Në vend të një urimi…
– Një portret i pa autorizuar për një mik –
Nga Llesh NDOJ
Kur në moshën 26 vjeçare më caktuan drejtues ekonomie në fshatin Blinisht të Mirditës, thuajse nuk njihja askënd. Kisha vetëm imazhin e atij fshati pasi rruga nacionale e makinës kalonte mespërmes tij, dhe pak njohje nga pikpamja historike, ashtu siç ishte koha, bardh e zi, ndonjëherë shoqëruar edhe me një shprehje standart, që më vinte si këshillë, a si paralajmërim nga të njohurit: – Kujdes! Ishte njëri ndër fshatrat ku lufta e klasave kishte damkosur një pjesë të madhe të familjeve atje, dhe kjo ishte arsyeja pse duhej të kisha kujdes. Im atë më kishte folur për kullën e Ndue Pjetër Tushës, ku e kishte shtie puna me bujt një natë, pasi e kishte zënë mbrëmja në radhë tue prit për rracionin e misrit në Shpal.
“Bukën e kisha me vete, – më kishte thënë, – por ata s’më lanë me e hap trastën…”. Pjetrin, shofer i njohur e ndër më të mirët e kohës, e njihja thjesht siç njeh njeriu dikë që ka interes për të, pasi të udhëtuarit atëherë ishte një stërmundim e interes më vehte për gjithkënd. Edhe në kazanin prej hekuri, edhe mbi ngarkesë, ishte fat të gjeje një mundësi për të mos me e ba udhën në kembë. Pastaj një material ndërtimi, drutë e zjarrit…, gjithçka vetëm me kurriz.
Nejse… Fillova punë, e që në ditët e para u ballafaqova me halle, problem e vështirësi të kohës, kryesisht të transportit dhe të furnizimit të popullit me bukë, aq sa ishte ajo, me rracion, e ashtu si ishte e mundur, për nga cilësia. Dola nga zyra për të gjetur ndonjë mjet dhe pa vonuar mbërriti Pjetri me raboltabrën e tij të re. Dukej i lodhur e kisha shumë zor me iu drejtue. Sa më pa, ai qeshi e më tha: – Hë kryetar, a ke ndonjë punë për mue? Pasi i thashë hallin që kasha, e se po më vinte zor me iu drejtue, duke ia ditur për nder që më lehtësoi meqë më foli vetë përpara, Pjetri vazhdoi: – Sa herë t’më zësh pa u ul nga sedilja, ka të duash më çon. Po u ula, nga lodhja, e kam të zorshme me u ngjit ma në timon.
Një ditë tjetër na ishte prishur mulliri e populli rrezikonte të mos furnizohej si duhet me bukë. Një njeri që paguhej për mirëmbajtjen e tij, i ndjeri Ndrec, ishte me leje. Shkova tek mulliri e pyeta se kush mund t’a bënte punën që kërkohej. Ishte punë për burra. Pasi nuk u gjet njeri i mundshëm e unë po mendoja për të tjera alternativa (me bukën s’bëhej shaka, se shkoje edhe në burg!), mu afrua Pashkja, bashkëshortja e Pjetrit që bluante në mulli prej vitesh, dhe pa bujë e zhurmë më tha: – E rregulloj vetë veç t’më ndihmoje dikush për të ngrit gurin… Sa e sa herë kjo situatë do të përsëritej, e ajo si një burrë në kuptimin e plotë të fjalës, bënte vetë gjithçka: mullisin, mekanikun, elektricistin…
* * *
U ritakuam në Lezhë me Pjetër Tushën e familjen e tij shumë vite më vonë, por rrallë. Rrallë se ai dhe Pashkja janë kurdoherë të angazhuar me punë. Edhe pse sot Pjetri eshtë 75 vjeç e Pashkja pak vite më e re, asnjëherë nuk i gjenë të lirë. Me djersën e ballit e duke punuar personalisht e familjarisht pa u ndal asnjë ditë, kanë ngritur një biznes turistik në Shëngjin, ku ata nuk sillen kurrë si pronarë, por e drejtojnë atë duke punuar. Mund të ishin marr edhe me politikë se sistemi i kaluar i rrjeshtonte ata në kontigjentin kundër, por ata zgjodhën punën e familjen. Në punë shënuan suksese, hap pas hapi, e në familje rritën fëmijë të mrekullueshëm, djem e vajza me i pasë lakmi, dhe sot e kanë shtëpinë plot me nipa e mbesa. Është thënë shpesh, se “kush e ka kishën afër, nuk sheh meshë”. Ashtu më ndodhi edhe mua. Nga Lezha, Shëngjini më ka dalë “më i largët”, se kur isha në Mirditë, por kur shkoj, kam shumë kënaqësi t’i takoj këta dy njerëz punëtorë e të mrekullueshëm.
