuesish kureshtarë për kohët që nuk i kanë jetuar, qoftë edhe për pasardhësit e rrethit familjar.

Biseduesi: Nëse do të riktheheshim në kohë, cilat nga ngjarjet më mbresëlënëse do të veçonit?

“Ne kemi vërtetë nevojë për një “klinikë të kujtimeve”, siç shkruan Georgi Gospodinov në romanin e tij “Vendstrehimi i kohës”, ku njerëzit shkojnë për t’i rikuperuar kujtimet e humbura me kalimin e kohës. Nëse do t’u kthehesha disa ngjarjeve, do të zgjidhja atë më mbresëlënësen jo vetëm për mua, por edhe për publikun artdashës të qytetit dhe të rrethit Pukë. Dhe merita për këtë i takon shokut dhe mikut tim, bashkudhëtarit në shkollë, punë e jetë, aktorit dhe regjisorit të talentuar e të mirënjohur, Fran Vukaj,i pari dhe i vetemi gjimnazist i shkollës së mesme të bashkuar ” Migjeni “, Pukë, i diplomuar për aktor në Institutin e Lartë të Arteve, sot Akademia e Lartë e Arteve, Tiranë, aktor i Teatrit ” Migjeni “, Shkodër dhe i preferuar nga regjisori i madh Serafin Fanko dhe aktorja ikonë e teatrit dhe e kinematografisë , Tinka Kurti”.

Biseduesi: Ju keni një veprimtari të spikatur artistike në ato vite, përse veçoni interpretimin e Lulit të Vocërr?

“Në një bisedë miqësore dhe shumë dashamirëse, më 04.08.2024, më nxiti dhe më motivoi të lundroja nëpër imagjinatën e atyre viteve. Nga magnetotruri im më gurgullojnë tepër të gjalla e të freskëta përjetimet, emocionet dhe kujtimet që më ankorojnë në shtatorin dhe tetorin e vitit 1967, kur unë kam luajtur rolin e Lulit të Vocërr në skenën e Shtëpisë së Kulturës Pukë. Po e vazhdoj këtë hulli shkrimore si një fiksim kujtese të kësaj ngjarjeje të shënuar artistike jo vetëm për mua si aktori kryesor dhe i vetmi që e ka luajtur këtë rol, por edhe në tërë veprimtaritë e zhvilluara në gjininë dramatike në qytetin dhe rrethin e Pukës ndër vite. E pikërisht se lidhet me Migjenin, Poetin e Madh të Mjerimit, si askush tjetër në tërë letërsinë shqipe të të gjitha kohërave, mendoj se ia vlen që ky shkrim të jetë pjesë e vlerave të shkruara në Muzeun “Migjeni”, pasi në ato vite ishte e vështirë, në mos e pamundur për t’u fiksuar në një shirit celuloidi me zë dhe figurë kjo minidramë. Madje pothuajse jam i sigurt se nuk do të jetë ruajtur asnjë fotografi nga interpretimi ynë në këtë minidramë që zgjaste rreth 17-20 minuta. Ia vlen të ndalem në këtë ngjarje të mbështjellë me aureolën sa realiste dhe mbresëlënëse, sepse është më e vjetra dhe më e largëta për mua, e jetuar më ndryshe nga sot, ku realiteti lexuesit do t’i duket si legjendë, por katërcipërisht kjo ngjarje artistike është vetëm e vërtetë”.

Biseduesi: Me sa duket interpretimi i Lulit të Vocërr, u bë motivi jetësor i veprimtarisë suaj…

“Kjo është një pjesë e jetës sime e jetuar brenda mundësive që na dhuronte ajo kohë ose ia rrëmbenim asaj falas vetëm me çmimin e vullnetit dhe të këmbënguljes për t’iu shfaqur njerëzve që na rrethonin me më të mirën e mundshme tonën. Dhe nëpër këto shtigje jam përpjekur të rravgoj gjithë jetën time deri në këto ditë të moshës mbi 74-vjeçare që po plugoj në këtë hulli shkrimore”.

