Mitro Malita, më i vjetri nga fisi Malita, që unë arrita ta njoh në rininë time – kujton 100 vjeçari Vasil Malita, – ishte kushëri i parë me gjyshin tim, Foto Malita, që kishte vdekur kohë më parë. Xha Mitro punonte furrtar. Furrën e kishte sajuar në oborrin e shtëpisë. Bënte bukë gruri, çyreqe dhe karvele. Në furrë piqte tava e birjane e në festa edhe mishra të pjekur. I shiste si ambulant në lagjet, e në fshatrat afër Libohovës. Mitro Malita me të shoqen Maria, kishin lindur tre djem e dy vajza.
E bija, Athina Malita, u martua në Çuprel me Spiro Raftin, i cili kishte emigruar në Çigago të Amerikës ku edhe vdiq. Nga kjo martesë lindën tre fëmijë, djali Kiço Rafti, i cili ka jetuar gjithë jetën në Amerikë, por ka ardhur herë pas herë në Shqipëri dhe ka shkuar në Libohovë.
Kiço Rafti ka vdekur në vitin 1994 në Çikago.
Vajza e Spiro Raftit, Frosina (Çina), ishte martuar në Libohovë dhe ka jetuar deri vonë në Tiranë, ndërsa vajza tjetër, Andromaqi Rafti, ishte e martuar me Zef Lufin, një shkodran katolik, që punonte drejtor i posttelegrafës së Libohovës, por Andromaqi shpejt do të sëmurej rëndë dhe do të vdiste pa lënë fëmijë nga pas.
Vajza tjetër e xha Mitros, e vogla, pati një fat të çuditshëm. Në Libohovë, në kohën e Zogut, shërbente si komandant i paraushtarakëve një oficer nga Mirdita, që quhej Llesh Nikolli. Oficeri mirditor kërkoi për grua vajzën Therjani Mitro Malita, që të gjithë e konsideronin vajzën më të bukur të Libohovës dhe xha Mitro me gruan Maria i dhanë fjalën, duke menduar se e ardhmja e vajzës me një oficer do të ishte e siguruar. Mirëpo oficeri mirditor, mesa duket i kishte bërë llogaritë ndryshe.
Në krye nuk u tha të vërtetën, po më pas doli se ai e donte vajzën e xha Mitros jo për vete, por për vëllain e vet, Gjon Nikollin, që jetonte në fshatin Gëziq. Mirëpo Mitro Malita nuk kishte më si ta kthente fjalën, nga frika se mos i vrisnin djemtë. Kështu, fati i Therjanisë u përcaktua – ajo duhej të shkonte nuse në Gëziq të Mirditës, për të ardhur vetëm dy herë në jetën e saj, për të parë vendin e lindjes – Libohovën dhe familjen e saj.
Thjerjani Malitës që u martua në vitin 1937 në moshën 18-vjeçare i ndërruan bashkë me veshjen edhe emrin, duke i vënë një emër karakteristik mirditor. U mësua të fliste në dialektin e vendit dhe kështu u transformua krejtësisht. Kur rastiste të kalonin gjirokastritë nga Mirdita, bënin çudi kur një grua me veshje e të folur mirditore u thoshte se ishte bijë e fisit Malita nga Libohova.
Tregojnë një ngjarje nga vitet e luftës. Kur një brigadë partizane kaloi nga Gëziqi, në shtëpinë e Gjon Nikollit u gjendën disa partizanë. Gjatë bisedës, i zoti i shtëpisë konstatoi se njëri nga bujtësit ishte nga Libohova dhe u tregoi se edhe zonja e kësaj shtëpie ishte libohovite. Atëherë libohovitit Hysen Gorica iu shfaq një mirditore në veshje dhe në të folur, sa ai nuk e besoi në fillim, derisa ajo i tregoi se ishte Therjania, e bija e Mitro Malitës nga lagja Kalista.
Thirjania (Mrika) Malita-Nikolli kaloi një jetë të vështirë. Lindi një djalë e një vajzë. Djali Mark Nikolli iu vra kur ishte ushtar në Tiranë në vitin 1971.
