
Xhelal Zejneli
Shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ato që s’e kanë njohur
Më 17 shkurt 2008, në një seancë të jashtëzakonshme ceremoniale të Parlamentit, Kosova e shpalli pavarësinë e saj. Për deklaratën e pavarësisë votuan të 109 përfaqësuesit e pranishëm. Po atë mbrëmje, qeveria e Serbisë mori vendim për anulimin e asaj deklarate si një “akt i paligjshëm i institucioneve të përkohshme në Prishtinë”. Më pas thirri një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Serbisë. Ajo u mbajt më 18 shkurt. Për ta konfirmuar vendimin e Qeverisë për anulimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës votuan 225 deputetë. Abstenime ose vota kundër nuk pati. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike Liberale, të Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës dhe të Partisë së Hungarezëve të Vojvodinës nuk votuan.
Pjesa më e madhe e vendeve perëndimore e mbështetën pavarësinë. Rusia dhe Kina e dënuan shpalljen e pavarësisë. Vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës ishte Kosta-Rika. Pasuan njohjet nga Afganistani, ShBA-ja, Franca, Britania e Madhe, Shqipëria dhe Turqia.
Vendet si Greqia, Rumania, Sllovakia, Bosnja dhe Hercegovina, Kina, Brazili dhe Rusia nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, por e kanë njohur pasaportën e saj si dokument të vlefshëm udhëtimi.
Shënim: Të dhënat janë të datës 8 qershor 2018. Janë përditësuar më 21 nëntor 2019.
* * *
Kosova e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008. Deri më 26 mars 2025, Kosova u njoh si shtet i pavarur prej 105 shteteve, anëtare të Kombeve të Bashkuara, nga gjithsej 193 shteteve anëtare. Me fjalë të tjera, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 54.4% e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Prej 27 shteteve anëtare të BE-së, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 22 sish. Kjo përbën 81.5% të vendeve anëtare të BE-së. Prej 32 shteteve anëtare të NATO-s, Kosovën e kanë njohur 28 sish. Kjo përbën 87.5% të anëtare të saj. Nga dhjetë anëtarë të ASEAN-it, Kosovën e kanë njohur vetëm katër shtete. Kjo përbën 40% të anëtarëve të tij. Nga 57 anëtarë të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Kosovën e kanë njohur 34 shtete. Kjo përbën 59.6%.
Ndër vendet anëtare të G-20, 11 prej tyre (Australia, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Koreja e Jugut, Arabia Saudite, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja) e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, ndërsa 9 prej tyre (Argjentina, Brazili, Kina, India, Indonezia, Meksika, Rusia, Afrika e Jugut dhe Spanja) nuk e kanë njohur.
* * *
Sipas të dhënave të qershorit të vitit 2021, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur:
Shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara:
Shënim: Vendet në tabelë, të shënuara me yll (*), sipas propagandës serbe e kanë tërhequr njohjen!
Çnjohja e pavarësisë së Kosovës – Askush nuk e di saktë se sa vende e kanë çnjohur pavarësinë e Kosovës. Sipas Beogradit, bëhet fjalë për 15 shtete. Ka burime në Serbi që thonë se pavarësinë e kanë çnjohur 27 apo 28 shtete. Sipas autoriteteve të Prishtinës, Kosova njihet prej 117 shteteve. Ka burime në Kosovë që thonë se ajo njihet prej 120 shteteve të botës. Ka burime që thonë se Kosovën e kanë çnjohur jo më shumë se tetë shtete.
Shënim: Më 8 dhjetor 2018 kryetari i Serbisë Vuçiq, ironizon deklaratën e ambasadorit amerikan në Prishtinë i cili ka deklaruar:
“Amerika është edhe nënë edhe baba i Kosovës”.
Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur edhe shtetet apo entitete të tjera, si:
| Shteti/Entiteti | Data e njohjes | |
| 1 | Tajvani | 19.02.2008. |
| 2 | Ishujt Kuk (The Cook Islands ose në gjuhën māori: Kūki ‘Āiran | 15.05.2015. |
| 3 | Niue | 23.06.2015. |
Shënim: Niue është vend ishullor vetëqeverisës. Është në union të lirë me Zelandën e Re. Ndodhet në oqeanin Paqësor Jugor dhe është pjesë e Polinezisë.
