Kritikë letrare:
Isak Ahmeti, DRITË E PËRJETËSUAR, poezi, botoi Shtëpia Botuese FAIK KONICA, Prishtinë 2019, faqe 96. Parathënien Anton Nikë Berisha. ISBN 978-9951-06-735-5
TI
Ti ke bërë
Qiellin
dhe Tokën
më ke bërë edhe mua
Zoti im
Të lavdëroj
për ngjizjen time
Faqe 24.
Përmbledhja me poezi DRITË E PËRJETËSUAR, e poetit Isak Ahmeti, është ‘Dhjata e Re Lirike’, e poezisë moderne shqipe. Kjo poezi është “njësimi i kohëve, i gjakimeve, i ëndrrave”, (faqe 80), jo vetëm të poetit. Ato janë Uratat më të mira lirike që i ka shkruar një poet shqiptar, prandaj kushdo që dëshironë të Lutet Shqip në Zot, le ti lexojë këto Psalme Lirike, të papërseritshme, të cila janë poezi të shkruara, bazuar në filozofinë e lutjeve biblike. Poezitë e këtij vëllimi janë FJALA E ZOTIT, dhe njëkohësisht janë: “mrekulli e mrekullive, janë thelbi i dashurisë hyjnore, janë dritë e mendjes, janë vargje, kurse FJALA është shkëlqim i përjetshëm”, (e ribër nga poezia E KRIJOVE FJALËN, faqe 72.) Secili lexues do të mahnitet me thellësinë e përjetimit dhe të interpretimit biblik.
Zoti im
veprat e tua janë dashuri
të krijuara me dashuri
që dashuri rrezatojnë
Poezia, GJITHÇKA ME DASHURINË TËNDE, faqe 70.
Këto Lutje Poetike, rrallë mund t’i ndeshim në letërsinë shqipe, janë adhurimi më sublim dhe i mundshëm për Zotin, dhe në anën tjetër kanë pasqyruar denjësisht afinitetin poetik për tu lutur shqip.
EMRI YT I AMËSHUAR
Jezu Krisht
ndërmjetës
midis Zotit dhe njerëzve
Zot
Njeri
midis mëkatarëve
të vdekshëm
dhe drejtësisë së përjetshme
Si Emri yt i amshuar
Faqe 67.
E nëse Zoti ka falur njerëzit dhe ata i ka ngjyrosur me brushën e vet, atyre iu ka falur toka për t’i zotëruar dhe iu ka dhënë gjuhën për të komunikuar, prandaj këto Lirika në Gjuhën sShqipe, janë psalmet me të bukura lirike që poeti ynë ia përkushton Zotit. Nga ky prizëm mund të themi se Zoti nuk është fajtor pse klerikë të shumtë përbuzin gjuhën e Vet duke u lutur me gjuhën e tjetrit, gjuhë që shpeshherë besimtarët laik nuk e kuptojnë esencën e saj. Edhe mosbesimi dhe dyshimi në Zot, ka burimin te gjuha me të cilën bëhet lutja në Zot. Këtë Gjuhë Lirike për tu lutur në Zot, na sjell poeti ynë Isak Ahmeti. Së këndejmi, nëse Zoti është përfaqësues i gjithçkaje që ekziston në këtë botë, atëherë ai do t’i kuptoj edhe Lutjet Lirike që i ka shkruar ky poet.
ZOTI IM
Ti je kudo në gjithësi
gjithkund prania jote
Çdo gjë
është bërë prej Teje
Nuk do isha unë
sikur ti të mos ishe tek unë
Pa Ty
unë
Zoti im
do isha një hiq
Faqe 25.
Pa dyshim, edhe Zoti do t’i kuptoj lirikat në gjuhën shqipe, dhe bashkë me to do ta bekoj poetin Isak Ahmeti, që ka shkruar në këtë gjuhë të Zotit!… Poezia e tij, veçmas kjo në librin ‘DRITË E PËRJETËSUAR’, janë krijime poetike origjinale, ato japin mundësi interpretimi që përjetohet thellë, kanë simbolikë liturgjiake që rrah bashkë me pulëset e zemrës. Këto ‘60 Urata’ janë poezitë më të bukura që ky poet ia dhuron letërsisë shqipe. Ai beson në Zot, prandaj do të jetojë edhe përtej jetës së tij fizike. Besimi i poetit në Lirikën Liturgjike, e bënë atë të veçantë, ashtu siç janë të veçanta edhe poezitë e tij.
Zot
Dritë e së Vërtetës
Në emër të dashurisë
Flake errësirën
Na ndihmo
Ta njohim
Dashurinë tënde
Shpërblyese
Poezia DRITË E SË VËRTETËS, faqe 62.
Tashmë poezia është e jona, e lexuesit të saj, dhe e studiuesve të pasionuar. Kjo poezi është ‘BIBLA LIRIKE’, për të cilën poeti thotë se: “Kam studiuar filozofinë/ teologjinë/ letërsinë/ u bëra edhe poet/ përkthyes/ studiues/ po Bibla më mësoi/ si jetohet/ me Hirin tënd”, (poezia BIBLA, faqe 39.) Pa dyshim, kjo dhuratë lirike është dhunti e poetit Isak Ahmeti. Ky libër e hyjnizon krijimtarinë e tij, ai do të mbetet gjallë edhe atëherë kur shpirti i tij do të ngjitet në qiell.
Kjo vepër është monumenti më i mirë i lirikës shqipe, dhe padyshim do të mbetet dokumenti lirik më artistik dhe i trajtuar me kujdes të rrallë. Kështu siç është shkruar, libri në fjalë iu përket vetëm lexuesve që besojnë në afinitetin Hyjnor që ka Lirika Shqipe. Vëllimi poetik ‘DRITË E PËRJETËSUAR’, përbëhet nga lirika të bukura, të shkruara me pasion dhe me besim të fuqishëm në Fé dhe në Zot!…
St. Gallen, 01.11.2023.
Shefqet DIBRANI