Atëherë bashkë me të afërmit e mi Jorgo e Dhimitër (Miço) Malitën – tregon veteran Vasil Malita, – shkuam në shtëpinë e Gjon Nikollit, për t’iu gjendur pranë në këtë fatkeqësi hallës së tyre dhe kushërirës sime, Therjani Malita-Nikolli. Therjania vitet e fundit të jetës i kaloi tek e bija Maria në Rrëshen. Kështu përfundoi rinia, bukuria, jeta dhe tragjedia e vajzës më të bukur të fisit Malita, por edhe të Libohovës.
Nga libri “Libohovitët e Amerikës”, nga Kolec P. Traboini
Pantheon Books Edition 2016.
🟢VAJZA E LIBOHOVËS, QË BËRI EMËR NË AMERIKË🟢
E para shqiptare, që punoi për “New York Times”, CNN dhe “Zëri i Amerikës”
Nexhmie Zaimi (1914-2004) ka lindur në Libohovë në vitin 1914. Ishte një prej katër fëmijëve të libohovitit Musafa Zaimi që kish shërbyer si një nënpunës i lartë i perandorisë osmane. Nexhmia kishte një motër, Hanifenë dhe dy vëllezër, Mehmetin dhe Hiqmetin. Ky i fundit do të vdiste në moshë të re. Familja e Mustafa Zaimit u vendos në Tiranë dhe atje kaloi vitet e rinisë dhe u shkollua Nexhmie Zaimi. Bashkë me një nga vëllezerit e saj, Mehmetin, vazhduan mësimet në një shkollë drejtuar nga misionarët amerikanë të Kishës Protestante. Kjo, sipas tregimit të birit të saj, gazetarit Erik Margolis, nuk ishte dëshirë e prindërve, madje ata dëshironin që vajzën ta vishnin me perçe, por Nexhmia 14-vjeçare kundërshtoi duke e hedhur perçen nga dritarja e shtëpisë, kësisoj ajo publikisht refuzoi të ndiqte traditat turkoorientale dhe ndoqi rrugën e kulturës perëndimore.
Familja, që kishte një traditë e mentalitet oriental, e martoi kundër dëshirës së saj kur ishte 16 vjeçe, po ajo nuk pranoi të bashkëjetojë me burrin që i kishin dhënë dhe me vdekjen e nënës, ajo me ndihmën e zonjës Jesse Munger nga New Jersey, në vitin 1937 u largua nga Shqipëria për në Amerikë. Vazhdoi studimet universitare në “Wellesley College” dhe gjatë viteve të studimeve shkroi e botoi librin “Bija e shqiponjës”. Më pas vazhdoi studimet në Columbia University ku u diplomua në gazetari. U martua me një jurist nga Nju Jorku, Henry M. Margolis. Nga kjo martesë, që ishte e shkurtër, në vitin 1943 lindi një djalë që i vuri emrin Erik Skënderbeg Margolis, e cili do të bëhet gazetar i njohur dhe sjell kujtimet për nënën e tij.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Nexhmia shkoi në Itali, ku dhe një ndihmesë të madhe për shqiptaret që ishin larguar nga atdheu për shkak të vendosjes së regjimit komunist. U njoh me shqiptarët arbëreshë të Kalabrisë dhe studioi traditat, zakonet e gjuhën e arbëreshëve. Për veprimtarinë e saj humanitare u dekorua nga autoritetet italiane me titullin Comandatoressa della Coronna d’Italia (Komandante e Kryqit të Kuq të Italisë).