Biseduesi: Gjimnazi i Pukës të formësojë në njohuritë shkencore, por duket se të nxiti edhe më tej në veprimtaritë artistike…

“…14 shtator 1967. Pas rreth një viti e gjysmë jetë në gjirin e klasës punëtore si ndihmëskuzhinier në sektorin e sharrave të Pukës në Kuzhnen, i kthehem vazhdimit të shkollës së mesme në vitin e parë në gjimnazin e Pukës si konviktor. Ishte një gëzim i madh dhe fat i bardhë për mua që po filloja udhëtimin tim të shkollimit pas mbarimit të arsimit 7-vjeçar me rezultate shumë të mira në nëntor të vitit 1965. Që në ditët e para të këtij viti shkollor për mua filloi një jetë e vrullshme artistike, kulturore e sportive, të cilat ishin edhe pasioni im që nga klasa e parë, por të ndërprera për rreth një vit e gjysmë nga puna që bëja në këtë moshë të njomë larg shtëpisë dhe tepër e lodhshme”.

Biseduesi: Artistët motivojnë njerëzit me prirje, duket se kështu ndodhi edhe me Ju…

“Sikur të ma kishte dhuruar dora e Zotit për fatin tim, në Shtëpinë e Kulturës Pukë, ishte emruar në postin e regjisorit, “Artisti i Merituar” dhe “Mjeshtri i Madh”, “Princi i Rapsodisë Shqiptare”, Frrok Haxhia i pavdekshëm. Ky idhull i imi më kishte marrë përdore dhe ngjitur në skenë që në klasën e parë në vitin 1959 si recitues dhe valltar me grupin artistik të ish-lokalitetit Gjegjan, ku për shtatë vjet mora pjesë në shfaqjet tradicionale që organizoheshin në çdo muaj tetor për nder të Festës së Rrapes që shënjonte edhe festën e çlirimit të rrethit Pukë. Drejtori i Shtëpisë së Kulturës Pukë, i ndjeri dhe i paharruari Ismail Zhabiaku, një artist i madh, punëtor dhe tepër i përkushtuar e njeri i rrallë, kishte rënë në “hall”. Pas gjithë asaj pune tepër cilësore me programe, librete e skenare artistike për këtë ngjarje të shënuar historike dhe më e madhja e më e rëndësishmja veprimtari kulturore e artistike e vitit në shkallë rrethi, Maloja, siç i thërrisnin të gjithë, nuk po gjente njeriun e duhur për të luajtur rolin e Lulit të Vocërr.

Nga kjo situatë shqetësuese e nxjerr pikërisht Frrok Haxhia, duke më prezantuar verbalisht portretin tim, pasi Frroku e dinte se unë sapo kisha filluar vitin e parë të shkollës së mesme “Migjeni”, si konviktor në Pukë. Pa u vonuar, të dy së bashku, vijnë dhe më takojnë në konvikt. Pas përshëndetjeve dhe një bisede të shkurtër morën leje te drejtoresha e konviktit, e nderuara dhe e ndjera Prenda Lekçaj, dhe shkuam te zyra e tyre e vetme në shtëpinë e kulturës. Fillimisht më vunë në provë për të recituar ndonjë poezi. Recitova së pari një poezi satirike për zakonet prapanike që ma kishte dhënë vetë Frrok Haxhia që në vitin 1962, përmes së cilës dilnin në pah intonacione të larmishme të shoqëruara edhe me plasticitetin e mimikës që i përshtatej kontekstit të vargjeve. Më përgëzuan, por më kërkuan që të recitoja një poezi të një natyre tjetër.

