24.3 C
Tirana
E enjte, 16 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Letërsi Ese Tregu i fjalëve dhe shpresa nën hirin e kohës

Tregu i fjalëve dhe shpresa nën hirin e kohës

0
Safet Sadiku

Ese letrare:

Nga Safet SADIKU

1)…Mendimet vazhdojnë, zihen në brendi… Nuk është më çështje teknike. As protokoll, as gjuhë diplomatike që lë hapësirë për interpretim. Është alarm. Një thirrje e zgjatur në boshllëk. Një pasqyrë që nuk falsifikon asgjë. As kostumet. As titujt. As rolet. Mosmarrëveshja nuk është më e rastësishme. Është dokument. Dështim që nuk vjen nga jashtë. Na vjen nga brenda. Nga zyrat e ngrohta. Nga heshtjet e llogaritura. Nga „po”- të, që fshehin një „jo”. Nga ndjeshmëritë që u shitën për favore. Marrëveshja që nuk u arrit?

Nuk është veç një dokument i munguar. Është një besim i rrënuar. Dhe besimi nuk rindërtohet me fjalime. As me “marrëveshje të reja”. Ndërtohet me përgjegjësi. Me ballafaqim. Me pyetjen më të rëndë: Pse u lejua të ndodhte? Sepse dikush e dinte. Dikush pa dhe heshti. Dikush përfitoi nga kaosi. Dhe askush s’e mbajti përgjegjësinë. Në fund, gjithçka bie në një fjali: Kush e paguan çmimin e dështimit? Zakonisht, jo ai që e shkakton. Por ai që besoi. Qytetari i zakonshëm. Ai që nuk është në tavolinë. Por që jeton me pasojat e saj.

Jashtë atyre mureve, qyteti vazhdonte ritmin e vet, i mbuluar nga zhurma e ekraneve dhe propaganda e përditshme që e shiste lodhjen si sukses. Studiot televizive gumëzhinin çdo mbrëmje nga analistë që flisnin me siguri për “fitore diplomatike”, për “partneritete strategjike” dhe për “rrugë të hapura drejt së ardhmes”, ndërsa askush nuk guxonte të ndalej te humbjet reale që po grumbulloheshin në heshtje. Mediat ndriçonin fytyrat e zyrtarëve me drita të buta studioje, i zmadhonin buzëqeshjet, ua lustronin fjalët, sikur një deklaratë e bukur mund ta fshehte boshllëkun e politikës së jashtme.

Publiku ushqehej çdo ditë me imazhin e liderëve që shtrëngonin duar nëpër samite, me fotografi para flamujve europianë dhe me fjali të stërpërsëritura për “stabilitet” e “bashkëpunim rajonal”. Por askush nuk fliste për marrëveshjet që mbeteshin pezull, për zërin shqiptar që zbehej në tavolina ndërkombëtare, apo për diplomatët që kishin mësuar të buzëqeshnin më mirë sesa të mbronin interesin kombëtar. Ishte krijuar një teatër modern i optimizmit artificial, ku dështimi nuk mohohej, thjesht mbulohej me grafikë televizive, konferenca shtypi dhe patriotizëm ceremonial.

Dhe ndërsa propaganda vazhdonte të prodhonte iluzionin e suksesit, qytetari i zakonshëm ecte nëpër rrugë me ndjesinë e paqartë se diçka nuk shkonte. Nuk kishte dokumente sekrete në duar. Nuk njihte protokollet diplomatike. Por e ndiente lodhjen e shtetit në jetën e vet të përditshme. E ndiente tek ikjet, te pasiguria, te heshtja e gjatë e njerëzve që kishin pushuar së besuari se politika e jashtme bëhej ende për ta dhe jo vetëm për fotografitë e pushtetit.

