
Komandant Tahir Sinani hyri në historinë më të re kombëtare shqiptare si oficer me përgatitje të lartë ushtarake, me një përvojë të lartë si ushtarak, me dije dhe njohuri të larta të fituara në Repartin e Zall-Herrit, me një përvojë të madhe të fituar në Ushtrinë shqiptare, si: Instruktor Stërvitjeje, Shef i Sektorit për Ndërhyrje të Shpejta, oficer i Kampit të Stërvitjeve në Tropojë, etj.
Tahir Mal Sinani lindi në Gri të Tropojës më 25 maj 1964, në një familje me tradita patriotike dhe atdhetare. Mësimet e para i mori në vendlindje, në Gri, ndërsa arsim e mesëm e mori në qytetin e Bajram Currit me rezultate shumë të mira. Ishte i zgjuar dhe shumë i interesuar për historinë e të parëve. Arsimin e lartë e kreu si ushtarak me rezultate shumë të mira. Pas arsimimit për oficer ai kreu me shumë sukses shumë detyra në ushtrinë shqiptare.
Pas rënjes heroike të Jasharëve, Tahir Sinani është ndër të parët që i përgjigjet luftës së lavdishme të UÇK-s, kundër pushtuesve serb. Më 28 nëntor 1998 i bashkohet UCK-s dhe hidhet në luftime kundër forcave serbe. Bëhet anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, drejton qendrën stërvitore dhe komandon njësitin special në Arbri. Ai dhe forcat e tij vepruan me sulme të rrufeshme mbi makinerinë fashiste serbe, duke mbrojtur popullsinë civile në shumë zona të Kosovës ku ai dhe UÇK-ja veproi.
Në periudhën më vendimtare të Luftës Çlirimtare, Tahir Sinani vepron dhe del në krye të Zonës Operative të Pashtrikut. Ai shquhet për mbrojtje të vijës Llapushnik-Berishë-Qafë Duhël. Në këtë zonë vepronte edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Më 12 qershor 1999 brigadat e kësaj zone hynë si çlirimtar në Prizren. Pas çlirimit të Kosovës, komandanti i UÇK-s Tahir Sinani, kreu disa detyra, si: Komandant i Qendrës së Stërvitjes dhe Doktrinës së UÇK-s, Komandant i Shkollës së Nënoficerëve të Akademisë Hamëz Jashari të TMK-së, etj.
Kosova u çlirua mirpo lufta vazhdonte në Kosovën Lindore. Tahir Sinani si patriot dhe luftëtar i orëve të para nuk mund të rrinte në “kolltuqe” komode që ja sigurinte detyra, nuk mund të bënte indiferentin, ndaj vendosi të shkonte në fillim pranë UÇPMB-s dhe më pas pranë UÇK-s në Maqedoni, duke u bërë promotor i tre luftërave tona çlirimtare. Në nëntor 1999, njësiti i tij special hidhet në fushat e betejës në Dobrosin, Bujanovc, etj.
Në qershor 2000 Brigada e tij 116 vendoset në zonën e Gostivarit. Zhvillon luftime në pranverë 2001 në shpatet e Sharrit dhe në Likovc. Në të gjitha betejat luftarake ai shquhet për guximim,trimëri, intuitë dhe profesionalizëm të lartë. Kudo që ai luftoi dhe militoi, fitoi respektin, admirimin, dashurinë dhe krenarinë e bashkëluftëtarëve të tij dhe të gjithë popullit. Pas tre luftërave të lirisë, Tahir Sinani bie në fushën e nderit më 29 korrik 2001, së bashku me bashkëluftëtarët: Hyrë Emini, Brahim Ademi, Isa Fazliu dhe Naser Ademi. Pas rënies heroike të tij, brigada 116 merr emrin e Tahir Sinanit.
Shtabi i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare i jep gradën “Gjeneral Brigade”. Eshtrat e Tahir Sinanit prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit. Komandanti Tahir Sinani, që kur ishte komandant i TMK-së, në vitin 1999, kishte lidhje me krerët kryesorë të UÇPMB-së në Luginë, dhe së bashku me disa shokë të tij, mori pjesë në shumë beteja dhe fronte lufte atje dhe dha një kontribut të madh në këtë luftë. Dhe, sërish u nis drejt fronteve të reja të luftës në Preshevë dhe rrethina të saj.
