FRYMA E RRЁFIMIT RREZATUES

0
221
Prend Buzhala

Me rastin e nderimit të Prend Buzhlës me çmimin letrar “Beqir Musliu” për vitin 2022

Prend Buzhala “Amëza e rrëfimit”, Bototi “Rozafa”, Prishtinë , 2012. f. 504.

Nexhat Rexha

Trajtimi i letërsisë shqiptare në të gjitha format e  transmetimit, sot  vjen në mënyrë të hapur, duke krijuar vlera nga më të ndryshmet. Ato vijnë si rezultat i hapjes së lirë në  komunikim dhe shkrim. Në këto hapërime shpalosen shumë ëndrra të fjetura nëpër periudhat e kaluara historike, sepse shkrimet e sotme mundësojnë trajtimin e shumë temave në letërsi  dhe mund të themi se me këtë arritje nuk kemi tema tabu në letërsi.

Në këtë kolorit temash e motivesh vjen edhe libri i Prend Buzhalës ”Amëza e rrëfimit, në të cilin janë marrë në shqyrtim 47 autorë me veprat e tyre të shkruara në prozë, gjashtë autorë janë shqyrtuar me nga dy vepra, dy autorë me nga tri vepra dhe një autorë është shqyrtuar me disa përmbledhje tregimesh.

Libri voluminoz i Prend Buzhalës “Amëza e rrëfimit” brenda kopertonave përfshin sasi e cilësi, sepse në mënyrë analitike trajton veprat e marra në shqyrtim. Në vepër dominon  shqyrtimi i romanit të sotëm shqiptar. Në këtë  periudhë të letrave shqipe, kur vepra letrare botohet krejt lirshëm dhe është vështirë të cilësohet drejt e mirë nga kritika letrare. Prendi ka hulumtuar pjesë nga veprat më të realizuara të kësaj  periudhe, sidomos tregimin  e shkruar nga Adem Demaçi dhe Ramiz Kelmendi, atë të viteve të `50 e `60` ta, të shekullit të kaluar. Duke marrë në shqyrtim edhe disa autorë me tregime  më të vonshme, për të cilët ai mendon se dallojnë në cilësi e  përmbajtjen e tyre.

Në këto trajtesa eseistike lexuesi mund të marrë informacione të mjaftueshme për të kuptuar apo për të nxitur e lexuar cilëndo vepër të trajtuar nga autori i këtij libri. Prend Buzhala  çdo vepër të marrë në shqyrtim e ka peshuar bukur përmbajtjen e saj, duke pasur parasysh tërësinë e secilës vepër, për t`ia afruar lexuesit mendimin e tij kritik, si dhe për të dhënë mundësinë e gjykimit edhe për të tjerët  që merren me këtë problematikë artistike.

Libri  Amëza e rrëfimit”Shkrime kritiko-letrare/proza e sotme shqipe, jep mundësi  të njohjes nga afërsia e trajtimit të këtyre veprave letrare. Edhe pse kritika letrare sot, në të gjitha hapësirat tona është në krizë, e them në krizë për arsye se ajo shkruhet nga rasti në rast, tashmë dihet fakti për mënyrën e botimit të vështrimeve kritike nëpër gazetat e revistat  e sotme. E them këtë, sepse  sot nuk kemi revistë apo  periodike letrare, në të cilën me një përkujdesje më profesionale do të vlerësoheshin shkrimet e këtilla. Sidoqoftë, mendimet për veprat e botuara sot, po jepen  më shumë në raste të përurimit apo prezantimit  të një botimi  nëpër qendra të ndryshme të atdheut tonë. Çfarëdo që të themi, letërsia sot po e bën jetën e saj të lirë si kurrë më parë.

Në këtë kontekst  trajtimi e kohe vjen edhe libri i Prendit, por që duke hyrë në brendi të tij, ai të afron mundësinë e depërtimit me  vepra  e autorë të dalluar, e njëherit të jep mundësinë e kreativitetin e lirë për  të vazhduar zgjedhjen e leximin e mëtutjeshëm të këtyre vlerave të marra në vlerësim. Vetë titulli i librit Amëza e rrëfimit” dikton aromën e këtyre veprave dhe mesazhet e këtyre protagonistëve që janë  të shumtë, me të cilët përshkruhen pjesë të  historisë e traditës sonë. Në këtë galeri ngjarjesh nga më të ndryshmet,  shfletohen faqet e trashëgimisë sa krenare, po aq edhe të dhimbshme të së kaluarës, e kjo karakterizon e prejudikon që e ardhmja të jetë më ndryshe, më e avancuar.

Në këto vepra të trajtuara shënohen karakteristika sa të trajtuara, e ndoshta të panjohura, kurse në librin e Prendit ato krijojnë mundësinë e njohjes së tyre në mënyrë sa më të lehtë.

Këto  vepra autori i ka strukturuar në këto ndarje trajtimesh: Homazh për alkiminë e rrëfimit, Ramiz Kelmendi tregimtar, Poetikë e ndërliqshme, Thellësitë shtresore të rrëfimit, Katarza e qenies ëndërrimtare dhe Bioproza, modeli dokumentar, duke iu dhënë predispozitat e përjetimit gjatë leximit si dhe për të saktësuar mendimin e tij shkencor në tërësinë  e tyre.

