KOSOVA DHE RETORIKA LUFTËNXITËSE E DHELPRËS SË BALLKANIT

1
Vucic për Srebrenicën në OKB

Xhelal Zejneli

Serbia e viteve të fundit qeveriset nga radikalët sheshelistë si dhe nga nacionalë-socialistët millosheviqianë. Ish-kryetari serb – Tomisllav Nikoliqi ishte sheshelistë. I tillë ka qenë edhe kryetari i përtashëm – A. Vuçiqi. Ndërkaq, ministri i Jashtëm serb – Ivica Daçiq ishte i rrethit më të ngushtë të Millosheviqit. Objektivi i tyre ka qenë dhe mbetet – sendërtimi i “Naçertanies” së Ilija Garashaninit dhe krijimi i Serbisë së Madhe.

Për ta arritur këtë qëllim, politikanët serbë kanë ndjekur gjatë historisë dhe vazhdojnë të ndjekin edhe sot – politikë hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste. Qëllimi i Serbisë është që me ndihmën e Rusisë dhe Putinit, të dominojë në Gadishullin Ballkanik. Për këtë arsye Serbia, si dikur ashtu edhe sot, ndjek politikën e forcës. Gjatë tërë shekullit XX, Serbia është duke vajtuar për të ashtuquajturën çështje kombëtare serbe, këtë murtajë të zezë të Ballkanit. Politika serbe, e dikurshmja dhe e sotmja, është politikë destruktive, destabilizuese dhe luftënxitëse.

Për këtë arsye, Serbia sot është në mosmarrëveshje me shumë vende të rajonit:

– Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh Kishën Ortodokse Maqedonase;
– Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh Kishën Ortodokse të Malit të Zi;
– Serbia e destabilizon Bosnjën dhe Hercegovinën, duke nxitur tendencat secesioniste në Republikën Serbe, me qëllim aneksimi të saj;
– Serbia ndaj Kroacisë vazhdimisht ka manifestuar aspirata territoriale, duke i shfrytëzuar serbët e atjeshëm si kolonë të pestë;
– Serbia ndaj Kosovës haptazi manifeston tendenca territoriale.

Pikërisht kjo Serbi, në vitet ’90 të shekullit XX, nëpërmjet Armatës Popullore të Jugosllavisë – të kontrolluar nga gjeneralët serbë – bëri agresion ndaj Sllovenisë, Kroacisë, BH-së dhe Kosovës. Një Serbi e këtillë nuk e ka vendin në BE.

*   *   *

Ka kohë që Serbia ndaj Kosovës ndjek luftë speciale dhe luftë psikologjike. Një shtet që në kohë paqeje ndjek ndaj fqinjit të vet luftë speciale dhe luftë psikologjike, nuk është i denjë për të zhvilluar bisedime për arritjen e një marrëveshjeje. Ka kohë që krerët politikë të Serbisë kërkojnë arritjen e një kompromisi rreth “çështjes” së Kosovës. Me fjalën kompromis, Beogradi nënkupton ndarjen e Kosovës. Ndarja e Kosovës është një ide e vjetër e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.

Kompromisi për Kosovën është arritur me Planin e Marti Ahtisarit. Sipas këtij plani, Kosova është ndërtuar si shtet qytetar dhe demokratik, në të cilin, shumica absolute shqiptare ua njeh të gjitha të drejtat bashkësive etnike joshqiptare, si në asnjë vend tjetër të BE-së.

Beogradi duhet të dijë se nuk ekziston çështja e Kosovës. Përkundrazi, ekziston çështja e bashkësive etnike joserbe që ndodhen nën sundimin serb – e shqiptarëve në Kosovën lindore, e myslimanëve në Sanxhak dhe e hungarezëve në Vojvodinë – ndaj të cilëve Serbia ndjek politikë diskriminimi dhe varfërimi.

Statusi i Kosovës është përcaktuar me Planin e Marti Ahtisarit, ndaj çfarëdo dialogu tjetër rreth Kosovës dhe lidhur me të, është i panevojshëm. Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel ka qenë fare i panevojshëm, për arsye se liritë dhe të drejtat e minoriteteve në Kosovë, përfshi edhe ato të pakicës serbe, kanë qenë dhe janë të garantuara sipas standardeve evropiane më të larta. Mirëpo Beogradit kurrë nuk i kanë interesuar të drejtat e serbëve të Kosovës, por territori i saj (i Kosovës).

