Përktheu: Xhelal Zejneli
Bashkimi Evropian publikoi në uebfaqen e saj “Shtojcën e implementimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”
Teksti integral:
– Kjo Shtojcë është pjesë përbërëse e Marrëveshjes;
– Kosova dhe Serbia obligohen tërësisht që t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe të kësaj Shtojce dhe t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre, që dalin nga kjo Marrëveshje dhe nga kjo Shtojcë, në mënyrë ekspeditive dhe me mirëbesim;
– Palëve u bëhet me dije se Marrëveshja dhe Shtojca e implementimit do të jenë pjesë përbërëse e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe të Serbisë në BE. Palët njoftohen se BE-ja, menjëherë pas aprovimit të Marrëveshjes dhe të kësaj Shtojce, do të fillojë procesin e ndryshimit të kritereve për Kapitullin 35 për Serbinë, lidhur me detyrimet që rezultojnë nga Marrëveshja dhe nga kjo Shtojcë. Po kështu, edhe agjenda e Grupit special të Kosovës për normalizim, do t’i përmbushë detyrimet e reja që i ka Kosova, e që burojnë nga Marrëveshja dhe kjo Shtojcë.
– Palët janë dakord që ta pranojnë në mënyrë urgjente Deklaratën për personat e zhdukur, për të cilën është arritur marrëveshje në kuadër të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së;
– Për t’u zbatuar neni 7, Kosova menjëherë ndërmerr bisedime në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së, për përcaktimin e rregullimeve specifike dhe të garancive për sigurimin e nivelit përkatës të vetë-menaxhimit për bashkësinë serbe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet relevante paraprake që burojnë nga dialogu, që e ka përcaktuar ndërmjetësuesi i BE-së;
– Palët janë dakord që brenda 30 ditëve të formojnë një Këshill të përbashkët monitorimi, të cilin e kryeson BE-ja. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe do të mbikëqyret nga Këshilli i përbashkët i përcjelljes;
Për t’u zbatuar neni 9, brenda 150 ditëve BE-ja do të organizojë konferencë donatorësh në mënyrë që të krijohet pakoja investuese dhe financiare e ndihmës për Kosovën dhe për Serbinë. Ndihma nuk do të jepet, para se BE-ja të konstatojë se janë zbatuar plotësisht të gjitha dispozitat e Marrëveshjes;
– Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha pikat të zbatohen pavarësisht nga njëra-tjetra;
– Renditja e paragrafëve të kësaj Shtojce nuk e vë në dyshim renditjen e zbatimit të tyre;
– Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord se nuk do ta bllokojnë zbatimin e asnjë neni (pike);
– Të gjitha diskutimet lidhur me implementimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut që e zhvillon BE-ja;
– Kosovës dhe Serbisë u është bërë me dije se çdo mosrespektim i detyrimeve vetjake nga Marrëveshja, nga kjo Shtojcë apo nga marrëveshjet paraprake që kanë dalë nga dialogu, mund të ketë pasoja negative të drejtpërdrejta për proceset e tyre të aderimit në BE dhe për çështjen e ndihmës financiare që e marrin nga BE-ja.