LIDHJET E PASHKËPUTURA SHEKULLORE TË POPULLIT SHQIPTAR ME POPULLIN ITALIAN

0
387
Mark Palnikaj

Fjala e Mark Palnikajt në Bashkinë e qytetit të Maçeratës (Itali)

I nderuar kryetari i Bashkisë së qytetit të Maçeratës, z. Sandro Parkaroli,
Të nderuar studiues dhe profesorë pjesëmarrës të këtij takimi,
Të nderuar organizatorë të kësaj feste madhështore,
Të nderuar bashkatdhetarë të mi,
Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë që ndodhem sot midis jush dhe t’ju sjell përshëndetjet dhe urimet më të mira në këtë takim të rëndësishëm të organizuar nga Bashkia e Maçeratës me rastin e festës të lagjes “Le Casette” dhe kushtuar “Jetës” në të gjitha fushat që ajo përfshin, si artin, sportin, kulturën, historinë, pa dallim moshe, kombësie apo bindje politike.

Në këtë rrjedhë jemi ftuar për të folur për lidhjet e pashkëputura të popullit shqiptar gjatë më shumë se 500 viteve me popullin autokton italian të kësaj treve dhe në veçanti për praninë shqiptare në këtë qytet qysh prej shekullit XV.

Në popullin e Italisë populli shqiptar ka gjetur derën e miqësisë dhe të bujarisë të hapur gjatë gjithë shekujve duke jetuar dhe bashkëpunuar si dy vëllezër të mirë e të bekuar nga Zoti.

Në ditët e tij më të vështira, i ndjekur nga tartarët vandalë të Perandorisë Osmane, nën një terror të paparë dhe të padëgjuar më parë, i larguar nga trojet e veta shekullore, një pjesë e popullit shqiptar gjeti strehë, mikpritje dhe përkrahje në vatrat dhe vendet e popullit të lashtë të Italisë.

Populli shqiptar, i ndjekur nga pushtuesit barbarë dhe i përcjellë nga probleme të tjera, gjeti tek fqinji i vet natyror italian derën e mikpritjes dhe të miqësisë në mënyrë të pashkëputur.

Pikërisht ky takim i ngrohtë kulturor tregon qartazi e më së miri vazhdimësinë e këtyre marrëdhënieve paqësore të ndërsjella.

Gjatë më shumë se 500 vitesh, populli italian lejoi që miqtë e ardhur nga përtej detit të jetonin dhe të punonin së bashku, të ruanin gjuhën dhe kulturën e tyre, të zhvillonin gjuhën e shkruar dhe artet e tjera pa xhelozie dhe pa kufizim.

Nëse në vendin e tyre të origjinës ushtrimi i lirë i fesë dhe të shkruarit të gjuhës amtare ishte i ndaluar nga pushtuesi osman, ndërsa në Itali shqiptarët ushtronin të lirë fenë e të parëve të tyre në gjuhën që ata donin, dhe hapën shkolla të niveleve më të larta për kultivimin e gjuhës dhe të kulturës së tyre.

Nën pushtimin osman gjuha shqipe u lejua të shkruhej vetëm në vitin 1908, mbas pesë shekujve që ishte e ndaluar. Një ndihmë vendimtare dhanë në këtë drejtim arbëreshët e Italisë dhe misionarët françeskanë dhe jezuitë që shërbyen me vetëmohim në vendin tonë për shekuj me radhë.

Janë të jashtëzakonshme punimet shkencore për gjuhën, kulturë, historinë dhe fushat e tjera të shkencës për Shqipërinë të botuara nga studiuesit italianë.

Në Itali u botuan gramatikat e para të gjuhës shqipe, pesë fjalorë të mëdhenj për gjuhën shqipe nga viti 1635 deri në vitin 1876. Në vitet tridhjetë të shekullit XVII u hapën dy kolegje në Loreto dhe në Fermo për studentët nga Iliriku me drejtim fetar dhe shkencor, ku morën dije dhe kulturë figura kryesore të historisë së Shqipërisë, të cilët lanë gjurmë të pamohueshme në kulturën dhe historiografinë shqiptare. Në vitin 1711 është hapur katedra e gjuhës shqipe në Monastirin San Pietro di Montorio në Romë, që i ka ndihmuar shumë zgjimit të identitetit kombëtar të popullit shqiptar.

