KUJTIMET, OSE DETYRA E FUNDIT QË KEMI NDAJ FAMILJES E SHOQËRISË

0
129
Shpresim Besim Kasaj - Të kapërcesh vetëveten

 Rreth librit të Shpresim Besim Kasaj “Të kapërxesh vetëveten”, Tiranë 2023

Nga Enver Memishaj

Mësuesi Shpresim Kasaj, pas udhës së gjatë të mësimdhenies, botimit të librit “Armeni në rrugën e dijes” (2011), “Vlerat historiko-kulturore të Armenit dhe krahinës” (2014), botimit të gazetës “Armeni”, për 10 vjet 2007 – 2017, botimit të artikujve në organet e shtypet të përditshëm dhe periodik, kryetar i shoqatës “Armeni, ka vendosur së fundi të bëjë detyrën e fundit ndaj familjes e shoqërisë: të na lërë kujtimet e jetës së tij.

Në fushën e dijes gjinia e kujtimeve është e njohur. Në botë kanë lënë kujtime njerës të shquar që kanë patur edhe ndikim në jetën shoqërore. Në kulturën shqiptare ka shumë pak libra me kujtime, çka flet për prapambetjen e shoqërisë sonë. Edhe pse kujtimet janë burimi i fundit i historisë, përsëri ato janë tërheqëse dhe sjellin tek lexuesi dije dhe emocione.

Le të përmend vetëm dy libra me kujtime, ato të Eqerem bej Vlorës dhe të shkrimtarit komunist Petro Marko, kujtime të cilat janë komentuar, botur e ribotuar pjesë, pjesë. Komentuar aq gjatë sa edhe njerës me mënd, gabimisht  i kanë marrë ato, jo si kujtime, por si histori!

Petro Marko shkruan: “O kujtime… dilni ashtu si u regjistruat në trurin tim. Tani ju dua”.

Kështu edhe Shpresin Kasaj u bën thirrje kujtimve të regjistruara në trurin e tij të zgjohen për të na i treguar neve dhe na i tregon me një gjuhë të bukur qytetare.

Shpresim Kasaj në këtë libër shkruan ç’ka parë e ç’ka dëgjuar, gjatë jetës së tij, sa ka qarë e sa ka qeshur, sa është gëzuar e sa është hidhëruar, duke u munduar jo pa sukses që të na tregojë ato ngjarje të jetës së tij që paraqesin rëndësinë e jetës shoqërore të viteve të vështira dhe të lumtura që kaloi ai.

Kujtimet e Shpresim Kasaj të përmbledhuar në dy pjesë janë një meditim i thellë, si të rritesh i varfër, si  të jetosh në Shqipërinë diktatoriale të Enver Hoxhës. Autori mundohet jo pa sukses, të hedhë dritë mbi atë që mund të ndodhë në komunitetet e izoluara, varfëria, mjerimi dhe shtypja.

Në këtë mënyrë ai vjen të protestojë në mënyrë paqësore “për jetën që na dhanë “ siç pat shkruar në gjallje të tij  poeti i ndier Bardhyl Londo.

Kështuqë e parë nga ana njerëzore kujtimet e Shpresim Kasaj janë të dhimbëshme, pasi ato tregojnë në një farë mase edhe jetën tonë, të lexuesit, pasi në atë sistemin mizor të Enver Hoxhës, njerëzit jetonin njësoj, visheshin njësoj, mobilonin shtëpinë njësoj, ky ishte njeriu i ri që krijoi diktatura komuniste, duke sfiduar edhe ligjet e natyrës.

Siç del nga ky libër, autori nuk ka pas menduar të botojë kujtimet, pasi nuk ka mbajtur ditar apo shënime, por në një moshë të thyer njeriu e kthen gjithnjë kokën pas me nostalgji, për të parë udhën e jetës nga ka kaluar, mendime të përsëritura e ripërsëritura në procesin e kujtimeve që gjejnë së fundi shprehjen në këtë libër terheqës.

Natyrisht që Kasaj nuk ka mundur që me detaje të sjellë gjithë jetën e tij, por ka ditur të qëmtoje dhe të na sjellë atë pjesë të jetës që mbetet në kujtesën e njerëzve, sepse njerëzit jetojnë aq sa kujtohen.

