Nga: Fatmir Çitaku
Në kohë sfidash të mëdha kombëtare, kur kërkohet bashkëpunim e përgjegjësi e lartë politike, qytetarët me të drejtë pyesin: pse nuk po ndodh bashkimi që aq shumë përmendet? Kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për dialog dhe bashkëpunim me opozitën, sidomos në çështje madhore për vendin. Por Lidhja Demokratike e Kosovës, njëra nga partitë themeluese të shtetit, ka zgjedhur heshtjen.
Dikush mund të thotë se heshtja është refuzim me stil. Por në këtë moment historik, refuzimi pa sqarim është i barasvlershëm me papërgjegjësi politike.
LDK, si parti që dikur ka hyrë në marrëveshje me Listën Serbe për të krijuar institucione, sot duket më e ftohtë ndaj një subjekti shqiptar me të cilin ndan shumë më shumë sesa që e ndante me partnerin e atëhershëm. Dhe kjo sjell një pyetje të thellë për reflektim: si është e mundur të gjendet kompromis me një forcë që përfaqëson interesa të qarta kundër shtetësisë, por të mos mund të ndërtohet një marrëveshje minimale me një subjekt politik që, sado i ndryshëm në stil, ndan qëllime të përbashkëta për shtetin?
Gabimet janë pjesë e natyrës njerëzore dhe politike. Të gjithë i kanë bërë dhe do t’i bëjnë. Por pjekuria politike matet me gatishmërinë për t’i pranuar gabimet dhe për të bërë hapa përpara. LDK ka pasur shumë momente kur ka treguar se është gati për vendime të mëdha – pse jo tani?
Nuk është ky momenti për të ruajtur imazhin, por për të ndërtuar realitetin. Qytetarët nuk presin nga liderët e tyre të jenë perfektë, por të jenë të përgjegjshëm. Të tregojnë kur janë gati të lëshojnë pe për hir të vendit, dhe kur është koha të lënë pas inatet personale apo ndarjet e vjetra.
Në fund të ditës, ftesa e kryeministrit për dialog nuk duhet parë si sfidë, por si mundësi. Nëse ka vend për marrëveshje me të huajt, duhet të ketë edhe më shumë vend për mirëkuptim mes shqiptarëve.
Sepse historia do t’i kujtojë jo për fjalët që kanë thënë, por për mundësitë që kanë humbur – ose shfrytëzuar.