Njikshtu si “ky”, keni me dalë edhe ju t’tjerët prej ktu…

0
352
Filip Logoreci

Nga Pjetër Logoreci

…Cili është Filipi, ulëriti gardjani me ton brutal prej komunisti fanatik jugor, … ngrehu të marrësh ushqimin që solli familja…
I burgosuni në fjalë, Filipi, ishte djali i shtatë i familjes së Logorecve, që sapo mbaroj gjimnazin ra viktimë e sigurimit komunist, tuj e burgosë për ndeshkim të asaj çka i vëllau Antoni flitte çdo natë në Radio Londra kundër regjimit. Çdo ditë ma shumë ja shtërngojshin prangat djaloshit të ri, tuj i kujtue “trillimet” e të vellaut kundër partisë deri sa gjymtyrët ju gangrenizuen dhe doktori i burgut “u detyrue” me ja kput cung, tuj e lanë pa krahë, e pa njenen kambë që ja “griu” tuberkulozi i kocave.

… Ai nuk mund të ngrihet, zotni komandant, u ndigjue nji za qi dridhej…, ai asht shumë i smurë e ka ra në kllapi prej ethesh… Kapterri hodhi mbi cimento me zhurmë tasat e ushqimit tuj mallkue e sha me bezdi…

Zef Staku, nji djalë rinok shkodran, qi i madhi Zot ja kishte “dergue” të smurit 23 vjeçar, tue i sherbye si vllaut, u mundue me i vue në buze pak lang mishit sjellë me sakrifica prej familjes. Edhe pse ishin 13 vetë, në qeli zotnonte nji heshteje mortore. Kërkush nuk bzante tue respektue orët e fundit të jetës të shokut të vuejtjeve. Në shpi t’Filipit, t’ames Marijes, e cila rrinte me orë të tana mbas dyerve të randa të burgut me marr ndoj lajm për të birin, kishte fillue me ja pushtue shpirtin nji ndjenjë shkretnimit, e zemra në krahnor po i rrahte si e terbueme.

… Qyqja unë, filloj me mendue drithshëm, tue qitë nji psherëtim të randë prej shpirtit…, … a thu m’ka gjet gja djalin… Kumbona i kishës së fretenve lajmroj oren tre, por tingllima e saj, nanës ju duk vajtueshëm.

… Zef, … nanës, mi qo fjalë nanës… pershperiti nga buzët e shpirti i plasun, ndër grahma i burgosuni, … i thuej qi e du shumë… nanës…, tue lshue nji pikë loti e kryet në prehnin e vllaut të vuejtjeve qi e shtërngonte në gji… Larg u ndien kumbonët, ndërsa Zefi përshperiti në heshtje lutjen e fundit për shpirtin e shokut.

… Dera u hap furieshëm e heshtjen e përmortshme të qelisë e prishi ardhja e kapterrit… i cili tuj mbështjell me thasë trupin e pajetë të Filipit, ju kërcnue me urrejtje të tjerve…

… Njikshtu si “ky”, keni me dalë edhe ju t’tjerët prej ktu…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.