34.4 C
Tirana
E martë, 28 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Lëre ta dëgjojë zemrën

Lëre ta dëgjojë zemrën

0
Gjon Marku

nga Gjon Marku

  • tregim

Kokën e vendosa mbi gjoksin e tij të zhveshur dhe dëgjoja ritmin e zemrës që i rrihte pa ndërprerje. Ai flinte, kurse unë doja ta ndieja atë ritëm dhe të përkoja frymëmarrjen time me të tijën, të thellë e të ngadaltë, si frymëmarrja e një dragoi.

Jashtë mureve të dhomës sonë të fjetjes shtrihej një natë e errët e e trazuar, ku dukej sikur gjithë kuçedrat e legjendave kacafyteshin dhe turreshin t’ia mbysnin frymën njëra-tjetrës. Ishte fillim vjeshte, por shirat e shpeshtë e kishin bërë atë muaj tetor të frikshëm. Qielli, ditë pas dite, mbetej i errët; retë vërshonin njëra pas tjetrës, sikur garonin me njëra-tjetrën për shpejtësi. Vetëtimat ndriçonin natën, kurse bubullimat më bënin të dridhesha i tëri nga frika. Sa herë vetëtinte, unë mbuloja kokën me batanije; por sa herë futesha në krevatin e babait tim dhe mbetesha pranë tij, ndihesha më i sigurt e i besoja pa kushte.

Vinte vonë në shtëpi dhe ikte herët për në punë, por kur ishte me mua, kujdesej më shumë se kushdo – më sillte gjithmonë diçka, mundohej gjithmonë të më privilegjonte.
“Mos e prek djalin,” i thoshte nënës sa herë ajo turrej të më bërtiste. Dhe kur ai vinte në shtëpi, unë bëhesha më kryeneç e nuk i bindesha më askujt tjetër.

Një ditë im atë iku – u shua si një meteor i largët – dhe unë mbeta vetëm me nënën, e cila shpesh më vinte në gjumë në prehrin e saj, duke më kënduar ninulla të përziera me lot malli. Sa të gjata ishin, sidomos, netët e para, kur ende nuk isha mësuar me mungesën e tij! Shpesh prisja tek dera, duke besuar se im atë do të vinte. Do të trokiste, do të më merrte në krahë, do të më puthte e pastaj do të largohej sërish. Dhe ndërsa prisja kështu, në mendje më kthehej vazhdimisht ritmi i rrahjeve të zemrës së tij – ritëm që më dukej se e njihja mirë, si të mos e kisha ndarë kurrë prej vetes.

Vitet kaluan shpejt dhe një ditë u bëra edhe unë baba. Tim bir e mbaja gjithnjë me vete; e doja pa masë, edhe pse ishte çapkën e i trazuar.

Ishte ditëlindja e tij e ai mbushte pesë vjeç. Pasi kishim ngrënë darkën festive dhe po ktheheshim në shtëpi, ai më tha se donte të flinte me mua ate natë.

– Mirë, – i thashë, – sonte do të flesh në krevatin tim.

Erdhi ngadalë, u zhvesh dhe u fut nën çarçafë.

– Jam shumë i lumtur, babi, – më tha, dhe e mbështeti kokën mbi gjoksin tim.

Unë humba në kujtimet e fëmijërisë sime të largët, kur mundohesha të ritmoja frymëmarrjen time me atë të babait. M’u duk sikur po dëgjoja përsëri rrahjet e asaj zemre – por tani isha unë ai që fillova të ritmoja frymëmarrjen me birin tim. Si përmes një ëndrre, m’u duk se isha përsëri në krahët e babait tim, ndërkohë që dora ime, pa vetëdije, u ngrit e nisi të përkëdhelte flokët e tim biri.

– Babi, sa te madhe e ke zemrën? – pyeti si përgjysmë në gjumë.
– Ja, si të të them… sa e një kau, – m’u duk sikur foli im atë përmes meje.
– A e ke dëgjuar ti kur rrihte zemra e gjyshit?
– Po, rrihte fort, biri im.
– Po gjyshi, sa tw madhe e kishte zemrën?
– Gjyshi e kishte zemrën të madhe dhe të fortë, biri im.
– Po pse e kishte kaq të madhe?

– Sepse të gjithë në kohën e gjyshit e kishin zemrën të madhe, biri im. Ata u ndeshën me një kuçedër të zezë, të madhe, me shumë koka, që vinte si një stuhi e fuqishme nga të gjitha anët. Rendte nëpër trojet tona, kërkonte t’u ngjitej maleve, kërkonte të na sillte një fe tjetër, një gjuhë tjetër, një kulturë tjetër. Gjyshërit tanë i dhanë fjalën njëri-tjetrit, u lidhën krah më krah dhe dolën ta përballonin kuçedrën e zezë. Kishin zemra të mëdha e të forta; u ndeshën gjatë dhe, në fund, ia këputën të gjitha kokat.

– Po pse erdhi këtu kuçedra e zezë me shumë koka?
– Donte të na mposhtte e të na merrte tokat. Të na prishte varret e shtëpitë. Të na shkatërronte gjithçka. Por gjyshërit nuk e lanë.

– Fli tani, – m’u duk sikur pëshpëriti im atë, dhe një gjumë i lehtë e i ëmbël po më mbulonte sytë, kur im bir u hodh papritur në këmbë, duke më nxjerrë nga ai kujtim fëmijërie.

– Arbër, ku po shkon? – pyeta, i frikësuar mos rrëzohej.
– Babi, këtu, brenda gjoksit tënd, dëgjohet një orë që troket pareshtur.
– Nuk është orë, biri im. Është zemra e babit.
– Po unë, a nuk jam unë “zemra e babit”? – pyeti im bir.

(Sa herë e merrja në krahë, e përkëdhelja duke i thënë: “eja, zemra e babit!”)

– Je, biri im. Prandaj zemra ime rreh kaq fort.

– Po babai yt ku është, që unë s’e njoh? Ja, mami e ka babain e vet. Unë të kam ty. Edhe Rigersi e ka babain e vet. Vetëm ti s’ke babi. Të gjithë e kanë babain e tyre.

– Edhe unë e kam pasur babain tim, biri im. Ishte shumë njeri i mirë, por tani nuk është më – është ngjitur në qiell dhe fluturon mes yjeve, në kupën qiellore. Trupin ia kemi varrosur, dhe vetëm trupi i tij mbetet në tokë; shpirti tashmë është i lirë, në qiellin pa fund.

– Po varrin, kur do të ma tregosh?

– Fli tani, se është vonë. Një ditë tjetër do të të tregoj për gjyshin. Edhe unë e kam dëgjuar zemrën e tij si rrihte – ja, vëre kokën këtu e dëgjo zemrën e babit; ashtu rrihte edhe zemra e gjyshit. Mua mw zinte gjumin duke dëgjuar atë ritëm dhe kurrë nuk e kam harruar. Më kujtohet gjithmonë, sidomos kur ti, kështu, flen mbi gjoksin tim. Natën e mirë, biri im!

– Natën e mirë, babi. Unë gjithmonë do të fle me ty, që të mos harrosh gjyshin – dhe unë do ta mësoj ritmin e zemrës së tij.

Im bir fjeti shpejt, por mua nuk më zuri gjumi gjithë natën. Kisha frikë se mos e trembja dhe ia prishja gjumin. Ndërkaq, diku brenda meje, m’u duk sikur im atë më pëshpëriti edhe një herë:

Mos ia prish gjumin. Lëre ta dëgjojë ritmin e zemrës tënde.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.