Ngadalë, gjithçka nisi të ngjante me një shkollë të vjetër regjimesh, ku humbjet shiteshin si fitore dhe dështimet mbështilleshin me gjuhë triumfi. Çdo tërheqje paraqitej si mençuri diplomatike, çdo kompromis si sukses historik. Në atë logjikë të mbyllur nga pushteti, po dëshmohej se shteti nuk trajtohej më si pronë e qytetarëve, por si zgjatim personal i atyre që qeverisnin. Individë të caktuar filluan ta mbanin veten si pronarë të institucioneve, si njerëz që nuk përfaqësojnë kombin, por e zotërojnë atë përkohësisht. Dhe pikërisht aty lindte ngjashmëria më e frikshme me regjimet: jo vetëm te propaganda, por te bindja e heshtur se pushteti është më i rëndësishëm se vetë shteti. Diplomacia po mësonte gjithnjë e më shumë artin e buzëqeshjes dhe gjithnjë e më pak guximin për të mbrojtur interesin kombëtar. Dhe kështu, dështimi nuk mohohej më. Thjesht mbulohej me konferenca shtypi, me grafikë televizive dhe me një patriotizëm festiv, por shumë artificial, që tingëllonte bukur në ekran, por bosh në jetën reale.

2) Ndërkohë, qytetari i zakonshëm ecte nëpër rrugë me një ndjenjë të paqartë rëndese, si dikush që e ndien, se diçka po shembet ngadalë, edhe pse nuk arrin t’i japë emër. Ai nuk njihte protokollet diplomatike, as gjuhën e deklaratave ndërkombëtare. Por e ndiente lodhjen e shtetit në jetën e vet të përditshme. E ndiente te njerëzit që largoheshin pa kthyer kokën pas. Te heshtja e gjatë e atyre që kishin pushuar së besuari se politika bëhej ende për qytetarin dhe jo vetëm për fotografinë e pushtetit. Kishte filluar të krijohej një boshllëk i heshtur mes shtetit dhe njerëzve të tij, një largësi që nuk matej me kilometra, por me zhgënjim. Ngadalë, gjithçka nisi të marrë pamjen e atyre regjimeve të vjetra që humbjet i quanin fitore dhe dështimet i mbështillnin me gjuhë triumfi. Çdo tërheqje paraqitej si maturi diplomatike. Çdo kompromis si sukses historik. Dhe në atë logjikë të mbyllur, pushteti nuk dukej më si përgjegjësi ndaj shtetit, por si pronë personale e atyre që e mbanin përkohësisht në duar. Disa njerëz filluan të silleshin jo si përfaqësues të kombit, por si zotërues të tij. Pikërisht aty lindte ngjashmëria më e frikshme me regjimet: jo vetëm te propaganda, por te bindja e heshtur se pushteti duhej mbrojtur me çdo kusht, edhe kur për këtë duhej të sakrifikohej vetë shteti.

Frika dhe ëndrrat e errëta nuk e ndryshojnë realitetin. Ato vetëm e turbullojnë mënyrën se si njerëzit e shohin atë. Dhe realiteti, pavarësisht zhurmës së propagandave apo ankthit të përhapur në rrjetet sociale, mbetet më i fortë se çdo fantazi apokaliptike. Amerika vazhdonte të ishte fuqia që mbante peshën më të madhe ushtarake, ekonomike dhe diplomatike në botë. Aleancat e saj shtriheshin përtej oqeaneve, ndërsa NATO mbetej ende boshti kryesor i sigurisë europiane dhe i ekuilibrit në Ballkan. Kosova nuk kishte dalë nga errësira falë propagandave lindore apo premtimeve boshe të fuqive të largëta. Ajo ishte çliruar nën avionët e NATO-s dhe nën vendimin politik të Amerikës për të ndalur një tragjedi njerëzore në zemër të Europës. Edhe sot, siguria e saj mbështetej mbi të njëjtat garanci perëndimore që kishin ndalur luftën.