I përmenda vetëm këto fakte me rëndësi madhore për gjuhën dhe kulturën në Shqipëri, të mjaftueshme që ta bëjnë krenar çdo italian për ndihmën dhe kontributin e dhënë dhe çdo shqiptar të jetë mirënjohës për këto kontribute.

Edhe sot e kësaj dite në shkollat dhe Universitetet e Italisë e vazhdojnë shkollën qindra shqiptarë.

Në qytezën e Maçeratës historia na tregon se para ardhësit tanë, domethënë arbëreshët, erdhën edhe këtu, si në shumë qytete të tjera të Rajonit Marche, ashtu si na tregoi në fjalën e tij Prof. Moroni. Un pata fatin disa muaj më parë që ta shikoja konkretisht këtë prani në qytezën fqinje të Fermos.

Fondet historike rrëfejnë se ata u strehuan në qytezën e Maçeratës duke filluar nga fundi i shekullit XIV dhe më tej, ndoshta edhe me një farë vështirësie në fillim, dhe më vonë u integruan më së miri, dhanë kontributin e tyre në zgjerimin si dhe në mbrojtjen e qytetit, fituan prona dhe ndërtuan kisha dhe lagje si ajo e “le Casette”, por detajet e kësaj pranie ka dëshmuar Prof. Ruffini, i cili e ka studiuar me thellësi dhe e njeh më së miri këtë histori.

Mirëpo, historia përsëritet, dhe ky fenomen u përsërit edhe në vitet ‘90, si rrjedhojë e emigrimit masiv që ndodhi në ato vite.

Historia e marrëdhënieve midis popullit mikpritës italian dhe banorëve të ardhur nga vendet e Arbërisë matanë detit Adriatik, nuk njeh raste përballje ose mosmarrëveshjesh midis tyre, por vetëm harmoni, ndihma dhe nderimi pa fund për njëri – tjetrin. Edhe nëse ka pasur ndonjë rast të grindjeve midis personash nga kombe të ndryshme, grindjet asnjëherë nuk morën karakter përballjesh. Ky është rezultat i mençurisë, por edhe i tolerancë që i ka karakterizuar në vazhdimësi banorët e dy popujve që banojnë këtu prej më shumë se 550 vite në fqinjësi dhe bashkëpunim.

Zakonisht konfliktet që kanë karakter nacional, fisnor dhe fetar marrin përmasa të mëdha dhe kanë pasoja tragjike për të dyja palët. Në trevat e Gadishullit Ballkanik ku përfshihet edhe kombi shqiptar, për fat të keq, konflikte të tilla ka pasur shumë dhe me pasoja të rënda. Në Itali, midis shqiptarëve dhe italianëve, s’kam të dhëna që të kenë ndodhur kurrë diçka e tillë.

Mbas shembjes së sistemit komunist në Shqipëri në vitin 1991 pati një dyndje të shqiptarëve në numër të madh drejt shtetit Italisë. Shteti dhe populli i saj demokratik edhe këtë herë i priti miqtë nga Shqipëria me krahë hapur, pa asnjë lloj racizmi ose shpërfilljeje, duke u bërë vend në qendra të organizuara nga shteti, por edhe në qindra raste, familjet italiane i pritën këta fatkeqij pranë familjeve të tyre, duke u ofruar ndihmë dhe shpresë se do të kishin një të ardhme më të mirë.

Në vitin 1993, kam pasur rastin të qëndroj në Itali në mënyrë të ligjshme dhe të punoj sipas rregullave dhe ligjeve një vit në Firence në provincën e Toskanës. Në atë kohë kisha nevojë të madhe për ndihmë dhe mbështetje dhe kam gjetur në familjet e thjeshta në qytetin e Pratos dhe të Firences një pritje të ngrohtë që nuk mund ta harroj për gjithë jetën. Aty jam miqësuar me persona dhe familje të ndryshme dhe kjo miqësi vazhdon edhe sot e kësaj dite mbas tridhjetë viteve.

Më mbushen sytë me lot kur i kujtoj vështirësitë që pata në fillim dhe dorën e ngrohtë që më ofruan persona të ndryshëm në këto qytete.

Sot është data 5 shtator dhe unë jam midis jush i ftuar si mik i juaji. Për mua kjo ka një domethënie të veçantë sepse unë lindur pikërisht me datën 5 shtator 1954, plot 69 vjet më parë dhe jam i lumtur që përvjetorin e datëlindjes time po e kremtoj midis vëllezërve të mi nga Shqipëria dhe me vëllezërit të mi nga Italia.

