Anton Nikë Berisha
Rreth përmbledhjes “Psherëtimë ëndrrash” të Hasan Muzli Selimit, botoi “Beqir Musliu”, Gjilan 2023
Në poezinë e Hasan Muzli Selimit, të zgjedhur nga tetë libra dhe të përfshirë në këtë përmbledhje – “Psherëtimë ëndrrash”[1], veçohen dy mënyra kryesore të shqiptimit të dukurive. Të parin e bëjnë poezitë e llojit “Varri banesë apo…”, “Përrallë ose mistikë”, “Me ujqërit përzihem”, ndërsa të dytin ato të llojit “Bjeshkët e Nemuna”, “Rozafa”, “Gjergji Skënderbe”, “Gjakovën e due”, “Mbështillem në flamur”, “Krojet e Ali Pashës”. Është edhe lloji i poezive që qëndrojnë në mes tyre si “Dashuri dhe ankesa”, “Bjeshkët”, “Lutja”, “Dashuro”, “Rrugë e mal bashkë”, “Pushtim”.
Në disa nga këto poezi të këtij libri shqiptohet realiteti konkret (“Vargu im t’i ngjajë jetës”)[2], ndërsa në të tjerat përligjet realiteti përfytyrues, imagjinativ. Në të vërtetë, autori e përfton një realitet ku njësohen e shkrihen veçantitë e të dy realiteteve të përmendura. Ky përcaktim dhe kjo mënyrë e të shprehurit nuk bëhet për të mohuar njërin prej realiteteve, por për t’i shqiptuar më thellësisht dhe në një përmasë më shumësore. Gjithë kjo lidhet dhe me faktin se arti dhe natyra përbëjnë një pafundësi përbërësish dhe ato nuk zbulohen asnjë herë krejtësisht[3]. Pra, në disa poezi shqiptimi i dukurive të jetës konkrete (brenda kësaj dhe Malësia dhe malësori) është më i dukshëm e më përfillës, ndërsa në të tjerat lartësohet bota e ëndrrës si realitet më i pasur dhe më i ndërliqshëm.
Përmes realitetit që e përfton poeti, shprehen dhe ballafaqohen dukuritë dhe mendimet në një formë kundërvënëse dhe kundërshtuese, gjë që përkon me qenësinë e shpirtit, mënyrën se si ai i vëren dhe i përjeton ato. Shpesh shqiptohet e pamundshmja dhe e parëndomta: “Me yllin e mëngjesit ndezi zjarrin në votër” (Bjeshka në sy); “Bjeshka ime e dlirë, në gjumë e vë diellin” (Bjeshka në sy); “Kulloj detet n’gërsheta vajzash të gjej kripë“ (Kulloj detet); “Gjeta në derë kohën e harrueme” (Më erdhi pa kuptuar); “Pyjet e blerta i kullot në sytë e tu” (Endacakja); “Nën plisat e shprishun kërkova eshtna, / gjymtyrët lëviznin me muskuj të këputur” (I tremben lutjes); “buzëqeshjen e therin me lotin e harruem” (Kujtim dhe dashuri); Fjala ime me plagë malli përzier, / deri në diell (Bisedë me fjalën); Në shtretërit gjethe lisash dergjet pritja (Gjëmim fëmije).
Pra, poeti i shqipton hijet, mugëtirën, shqetësimin, pakënaqësinë, dëshpërimin (dëshpërimin tonë të përjetshëm, siç thuhet në veprën e Balzakut “Kryevepra e panjohur”)[4]. Këtë e përligjin disa poezi dhe pamje të rralla, që dëshmojnë vlerën kryesore të poezisë së Hasan Muzli Selimit. Me fjalë të tjera, poezia e tij është shprehje e asaj që ndodh brenda vetë poetit, që e bën botën e tij të brendshme, me të gjitha virtytet, veset dhe trazimet që barten në tekst si qenësi gjuhësore poetike.
Atje poshtë në luginë më presin ujqërit e dimrit,
nën hijen e hënës që më shikon;
pranvera çdo vit gdhend trupin tim
mbështjellë egërsisht me mantelin e vdekjes.
(Me ujqërit përzihem)
* * *
diellit i këput rrezet,
që të thur çorape
(Ti më prit, unë jo)
Trazimi dhe tragjika herë – herë marrin përmasë të ndjeshme, shqetësuese; lidhen para së gjithash me paradokset dhe shëmtitë e jetës, me të keqen te njeriu.
Më duhet një gur ta qëlloj hënën
në dritë të syrit
rreze kurrë të mos ketë.
(Kërkoj mjete të arrij atje)
* * *
arrnon borën me rrezen e synit.
Dimrit qëndis fusha, male, balli i saj,
në vjeshtë lulet ia ruan pranverës
(Arrnon borën me rrezen e synit)
* * *
Shtrojë kemi ba retë e bardha;
Shiut dhe borës u kemi thënë parfum.
(S’është baladë)
Autori i kushton kujdes sidomos fjalës, përftimit të tekstit, si qenësi e artit të fjalës, edhe e poezisë; përmes gjuhës, të shprehurit, ai e ndërton botën përkatëse poetike, që është sa e pasur, aq dhe komplekse.
Sillem e sillem,
kam marrë kahmos fjalë;
tretun i kam
në pusin e mjerimit.
(Fjala dhe puna)
Një realitet të veçantë dhe poetikisht të ngritur autori e përfton kur i qaset dhe e shqipton botën e ëndrrës, nga se ajo i mundëson paanësinë e pakufishmërinë e të shprehurit. Pra, qenësia dhe funksioni i ëndrrës në tekstin e këtyre poezive bëhet i shumëfishtë; janë pamje sa kuptimisht shumësore, aq dhe tronditëse.