Rusia dhe Kina mund të zgjeronin ndikimin e tyre ekonomik apo diplomatik, por në korridoret reale të fuqisë botërore ende ndihej pesha e Perëndimit. Kjo shihej qartë edhe në Ukrainë, ku barrën më të rëndë të mbështetjes ushtarake dhe financiare vazhdonte ta mbante aleanca perëndimore. Fuqia nuk matet me zhurmën e komenteve virtuale, as me parashikime të frikshme që qarkullojnë natën nëpër ekrane telefonash. Ajo matet me kapacitetin real për të mbrojtur aleatët, për të ndikuar te ekonomitë dhe për të përcaktuar drejtimet e botës. Dhe Amerika ende e kishte atë peshë, dhe ende e ka këtë peshë, me finksionalitet ushtarak e diplomatik.

Por për shqiptarët, pyetja më e rëndësishme nuk ishte nëse bota po ndryshonte. Historia gjithmonë ka qenë lëvizje. Fuqitë ngrihen, konkurrojnë dhe përplasen në ekonomi, teknologji, ushtri dhe ndikim global. Pyetja e vërtetë ishte nëse shqiptarët do të vazhdonin të jetonin me frikë, apo do të mësonin të ndërtonin sigurinë e tyre mbi vetëdije, zhvillim dhe organizim. Asnjë aleancë nuk mjafton për një popull që nuk ndërton ekonomi të fortë, arsim cilësor dhe institucione të besueshme. Shtetet mbrohen fillimisht nga brenda vetes. Nga aftësia për të prodhuar, për të menduar gjatë dhe
për të krijuar stabilitet.

Prandaj, në vend të panikut dhe skenarëve të errët, nevojitej më shumë realizëm. Më shumë punë. Më shumë vizion. Shqiptarët kishin nevojë të mendonin për investimet, për teknologjinë, për zhvillimin industrial dhe për bashkëpunimin ekonomik mbarëshqiptar. Sepse kombet që forcohen ekonomikisht fitojnë jo vetëm mirëqenie, por edhe respekt politik dhe siguri më të madhe. Historia e kishte dëshmuar vazhdimisht: frika i paralizon shoqëritë, ndërsa dituria, puna dhe organizimi i bëjnë më të qëndrueshme. Dhe ndoshta pikërisht aty fillonte edhe ideja e programit: “Platforma për Referendum Kombëtar”. Jo si një slogan i çastit, por si përpjekje për ta zgjuar vetëdijen qytetare dhe për të ndërtuar një mendim më afatgjatë mbi shtetin, ekonominë dhe interesin kombëtar. Një projekt që synonte ta kthente vëmendjen nga emocionet e momentit drejt pyetjes më të vështirë: si ndërtohet një komb që nuk jeton vetëm me kujtime historike, por me strategji për të ardhmen?

Sepse e ardhmja e shqiptarëve nuk mund të ndërtohej mbi ankthin dhe pesimizmin. Ajo kërkonte vizion, unifikim dhe durimin për të ndërtuar ngadalë atë që propaganda e premtonte brenda një nate. 3) Ligji i shpresës nuk lind në korridoret e ftohta të pushtetit dhe as në podiumet ku fjalët përsëriten si jehonë sa herë afrohen zgjedhjet. Ai nuk vuloset me firma ministrash dhe nuk ruhet në dosje zyrtare. Shpresa e vërtetë jeton diku tjetër: te njerëzit që zgjohen herët edhe kur janë lodhur nga pesha e zhgënjimeve, te nënat që ndezin dritën e shtëpisë me kursimet e fundit, te të rinjtë që ende guxojnë të ëndërrojnë përtej kufijve të një realiteti të lodhur. Ajo është si një prush i fshehur nën hirin e kohës, që duket i shuar, por vazhdon të mbajë nxehtësinë e jetës.