Serbia e sotme, është Serbi e Madhe, për arsye se nën sundimin e saj ndodhen territore të banuara me popullsi joserbe, siç janë Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), e banuar nga shqiptarë; Sanxhaku, i banuar nga myslimanë si dhe Vojvodina, e banuar nga 26 pakica kombëtare dhe me një përqindje të madhe të bashkësisë etnike hungareze. Në vitet ’90 të shekullit XX, Serbia anembanë Ish-Jugosllavisë bëri dy revolucione të mëdha: jogurt revolucioni dhe ballvan revolucionin. Gjatë jogurt revolucionit, të udhëhequr nga S. Millosheviqi, Beogradi ia suprimoi Vojvodinës autonominë. Duhet shtuar se në vitin 1945 Serbia bëri pastrimin etnik të Vojvodinës, duke dëbuar qindra mijë gjermanë, nën akuzën se qenkëshin kolaboracionistë. Në vend të tyre solli në këtë rajon kolonë serbë dhe malazias, me qëllim ndryshimi të strukturës etnike të popullsisë.

Kur është fjala për Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) duhet thënë se që nga dita kur kjo pjesë e Kosovës iu mor asaj dhe iu dha Serbisë, Beogradi ndaj shqiptarëve të kësaj zone ka ndjekur politikën e gjenocidit dhe të getoizimit. Të njëjtën politikë të gjenocidit dhe të getoizimit ndaj shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) Beogradi ndjek sot e kësaj dite.

Rrjedhimisht, më parë se për serbët e Kosovës, të cilëve nuk u mungon asnjë e drejtë, Beogradi duhet të kujdeset për sigurimin dhe garantimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), të myslimanëve në Sanxhak si dhe të hungarezëve në Vojvodinë, të cilëve ua mori autonominë.

*   *   *

Çështjen e Kosovës Beogradi ka synuar ta paraqesë së çështje “që duhet të zgjidhet” midis Serbisë dhe Shqipërisë. Duke e shtruar Kosovën si “çështje midis Shqipërisë dhe Serbisë”, Beogradi synon ndarjen e Kosovës midis Shqipërisë dhe Serbisë. Beogradi duhet ta dijë se nuk ekziston çështje e Kosovës. Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe demokratik i rregulluar me Planin e Ahtisarit dhe i njohur nga 117 vende të botës. Është njohur nga ShBA-ja, nga Britania e Madhe, nga Gjermania, nga Franca, nga Italia, nga Japonia, nga Kanadaja, nga Australia etj.

Ndarja territoriale do të komprometonte vendimet dhe veprimet e qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe të Brukselit. Do të vihej në dyshim Plani i Ahtisarit, do të diskreditohej edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës, shpallja e pavarësisë së Kosovës, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, ka qenë akt i justifikueshëm.

Vitet e fundit, diplomacia serbe s’ka lënë derë pa trokitur për t’i bindur qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes se “çështja e Kosovës” nuk është zgjidhur dhe se kërkuaka zgjidhje. E zgjidhja, sipas millosheviqistëve dhe sheshelistëve, na qenka ndarja e saj. Por, Beogradi duhet ta dijë se millosheviqistët dhe sheshelistët janë forca të mundura. Të mundura, jo nga bashkësia ndërkombëtare por nga ideologjia vetanake retrograde dhe antidemokratike. Krerët politikë serbë, të nxitur edhe nga klerikët serbë, duan ta ringjallin një ideologji anakronike.

Beogradi duhet ta dijë se:

– kurrë në histori ndarjet territoriale nuk janë bërë pa luftë;
– ndarja territoriale shpie në krijimin e shteteve etnike, gjë që është në kundërshti me parimet dhe me vlerat themelore të Bashkimit Evropian;
– krijimi i shteteve etnikisht të pastra është në kundërshti me parimet themelore demokratike;

Si mund të kërkojë Beogradi ndarje territoriale me Kosovën, përderisa nën sundimin e Serbisë ndodhen Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Sanxhaku dhe Vojvodina e banuar nga 26 minoritete.

Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli – e dinë mirëfilli se ndarjet territoriale mund të çelin në rajonin  e Ballkanit kutinë e Pandorës:

– ndarje në Maqedoni mund të kërkojnë shqiptarët me qëllim që t’i bashkëngjiten Shqipërisë;
– ndarje nga Mali i Zi mund të kërkojnë shqiptarët në mënyrë që t’i bashkëngjiten Shqipërisë;
– ndarje nga Greqia mund të kërkojnë shqiptarët që kanë mbetur në Çamëri me qëllim që t’i bashkëngjiten Shqipërisë;
– ndarje nga Serbia mund të kërkojnë shqiptarët e Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) me qëllim që t’i bashkëngjiten Kosovës;
– ndarje nga Serbia mund të kërkojnë myslimanët e Sanxhakut me qëllim bashkimi Bosnjës dhe Hercegovinës;
– ndarje nga Serbia do të kërkonin hungarezët e Vojvodinës me qëllim bashkimi Hungarisë.

Nuk duhet harruar se hungarezë ka edhe në Rumani edhe në Sllovaki. Pas ndarjeve territoriale, mbase do të shtoheshin edhe orekset e Bullgarisë për pjesën juglindore të Maqedonisë. Ndarjet territoriale do të trimëronin Republikën Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës për t’u shkëputur prej saj dhe për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Shkëputje nga Bosnja dhe Hercegovina do të kërkonin edhe kroatët me qëllim bashkëngjitjeje vendit amë – Kroacisë. Pa u prekur nuk do të mbetej as Kroacia. Beogradi do të trimëronte atje kolonën e pestë të vet. Ballkani do t’i ngjante një fuçi baruti ku në fillim të shekullit XX dhe në fund të tij ka ndodhur bellum omnium in omnes. Uashingtoni dhe Brukseli nuk duhet ta lejojnë një gjë të tillë.

Ndarjen e popujve mbi parime etnike, Moska do ta shfrytëzonte për t’i legjitimuar ekspansionet apo synimet e veta në Osetinë Jugore, në Abhazi, në Moldavi, në Krime, në pjesën lindore të Ukrainës, me pretendime edhe ndaj vendeve të Baltikut. Ndarja territoriale do të legjitimonte synimet e Ankarasë për ndarjen e Qipros dhe për bashkëngjitjen e saj Turqisë.

Kur është fjala për kutinë e Pandorës, duhet thënë se Pandora apo efekti i dominos në rajon e më gjerë, fare nuk i intereson Serbisë. Ajo shikon interesin kombëtar të vet.

Po të ndodhte amputimi i një pjese të territorit të Kosovës, shqiptarët sakaq do të fillonin procesin e bashkimit kombëtar. Sipas efektit të dominos, Bosnja dhe Hercegovina do të ballafaqohej me tendencat qendërikëse që do të çonin në shpërbërjen e saj.

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve është një çështje historikisht e justifikueshme. Kjo mund të ndodhë në rrugën paqësore, në çast të volitshëm dhe në marrëveshje me partnerin strategjik të shqiptarëve – ShBA-në. Bashkimi kombëtar i shqiptarëve do të ishte në interes të paqes dhe të stabilitetit të Ballkanit.

Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë për rritjen e kapaciteteve ekonomike dhe për ndërtimin e ekonomive kompatibile, në mënyrë që Kosova të mos mbetet treg i mallrave të importuara nga Serbia apo nga Maqedonia.

*   *   *

Sipas Beogradit, “çështja” e Kosovës do të mund të zgjidhej më lehtë nëpërmjet bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, pa implikimin e faktorit të jashtëm. Kjo dëshirë e Beogradit nënkupton përjashtimin e Uashingtonit dhe të Brukselit nga dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, që zhvillohet në Bruksel.

Sipas Beogradit, në zgjidhjen e “çështjes” së Kosovës do të kishte qenë mirë të implikohen edhe vende të tjera. Me këtë dëshirë të serbëve nënkuptohet që në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, krahas perëndimorëve, të marrë pjesë edhe Rusia.

Duke folur për Kosovën, kryetari serb – Vuçiq ka cekur edhe konfliktin e ngrirë, duke thënë: “Në Serbi ka zëra të cilët kërkojnë që çështja e Kosovës të mbetet konflikt i ngrirë. Të presim dobësimin e ShBA-së dhe forcimin e Rusisë dhe të Kinës. Pas kësaj ta shtrojmë   zgjidhjen e problemit… ”. Dëshira serbe që “çështja” e Kosovës të mbetet një konflikt i ngrirë, nënkupton shpresën e Beogradit për ndryshimin e raportit të forcave apo të konstelacionit në skenën gjeopolitike. Cenimi i sovranitetit të Kosovës dhe i tërësisë tokësore të saj, në aspektin gjeopolitik do të paraqiste fitore të Rusisë.

