“REFLEKTIME ATDHEDASHURIE”, një libër me vlera të shtuara atdhetare dhe humane, i autorit Ibrahim Kabili

0
Ibrahim Kabili - Reflektime atdhedashurie

Arsimtari e ka për detyrë me i rranjosë studentit dashurinë për atdhenë, por arsimi nuk asht politikë dhe as nuk duhet t’i shërbejë kurrë një rryme partiake“. – At. Zef Pllumi

Ibrahim Zija Kabili atdhedashësi i flaktë, krenar për historinë e popullit të thjeshtë shqiptar, dhe jo vetëm, mendues i mundësive të ndryshme për të parë atdheun e shumëkërkuar të bashkuar, pa kufinj territorial. Dashuria e tij për shqipfolësit shemb çdo mur, pikëpamje, këndvështrim, preference politike e partiake.

Intelektuali që nuk bëri kurrë pakt politik, përtej preferencave të tij. Idealist por jo ambicioz, e i verbër, përpos ndjenjës kombëtare. Arsimtari që e ndjen borxh e detyrë pikëpamjen për t’i dhënë zgjidhje një herë e përgjithmonë çështjes kombëtare brenda dhe jashtë kufinjve. Arsimdashësi ndjenjën patriotike e vlerëson, e mbështet dhe e gjykon. Njeriu që mundohet me shpirt t’i thotë të bardhës të bardhë e të zezës e zezë. Ai nuk bëri kurrë jetë për të pasur të ardhura materiale, por luftoi për të lënë një vepër, një ndjesi humane, një dashuri njerëzore, një impakt atdhedashës, liridashës, fëmijëve, nxënësve, familjarëve të tij dhe brezave që do të vijnë.

Libri “Reflektime atdhedashurie”, është frut i një përvoje prej disa dekadash, i një ndjenje atdhetare të kultivuar nga studimet e hollësishme arsimdashëse dhe leximit kritik të historisë së përçarjes atdhetare. Një libër prej shtatë krerësh që konkludon borxhin profesional dhe emocional të autorit, për të vënë një gur më shumë në kufinjtë territorial mbarëshqiptare.

Në kreun e parë vendin e zënë intelektualët patriotë me vlera të mëdha kombëtare, si: Avni Rustemi, Tahir Sinani, Jakup Krasniqi. Sipas autorit është e pamundur që një atdhetar e patriot të mos jetë intelektual. Luftëtarë në luftë, në ide dhe pikëpamje kombëtare.

Në kreun e dytë: Figura që na nderojnë, autori ka gjetur rastin të vlerësojë punën e figurave me vlera të vendlindjes së tij. Dilaver Hoxha, koloneli i luftës dhe paqes, përfaqësues krenarë i zonës së tij në forcat e armatosura dhe integrimin e Shqipërisë në NATO.

Intelektuali dhe ushtaraku i lartë Sabri Memaçi, profesori i mirëpërgatitur, me disiplinë strikte, i rregullt, patriot dhe mbi të gjitha i thjeshtë e dashamirës.

Musa Abazi, kryetari i Shoqatës së Pajtimit Kombëtar “Bena”. Njeriu i përkushtuar, dashamirës i harmonisë mes njerëzve. Hamza Sita, administrator fjalëpakë e punëshumë i zonës së Zall-Bastarit.

Simpatia për Kosovën, kosovarët, por edhe plaga akoma e hapur e saj e ka ngacmuar gjithmonë unin e tij. Borxhin ndaj atdheut ai ja faturon çdo politikani, atdhetari.

Ura e Ibrit, loja me dy standarde e BE-së, brishtësia dhe pasiguria e Kosovës e shqetësojnë si gjithmonë autorin, e kjo shprehet në kreun e tretë të librit.

Vëzhgues i hollë i qasjeve politike që shqetësonë shqiptarit do ta takojmë në kreun e katërt. Plaga e kahershme e emigrimit, dukuritë negative në familje, shtetin brenda shtetit, shoqërinë e traumatizuar dhe shtresa më e vuajtur e shoqërise do zerë vend në shqetësimet e përditshme të tij.

Autorin e shqetëson e ardhmja e brezit të ri, kulti i “njeshit”, qeverisja dhe pasojat shoqërore. Aspiron për drejtësi e ndryshime të thella demokratike që të jemi sa më pranë families europiane. Si një mësues i dashuruar me pasionin për punën e tij, kreun e pestë ja kushton atyre që zgjuan mendjet e ndritura në zonën e lindjes. Njerëzit që dhanë kontribut të veçantë dhe nxitën imagjinatën për të lexuar i trajton me shumë dashuri.

Ne kreun e gjashtë gjen vend dashuria e autorit për artin, artistët, të bukurën. Ai e gjen të bukurën te e thjeshta sublime.

Muzika, “Kanarina e Matit” Feride Kurti, kujtimi për të në vendlindjen e saj ishte shtysa e të shkruarit sërish të autorit. Shtrohet një objektiv dhe pastaj autori di të përshtasë mirë mjetet dhe qëllimet.

Me parimin që do respektuar kontributi i çdo qytetari vlerëson figura të shquara të këngës shqiptare, si: Feride Kurti, Hafsa Zyberi, Parashqevi Simaku.

Është kureshtar për virtuozitetin në përdorimin e daulles të patriotit të tij. Ruajtien e traditës nëpërmjet valltarit Hasan Sulmeta.

Vlerëson në kreun e shtatë komentet pozitive dhe mirëpret me finesë komentet disi negative.

Ibrahimi si atdhedashës është i pastër në mendimet e tij, mendon se gjëja e duhur bëhet në kohën e duhur. I durueshëm, i disiplinuar, këmbëngulës, i vendosur për të thënë atë që duhet thënë, me zjarr ngrohës dhe jo djegës i përgjigjet thënies së Martin Luther King “Ësht gjithmonë koha e duhur për të bërë gjën e duhur”.

Vanila Sinani Kabili
Tiranë, më 15.05.2025

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.