Vetë përmbajtja e punimeve në këtë ndarje paraqesin vizionin  perceptues  të këtyre autorëve me gjitha temat që mundëson avancimi i prozës së sotme shqipe, në këtë rrafsh shtrihet edhe mendimi i piketuar i autorit.

Prend Buzhala në libër ka trajtuar  romane nga autorë   të njohur, siç është: Ismail Kadare, Fatos Kongoli,  Beqir Musliu, Rexhep Qosja, Vath Koreshi, Anton Nikë Berisha,  Jusuf Buxhovi, Ibrahim Kadriu, Visar Zhiti, Brunilda Zllami, Petrit Palushi, Ramadan Haziri e tj., si dhe  disa romane të brezit të rinj.

Në këtë trajtim vlerësimesh kritike vend të rëndësishëm  ai i ka dhënë  edhe tregimit të sotëm, si dhe dy novelave. Përmbledhjet e tregimeve autori i ka specifikuar për vlerën e tyre siç janë tregimet e: Gjon Markut, Tonin Çobanit, Halil Zendelit, Ramadan Mehmetit, Halil Haxhosaj, Mehill  Velaj,Valdet Avdiut, Fran Camaj etj.

Në  pjesën e fundit të librit, autori ka paraqitur shkrimet e dokumentaritetit për katër libra të veçuara, siç  është libri i : Rasim Selmanajt, Fritz Radovanit, Bedri Islamit dhe Edmond Berishës.

Nëpër këto proza Prendi ka depërtuar  thellësisht, për të dhënë mendimin e tij sa më analitik, si dhe për të shënuar vlerat e tija nga pikëvështrimi i tij. Duke i lexuar të gjitha  vështrimet konstatojmë se autori ka qasje origjinale  të mendimit, shprehjes e parashtrimit të problemeve, të cilat kërkojnë ndriçim dhe njohje si edhe për të nxjerrë tërësinë e veprave të shkruara, e këtë objektivë autori e ka arritur me sukses.

Prendi është njohës i  transmetimit të figuracionit artistik e stilistik të veprës letrare, ai me aftësi profesionale qartëson brendinë e veprës në  depërtimin e thellë, kështu afron mundësinë e njohjes së kodit kritik të prozës së sotme shqipe. Ai edhe vetë është autor i disa veprave  imagjinatave, kjo  dhe hulumtimi i tij në këtë fushë i ka dhënë mundësinë e  trajtimit sa më të afërt të secilës vepër  që ai e ka trajtuar në këtë vëllim.

Përkufizimet në kritikën letrare mundësojnë  interpretimin  në mënyrën e autorit,  duke i njohur këto përkufizime Prendi arrin  të mbarështojë tekstin letrar në frymën e qartësisë për t`i afruar tekstit të tij mendimin sa më origjinal.

Kontributi i autorit në studimet e  këtij libri, është gërshetim në identifikimin sa më afrues  për letërsinë e sotme shqiptare. Njëherit në këto studime  arrijmë të kuptojmë për  vlera të dalluara të prozës sonë, të cilat  janë përzgjedhje vlerësimesh dhe krijojnë hapjen e mëtutjeshme edhe për studiues të tjerë. Kur kemi parasysh se disa nga këto vepra janë fare pak të shpalosura nga kritika letrare apo edhe te një shtresë e lexuesit të gjerë,  për këtë arsye mendimi i Prendit i hap rrugën  studiuesve  tjerë që do të merren me  leximin e studimin e kësaj  proze të sotme.

Nëpër të gjitha faqet e këtij  libri, autori ka synuar të  dallojë pikat më funksionale të secilës vepër të marrë në shqyrtim, për të dhënë idenë estetike si formulime artistike  të këtyre periudhave  letrare, të cilat njëherit lidhin kohët  dhe ruajnë në kujtesën e lexuesit veprimtarinë botuese të këtyre fazave historike.

Libri i Prend Buzhalës “Amëza e rrëfimit”, ngërthen e ruan në vete aktualitetin krijues për autorët e këtyre veprave, duke  identifikuar   me kriter të peshuar  brendinë e tyre. Vlerësimet e tija janë në përputhje me  prodhimin letrar të autorëve me nam dhe autorëve të rinj apo të disa fushave  më specifike të  veprave  të kulturës sonë.

Me faktin se Prendi studimet e tij i trajton krejt në mënyrë vullnetare, ai rrezaton frymën e protagonistëve, duke i dhënë dimensionalitetin, karakterin sa më estetik. Kështu,  roli i tij në krijimin e kësaj fushe studimore, plotëson zbrazëtinë e madhe në këtë sferë. Ai ka meritën e pakontestueshme se është ndër studiuesit e paktë të  kësaj kohe, që trajton me zell e përkushtim artikulimin e tij shkencor në këtë problematikë të rëndësishme në letrat e sotme shqipe.

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet e shkrimtar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.