Sipas kryetarit të Serbisë – Vuçiqit, mosarritja e një marrëveshjeje për Kosovën mund të shpie në konflikt. Ky prononcim i tij paraqet kanosje për Kosovën. Me një fjalë, po qe se gjatë dialogut në Bruksel nuk arrihet marrëveshje, Serbia (me mbështetjen e Putinit), do të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë. Është detyrë e Uashingtonit dhe e Brukseli që ta paralajmërojnë Beogradin se diskursi luftarak nuk është në dobi të asnjërës palë. Diskursi i krerëve të politikës serbe sot, fare nuk dallon nga ai i kohës së Millosheviqit.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk filloi për zgjidhjen e statusit të Kosovës apo për ripërkufizimin e saj. Kosova e ka statusin të zgjidhur – është shtet i pavarur dhe demokratik. Me kalimin e kohës, serbët i dhanë dialogut kah tjetër. Në çastin kur serbët i dhanë dialogut drejtim tjetër, Prishtina duhej t’i ndërpriste takimet në Bruksel. Vazhdimi i dialogut, me lehtësuesit evropianë, tanimë nënkuptonte arritjen e një kompromisi, e kjo nënkupton që secila nga palët duhet të lëshojë pe. Kompromisi për shqiptarët nuk paraqet fitim.

Vetëm në politikë, asgjë nuk ndodh rastësisht. Në këtë me duhet theksuar dy gjëra:

– e para, vitet e fundit, diplomacia serbe zhvilloi nëpër kancelaritë e fuqive perëndimore një fushatë të egër antishqiptare;

– e dyta, veprime të caktuara në botën shqiptare, nuk janë në përputhje me vlerat dhe me parimet perëndimore, gjë që ka pasur për pasojë zbehjen e mbështetjes së perëndimorëve ndaj shqiptarëve.

Shqiptarët nuk duhet të harrojnë se për të ndërtuar shtet nuk mjafton vetëm dëshira e flaktë dhe elaborimi teorik i të drejtës historike apo etnike. Për të ndërtuar shtet nevojitet edhe forcë dhe aftësi shtetformuese e një populli. Popujt që funksionojnë me mikrovlera ngecin pas atyre që funksionojnë me makrovlera.. Shoqëritë që ndërtojnë mikrosisteme ngecin pas shoqërive që ndërtojnë makrosisteme. Popujt që veprojnë në mikroplan nuk shkojnë në hap me ata që veprojnë në makroplan.

Përpos kësaj që u tha më sipër, duhet shtuar se Uashingtoni dhe Brukseli nuk ia dolën të gjejnë mënyrën për ta bindur Serbinë që të heqë dorë nga Kosova, ta njohë pavarësinë e saj dhe ta respektojë tërësinë tokësore të saj. Me fjalë të tjera, qendrat e sipërthëna nuk shohin mënyrë sesi ta vënë veriun e Mitrovicës nën qeverisjen e Prishtinës.

Për ta arritur qëllimin e vet, nuk përjashtohet mundësia që Serbia në Kosovë të inskenojë ndonjë incident, të cilin do ta shfrytëzonte si pretekst, që me ndihmën e Putinit të ndërmarrë ndonjë veprim ushtarak.

Pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës sot, mbështeten edhe në politikën agresive të Moskës. Sipas serbëve, Rusia e Putinit, nuk është ajo e para njëzet vjetëve. Rrjedhimisht, perëndimorët sot, në vend që ta ndalin luftën speciale serbe dhe t’i dalin zot sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Kosovës, ata u sugjerojnë palëve në bisedime të tregojnë elasticitet.

In ultima linea, 117 shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e kanë bërë këtë me kufijtë e saj të përtashëm. Ndryshimi eventual i kufijve do të dukej si akt joserioz para tyre.

Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli duhet ta kenë parasysh faktin se në vitin 1999 Serbia e humbi luftën kolonialiste në Kosovë. Ajo sot, ndonëse humbëse, pretendon të imponojë kushte për zgjidhjen e “çështjes” së Kosovës. Kurrë s’ka ndodhur në histori që pala humbëse t’i diktojë kushte palës ngadhënjyese. Përpos kësaj, bazuar në investimet e vendeve të caktuara të Perëndimit, duket sikur Serbia është shndërruar në të përkëdhelurën e tyre.