Në hapësirën shqipfolëse, politika është shndërruar shpesh në një pazar zërash, ku premtimet varen si mall i lirë mbi tezgat e fjalimeve. Liderët ndryshojnë fytyra, flamuj dhe slogane, por mënyra e vjetër e sundimit mbetet pothuajse e pandryshuar: shumë tym, pak dritë. Çdo palë flet sikur po shpëton kombin, ndërsa qytetari dëgjon të njëjtat fjali të konsumura që bien mbi të si shi i ftohtë dimri. Dhe ngadalë krijohet ndjesia se politika nuk po ndërton më rrugë drejt së ardhmes, por vetëm po rrotullohet brenda një labirinti ku pushteti kërkon të mbijetojë vetveten. Megjithatë, populli nuk jeton vetëm me lodhje. Sa herë duket se shpresa po shuhet, ajo rikthehet si bari që çan asfaltin pas një dimri të gjatë. Njerëzit e zakonshëm vazhdojnë të mbajnë familjet, të ruajnë gjuhën, të mbledhin kujtimet dhe të besojnë se e ardhmja nuk mund të mbetet peng e një politike që ushqehet me frikë dhe përçarje. Politika ndërton mure mes krahinash, partish e bindjesh, ndërsa shpresa kërkon ura mbi lumenjtë e ndarjes. Ajo nuk njeh kufij artificialë, sepse flet me gjuhën e përbashkët të dinjitetit njerëzor dhe të jetës normale.

Në këtë realitet të paqartë, qytetari shpesh ngjan me një udhëtar që ecën në mjegull. Nga larg dëgjon premtime për drejtësi, zhvillim dhe mirëqenie, por sa më shumë afrohet, aq më qartë sheh hijet e korrupsionit, arrogancës dhe garës së pafund për pushtet. Dhe ndoshta pikërisht ky kontrast i ka lodhur njerëzit më shumë se vetë varfëria. Sepse varfëria rëndon trupin, ndërsa mashtrimi lodh shpirtin. Por forca e një kombi matet pikërisht në çastin kur ai refuzon ta humbasë shpresën, edhe kur politika përpiqet ta blejë atë me slogane ose ta përdorë si dekor elektoral.

Një pamje e thjeshtë nga tregu i qytetit e tregonte këtë më mirë se çdo debat televiziv. Një tregtar shiste kumbulla me zë të lartë, duke i lavdëruar si frutin më të ëmbël të vendit. Pas tij qëndronte gomari i ngarkuar me barrë, i heshtur dhe i durueshëm, si një krijesë që e kishte pranuar fatin e vet pa ankesa. Për muaj të tërë dëgjoi të njëjtat britma reklame, derisa një ditë vendosi të hingëllinte edhe ai, sikur donte të bëhej pjesë e tregut të zhurmës. Por hingëllima e tij e rëndë prishi gjithë atmosferën. Njerëzit filluan të largoheshin jo pse kumbullat ishin të këqija, por sepse tregu humbi qetësinë dhe besimin. Dhe politika shqiptare ngjante shpesh me atë treg të zhurmshëm. Njerëzit me më pak urtësi bërtisnin më fort.

Debati publik mbushej me akuza, propagandë dhe britma tribunash, ndërsa fjala e mençur humbiste si një zë i ulët në mes të stuhisë. Politika nuk fliste më me gjuhën e qytetarit, por me gjuhën e tregut: kush bërtet më shumë, duket sikur shet më mirë. Por besimi nuk blihet me zhurmë. Një popull mund të durojë varfëri, padrejtësi dhe pritje të gjata, por lodhet kur ndien se po nënvlerësohet. Ashtu si klientët që u larguan nga tregu, edhe qytetarët largohen nga politika kur propaganda bëhet më e madhe se e vërteta. Dhe më e keqja është se, jo vetëm se shumë qytetarë u larguan nga politika, por u larguan edhe nga Atdheu!

Demokracia nuk ka nevojë për hingëllima tribunash. Ajo ka nevojë për fjalë që mbajnë peshë dhe për njerëz që e kuptojnë dallimin mes shërbimit dhe mashtrimit. Dhe ndoshta mësimi më i hidhur i atij tregu ishte se jo kushdo që nxjerr zë di edhe të flasë. Një mësim që nuk i vlente vetëm tregtarit dhe gomarit të tij, por gjithë politikës shqipfolëse. Sepse populli mund të falë gabime, por rrallë fal ata që e marrin heshtjen e tij për padije.

(Nga dorshkrimet, sirtari nr. 201)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.