Pa hezituar fare, zgjodha të recitoja poezinë “Xhevahir ka rrit’ Mirdita”, të autorit mirditor, Bardhok Luka, kushtuar “Heroit të Popullit” Bardhok Biba, të cilën e këndonte vetë Frrok Haxhia dhe që kishte fituar famë me të. Maloja më duartrokiti me entuziazëm dhe pa më bërë asnjë kompliment i shtrëngoi dorën Frrokut. Me plot energji u ngrit nga ai kolltuk i vjetruar dhe nga tavolina e punës nxori një dosje e prej andej një libret të shtypur me makinë shkrimi. Ishte teksti i plotë i minidramës që e kishte shkruar vetë Maloja, duke u bazuar në skicat e Migjenit në Pukë dhe në kujtimet e bashkëkohësve dhe të shokëve të Migjenit, të cilët ishin të shumtë dhe përcillnin mbresa dhe kujtime mjaft interesante. Pastaj më vuri të lexoja disa pasazhe nga roli i Lulit të Vocërr. Më la pak kohë që të thellohesha në domethënien e tri pasazheve të lexuara duke më kërkuar se si mund t’ua përcjell ndjenjat dhe mesazhet spektatorëve përmes interpretimit të rolit në skenë.

Kur të isha gati do të më provonte para një pasqyre në një cep korridori gjysmë të ndriçuar. Kur e mbarova interpretimin, pa më thënë asnjë fjalë më merr hopa në krahë dhe më çon në zyrë, më lëshon mua dhe përqafon fort gjithë atë Frrok Haxhi, duke i thënë gjithë entuziazëm: “Të lumtë Frrok! Ma gjete Lulin që më duhej”. Më dha një kopje të tekstit dhe të tre iu drejtuam konviktit. Maloja dhe Frroku qëndruan për disa minuta në zyrën e drejtoreshës Prenda Lekçaj. Pa dyshim për mosnxjerrje pengesash kur do të angazhohesha në veprimtaritë kulturore. Nga ky çast unë do të isha në mesin e aktorëve amatorë tepër të dashur për artdashësit pukjanë e më gjerë dhe të talentuar deri në nivelin e profesionistëve”.

Biseduesi: Ju lutem më kujtoni disa hollësi rreth vënjes në skenë të kësaj minidrame…

“Në vijim të kësaj bisede do të përpiqem t’i përcjell qartë dhe saktë gjithë provat përgatitore për vënien në skenë të kësaj minidrame, lojën e mrekullueshme të aktorëve sipas personazheve, dhënien e shfaqjes me numra të zgjedhur për publikun dhe të deleguarit e udhëheqjes së lartë të kohës të shtunën e Festës së Rrapes dhe suksesin që pati gjithë koncerti, e veçanërisht minidrama “Luli i Vocërr”. Gjithë përmbajtja dhe veprimi i saj realizohej me katër personazhe: Luli i Vocërr që luhej nga unë, Fran Cara; Migjeni-nga Ismail Zhabiaku; nëna e Lulit-nga mësuesja Dardanesha Gashi, personazh pa emër e cila përfaqësonte dhe përgjithësonte fatin tragjik të shumë nënave si ajo jo vetëm në Pukë, por në mbarë Shqipërinë e asaj kohe; dhe shoku i Migjenit i luajtur nga Fran Vukaj, maturant i gjimnazit Pukë, edhe ky personazh pa emër pasi Migjeni kishte shumë shokë në Pukë. Për rreth një muaj për gjithë numrat e koncertit, veçanërisht për këtë minidramë, që ishte e para dhe e vetmja e këtij lloji me shtrirje subjekti me temën e mjerimit dhe tragjizmin e jetës së malësorëve, me në qendër Lulin e Vocërr, u zhvilluan prova intensive për të arritur atë nivel artistik siç pretendonte dhe ngulmonte vetë Ismail Zhabiaku dhe artdashësit pukjanë në këtë shfaqje prestigjioze.