Në vitin 2023 kam ardhur në Itali katër herë për qëllime pune. Dy herë kam ardhur si mik, së pari më datën 2 prill 2023, i ftuar nga Bashkia e qytetit të Fermos në një ceremoni promovimi të librit tim me dokumente nga biblioteka e këtij qyteti dhe sot i ftuar në këtë bashkëbisedim vëllazëror në qytetin e Maçeratës, me një histori dhe kulturë të lashtë, të njohur jo vetëm në Itali por në shumë vende të botës.

Dëshiroj në mënyrën më të sinqertë t’i them dy fjalë mbi marrëdhëniet e mia gjatë kërkimeve në tokën e bekuar të Italisë në këto 10 vitet e fundit në institucionet dhe arkivat e ndryshme. Jam i lidhur shpirtërisht me historinë, pasion ky që e ka zanafillën tek mangësitë e shumta historike që ka historiografia shqiptare. Kështu, fillova kërkimet në arkivin e Venecias, Padovas, Loretos, Fermos, Grotaferratës, Napolit dhe të katër burimeve historike në Vatikan, përkatësisht Arkivi i Propagandës Fide, Arkivit Jezuit, Arkivit Sekret dhe Bibliotekës Apostolike.

Për aq sa kam arritur me flijime e mund të madh, duke vënë në dispozicion anën time fizike, profesionale dhe financiare, shfrytëzoj rastin nga kjo foltore që ti falënderoj dhe t’i përshëndes nga zemra të gjitha këto institucione. Respekti tyre ndaj meje, ndihma e pakursyer në çdo çast pa asnjë pengesë e rezervë për çdo dokument, dorëshkrim, sqarim, komunikim, ballafaqim, shpjegim, kanë qenë një motiv i fortë vazhdimësie në kërkimet e mia në zbardhjen, deshifrimin shënimin e qindra e qindra dokumenteve që “flinin” nëpër arkiva.

Ju them sinqerisht se midis jush ndjehem mirë, njëlloj si në vendin tim, në Shqipëri.

Marrëdhëniet kaq të ngrohta dhe miqësore midis Bashkive të qyteteve Maçerata dhe Fermo, por dhe të qyteteve të tjera, dhe emigrantëve nga Shqipëria të integruar tashmë në jetën ekonomike, kulturore, politike dhe sociale, me organet zyrtare shtetërore dhe me biznesmenët dhe popullin e kësaj zone flasin qartas për një bashkëpunim të sinqertë dhe vëllazëror nga të dyja palët.

Krijimi i shoqatave të ndryshme nga shqiptarët që banojnë këtu dhe bashkëpunimi i të gjitha organeve shtetërore dhe joqeveritare italiane me këto shoqata, ka ndihmuar që ky bashkëpunim dhe kjo miqësi të përhapet edhe midis banorëve të mjaft qyteteve italiane me banorë të qyteteve shqiptare në vendin tim.

Kjo miqësi dhe ky bashkëpunim, është një garanci që miqësia midis popullit shqiptar dhe atij italian të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Bashkatdhetarët e mi që punojnë dhe jetojnë midis jush, duhet të jenë shumë mirënjohës për ndihmën tuaj dhe duhet ta kuptojnë mirë barrën e madhe të përgjegjësisë që kanë për kultivimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi duke u distancuar publikisht me ata që e cenojnë këtë miqësi dhe bashkëpunim, duke kryer krime ose shkelje ligjore, të cilat e dëmtojnë rëndë emrin e mirë të krijuar me punën dhe aktivitetin e tyre nga mijëra bashkatdhetarë tanët në këto tridhjetë vitet e fundit që jemi të pranishëm këtu.

Njëkohësisht dua të falënderoj në mënyrë personale, përfaqësuesit e Bashkisë së Maçerates dhe gjithë përfaqësuesit institucionalë që janë sot të pranishëm në këtë takim për vëmendjen dhe gatishmërinë e tyre për ringjalljen e këtij fakti historik, ku njihet publikisht prania dhe afrimi i dy popujve tanë që në lashtësi. Ju shpreh mirënjohjen time më të thellë për këtë nismë.

Falënderoj përzemërsisht edhe pjesëtarët e shoqatës Iliria në Maçerata, të cilët u bënë shkak dhe urë frymëzimi për të garantuar praninë time në këtë aktivitet domethënës dhe të bukur.

Maçerata më 5 shtator 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.