Preokupimet e Serbisë lidhur me Kosovën, më parë se me pozitën e pakicës serbe, kanë të bëjnë me synimet e saj për zotërimin e pasurive të Kosovës, sidomos të Trepçës.

Çfarë dialogu mund të zhvillohet me një Serbi, e cila krahas dialogut, kryen edhe stërvitje ushtarake mu pranë kufijve të Kosovës. Beogradi demonstron forcë dhe ndjek politikën e forcës. Uashingtoni dhe Brukseli nuk duhet ta lejojnë një gjë të tillë.

Po qe se Vuçiqi, ky dhelpër i rrezikshëm i Ballkanit dhe bashkëmendimtari i tij – Daçiq nuk e ndërpresin retorikën luftënxitëse ndaj Kosovës, atëherë kombi shqiptar në Ballkan do të duhej t’i rishqyrtonte të gjitha marrëdhëniet me Beogradin – politike, diplomatike, ekonomike… Në konflikt të hapur me shqiptarët, Serbia do ta kishte të vështirësuar integrimin në BE.

*   *   *

Ndër shqiptarë mbizotëron bindja se kufiri midis Kosovës dhe Malit të Zi u vendos në dëm të Kosovës. Flitet se në dëm të shqiptarëve po vendoset edhe çështja e detit me Greqinë. Tani po flitet për një ndarje territoriale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shqiptarët kësisoj, njësoj si në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1013), po shndërrohen në viktima të ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit në Ballkan.

Retorika luftënxitëse e Beogradit ndaj Kosovës po intensifikohet në një kohë kur Shkupi dhe Athina arritën Marrëveshjen e Prespës, me të cilën parashikohet të zgjidhet kontesti rreth emrit. Kjo marrëveshje mbështetet nga një pjesë e madhe e shqiptarëve në Maqedoni. Uashingtoni dhe Brukseli e kanë më se të qartë se marrëveshja e sipërthënë që ia hap rrugën Maqedonisë për në NATO dhe në BE, nuk do të kalonte pa mbështetjen e shqiptarëve.

Si është e mundur që shqiptarët të dalin humbës, në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, kur në Bonstil të Kosovës ndodhet baza ushtarake e ShBA-së, kur në Kuçovë po modernizohet baza ushtarake ajrore, e mbështetur nga NATO-ja. Aleanca Veri-Atlantike dhe bazat ushtarake të saj apo të ShBA-së duhet të shërbejnë për të mbrojtur  sovranitetin dhe tërësinë e tokave të Kosovës. Ndryshe, ç’kuptim do të kishin këto baza ushtarake?! Krahas mbështetjes së pavarësisë së Kosovës nga Uashingtoni dhe Brukseli, shqiptarët kanë nevojë edhe për mbrojtjen e sovranitetit dhe të tërësisë tokësore të saj.

Klasa politike shqiptare përgjegjësi dhe faj nuk duhet të kërkojnë vetëm te të tjerët, por edhe në vetvete. Klasa politike shqiptare apo edhe mbarë shoqëria shqiptare duhet të punojnë dhe të veprojnë për ta rritur aftësinë shtetformuese të shqiptarëve. Vice versa, kombi shqiptar nuk do të mundë të shkojë në hap me tendencën historike.

Qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina, duhet ta kenë parasysh faktin se fuqitë perëndimore kanë interes strategjik, jo vetëm te shqiptarët, por edhe te serbët. Shqiptarët natyrshëm i takojnë sferës perëndimore të ndikimit dhe zonës perëndimore të interesit. Duke lëshuar pe para kërkesave të caktuara të Beogradit, perëndimorët synojnë ta përvetësojnë Serbinë, këtë satelite politike tradicionale të Rusisë, me qëllim të reduktimit të ndikimit rus mbi të.

*   *   *

Vitet e fundit, diplomacia serbe u shndërrua në një makineri propagande të egër, thellësisht antishqiptare. Diplomatët serbë u thonë politikanëve të kancelarive të fuqive historike të kontinentit të vjetër që të mos krijojnë dy shtete shqiptare në Evropën e krishterë:

– ngase shqiptarët janë të fesë islame;
– ngase shqiptarët funksionojnë me sistem oriental vlerash;
– ngase shqiptarët janë të lidhur me Turqinë, me vendet arabe dhe me Iranin;
– ngase shqiptarët i binden presidentin të përtashëm të Turqisë;
– ngase shqiptarët janë përçues të interesave të vendeve islamike;
– ngase qindra shqiptarë të fesë islame, gjatë festave të Bajramit, lutjen e mëngjesit e falin në rrugë, gjë që nuk ndodh as në vendet islamike;
– ngase klerikë shqiptarë të fesë islame nuk duan ta njohin heroin kombëtar – Gjergj Kastriotin apo Nënë Terezën;