Në këtë minidramë spikati, përveç një teksti të përpunuar mjeshtërisht nga Ismail Zhabiaku me dialogje dhe monologje, rekuizitës së zgjedhur për secilin personazh, edhe loja e secilit nga ne aktorët. Një e veçantë mbresëlënëse, që mbetet e pashlyer dhe tepër e freskët për mua, është krijimi i një marrëdhënieje afinitive ndërmjet meje dhe Malos, ashtu siç përshkruhen nga vetë Migjeni me Lulin e Vocërr, madje të trajtuara më gjerë në planin social dhe prindëror nga autori i kësaj minidrame, Ismail Zhabiaku. Të freskëta e të gjalla më vijnë edhe porositë e prera dhe këshillat e çmuara të regjisorit dhe aktorit Malo. Nuk mund të lë pa përmendur porosinë këmbëngulëse të përsëritur në çdo provë që të mos hapja sytë se do të më përplaste e të më derdhte si një kungull në skenë në momentin kur unë jam i vdekur dhe Maloja më merr para duarsh e del në avanskenë në fundin dhe pikën kulmore tragjike të minidramës”.

Biseduesi: Si u prit në skenë nga publiku, interpretimi i minidramës?

“Për të përcjellë te lexuesi suksesin e kësaj pjese dhe emocionet e fuqishme që përjetuan spektatorët në natën e shfaqjes do të dëshiroja të flisja me gjuhën e personazheve sipas roleve të interpretuara mjeshtërisht nga ne aktorët. Nga mesi i pjesës, ndër të tjera sekuenca, në avanskenë është Luli me nënën në një dialog, ku ajo i tregon se ka filluar punë si pastruese shkolle dhe se do të kishin mundësi të blejnë edhe bukë të bardhë, kur dihej se edhe një kokërr misër ishte legjendë për malësorin e këtyre anëve. Në këto momente Luli shpërthen nga gëzimi duke u hedhur përpjetë në formën e valles së Kabashit duke kënduar dhe përsëritur disa herë vargun: “Bukë e bardhë, bukë e bardhë,// o sa mirë bukë e bardhë”. Nëna e përjetoi me aq ndjenjë këtë gëzim të Lulit, sa më përqafoi aq fort sikur të isha vërtetë djali i saj, duke iu derdhur lotët gurrë në fytyrën time e duke merituar duartrokitjet e spektatorëve. Në çastet e fundit të pjesës, kur Migjeni (pra Maloja) ishte në avanskenë me nënën, nga passkena dhe siparit të mbyllur vjen një zhurmë, ndonëse si e largët, por mjaft e dëgjueshme, e cila imitonte shembjen e shtëpisë së Lulit dhe zënien e tij nën gërmadha.

Dhe fill pas kësaj një thirrje në formën e një klithmeje në kupë të qiellit nga shoku i mësuesit, aktori Fran Vukaj: “Shoku mësues, mësues, Millosh, Millosh! Shpejt, shpejt! Luli vdiq’’! Nga forca sugjestionuese e kësaj klithme thirrmore nga salla shpërthyen ofshama sikur të ishin para një ngjarjeje të vërtetë jetësore aq me ndjenjë e përcolli Frani këtë moment. E menjëherë Migjeni dhe nëna dalin me vrap nga skena për te shtëpia e Lulit. Ndërkohë fillon të hapet perdja, ku nën ndriçimin e një projektori fokusohet Luli nën disa trarë të improvizuar me kompesatë dhe dëgjohen thirrjet e tij: “Naaaanë!, më pas një e dytë më e mekur – Naaa! dhe një e tretë dhe e këputur – Na..!, që shënjonte edhe fundin e jetës së tij, duke iu varur koka mbi njërin nga trarët. Kur skena ishte hapur plotësisht me vrap vijnë Migjeni dhe nëna e i bashkohen shokut të mësuesit për të nxjerrë Lulin të gjallë nga rrënojat, por ai kishte ndërruar jetë. Britmat vajtuese në kupë të qiellit të nënës: ’’Luli, biri im!