Në mjaft nga analizat e Nexhmie Zaimit në median amerikane, ajo, duke promovuar vlerat më të mira të shqiptarëve, fshikullonte me forcë regjimin komunist të vendosur në Shqipëri menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk i shkëputi për asnjë çast lidhjet e saj me vendlindjen dhe kudo u krenua me faktin që ishte shqiptare. Pas luftës dhe në vitet 1950 dhe 1960 ajo ka dërguar ushqime dhe veshmbathje për njerëzit e saj në Tiranë që ishin në varfëri të skajshme dhe ishin shpallur armiq të regjimit komunist duke i burgosur të vëllain për 16 vjet në burgun e Burrelit. U bë një gazetare dhe veprimtare e njohur në Amerikë dhe veprimtaria e saj përfshin shkrimet në “Zëri i Amerikës”, organe të tjera si dhe stacionin televiziv CNN, por edhe në shoqatën “Vatra”, si një prej drejtuesve të saj më aktive. Kishte njohje me figurat e mëdha kombëtare si Fan Noli dhe Faik Konica. Në kujtimet e saj lexojmë:
“Ishte prill i vitit 1924, kur u takova për herë të parë me Nolin në qytetin e Vlorës. Ai kishte ardhur aty për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Avni Rustemit. Në karrocën me të cilën shkonim në funeral bashkë me mua dhe prindërit e mi ishte edhe nëna e Avni Rustemit, që herë pas here lotonte dhe qante me dënesë. Ky çast mortor u bë shkak të njihesha me Fan Nolin, i cili ndjehej shumë i dëshpëruar për humbjen e papritur të Avniut, që siç thoshte ai, kishte qenë një patriot i rrallë. Mbaj mend që nëna ime Sherifja, gjatë atyre ditëve vuri në dritaret e shtëpisë pëlhurë të zezë. Ndërkaq, nëna e Avniut për ditë të tëra pas kësaj ndenji në shtëpinë tonë”.
Nexhmie Zaimi do të takohej vite më vonë me Nolin në Nju Jork në veprimtaritë e federatës atdhetare “Vatra”. Ajo përfaqësonte Shqipërinë në Ligën e Kombeve të Evropës Juglindore me qendër në SHBA dhe në Kongresin Amerikan për çështjet shqiptare ku tregonte për gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Eshtë për t’u përmendur se ka qenë një gazetare e veprimtare e njohur që kurrë nuk e ka fshehur identitetin e vet si shqiptare. Madje edhe e ka manifestuar. Në një nga udhëtimet e saj si gazetare në Jordani ka një episod në takimin dhe intervistimin me mbretin Hussein të Jordanisë për median amerikane.
Ja çfarë shkruan ajo në shënimet e veta për takimin me mbretin e Jordanisë. “Kur e përfunduam intervistën, mbreti Hussein më tha se do të më përcillte deri te hyrja e pallatit mbretëror. Madje vuri në dukje se kishte rezervuar një surprizë për mua, gazetaren shqiptare që kisha shkuar nga larg për opinionin e tij. Ndërsa zbrisnim shkallët e pallatit, në të dy anët e tyre na nderonin me qëndrim gatitu 60 roje të Gardës të gjatë e të veshur me uniformë ceremoniali.
Diku më tha se mund të komunikoja me ta.
“Anglisht?”,- i thashë.
“Jo, shqip”, – më tha ai, duke u ndalur para tyre. “Shqip?!”
“Po, po, shqip”,- këmbënguli mbreti Hussein.
“Si ka mundësi?”, – e pyeta unë e habitur.
“Këta të gjithë janë shqiptarë”, – sqaroi ai surprizën që kishte vendosur të më bënte në ndarje e sipër. Kur i thashë se pse kishte zgjedhur pikërisht shqiptarët për t’i bërë roje, mbreti Hussein shpjegoi se ata janë besnikë dhe trima”.
Nexhmije Zaimi ka marrë me dhjetëra dekorata nga institucionet ndërkombëtare. Eshtë dekoruar së pari nga shoqëria amerikane e veteranëve të luftës American Legion. Ka marrë titullin e nderit Komandante e Kryqit Italian dhe një nga medaljet italiane më të larta. Ndërkaq, është dekoruar me Medaljen e Mirënjohjes nga presidenti i SHBA-së, Franklin D. Roosevelt.
Vitet e fundit të jetës Nexhmie Zaimi vuante nga sëmundja e glaukoma-s, që e pengonte dëshirën e saj të madhe për të shkruar një libër tjetër, pas atij që kishte botuar që në rininë e saj “Bija e shqiponjës”. Ndërroi jetë në Santa Barbara të Kalifornisë në moshën 90-vjeçare.
