Shaqë Tusha, ka vdekur më 1964, në Turjake
Pjesë nga libri në dorëshkrim për Turjakën e Zatriqit, mahi e mesele
Mulla Sherifi e bante pushkën pa shul*).
Mulla Sherifi ish kân hoxhë, burrë i meçum dhe i k’nushëm*). Kah shkonte e bante ni pushkë pa shulë, kallxonte*) baba Imer.
Kur e vetshin Mulla Sherifin:
– Pse hoxhë pe man pushkën pa shul për s’râni*)?
– Për t’meçmit s’më vyn*) pushka e budalla kur ta sheh pushkën, ai tutet se nuk e din qi âsht pa shul, përgjigjej mulla Sherifi.
Ramazanin Zoti e ka lân vetëm për sheher
Kishin nie do shki*) qi mulla Sherifi âsht i dishëm dhe dalin e ja zânë udhën qi kah t’vjen hoxha t`ja gjâjnë ni vegzë*) e ta rrehin. E vesin hoxhën:
– Hoxhë, pse met Ramazani?
– A po, Ramazani ka met veç për sheher*), n’katunet, Dollc e Dersnik*), nuk ka ramazan.
Edhe n’taravi s’kam mujt me shku mu falë, jam kânë s’mut
N`familjen tonë, baca Dulë ish pas hi n’parti*), në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë (LKJ). Por nuk shkonte rregullisht në konfereca që i mbanin bukur shpesh partia. Nuk ish kânë as në dy konferencat e funit të partisë e sekretari i partisë, ish kânë Ali Meta i Met Jeminit, mahalla e Vogël. Ai ish pas ardhë me e dit e vet bacën Dulë pse nuk pa vjen në mledhje.
– Dulë, pse nuk je kânë në mledhje?
– O Vallahi jam kânë smut, as në taravi*) nuk kam mujt me shku.
– Pse, a edhe n`taravi pa shkon a?
Kur e marrin vesh qi baca Dulë pa shkon n`taravi mu falë e përjashtojnë nga partia
Bacën Dulë askush s’ka mujt me zâ ngusht por ”partia” e kish pas ”zânë” se i kishin pas hup hajmalitë*).
Januz, t’ka bâ sukses Jemini
Zeqa, vëllai jem e kish pas zatetë*) Jeminin, djalin e Sahit Jeminit nga mahalla e Vogël, moshatar e shok klase i Januzit*). Kur ndahen Jemini i thotë Zeqës:
– Baca Zeqë, bâni t’fala Januzit!
Zeqa kur vjen në sh`pi harron qysh i ka thânë Jemini e pi thotë Januzit:
– Januz, t’ka bâ sukses*) Jemini.
Ndashin ne ta han gjâja sanën tash, n’verë, ndashin ne ta lânë për dimen, për veti e kanë!
Hamid e Shaqë Tusha janë kânë vllazën, djemtë e Hamzës, djalit të Ali Agës por në Turjakë, Hamzës i kanë thânë Tushë.
Tusha i kish pas dy djem e dy qika. Hamdi ishte ma i madhi e Shaqa ma i vogli djalë. Hamidi nuk punonte asgjâ ndërsa Shaqa i kryente të gjitha punët e sh`pisë, i kqyrte gjâen, punonte tokën, shkonte në mal për dru, në mulli e Hamidi veç i sillej hijes së dudit, rreth e rreth n`midis t`aboritt, kur ish nxet*), i m`shonte çitelisë e bishnicave*).
Një ditë kur axha Shaqë vjen pi arave që kish punu gjithë ditën e ish lodh, Hamidi si e sheh Shaqën që hini në aborr i thotë:
– O ngâj Shaqë*) se gjâja janë hi n’lâmë e pe hanë sânën*)!
Shaqa, qysh ish i lodhun ia kthen Hamidit:
– O Hamid, loptë n’dashin ne ta hajnë sânën tash, n’verë e n’dashin ne ta rujnë për dimen, për veti e kanë.
S’di qysh do ti fshim sivjet grunet
Kish pas ra ni borë e madhe në Turjakë, më 1954 e axha Shaqë*) kish pas thânë:
– A mun jarabi, nuk dim qysh do ti korrim e fshimë grunet*) sivjet pi borës s`madhe?
Fjalorth me fjalë e shprehje të rralla
*) Pushkë pa shul, Shul, vendi ku vendosen fishekët, karikatorët.
*) I k’nushëm, i dishëm, i shkolluar, me mejtep, me shkollë
*) Kallxonte, tregonte
*) Për s’râni, e bânte për së râni, rëndi sepse nuk do ti hynë punë, nuk do ta ndihmonte, nuk do ti gjendej, ishte pa shul.
*) s’më vyn, nuk më duhet.
*) Shki, shka, sllav, serb, përdorët edhe si nënçmim
*) T’ja gjâjnë ni vegzë, shrehje popullore, kur dikush gjen ose ka një arësye më shumë për të vepruar.
*) Sheher, qytet
*) Dollc e Dersnik, katunet Dollc e Dersnik, të komunës së Klinës ishin me popullsi serbe të besim ortodoks, ata nuk e mbajnë ramazanin, nuk agjërojnë.
*) Me hi n’parti, me u pranua antar i LKJ-së, zgjidheheshin ata që ishin besnikë të sistemit jugosllav.
*) Mi faë taravitë, Taravirtë janë një nga vaktet e namazit. Mas faljes së namzit të akshamit falet namazi i jacisë dhe teravia, bashkë vetëm në muajin e Ramazanit.
*) HAJMALI f. vjet.
Send i vogël, që e mbanin njerëzit me vete ose që u varej kafshëve, sepse, sipas besimeve të kota, gjoja kishte fuqi t’i shëronte nga sëmundjet, t’i mbronte nga rreziqet e fatkeqësitë, t’u sillte mbarësi etj. Varnin hajmali. E mbante si hajmali. Hoxhët bënin hajmali. I hoqën hajmalitë.
*) E kishin ”zânë” se i kishin pas hup hajmalitë, thuhet për njerëzit e zotët por që jo gjithëherë kanë sukses
*) Zatetë, takua
*) Januzi, është djalë i axhës i Reshitit. Ishte kryetar i LDK-së në Malishevë, deputet i Kuvendit të Kosovës, e drejtor i Gjimnazit në Malishevë disa vjet.
*) T’ka bâ sukses Jemini, në vend të: Të ka bërë të fala, åërshendet
*) Kur ish nxet, koha, mesi i ditës
*) Im`shonte çitelisë e bishnicave, luante me çifteli e n`rrojsa
*) O ngaj Shaqë, ngutu, vrapo!
*) Janë hi gjâja n’lâmë e pe hanë sânën, Lâmë, ’eshtë vendi ku e lânë ushqimin e kafshëve
*) Axha Shaqë, djali i vogël e Tushës, hajgaregjiu më i njohur i Turjakës dhe asaj ane
*) Korrim e fshimë grunet, grunet i korrnim me drapër e i fshinim me kuaj, ki, në lâmë. Në mes ishte e ngulnin një mullar e silleshin rreth mullarit duke e shkelur grunin.
Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 20 janar 2024
siankastrati09@hotmail.com