* * *
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës e ka të publikuar listën e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Sipas propagandës serbe, shtetet e poshtëshënuara e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
| Shteti | Data e njohjes | Data e tërheqjes | |
| 1 | Surinami | 08.07.2016. | 27.10.2017. |
| 2 | Burundi | 16.10.2012. | 15.02.2018. |
| 3 | Papua Guineja e Re | 03.10.2012. | 05.07.2018. |
| 4 | Lesoto | 11.02.2014. | 16.10.2018. |
| 5 | Komoret | 14.05.2009. | 01.11.2 018. |
| 6 | Dominika (jo Republika Dominikane) | 11.12.2012. | 02.11.2018. |
| 7 | Grenada | 25.09.2013. | 04.11.2018. |
| 8 | Ishujt Solomon | 13.08.2014. | 28.11.2018. |
| 9 | Madagaskari | 24.11.2017. | 07.12.2018. |
| 10 | Palau | 06.03.2009. | 17.01.2019. |
| 11 | Togoja | 11.07.2014. | 28.06. 2019. |
| 12 | Republika e Afrikës Qendrore | 22.07.2011. | 24.07.2019. |
| 13 | Gana | 23.01.2012. | 07.11.2019. |
| 14 | Nauru | 23.04.2008. | 13.11. 2019. |
| 15 | Sierra-Leone | 22.06.2008. | 02.03.2020. |
Kosova është anëtare me të drejta të plota e shumë institucioneve të rëndësishme rajonale, financiare dhe sportive. Është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, (IMF) dhe e Bankës Botërore. Është anëtare vepruese e Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe e Këshillit për Bashkëpunim Ndërkombëtar (RCC). Në lëmin e sportit është anëtare me të drejta të plota e Këshillit Olimpik Ndërkombëtar (MOO), UEFA-s, FIFA-s, e Federatës Basketbolliste Ndërkombëtare (FIBA). Në lëmin e sigurisë dhe të drejtës, është anëtare e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim. Vepron si partnere në shumë projekte dhe misione evropiane. Në maj të vitit 2016, Kosova u bë anëtare me të drejta të plota të UEFA-s dhe të FIFA-s.
Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ((WHO), as UNESCO-s
* * *
VENDE ANËTARE TË OKB-SË QË NUK E KANË NJOHUR PAVARËSINË E KOSOVËS:
Algjeri, Angola, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Butani, Bolivia, Bosnja dhe Hercegovina, Bocuana, Brazili, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kili, Kina, RD e Kongos, Republika e Kongos, Kuba, Qiproja, Ekuadori, Guineja Ekuatoriale, Eritreja, Etiopia, Gjeorgjia, Greqia, Guatemala, India, Indonezia, Irani, Iraku, Xhamajka, Kazakistani, Koreja e Veriut, Kirgizia, Laosi, Libani, Mali, Mauriciusi, Meksika, Moldavia, Mongolia, Maroku, Mozambiku, Mianmari, Namibia, Nepali, Nikaragua, Nigeria, Paraguai, Filipinet, Rumania, Rusia, Ruanda, Shëm-Vincenti dhe Grenadinet, Sao-Tomé-e-Principe, Serbia, Sejshelet, Sllovakia, Afrika e Jugut, Sudani i Jugut, Spanja, Sri-Lánka, Taxhikistani, Trinidad-e-Tobago, Tunizia, Turkmenia, Uganda, Ukraina, Uruguai, Uzbekistani, Venezuela, Vietnami, Zambia, Zimbabve (75 shtete).
VENDET ANËTARE TË BE-SË QË NUK E KANË NJOHUR PAVARËSINË E KOSOVËS: Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia, Rumania. Këto vende, me përjashtim të Qipros, janë njëherazi edhe anëtare të NATO-s.
VENDET QË I KANË NJOHUR PASAPORTAT E KOSOVËS – Vendet që e kanë njohur zyrtarisht pasaportën e Republikës së Kosovës si dokument të vlefshëm udhëtimi për hyrje në vend, megjithëse nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur: Greqia, shtator 2008; Rumania, tetor 2008; Sllovakia, tetor 2008; Bosnja dhe Hercegovina, mars 2012; Kina, 2012; Brazili, gusht 2015; Rusia, gusht, 2015.
PAVARËSINË E KOSOVËS E KANË NJOHUR VENDE QË NUK JANË ANËTARE TË OKB-së – Tajvani më 19 shkurt 2008; Ishujt Kuk (Cook) më 18 maj 2015; dhe Niue më 23 qershor 2015.