Kështu bëra edhe këto ditë. U zgjova herët nga shtëpia ku po pushoj, dhe drejt e tek struktura akomoduese në pronësi të tyre, që mban emrat e dy djemve të familjes, “Leodor”. Mendova se do të pija kafe fillimisht, pa u rënë në sy, pastaj t’i takoja, por Pjetri më doli përpara sapo mora drejtimin për tek lokali i tij, ndonëse ora 7:00 e mëngjesit ende s’kishte trokitur. M’i prezantoj strukturat hoteliere e ambientet e tjera me radhë, dhe unë u knaqa me arritjet, por më së shumti u ndjeva mirë me vizionin e tij. Kishte lënë hapësira të bollshme mes tri ndërtesave hotel, mbushur me gjelbërim e vendparkime, ku mbizotëronte qetësia e pastërtia.
– Ndonëse me sakrifica dhe shumë mundë, – të thotë Pjetri, – asgjë nuk shkon dëm. Kam klientelë të qëndrueshme edhe më gjatë se sezoni normal. E përgëzova për mjediset e bukura, pastërtinë e gjelbërimin, dhe për gjithçka ka arritur, duke qëndruar vetë në krye të punëve. – Paguaj gjithçka, – thotë Pjetri, – edhe pse konkurenca e pandershme, përmes informalitetit na lodh shumë… por e kompensoj me punë. Janë hedhur hapa drejt tkurrjes së tij, por njerëz me çelësa në dorë gjatë gjithë rrugës, “s’të lënë me kalue”… E pyes për fuqi punëtore, e Ai më flet me radhë, së pari duke më treguar se çfarë mbulon ai me familjarët e tij, pastaj më thotë se ka rreth 30 – 40 punëtorë e nuk ka kurrë, asnjë problem me ta. I paguaj e u siguroj kushte qëndrimi dhe ata më vijnë edhe nga larg, kryesisht nga Mirdita, por edhe nga Kosova. Në krye të çdo sektori gjendet vetë, Pashkja bashkëshortja e tij, djemtë e nuset e tyre, bile edhe dy mbesat e rritura që bëjnë recepsionistet.
-Deri ketu jam i knaqur, – thotë Pjetri, – por koha kërkon vizione të reja… dhe nis e më tregon me hollësi një plan investimi e transformimi të mjediseve dhe shërbimit, me një mendësi bashkëkohore e tërësisht të transformuar, drejt një turizmi elitarë. Vizioni i tij shkonte plotësisht me konceptin tim, se turizmi me bukë e domate në trastë e ka tejkaluar tashmë veten, e se tash duhet synuar cilësia, nëse duam t’a shpëtojmë këtë shtyllë që ka vite, që po e merr përdore ekonominë e Shqipërisë. U gëzova dhe njeherit u çudita nga shpjegimet e këtij njeriu vizionar. U gëzova se një i njohuri im i kahershëm, ka arritje të kandshme në një fushë që s’ka qënë kurrë zanati i tij, as i mirditorëve, u çudita se si ai edhe në moshën 75 vjeçare, ka trup rinorë e mendje të freskët, me ia pas zili edhe specialistë të fushës, e mosha më të reja se pesëdhjetëvjeçare.
Nuk mungon të të tregojë se ka instaluar edhe panelet diellore, e se falë këtij investimi, paguan fare pak energji e plot gjëra të tjera të një biznesmeni që punon e drejton, pa u ndal asnjë ditë. U interesova edhe për trendin e sivjetshëm të frekuentuesve të Shëngjinit, e ai nuk e mohoi se ka njëfarë rënie krahasuar me një vit më parë, por nuk jemi keq, – më thotë. Evokuam së bashku faktin se Shëngjini ka evoluar shume sa i takon strukturave akomoduese, por edhe punëve e kujdesit të bashkisë, sidomos viteve të fundit. Pjetri, si edhe unë, e duam shtetin edhe kur vjen “me na marrë”, pasi jemi të qartë se ai nuk ka biznes tjetër, por evidentojmë kënaqësitë që ndjehen kur sheh kudo pastërti, stabilizim deri diku të çmimeve të shërbimit, parkingje më të formalizuara e me pagesa të arsyeshme, përshtatur me mundësitë financiare të pushuesëve.
Në darkë shetitorja ishte plot, muzikë e aktivitete kudo, gjendje që premton një sezon të suksesshëm. Shembulli i Pjetër e Pashke Tushës, nga Blinishti i Mirditës, tregon se mundi e djersa nuk shkon kot, dhe se është kurdoherë e mundur edhe me përparue ekonomikisht, edhe me qenë në rregull me shtetin, edhe me mbet njeri i vlerave të larta njerëzore për këdo. Mbarësi e suksese!
Shëngjin, më 25 korrik 2026











