Të mbrohet dinjiteti i ushtarit!

0
FSK - ushtarë

Shkruan: Florim Zeqa, 13.10.2024

Ushtria pa bukë, kryeministri me zëmendësën e tij sorrollaten për vota në Gjermani!

Nuk i thash gabimisht zëmendëse e Kurtit kryediplomates Gërvalla, për faktin se i përket mendësisë së njejtë që kanë për shtetin e Kosovës. Sikur të kishin mendësi të shëndoshë për shtetin, në kohën kur Ushtria ka mbetur pa ushqim, shtetarët e vërtetë dhe të njëmend do të anulonin edhe vizitat zyrtare në shtetet më me ndikim në botë e lërë më vizitat private me bashkatdhetarët me karakter elektoral partiak!

Ku është Fondi i Sigurisë?

Ku janë rezervat shtetërore?

Ku është buxheti i shtetit?

Janë këto tri pyetje, për të cilat kryeministri me Ministrinë e Financave dhe atë të Mbrojtjes duhet të jepin përgjigje publike para qytetarëve të vendit dhe ushtarëve në veçanti, të cilet përveq ushqimit problem e kanë edhe veshmbathjen dhe kushtet higjeniko-sanitare në Kazermat e FSK-së!

Këto pyetje nuk i ngrita si opozitar, por si qytetar i Republikës së Kosovës dhe si Analist i pavarur i cili e mbron interesin e shtetit para çdo interesi partiak.

FSK-ja për më shumë se ushtri dhe forcë mbrojtëse e shtetit tonë, është vlera më sublime e lirisë sonë, është nderi dhe krenaria e çdo qytetari të Kosovës, në të cilën shërbejnë djemtë dhe vajzat më të mira të kombit tonë.

Andaj, e kemi për obligim të gjithë pa dallim ta mbrojmë nderin dhe dinjitetin e ushtarit tonë, të nëpërkëmbur pamëshirshëm nga njerëzit e veshur me petkun e pushtetit.

Askush nuk guxon që ta politizoj çështjen e shujtave të ushtarëve për ështje elektorale, por, as ta anashkaloj dhe neglizhoj për të njëjtat qëllime!

Problemin e ngritur brenda ushtrisë nga Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, nga pjestari i Familjes Legjendare, ishte dashur që pushtetarët ta merrnin më seriozisht për trajtim urgjent në Qeveri.

Ishte dashur që kryeministri me kabinetin qeveritar të mbylleshin në një takim të gjatë ditor dhe javor në qoftë nevoja derisa ta gjejnë zgjidhjen afatgjatë dhe të përhershme për FSK-në e jo të sorrollaten shteteve evro-perëndimore në kërkim të votave të mërgimtarëve!

Ngase nuk janë shujtat problemi vetëm në FSK, por është një gamë shumë e gjërë dhe e gjatë e problemeve për të cilat duhet të flas Komandanti i saj e jo unë si Analist!

Me këtë që e ceka më sipër deshta të themë se, nuk jam kundër Albin Kurtit si lider partiak, por, jam kundër qasjes së gabuar të shtetarve tonë ndaj FSK-së.

Imoralitet dhe heshtje e paparë e liderëve shtetërorë

Një qeveri që flet çdo ditë për forcën kombëtare dhe sovranitetin e vendit nuk është në gjendje t’u sigurojë ushtarëve tanë as bukën e përditshme!

Kjo përveqse paaftësi, është papërgjegjësi e turpshme që tregon imoralitetin e lartë të një qeverie që anashkalon ushtarët e uritur e të zbathur, të mbetur si jetim të këtij gjysëm shteti!

Heshtja e presidencës, e ‘Komandantes Supreme’ është pak më tepër se anashkalim, është skandaloze dhe e turpshme!

Një herë në vit vizitohen edhe varezat!

Ku je Presidente, ku je strukur?

Pse nuk shkon në Kazermë si ‘Komandante Supreme’ për t’i motivuar ushtarët e uritur dhe të zbathur, të leckosur dhe të pashpresë, të cilët çdo ditë i hudhin uniformat për të ikur jashtë vendit, mbase për të mos u kthyer asnjëherë në vendin e tyre?

Mungesa e ushqimit të ushtarëve nuk është çështje teknike zonja Presidente, por një çështje nderi dhe dinjiteti kombëtar e cila e tregon pakujdesinë e shtetarëve ndaj Forcës Mbrojtëse të vendit tonë.

Pakujdesia ndaj Ushtrisë paraqet dështimin më skandaloz të pushtetarëve, e cila paraqet rrezik të madh për të ardhmen e shtetit.

Mungesa e ushqimit në FSK nuk është thjeshtë një vakum institucional, por është krizë emergjente e cila duhet të zgjidhet shpejt dhe përgjithmonë.

Letra e Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtnant, Bashkim Jashari dërguar Ministrit të Mbrojtjes lidhur me shqetësimet e shumta që kanë të bëjnë me shërbimet ushqimore, mungesën e personelit dhe problemet sanitare, shpërfaqë një gjendje alaramante në ushtrinë tonë e cila kërkon trajtim emergjent nga ana e shtetit.

Siq duket, kësaj qeverie dhe kësaj presidentje, nuk i bën pështypje aspak mungesa e ushqimit në kazermat e FSK-së, e aq më pak mirëqenia dhe shëndeti i vajzave dhe djemve që me përkushtim të lartë i shërbejnë ditë dhe natë atdheut tonë të shenjt.

Thirrje shpirtërore për ushtarët sypatrembur të FSK-së: Qëndroni të fortë dhe të palëkundur në misionin fisnik të mbrojtjes së atdheut. Zhgënjimin dhe dëshprimin ta ktheni në forcë dhe përkushtim akoma më të madh. Ju jeni forca dhe krenaria jonë shpirtërore në këto kohë të vështira që po kalojmë si shtet dhe komb në përgjithësi. Respekt deri në përulje për secilin ushtar të atdheut tim. Zoti ju bekoftë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.