– ngase thirrjet për namaz bëhen nëpërmjet tre a katër autoparlanteve të montuara nëpër minaret e xhamive, duke e lëshuar zërin në maksimum, madje edhe në mjediset e banuara me myslimanë, por edhe me të krishterë;
– ngase në Kosovë, që nga pavarësia deri më sot janë ndërtuar qindra xhami, shumë prej të cilave të financuara nga vende të caktuara islamike, ndërsa ndërmarrje prodhuese shumë më pak;
– ngase një numër i caktuar shqiptarësh të trojeve shqiptare, në kuadër të shtetit islamik, kanë luftuar në Irak dhe në Siri;

– ngase me rastin e votimit në OKB lidhur me kryeqytetin e Izraelit, Shqipëria nuk votoi në anën e Uashingtonit, për dallim nga vende të caktuara të rajonit dhe të Evropës që abstenuan;
– ngase një shtetar shqiptar, gjatë fushatës presidenciale në ShBA, ndaj njërit prej pretendentëve për president, përdori fjalë fyese dhe ndodhi që pikërisht ai të zgjidhet president.

Diplomacia serbe ka punuar me të madhe për ta parandaluar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Vitet e fundit, diplomacia serbe ditë e natë shëtit nëpër botë për t’i bindur vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta tërheqin njohjen. Duhet thënë se shumë vende islamike, sot e kësaj dite nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nga kjo rezulton se propaganda e egër serbe se shqiptarët na qenkëshin popull pro Turqisë, pro vendeve arabe dhe pro Iranit është një shpifje e kulluar. Kuptohet, Shqipëria dhe Kosova, në përputhje me normat ndërkombëtare, zhvillojnë marrëdhënie politike apo ekonomike me shumë vende demokratike të botës, përfshi edhe  vendet me popullsi islamike. Dhe këtu s’ka asgjë të keqe. Por, përcaktimi strategjik i shqiptarëve është: partneriteti strategjik me ShBA-në dhe integrimi në strukturat euroatlantike.

Bota shumë mirë e di se shqiptarët janë popull që u përkasin tre religjioneve: katolike, ortodokse dhe islame. Si na qenkëshin pra shqiptarët pro orientit?! Vizita që ia bënë Shqipërisë dy papët e Vatikanit, flet qartas se diplomacia antishqiptare e Beogradit zhvillon luftë speciale kundër shqiptarëve. Gjergj Kastrioti ishte hero shqiptar, por edhe evropian, ndaj e quajtën antemurales christianitatis. Nëna Tereza ishte shqiptare, por i përkiste njerëzimit.

Duke e ditur ndikimin e lobit hebre në politikën amerikane, para ca ditësh Beogradi priti për vizitë kryetarin e Izraelit. Mirëpo, një ditë para ardhjes së tij nga Zagrebi, në disa rrugë të kryeqytetit serb u shfaqën grafite me përmbajtje antisemitiste. E tërë bota e di se gjatë Luftës së dytë Botërore, shqiptarët ishin i vetmi popull në Evropë që nuk ia dorëzoi gestapos gjermane, as edhe një hebre të vetëm. Lidhur me mbrojtjen e interesave kombëtarë, diplomacia shqiptare – e Shqipërisë dhe e Kosovës – duhet të jetë më e gjallë, më vepruese, më vigjilente dhe më kreative.

Shqipëria dhe shqiptarët vazhdimisht kanë ndjekur politikë të fqinjësisë së mirë, politikë të bashkëpunimit në dobi të ndërsjellë dhe politikë stabilizuese e paqeruajtëse në rajon, në të mirë të të gjithëve. Beogradi nuk duhet ta keqpërdorë këtë. Në vend të ndarjes së Kosovës, Serbia duhet t’u kërkojë shqiptarëve falje për krimet e bëra gjatë luftës së viteve 1998-1999. Në vend të ndarjes, Beogradi duhet t’u paguajë shqiptarëve zhdëmtim për politikën kolonialiste dhe për gjenocidin të kryer ndaj tyre prej vitit 1877 deri në ditën e çlirimit.