E mjera unë për ty, ç’gjamë e madhe më ra dhe ma plasi zemrën…” dhe gjithë kjo skenë tragjike tronditën aq shumë shpirtin e spektatorëve, duke shpërthyer në klithma e lotë sikur në sallë ndodhi vërtetë kjo tragjedi. Dhe shkalla e dramacitetit rritet me intensitet drejt kulmit dhe mbylljes së shfaqjes, kur Migjeni e merr Lulin para duarsh duke iu afruar avanskenës, me trupin dhe fytyrën e tij të kthyer paksa nga spektatorët, ku i dalloheshin qartë njollat e improvizuara të gjakut në fytyrë dhe në gjoks.Ndërkohë çdo qelizë trupore dhe shpirtërore e nënës ishte përfshirë në përjetimin e fatkeqësisë sikur ajo të ishte nëna e vërtetë e Lulit. E paparashikuar në regji dhe në skenar, pa pritur e pa kujtuar më kap për flokësh me të dyja duart, sa më kërciti fort lëkura e kokës dhe provova një dhimbje aq të madhe sa mund të hidhesha përpjetë e t’i shpëtoja Migjenit (Malos) nga duart dhe të shkonte dëm gjithçka që interpretuam deri në këtë çast.

Dhe nëna vazhdonte me gjendjen traumatike dhe klithmat e saj. Maloja duke parë durimin tim të paimagjinueshëm dhe mosreagimin me asnjë lëvizje nga kjo dhimbje, ul kokën dhe më shikon në fytyrë. Unë në këtë moment tepër të vështirë të shkaktuar nga dhimbja, duke pasur parasysh porositë e prera të tij gjatë provave që të mos i hapja sytë, kisha hapur fare pak syrin e majtë që nuk dallohej nga spektatorët. Kjo situatë artistike e improvizuar në çast nga unë, e prekën aq shumë aktorin dhe regjisorin e madh Ismail Zhabiaku, sa atij i rrodhën lotët dhe ranë mbi fytyrën time. Situata në sallë ishte mjaft e ngarkuar me emocionet e dhimbjes të përcjella prej nesh. Maloja bën dy hapat e fundit në avanskenë, duke u ulur me gjurin e djathtë në dysheme dhe me mua para duarsh, interpreton monologun e famshëm të Migjenit: “Merrnie dhe çonie në qytet kët’ shtatore! Vendosnie në një shesh! Dhe si përmendore kushtonia ndokujt! Kushtonia atij që ka më shumë merita për këtë vend! Po, ndoj ministri o deputeti o ndokujt tjetër…

E në rasë se nuk gjeni ndoj njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtonia atij që ka merita më pak: perëndisë klasike”. Interpretimi ishte aq i realizuar me një shprehje mimike e lotët gurrë në sy dhe me një intonacion që shprehte njëherit dhimbjen nga kjo tragjedi sociale, akuzën ndaj sistemit dhe thirrjen me shumë zemëratë që “grushtin e fuqishëm// këtij mali që hesht// mu n’zemër me ia njesh. Këtu arrin kulmin dhe mbylljen kjo minidramë dhe gjithë shfaqja. Duartrokitjet e furishme dhe emocionet e spektatorëve ishin të papërshkrueshme. Ndizen dritat dhe gjithë trupa artistike dalin në skenë në respekt të artdashësve të mrekullueshëm pukjanë. Nga salla ngjiten në skenë zëvendësministri i Arsimit dhe i Kulturës, Mantho Bala, i deleguari i qeverisë për Festën e Çlirimit të Pukës, dhe Pali Miska, njëri nga drejtuesit kryesorë të rrethit për atë kohë. Së pari më përqafuan mua, jo vetëm se isha më i vogli i grupit, por mbi të gjitha për realizimin artistik të Lulit të Vocërr.

Dhe isha akoma pikërisht në duart e Malos e sikur do më mbante përjetësisht si shtatore të ngrirë, sot të përjetësuar në shtatoren – përmendore të mrekullueshme – Migjen e Lul -në qendër të qytetit. E pastaj këto personalitete përgëzuan me radhë gjithë grupin artistik për spektaklin e kësaj mbrëmjeje të veçantë. Duartrokitjet vazhdonin prej kësaj ndjeshmërie dhe emocioneve të krijuara e njerëzit sikur nuk donin të dilnin nga salla, çka flet qartë për suksesin e spektaklit në tërësi e të minidramës në veçanti. Gjithë grupi artistik, ashtu siç isha me rrobat e skenës e njollat e improvizuara të gjakut, me “tollumbat (opingat) e Lulit që e kishin hapë gojën sikur dojshin me e hangër mësuesin”, më kishin rrethuar e më përqafonin me radhë. “Nëna” qëndron si e shushatur duke parë se çfarë po ndodh në skenë, e po ashtu “Migjeni” (Maloja), e më pas të dy nuk i linin radhë njëri-tjetrit për të më përqafuar, derisa Maloja më mori hopa në krahë dhe nga skena shkuam në zyrën e tij për t’u qetësuar dhe shijuar suksesin e shfaqjes pas daljes nga rolet e secilit prej nesh”.