Pavarësinë e Kosovës e kanë mbështetur edhe faktorë të rajoneve autonome dhe lëvizje separatiste: Beluçistani, Qeveria Baske, Katalonja, Administrata Qendrore e Tibetit (qeveria në mërgim). Në qershor të vitit 2008, në faqen e internetit të Administratës Qendrore të Tibetit u botua një artikull ku thuhej:
“Po qe se Kosova ka të drejtë për pavarësi, atëherë edhe Tibeti ka shumë të drejtë të bëhet shtet i pavarur, kurse tibetanët kanë të drejtë të plotë për vetëvendosje”.
Në prill të vitit 2010, udhëheqësi shpirtëror i budizmit tibetan, Dalaj Lama i 14-të, emri i vërtetë Tenzin Gyatso, (lindi në Taktser, Tibet, 1934- ), atëherë autoritet i përbashkët ekzekutiv i qeverisë në mërgim, i dërgoi telegram urimi kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit (1968- ), ku e shprehte kënaqësinë e tij për pavarësinë e Kosovës dhe lutjet që shteti demokratik i Kosovës të bëhet model për t’u ndjekur nga të tjerët. Pavarësinë e Kosovës e kanë mbështetur edhe Republika Çeçene e Içkerisë (qeveria në mërgim), Turkestani Lindor (qeveria në mërgim), Mexhlisi i Popullit Tatar të Krimesë.
SHTETE DHE ENTITETE QË NUK E KANË NJOHUR PAVARËSINË E KOSOVËS: Abhazia, Selia e Shenjtë, Qiproja Veriore, Palestina.
Qëndrimi palestinez lidhur me pavarësinë e Kosovës: Në shkurt të vitit 2008, dy zyrtarë të lartë palestinezë të cilët e përfaqësonin qeverinë e Mahmud Abazit (Mahmoud Abbas, 1935- ) në Bregun Perëndimor, të cilët kanë qenë edhe pjesë e ekipit që zhvillonte bisedime me Izraelin, nuk u pajtuan që ngjarjet e Kosovës të barazoheshin me Palestinën. Jaser Abed Rabo (Yasser Abed Rabbo; Jafa, Tel-Aviv, Izrael, 1945- ) tha:
“Nëse gjërat nuk po shkojnë në drejtim të negociatave të vazhdueshme dhe serioze, atëherë duhet të bëjmë hapin dhe të shpallim pavarësinë tonë në mënyrë të njëanshme. Kosova nuk është më e mirë se ne. Ne e meritojmë pavarësinë edhe para Kosovës dhe e kërkojmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian për pavarësinë tonë”.
Saeb Erekat (Lindi në Jerusalemi Lindor, Palestinë, 1955- ) deklaroi se Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP) e kishte shpallur pavarësinë qysh në vitin 1988.
“Tani na duhet pavarësi e vërtetë dhe jo një deklaratë” tha Erekat. “Na duhet pavarësi e vërtetë për t’i dhënë fund pushtimit. Ne nuk jemi Kosovë. Ne jemi nën pushtimin izraelit ndaj na duhet që ta fitojmë pavarësinë”.
Në shtator të vitit 2011, gjatë konferencës së ministrave të Punëve të Jashtme të Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara në Beograd, ambasadori palestinez në OKB, Rijad Mansur (Riyad Mansour; Ramallah, 1947- ), deklaroi: “Palestina është pushtim tipik i huaj që nuk mund të krahasohet me çështjen e Kosovës, siç vërtetohet nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga OKB-ja”.
Ambasadori palestinez në Beograd ka deklaruar vazhdimisht se Palestina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se e respekton Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Zyrtarët diplomatikë palestinezë kanë theksuar vazhdimisht se “çështja e Kosovës është çështje e brendshme e Serbisë” dhe se “çështja palestineze nuk mund të barazohet me çështjen e Kosovës”.
Ambasadori palestinez ka theksuar vazhdimisht: “Ne palestinezët e respektojmë tërësinë tokësore të Serbisë: Kosova ka qenë gjithmonë pjesë e Serbisë. Serbia, ndryshe nga Izraeli, nuk e ka pushtuar kurrë Kosovën”.
* * *
Pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur entitetet si: Republika Sahravi (SADR), Somalilandi, Osetia Jugore dhe Transnistria.