Serbia do të kishte dashur që shqiptarët të ndërmerrnin hapin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, që më pas, me ndihmën e Rusisë dhe me pretekstin e mbrojtjes së pakicës serbe, të ndërhynin ushtarakisht në Kosovë. Kjo të përkujton ndërhyrjen ushtarake të Turqisë në Qipro, në vitin 1974. Mirëpo, as është Serbia e përmasave turke, as është Kosova Qipro.

S’ka fuqi që mund t’i detyrojë shqiptarët të nënshkruajnë në dëm të vetin. Asnjë shqiptar nuk ka mandat të nënshkruajë dorëzimin e territoreve të Kosovës. Çfarëdo veprimi i njëanshëm, i ndërmarrë nga Serbia, për shqiptarët do të jetë i papranueshëm.

Atë që shqiptarët, me ndihmën e aleatëve të vet, e fituan me luftë çlirimtare kundër kolonializmit serb në Kosovë, nuk mund ta humbin në tryezën e bisedimeve.

Serbia duhet të pushojë së jetuari me mitet e mesjetës. Sintagmat “Kosova – djep i Serbisë” apo “Kosova – Jerusalem i Serbisë”, në shekullin XX, nuk janë veçse anakronizëm. Serbët duhet të pushojnë së qeni populli më arrogant dhe më megaloman i gadishullit. Serbët janë i vetmi popull në botë, të cilët fare pa turp, e konsiderojnë veten popull hyjnor.

Serbia është i vetmi shtet i Ballkani që është kundër paqes dhe stabilitetit në rajon. Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli, në vend që ta pranojnë Serbinë në BE, duhet të kërkojnë prej saj:

– ta njohë pavarësinë e Kosovës, sovranitetin e saj si dhe tërësinë tokësore të saj;
– të heqë dorë nga ideologjia garashaniniste, për t’i dhënë fund një herë e mirë synimit për krijimin e Serbisë së Madhe.

Me shpërbërjen e amalgamës jugosllave, shqiptarët e Kosovës ishin trashëgues të shtetësisë. Në periudhën vijuese, e sidomos pas çlirimit nga sundimi kolonial serb, shqiptarët e Kosovës ishin mbartës të shtetësisë. Si të tillë, ata demonstruan kapacitet shtetformues, duke ndërtuar një shtet demokratik, me të drejta të plota për të gjithë qytetarët, përfshi edhe grupet etnike joshqiptare, ku bën pjesë edhe minoriteti serb.

*   *   *

Shqiptarët jetojnë nën një rrethim tragjik. Ata duhet ta dinë se kryeqendrat e fuqive historike të Evropës – Londra, Parisi, Berlini, Roma apo edhe Vjena, nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për t’u dalë zot atyre. Interesin kombëtar, shqiptarët mund ta realizojnë vetëm me mbështetjen e Uashingtonit.

Shqiptarët janë të bindur se interesi strategjik i ShBA-së nuk ndryshon, pavarësisht nga fakti se kush është në krye të administratës  amerikane. Administrata e Presidentit Tramp e di mirë se shqiptarët janë populli më proamerikan i rruzullit tokësor. Duke mos qenë sllavë, shqiptarët janë përçues të natyrshëm të interesit strategjik amerikan në rajon. Serbët ndërkaq, kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë satelitë politikë të Rusisë. Shqiptarët besojnë se Perëndimi do të zotohet për ta mbrojtur sovranitetin, tërësinë e tokave dhe integritetin e Kosovës demokratike. Roli dhe kontributi i presidentëve amerikanë – Udro Uilson, Bill Klinton dhe Xhorxh Bush në mbrojtje të shqiptarëve, ka zënë kryet e vendit në historinë e këtij populli.

Shqiptarët sot, nuk kërkojnë kurrfarë drejtësie të veçantë, për arsye se ndaj tyre nuk është bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.

20.8.2018

1 KOMENT

  1. Vetem njerezit qe e adhurojne deri ne maksimum Serbine, shkruajne dhe mirren me Serbine… duke filluar nga secili politikan i Kosoves qe mirret me Serbine e deri te OJQ-te e ndryshme qe shkruajne dhe mirren me Serbine …pa pase asnje nevoje.

    Edhe ju Z. Zejneli… jeni adhurues i flaket i Serbise …duke i shkruar tere keto rreshta pa asnje nevoje… perveç duke e plotesuar adhurimin tuaj ndaj saj.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.