Nga Ferit Hoxha
Patëm nderin të ishim mësuesit tuaj!
Patëm nderin të ishim edhe gjysmëprindërit tuaj, sepse pjesën më të madhe të kohës e ndanim së bashku. Jetonim me gëzimet tuaja, me momentet e vështira tuajat, me çapkënllëqet tuaja( e k’to jo pak), gëzoheshin për arritjet tuaja e mërziteshim me prapësitë tuaja, sepse ishim mësuesit tuaj, ishim ata, që prindërit tuaj biologjikë na kishin besuar edukimin, arritjet e ardhmërinë e të dashurve të tyre, ku shpirti fliste me sytë e dashurisë.
Dhe besoj se ia kemi dalë me sukses, besoj se e kemi merituar titullin mësues (se që ta dini ju, ky titull është shumë i vështirë e nuk është kaq kollaj të jesh mësues). Mund të kesh mbaruar me nota të shkëlqyera, por nëse në ADN-në tënde nuk shkrihen kromozomet e dashurisë me nxënësit, atëherë “TRYSOMI 21”, hedh valle e shkakton anomali.
Me këtë mendim, kam bindjen se bashkohen edhe kolegët e tjerë, sepse kur punon në ekip çdo “operacion”, sado i vështirë del me sukses. Dhe ne ishim mjekët e ndërtimit të karakterit tuaj dhe ia arritëm.
Do të ngeleni për shumë kohë si në memorjen tonë ashtu edhe në historikun e kësaj shkolle për vlerat që keni pasqyruar gjatë këtyre viteve.
Ishte një rrugëtim sa i vështirë aq edhe i bukur, por bukuria e vërtetë qëndron në faktin se puna jonë u kurorëzua kaq suksesshëm me ju.
Faleminderit nxënës të dashur, jeni motivi i vërtetë i punës sonë!
Një falenderim i veçantë shkon dhe për prindërit tuaj, si për kontributin e bashkëpunimin ndër vite me ne, ashtu edhe për mbështetjen e gjithanshme për realizimin e EVENIMENTIT MINIMATURA 2023!
Ju uroj suksese në kapitullin e ri të jetës tuaj, në atë kapitull ku fletët nuk janë të sapodalë nga botimi, por janë të lexuara, janë të përkthyera, pse jo dhe të zhubravitura, sepse sfidat të bëjnë të fortë e të skalisin për një hap më të madh, për një hap më të gjatë e më të sigurtë!
Siguria dhe besimi në vetvete kanë qenë e janë motoja jonë dhe unë besoj në forcat tuaja, sepse e di si jeni!
Me respekt mësuesi juaj Feriti !
Shkolla “Mëzez – Fushë”