Biseduesi: Pas këtij suksesi ju luajtët edhe shumë role të tjera, cili qe motivi dhe motivuesit?

“Që nga ky rol, unë u bëra pjesë e kësaj trupe artistike për katër vitet e gjimnazit duke fituar pseudonimin “Luli” dhe shokët e klasës më ngjitën nofkën “Strajca (trasta) e Malos”, pasi, ai dhe Frrok Haxhia për çdo shfaqje gjatë këtij viti shkollor më mbanin pranë vetes. Pas këtij viti ata u transferuan dhe unë e vazhdova udhëtimin tim artistik me aktorët e mirënjohur dhe drejtues të Shtëpisë së Kulturës, Pukë, Imer Bala dhe Edmond Mhilli. Në këto katër vite të gjimnazit pata fatin të luaja në çdo vepër dramatike që u vu në skenë në shtëpinë e kulturës, Pukë në role dytësore dhe kryesore, si: në “Rrugën e heroinës”, të autorit Ndue Filipi, kushtuar Drande Pistes që dha jetën në hekurudhë; komedinë “Dhëndri”, me të cilën konkurruam në Olimpiadën Kombëtare të Trupave Amatore në Durrës në maj të vitit 1969; në dramën “Qielli i kuq”, në rolin kryesor të Pirros, një punëtor komunist, të cilën e kemi vënë në skenë vetëm ne nxënësit e gjimnazit, paralel me dramën “Hijet e natës”, ku Puka u përfaqësua në Olimpiadën e Teatrove Amatore në Elbasan në pranverën e vitit 1971. Në të gjitha këto veprimtari të larmishme kulturore e dramatike nuk mund të rri pa shprehur vlerësimin tim më të lartë për interpretimet artistike mjaft profesionale të aktorëve dhe miqve të mi të paharruar: Ymer Laçi, Isuf Gash Halili, Man Avdia (nipi i Zenel Islamit), Lula dhe Osman Meçi, Ndrecë Mustafa, Halit Elezi etj., të cilët jo vetëm ishin model për mua, por ishin mbështetësit dhe ushqyesit e kurajës në udhëtimin tim artistik.

Dhe këta, ndonëse nuk janë më mes nesh, përveç Ndrecë Mustafës, sa do të jem gjallë do t’i kujtoj me respekt e mirënjohje. Kësaj rruge artistike nuk iu shmanga gjithë jetën, në shkollë të lartë e në punë. Në shkurt të vitit 1978 me kolegët e mi në shkollën e mesme bujqësore Gjegjan, vumë në skenë komedinë “Dasëm pa nuse”, ku unë përsëri kisha njërin ndër tri rolet kryesore (Namiku). Në këtë komedi një kontribut të spikatur ka dhënë edhe mësuesi dhe kolegu im, i ndjeri Dhimitër (Ylli) Pasko. Por pa ndihmën e aktorit dhe regjisorit të talentuar e të mirënjohur pukjan, zotit Fran Vukaj, ne nuk do të arrinim, si përfaqësues të rrethit Pukë, atë paraqitje të kënaqshme në Olimpiadën Kombëtare të Teatrove Amatore të rretheve verilindore në Shkodër”.

Biseduesi: Pas çdo suksesi ju përmendni emra artistësh, cilët do veçonit?