Lexoj e shkruaj andrra ditë për ditë
pikojnë andrrat si strehët e shtëpisë,
nganjëherë zgjaten deri në tokë,
akuj a dhëmbë krokodili, nuk e di.
(Andërr e hanë)
* * *
Ëndrra futur në ëndrrën time të kahershme
përzier lamsh as fillim, as fund.
Lodrojnë në lëndinat e blerta dhe arat me grurë.
[…] Kam djeg në ëndërr gjarpër e shtrigë,
mitit i kam dhënë një fre të kalit të bardhë,
me të kam kalue male me vetëtima.
N’ditë vjeshte, n’shi, n’breshër.
(Në ëndërr jam)
Në pjesën më të madhe të poezive të këtij vëllimi zbatohet parimi i antitezës dhe i kontrastit; teksti përftohet kryesisht në bazë të parimit dritë – hije, bukuri – shëmti, i njohur te poetët e të gjitha kohëve; ato cilësohen me frymëmarrje e gjerë; poeti u kthehet rrënjëve, traditës, gjithë asaj që e cilëson botën që i përket dhe njerëzve të saj, po dhe dukurive nga më të ndryshmet, që shprehen në një marrëdhënie ballafaqimi e kundërvënie, edhe veprimet e pashpjegueshme të njeriut të kohës së tij; psherëtimat, ligësitë, pësimet.
Përmes tekstit poetik Hasani gjakon të rrokë frymën, shpirtin dhe fizionominë e sendeve dhe të qenieve[5]; të jetë sa më i mëvetësishëm në qasjen, në perceptimin e tyre dhe të shprehurit poetik modern; ai e kërkon fjalën përkatëse për të shprehur njëmendësinë (realitetin) në mënyrë sa më të natyrshme: “Mendoj fjalën që më duhet”, që bëhet dhe qëllim kryesor. Poeti ka mësuar nga krijuesit paraardhës, po synon të jetë i veçantë:
këndova prej tij fjalë,
që dikush s’pati thanë,
nga të mëdhenjtë e deri tash.
(Poeti dhe fjala)
Pikërisht kërkimi i fjalëve dhe i shprehjeve e lidh poetin me të bukurën; vetëm ajo i shkakton kënaqësi “lidhem pas kënaqësisë / prej fjalës, hijeshisë së saj”. Fjala për të është edhe heshtje: Fjalës sime pikon heshtja.
Herë – herë autori përfton pamje (tablo) që cilësohen nga shkëputje, nga copëza, që edhe afrohen, edhe kundërvihen, po megjithatë lënë përshtypjen e mozaikut të larmishëm[6]. Si të tillë perceptohen në mënyra të ndryshme nga secili marrës (shih poezitë “Flakë dhe ngjyra” ose “Valë e zjarr”) dhe gjendja përkatëse shpirtërore.
Edhe vdekjen poeti ynë e percepton dhe e shpreh në mënyrë të mëvetësishme; të vdesësh ishte dikur, sikur theksonte W. Banjamini, një proces publik në jetën e një individi dhe më shembullori, ndërsa gjatë kohës moderne, akti i vdekjes është larguar gjithnjë e më tepër nga perceptimi i njerëzve të gjallë[7] ose vështrohet si diçka e kobshme, siç ngjet dhe në disa poezi të këtij libri:
Thikën në dorë veten ta ther,
pjesë-pjesë trupin t’ia heq,
(Thikën vetes)
* * *
Unë desha të kapem me vdekjen
(Dua të kapem me vdekjen)
Të këtij rrafshi dhe të kësaj cilësie, si vlera poetike, janë dhe poezitë kushtuar, thënë figurativisht, rrënjëve si, fjala vjen, “Bjeshkët e Nemuna”, “Rozafa”, “Gjergji Skënderbe”, “Mbështillem në flamur” si dhe ato për dashurinë (në kuptimin e gjerë të fjalës).
Në përmbyllje mund të them se poezia e Hasan Muzli Selimit e përfshirë në këtë zgjedhje i ka ato vlera poetike që do të mundësojnë komunikim me lexuesin e sotëm e të nesërm.
Prishtinë, mars – prill 2023
[1] Poezitë për këtë përmbledhje i zgjodha nga librat e Hasan Muzli Selimit: “Hije dheu”. Poezi. Tiranë, 2015; “Shpirtit i betohem”. Poezi. Tiranë, 2017; “Mite deri përtej”. Poezi. Tiranë, 2017; “Unë dhe Fjala”. (Poezi). Tiranë, 2017; “Hereoglife në muzg”. Poezi. Tiranë, 2018; “Ditën n’Diell e Hanë”. Tiranë, 2020; “Ëndërr e fjetur”. Poezi. Tiranë, 2021 dhe “Kurorë n’qiell”, Poezi, Tiranë 2022.
[2] Shih Hasan Muzli Selimi, Kurorë n’qiell, Poezi, Tiranë 2022, f. 153.
[3] Honoré de Balzac, Kryevepra e panjohur. Përktheu nga origjinali Krenar Zejno. Botimet Zenit, Tiranë 2011, f. 65.
[4] Honoré de Balzac, Kryevepra e panjohur, vep. e përm., f. 33.
[5] Honoré de Balzac, Kryevepra e panjohur, vep. e përm., f. 33.
[6] Një parim të ngjashëm poeti e zbaton edhe në rrafshin gjuhësor: herë përdor të shprehurit dialektor, duke përdor shprehje të lashta e të rralla, herë të shprehurit të gjuhës standard. Kjo ndodh jo vetëm brenda një poezie, po dhe brenda një vargu.
[7] Walter Benjamin, Narratori. Reflektime mbi veprën e Nikolai Leskovit. E përktheu nga origjinali gjermanisht Ervin Lani, Zenit Editions, Tiranë 2021, f. 32.