Romani “Daughter of the Eagle: Autobiography of an Albanian Girl” (“Bija e shqipes: Autobiografia e një vajze shqiptare”), i botuar së pari në New York në vitin 1937, dhe nga kërkesat e lexuesve i ribotohuar pas disa muajsh po të atij viti, do të pasonte dhe me një botim të tretë në vijim, përkatësisht më 1938, nga shtëpia botuese “Ives Washburn.INC. Në gjuhën shqip është përkthyer nga Enida Rusi dhe është botuar më 2007 nga shtëpia botuese “Plejad” në Tiranë.
__________________
Erik Margolis, i biri i Nexhmie Zaimit nga Libohova, aktualisht drejtor editorialist i gazetës më të madhe në Kanada “Toronto Tun”, ka edhe ai një veprimtari të madhe si gazetar. U lind në Nju Jork më 4 shkurt 1943. Ndoqi shkollën e muzikës dhe më vonë shkollën private në Nju Jork, e më pas shkollën ndërkombëtare në Gjenevë, Shkollën e Shërbimit të Huaj “Foreign Ser vice School” në universitetin “Georgetown University” në Uashington DC, “New York University Graduate School”, si dhe universitetin e Gjenevës. Hyri vullnetar në ushtri gjatë luftës së Vietnamit dhe shërbeu për dy vjet. Pas kësaj shkoi në Xhamajka, ku punoi në projektet për zhvillimin e vendit. Më pas, u punësua në kabinetin e ish-presidentit Nikson, ku punoi për përgatitjen e fjalimeve në fushatën e dytë elektorale të tij. Në vitin 1975 punoi në Nju Jork, për Estee Lauder Internationl, në drejtimin e bizneseve të saj në Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore.
Nisi të shkruajë për gazetat në vitin 1982 fillimisht për “New York Times”, “Wall Street Journal”, e më vonë për “International Herald Tribune”, “Mainichi”(Tokyo), “Chicago Tribune”, “Los Angeles Times” etj. Njëherazi, filloi të punojë edhe për TV dhe radio të ndryshme. Si korrespondent i luftës për kanalin mediatik “Canada’s Sun” ka mbuluar luftërat në Angola, Mozambik, Afrika e Jugut, Rodezia, Peru, Salvador, Nikaragua, Egjipt, Irak, Kashmir, Liban, Kurdistan, Afganistan. Kam mbuluar konfliktet në Lindjen e Mesme, Bashkimin Sovjetik, (duke përfshirë Kaukazin dhe Azinë Qendrore), Evropë, Kinë, Indi, Pakistan, Liban, Amerika Latine etj. Eshtë autor i disa librave. Qysh nga viti 1980 është komentator i përhershëm për çështjet e jashtme në kanalet televizive CNN, Fox, CBC, CTV dhe Britain’s Sky News TV. Anëtar i Institutit Ndërkombëtar të Stu dimeve strategjike Londër, “Klubi kombëtar i shtypit, Uashington DC. Fitues i disa çmimeve, për 5 gazeta të kanalit kombëtar “Sun”, Kanada, për gazetën kryesore pakistaneze, “Dawn”; “Khaleej Times” – Dubai; “Gulf Times’’–Qatar. Analist në internet në www.foreigncorrespondent.com.
Drejtues i Jamieson Labs Ltd Kanada. Eshtë i njohur si një nga mbrojtësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare për lirinë Kosovës në shtypin ndërkombëtar sa ishte bërë tmerri i regjimit të Milloshevicit në Beograd. “Gjatë luftës së Kosovës, tregon Eric Margolis, serbët në Toronto u përpoqën të më vrisnin, por unë vazhdova të shkruaj dhe të punoj për median. Profesioni i gazetarit është pak a shumë si ai i luftëtarit që thoshte nëna ime. Guximi, qëndre sa dhe forca për ta thënë të vërtetën pa ndrojtje, janë ABC-ja e tij…”
Nga libri “Libohovitët e Amerikës”, nga Kolec P. Traboini
Pantheon Books Edition 2016.