Fran Vukaj dhe unë, Fran Cara, jemi të vetmit bashkudhëtarë në jetë e në punë që nga viti 1967 e deri në ditët e sotme si bashkaktorë në minidramën “Luli i Vocërr; si përgjegjësa kulture, unë në Gjegjan (1978-81) e Frani në Kryezi; dhe unë për disa muaj në drejtorinë kulturore, Pukë, në detyrën e drejtorit, pas ndarjes nga jeta të të ndjerit Lin Shahini në verën e vitit 1990 dhe shumë e shumë veprimtari të tjera kulturore e artistike. E mbi të gjitha miqësinë dhe bashkëpunimin tonë më mirë se fjalët na e përgjithëson fotoja te busti i famshëm i Migjenit me Lulin e Vocërr. Në këtë foto, Migjeni dhe Luli janë përjetësuar në bust mrekullisht dhe mjeshtërisht nga skulptori Ardian Pepa nga Fushë-Arrëzi, ndërsa ne të dy Franat e Pukës, të vetmit në këtë botë mes të gjallëve në fushën e artit e të skenës së atyre viteve dhe nostalgjisë për to, saldojmë në të njëjtën pikë afërfillimet pranverore dhe, jo larg, pragdimrin e jetës sonë mbi 74-vjeçare. Dy aforizma të profesorit tim të letërsisë, i ndjeri Nasho Jorgaqi, sikur justifikojnë shkrimin tim: “E vërteta nuk mësohet por përjetohet” dhe “Njeriu mund të quhet i qytetëruar kur do dhe respekton të vërtetën dhe të bukurën”.

Biseduesi: Nostalgjia mbetet e tillë për secilin prej nesh, por përtej saj ajo duhet të bëhet burim frymëzimi për brezat që vijnë, apo jo profesor Frani?

“Është pikërisht nostalgjia për ato vite dhe ngjarjet e përjetuara. E kjo është e hidhur sepse kushdo e di që ajo botë, me gjithë larminë e saj, nuk mund të kthehet e, padyshim, çdo përpjekje për ta bërë një gjë të tillë do të ngjajë si një luftë donkishoteske me mullinjtë e erës. Ishte një jetë disi e varfër, ende e pakultivuar dhe e papërpunuar, e vështirë në lehtësinë me të cilën e merrnim, e ashpër në ëmbëlsinë e asaj që shijonim; një jetë që askush nuk do të mundet ta jetonte më, sepse na duhen shumë gjëra që nuk i kishim më parë dhe prandaj ishin të tepërta në atë kohë; por tani nuk mund të bëjmë pa to. E megjithatë ajo jetë kishte poezinë e saj. Bukuria e saj qëndron në distancën e shumë viteve të shkuara që as nuk mund të dominohen e as të kthehen më. Nuk kthehemi më dot në moshën e fëmijërisë e të rinisë, megjithatë është bukur t’i kujtosh, të frymëzohesh prej tyre e t’i hedhësh në letër ato më mbresëlënëset”.

Biseduesi: Dhe së fundmi…

“Është aksiomatike teoria filozofike që koha ka vetëm një drejtim lëvizjeje. Dhe jeta e njeriut gjithashtu. Por rrjedhimisht, si çdo ligj, ka një përjashtim. Pavarësisht se jeta duket drejtvizore, ajo është edhe rrethore, e për disa ngadalëson në kthesa e harkun e saj. Dhe jeta perfekte di të ribashkojë fundin me fillimin. Shpresoj se përmes kësaj rrëfenjëje eseistike edhe unë ia kam arritur sadopak realizimit të qëllimit të shkrimit dhe të këtij koncepti filozofik për jetën… Dhe e fundit fare, unë zoti Ibrahim të jam shumë mirënjohës për këtë bisedë e cila më çoj shumë prapa në kohë dhe më bëri të fol me nostalgji dhe objektivitet për periudhën më të bukur të jetës dhe veprimtarisë sime. Faleminderit!”

Biseduesi: Faleminderit Ju!

Bisedoi, Ibrahim Kabili
Tiranë, më 13.08.2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.