Talenti i autorit për të shkruar, inteligjenca e tij, përvoja e jetës, e bëjnë këtë libër “një film” të bukur dhe emocionues të jetës sonë, kaq bukur autori ka ditur të pasqyrojë  dhe ndërthurë element të jetës tij me ato të shoqërisë ku jetoi, vuajti apo gëzoi. Kështu që libri është shkruar si një roman autobiografik

–Kujtimet janë shkruar me talent që falë inteligjencës së autorit s’mund në shumë raste të lexosh pa lot në sy: “Doktori më shtriu…, por kur pa që po avulloja i tëri nga temperature, i tha babait: “Të të vijë rëndë që e ke lënë djalin në këtë gjendje…”. Nëna filloi të qante e më pas filloi të qajë edhe babai”, f.47

–Kujtimet tregohen me realizëm e vërtetësi, me sinqeritetin e shpirtit, gjë që sjell tek lexuesi vlerësim dhe nderim për autorin: “Mbaj mend që baba Refati e të tjerë nga vëllazëria e këshilluan babanë të më blinte një xhaketë se deri atëherë veja në shkollë në fill të këmishës”, f. 49

Tronditëse është largimi i gjyshes nga shtëpia: “Hysniu shkoi te shtëpia jonë. Atje nuk ndenji as dhjetë minuta, mori gjyshe Halimenë ashtu siç ishte pa këpucë …, e mori në Krapës nga ku gjyshja nuk u kthye më, se vdiq pas disa muajsh dhe u varros atje, ku janë eshtrat e saj dhe sot e kësaj dite” f. 67

Këto drama familjare e shoqërore vijnë nga varfëria dhe mjerimi i fshatarëve të asaj kohe, ashtu si e gjithë shoqërie. Por autori të trondit   me këto detaje “ e mori gjyshe Halimenë ashtu siç ishte pa këpuvë…”, detaje që na kujtojnë kokrat e misërit të Migjenit…

–Varfërinë e fshtarsisë e tregon nëpërmjet një fjalie të vetme: “Nëna ma priste me kursim bukën e misërt…Unë i kërkoja edhe pak bukë, se nuk isha ngopur, por nëna ma priste: nuk ka…”. f. 52

Ja pra dramat që jetoi jo vetëm Bulja, nëna e Shpresim Kasajt, por të gjitha nënat shqiptare në ato kohëra. Mendoni se çfarë drame përjetonin nënat tona, kur nuk arrinin të ngopnin fëmijën as me bukë misri!

–Humanizmin e njerëzve të thjeshtë që vuajnë për bukën e gojës autori na e tregon me shembullin kuptimplotë të Refies, një gruaje të varfër që kishte për të rritur e vetme 4 fëmi, pasi i kishte vdekur burri. Një ditë thotë autori trokita në derën e saj i bërë qullë nga shirat e vjeshtës. Ajo më pyeti se përse babai nuk më kishte blerë një ombrellë, pastaj më fshiu kokën me fut dhe më tha:

-Mirë atëhere ti do të rrish tek unë.

Kjo mbështetje që bënin njerëzit e varfër për njeri tjetrin është një nga vetitë më të çmuara të racës sonë që na mbajti gjallë nëpërmjet luftrave dhe varfërisë e mjerimit.

— Autori na tregon nëpërmjet shembullit të jetës së familjes dhe fisit të tij ruajtjen e zakoneve dhe traditave si dasmat, synetllëku, ndihmat që i jepnin njeri tjetrit në fatkeqësi e gëzime etj.

“Ishte zakon, që ditën e tretë të martesës nusja me dhëndërrin kthehej te shtëpia e prindërve”. Ose në rast vdekje autori ka para zakonet primitive: “Zenepja, gjyshja e tij, doli në avlli duke uluritur , duke çjerrë me thonj fytyrën që i kullonte gjak, e duke i rënë kokës me grushte”, f. 88

— Në pjesën e dytë të librit ne do të njihemi me personalitetin e Shpresim Kasajt me luftën dhe përpjekjet që ai bën për t’u ngritur mbi trashgiminë e prapambetjen e fshatit shqiptar. Kështu ne do të njihemi me një qëndrestar, me një luftëtar e punëtor që nuk ndalet para vështirësive që i vë përpara sistemi shoqëror, por edhe natyra. Njihemi me Shpresim Kasaj që nuk u nënshtrohet varfërisë së kohës, nga e cila del me punë. Nedimeja bashkëshortja e tij pyet si mbillet duhani? Kjo pyetje e thjeshtë na bën të mendojmë se çifti Kasja nuk nënshtrohet as para varfërisë, as para pengesave shoqërore dhe as para shpifjeve të kohës. Ata mbjellin duhan dhe e shesin, në një kohë kur tregëtia ishte e ndaluar. Mbjellin fruta e perime dhe dalin në treg, bëjnë raki rrushi dhe marje, presën e përcjellën miq e shokë duke mbajtur hapur derën e shtëpisë së tyre.

Kështu me punë të ndershme, me djersën e ballit, por edhe me zgjuarsi, ata bëhen shembulli i njerëzve ngadhnjimtar mbi pengesat e kohës. Duke ecuar në udhën e njerëzve punëtorë, në udhën e së mires, ngjallin edhe cmirën dhe xhelozinë e ziliqarëve, por edhe mbi këta fitojnë.