Republika Sahravi (SADR) nuk e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ndonëse ka marrë njohje si shtet prej 40 vendeve, anëtare të OKB-së. Somalilandi nuk e njeh Kosovën. Në arenën ndërkombëtare kjo zonë njihet si rajon autonom brenda Somalisë. Pavarësinë e Kosovës s’e njeh as Osetia Jugore. Shpesh e përmend Kosovën si precedent Njihet si shtet i shkëputur nga një numër i vogël vendesh. Kosovën s’e njeh as Transnistria. Ky entitet i vetëshpallur mbështetet nga Rusia. Nuk ka ndërmarrë ndonjë akt zyrtar për njohjen e Kosovës.
* * *
POPULLSIA E KOSOVËS – Sipas të dhënave të vitit 2016, Kosova ka rreth 1,907.592 banorë. Popullsia e saj është me moshë më të re në Evropë. Vlerësohet se fertiliteti apo lindshmëria është 2.4 fëmijë për grua. Përpos shqiptarëve, banorë të Kosovës janë edhe serbët, boshnjakët, goranët, romët, turqit, ashkalinjtë, egjiptasit.
Historia demografike e Kosovës përfshin periudhën e historisë së njohur të Kosovës që nga lashtësia deri në ditët tona. Në antikë, në Kosovë kanë jetuar ilirët, keltët dhe trakët. Në mesjetë, vijnë në Kosovë serbët. Popull shumicë në Kosovë janë shqiptarët.
Regjistrimi i vitit 2011 – Sipas regjistrimit të vitit 2011, Kosova kishte 1,739,825 banorë, pa i përfshirë serbët që jetonin në komunat Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe në pjesën veriore të Mitrovicës. Serbët e këtyre komunave e bojkotuan regjistrimin. Nga popullsia e përgjithshme, 1,617,000 ose 92.93% ishin shqiptarë, 27,000 ose 1.58% boshnjakë, 26,000 ose 1.47% serbë (pa i përfshirë serbët e 4 komunave të sipërthëna) dhe 19,000 ose 1.08% turq. Përveç në komuna e lartpërmendura në veri të Kosovës, serbët jetojnë edhe në komunat Graçanicë, Novobërd, Partesh, Shtërpce, Kllokot-Vërbovc, Ranilug dhe në fshatin Gorazhdevc pranë Pejës.
Në fshatin Janjevë kanë mbetur vetëm rreth dyqind kroatë, kryesisht të moshuar. Sipas regjistrimit të vitit 1991, 59.6% e popullsisë së Janjevës kanë qenë kroatë. Shumica u shpërngulën në Kroaci. Në fshatin Letnicë ka rreth 4.000 kroatë. Në komunën e Dragashit, rreth 40% e popullsisë janë goranë. Në Prizren jetojnë 8.000 boshnjakë.
Pakicat kombëtare në Kosovë përbëjnë rreth 8.4% të popullsisë. Popull shumicë janë shqiptarët me 91.6%. Serbët përbëjnë 2.3% të popullsisë, boshnjakët 1.69%, turqit 1.22%, romët 0.55%, ashkalinjtë 0.46% egjiptasit 0.34%, goranët 0.07%.
Sipas regjistrimit të popullsisë të kryer prej 5 prill 2024 deri në 24 maj 2024, Kosova ka 1,586,659 banorë rezidentë. Shifrat e publikuara përfshijnë vetëm banorët vendorë, jo edhe diasporën. Sipas regjistrimit të popullsisë të kryer në pranverë të vitit 2011, në Kosovë, pa veriun, ka pasur 1.739. 825 banorë rezidentë. Prej tyre, 92.93 % kanë qenë shqiptarë. Pjesën tjetër e përbënin pakicat: boshnjakët – 1.58%, serbët (pa ata të veriut) – 1.47 %, turqit – 1.08 % etj. Regjistrimi i popullsisë nuk e përfshiu rreth një të tretën e qytetarëve të Kosovës që vlerësohej se jetonin dhe punonin jashtë vendit. Me fjalë të tjera, numri i popullsisë së Kosovës ishte më i madh. Po të ishte përfshirë në regjistrim edhe veriu i Kosovës, përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë. Në veri të Mitrovicës dhe në tri komuna e tjera veriore – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre të autoriteteve të Kosovës, kanë jetuar rreth 40 mijë serbë.
Sipas rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë, numri i boshnjakëve është 26,841 (1.69% e popullsisë), i turqve është 19,419 (1.22%), i ashkalinjve është 16.324 (1,02%), i egjiptasve është 10.733 (0,67%), i goranëve është 9.351 (0,58%), i romëve është 8,730 (0.55%).