Por luftëtari i madh i lirisë dhe bashkëluftëtarët e tij, si aspirues të bashkimit kombëtar, nuk u mjaftuan me kaq, kësaj here ata i’u bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Vepruan kryesisht në Tanushë të Gostivarit, dhe disa zona të tjera të Luginës. Edhe këtu komandonte dhe ishte vetë i pari që merrte pjesë në aksionet më të vështira kundra shkjaut, armikut më të betuar të shqiptarëve gjatë historisë. Më 29 korrik 2001 bie në krye të detyrës vetë i pesti, gjatë aksionit për minimin e territorit të armikut.
Më 24 maj të vitit 2002, trupi i tij rivarroset në Varrezat e Dëshmorëve, në Landovicë. Ceremonia e varrimit qe madhështore ku morën pjesë shumë shokë dhe bashkëluftëtarë nga viset e Kosovës, Luginës, trevat e Maqedonisë, dhe Shqipërisë mëmë. Ai e meritonte një nderim të tillë pasi punoi, luftoi dhe dha jetën për idealin e tij, bashkimin kombëtar. Akti i Tahirit dhe bashkëluftëtarëve të tij, do të mbetet burim frymëzimi për brezat që do të vijnë…
Për Tahir Sinanin, janë thur vargje, këndohen këngë, janë bërë dokumentarë, është përjetësuar në buste, emra institucionesh, dhe është vlerësuar me dekorata dhe medalje nga institucionet shtetërore dhe shoqata atdhetare. Presidenti i Republikës e ka dekoruar dëshmorin Tahir Sinani, me medaljen “Adem Jashari”. Brigada 116 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, mori emrin “Tahir Sinani”. Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së e ka dekoruar me “Urdhrin Adem Jashari”. Këshilli i Bashkisë i qytetit Bajram Curri e ka vlerësuar me titullin “Qytetar nderi” i Tropojës. Po kështu Tahir Sinani ëshë vlerësuar me me “Dekorata” dhe “Mirënjohje”. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me dekret të shtatorit 2001, pas vdekjes i dha gradën “Gjeneral Brigade”.
Gjeneral major Rexhep Selimi, si bashkë luftëtar dhe komandant me Tahir Sinanin, i frymëzuar nga veprimtaria luftarake dhe atdhetare e Tahir Sinanit në këto tre luftëra, e përshkruan në vargjet e këngës: Tahir Sinani, ku ndër të tjera thuhet.
…Rruga jonë ka nis me shekuj
Shokë ju mos u ndalni
Nëse doni t’më kujtoni
Amanetin mbani
Unë jam veç një çlirimtar
Kështu m’deshti liria
M’kan pas thanë Tahir Sinani
Tash Tahir Shqipëria
Më mirë dhe më bukur nuk ka si ta përshkruaj autori veprën heroike të Tahir Sinanit dhe kontributin e tij dhe gjithë luftëtarëve të lirisë për çështjen kombëtare. Komandanti Tahir Sinani dhe gjithë dëshmorët e rënë, do të “apelonin”, sot:
● Të mbahet amaneti i tyre për bashkimin mbarëkombëtar.
● Të mbrohet me çdo çmim dhe të mos pranohet ndarja e Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve.
● Të mos lejohet nëpërkëmbja nga Serbia, e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe të ndalohet largimi apo dëbimi masiv e tyre nga viset shqiptare.
● Të respektohen të drejtat themelore shtetformuese të shqiptarëve në Maqedonin e Veriut dhe të respektohet Marrveshja e Kumanovës e nënshkruar nga palët.
● Ti thuhet jo “Ballkanit të hapur”, dhe të mos lejohet më, rikthimi tek ky plan famëkeq serb për shqiptarët.
Ibrahim Kabili
Tiranë, më 01.02.2025
I nderuemi Ibrahim Kabili!
Duke iu falënderuar z. Arben Çokaj, i cili moderon portalin “FJALA lirë” arrijmë gjërë të shkrimet e mirëfillëta. Shkrimi i juaj me titull: Tahir Sinani atdhetar i flaktë i çështjës kombëtare” më zgjojë kërshërinë të lexoj dhe ta rilexoj, dhe më bëri përshtypje, ndaj po jap këtë koment.
Po citoj fjalinë me të cilën ju theksoni se çfarë do të apelonin sot Tahir Sinani me giithë dhëshmorët:
Komandanti Tahir Sinani dhe gjithë dëshmorët e rënë, do të “apelonin”, sot:
● Të mbahet amaneti i tyre për bashkimin mbarëkombëtar.
● Të mbrohet me çdo çmim dhe të mos pranohet ndarja e Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve.
…
*
Ju lumt për shkrimin!
Respekt,
Ismet Hasani, Suedi
P.S:
Tashir Sinan lindi më 25 maj 1964, ra dëshmor, më 29 korrik 2001, në moshën 37 vjeçare.