— Me nota dramatike dhe emocionale autori na përshkruan edhe dashurinë dhe respektin për bashkëshortes, duke na dhënë kështu shembullin e një bashkëshorti e qytetari model. Ndërsa gruja e Shpresimit e sëmurë pa ndjenja niset me një veturë për në spitalin e Vlorës. Sapo ai e merr vesh i del përpara në mes të rrugës dhe ndalon një kamjoni.”I thashë shoferit që, po të shihte ndonjë veturë që kishte ndaluar, le të ndalonte dhe ai, se kjo tregonte që gruaja kishte vdekur dhe nuk kishte pse shkoja më tutje” f. 83 Kështu do ndeshemi me disa raste të cilat na emocionojnë dhe na bëjnë të mendojmë për jetën tonë.

— Një vend të veçantë autori i ka dhënë denoncimit të diktaturës komuniste, krimit, dhunës dhe terrorit të komunistëve mbi fshtarsinë e Armnit dhe krahinës. Autori pa iu dridhur qerpiku krimit i ka vënë emër, emër individual  dhe  emër shtetror. Ai tregon me shembuj se si agjentët e komunistëve përgjojnë dhe persekutojnë. Kështu p.sh. ndërsa mësuesi Zaçe Hasko është në shtëpinë e tij, në një gëzim me shokët, bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit hynë brenda në shtëpi, në mes të këngës dhe e arrestojënë mësuesin, se përse këndonte këngë për Ballin Kombëtar! Në gjuhë të huaj shtëpisë i thanë Hauz, që në shqip përkthehet: vend i mbrojtur, por komunstët shkelën çdo parim e normë humanitare…

Ky thotë autori “ishte një turp për ne armenasit që spiunuam e burgosëm mësuesin…”. f. 42. Pra autori na flet për denatyrimin e personalitet njerëzor, kur shkelet tradita dhe zakoni që ka mbajtur të bashkuar shqiptarët.

Tronditëse është edhe rasti që tregon autori se kur babai tij, për të mos prishur dasmën, gëzimin e djalit të vetëm ndjek nga shtëpia kushririn e tij sepse ai ishte cilësuar kulak!!!

Dhe si sinonim të komunistit, pra të pabesisë, krimit dhunës dhe terrorit autori na sjell një figurë të zezë, Laver Sino Bataj, që s’kishte lënë poshtërsi pa bërë kundër fshatarëve të tij që e kishin strehuar e mbajtur me bukë dhe që kur vdiq fshati Armenit kishte hapur këngën: shyqyr që shpëtuam nga Laveri.Në këtë linjë autori na tregon se si atij, kudo ku shkonte e kudo ku trokiste, i ishte qepur pas karakteristika: je nip kulaku!!!

 

Përse duhen lexuar kujtimet e mësuesit dhe aktivistit shoqëroe Shpresim Kasaj?

Vlerta e kujtimeve,  nëpërmjet jetës së tij, Shpresim Kasaj, ka ditur të përgjithësojë jetën e varfër të shoqërisë sonë, pasi në atë gjëndje që ishte Shpresimi ishte gjithë fshatarsia e shoqëria shqiptare.

Autori i bën një vështrim të ashpër dështimeve të shoqërisë që e vendos gjithë vlerën e saj në ëndërra që u kthyen në një diktaturë çnjerëzore. Në dhunë dhe terror mbi popullin shqiptar.

Autori na tregon se si i përjetoi efektet e luftës dhe represionit politik, kur veshja, rrobat e tij, muzika dhe interesat e tij kontrolloheshin nga Partia.

Vlerat e këtyre kujtime qëndrojnë në faktin se autori ka ditur me mjeshtëri të dalë nga guaska e tij personale dhe të shtrij kujtimet e tij në fenomenet e ngjarjet e kohës, duke dhënë kështu  një kontribut në historinë e Vlorës.

Autori na bën një shpegim te thjeshtë për kohën ku jetoi mundësitë dhe pa mundësitë e kohës

Kur e përfundova këtë libër mendova se sa shumë ngjarje e analiza ka mbetur pa u thënë, pasi jeta e një njeriu aq më tepër e një mësuesi e aktivisti shoqëror, nuk mund të përmblidhet brenda kapakëve të një libri.

Por edhe kaq mjafton pasi autori ka ditur të zgjedhë e përzgjedhë, pra është një libër me kujtime përfaqësues, tashmë jo vetëm për jetën e një njeriu të vetëm por të një brezi, kjo është merita e Shpresim Kasaj, kjo është rëndësia e këtij libri.

Me këtë libër Shprsim Kasaj lë pas gjurmë të pa shlyera, për familjen, fisin dhe vendlindjen, por edhe më gjerë. Shpresimi ka lënë gjurmë në jetë e historinë e vendlindjes me librat dhe publicistikën e tij, ka lenë gjurmë në qytetin tonë me aktivitete si  person publik dhe kryetar i shoqatës Armeni, por ky libër, plotëson më mirë vlerat njerëzore, qytetare dhe intelektuale të Shpresim Kasajt.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.