Autore:
Elife LUZHA
Teksa ndiqja gazetaren dhe analisten e njohur franceze, Margot Haddad, e cila po zhvillonte një intervistë të drejtpërdrejtë nga studioja me Presidentin amerikan Donald Trump, përmes telefonit të tij personal, lidhur me negociatat për paqe mes SHBA-së dhe Iranit, mendja m’u rikthye tek realiteti politik në Kosovë, ku edhe çështjet më bazike instuticionale mbeten të pazgjidhura.
Në mungesë të konsensusit për zgjedhjen e presidentit të ri, vendi mbetet me ushtrues detyre, një praktikë që vazhdon të përsëritet ndër vite tek ne. Ndaj lind pyetja:
Cilët janë mekanizmat e mundshëm për tejkalimin e kësaj gjendjeje dhe cilat alternativa institucionale mund të parandalonin bllokadat e përsëritura në procesin e zgjedhjes së presidentit?
Çështja e zgjedhjes së presidentit është trajtuar gjerësisht në literaturën e shkencave politike, veçanërisht nga studiuesi si Juan J. Linz, Matthew Shugart dhe John Carey.
Sipas Linz-it, krizat në zgjedhjen e presidentit burojnë kryesisht nga mungesa e konsensusit politik dhe niveli i lartë polarizues mes partive politike, të cilat shpesh çojnë në bllokim institucional dhe vështirësi në funksionimin efektiv të demokracisë.
Nga një këndvështrim ndryshe, Shugart dhe Carey, theksojnë rëndësinë e rregullave kushtetuese, duke argumentuar se nuk është aq e rëndësishme se kush e ushtron pushtetin, sa janë të rëndësishme rregullat mbi të cilat ndërtohet ai pushtet.
Por, për fat të keq, në Kosovë krizat e përsëritura në zgjedhjen e presidentit janë më të ndërlikuara dhe nuk kanë të bëjnë vetëm me rregullat kushtetuese, apo polarizimet ndërpartiake, por edhe me sjelljen e elitave politike dhe kulturën politike e qytetare në përgjithësi. Prandaj, kërkohet një qasje që i ndërthur këto dimensione.
Është e qartë se rregullat aktuale procedurale, në praktikë, e mundësojnë bllokimin e procesit, ndërkohë që mungojnë mekanizma për zhbllokimin e tij. Për këtë arsye, është e domosdoshme ndërmarrja e reformave procedurale që e parandalojnë bllokimin, duke filluar nga vendosja e afateve të detyrueshme për zgjedhjen e presidentit, e deri te shqyrtimi i mundësisë së zgjedhjes së drejtpërdrejtë të presidentit nga qytetarët.
Një model i tillë do të kontribuonte në zhvendosjen e fokusit nga kalkulimet partiake drejt vullnetit qytetar, si dhe do të ulte mundësinë e bllokimeve, duke rritur njëkohësisht legjitimitetin demokratik të institucionit të presidentit.
Në këto rrethana, roli i qytetarëve në politikë bëhet edhe më i rëndësishme. Përmes votës së tyre, ata duhet t’i ndëshkojnë subjektet politike që krijojnë bllokada institucionale dhe të refuzojnë mbështetjen për lidershipin përçarës. Po ashtu, duhet të rrisin kërkesën për llogaridhënie dhe të mos mbështesin aktorët politik që nuk janë të gatshëm për bashkëpunim.
Në vazhdim të kësaj logjike, lidershipi politik në Kosovë do të bënte mirë të reflektonte edhe mbi disa parime të trashëgimisë juridike dhe zakonore, siç është Kanuni i Lekë Dukagjinit, duke studiuar me vëmendje, të paktën pjesën “Kanuni i Pleqnis – Tagri e detyra e Pleqvet”.
Edhe pse në atë kohë nuk ekzistonte institucioni i presidentit, praktikat vendimmarrëse dëshmojnë për ekzistencën e mekanizmave kolegjialë, si Këshilli i Burrave të Urtë, që nuk ishte thjesht një institucion vendimmarrës, por mbi të gjitha një shprehje e një kulture politike ku interesi i përbashkët qëndronte mbi interesin individual.
E përkthyer në kohën e sotme, kjo frymë mund të lexohet si thirrje për maturi dhe bashkëpunim, për arritjen e një kompromisi politik dhe për zgjedhjen e një figure unifikuese, që garanton unitetin shoqëror dhe institucional në vend.
Kosova nuk e ka luksin të mbetet e bllokuar në cikle të përsëritura krizash. Nëse nuk ndërmerren hapa konkret për ndryshimin e rregullave procedurale, përmirësimin e sjelljes së aktorëve politikë dhe ngritjen e kulturës politike e qytetare, ekziston rreziku real që bllokadat të vazhdojnë, duke penguar funksionimin normal të shtetit dhe zhvillimin shoqëror e politik.











