PRITEN KOALICIONE BEFASUESE, LDK HEQ VIJAT E KUQE PËR PAN!

0
11
LDK Logo

IDRIZ ZEQIRAJ

Afrimi i zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, ka shqetësuar skajshëm opozitën e çakorduar të Kosovës. Pozicioni opozitar i saj, në mungesë të një kauze të mirëfilltë, përveç një propagande të shpëlarë, kryesisht, shpifëse e hiç të argumentuar, është bërë bumerang dhe mosbesuese. Sforcimi artificial në opozitë-bërje, ndaj pozitës aktuale, po e zbehë rreshtimi përkrahë Serbisë dhe të disa eksponentëve ndërkombëtarë, me simpati apo edhe me pagesë nga Serbia me aleatët e saj tradicional.

Tri akuzat bazë që i bëhen Kurtit dhe qeverisë së tij, nga opozita destruktive janë:

1) Kurti na i vuri sanksionet me qëndrimet kokëforta të tij, në raport me ndërkombëtarët!?
2) Kurti dhe qeveria e tij nuk po koordinohet me ndërkombëtarët, në marrjen e vendimeve, për shtrirjen e sovranitetit në veriun e Kosovës!?
3) Kurti ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet më qeverinë shqiptare.

Qëndrimi ekuivok i ndërkombëtarëve, trimëron Serbinë!

Së pari, sanksionet u vunë pas sulmit banditesk terrorist dhe shkeljes të sovranitetit tokësor të Kosovës! Ndërkohë që, Kosova dhe bota priste të ndodhë e kundërta. Pra, të sanksionohet Serbia agresore dhe jo viktima Kosovë! Pas dajakosjes të ushtarakëve të KFOR-it, nga turma bandite serbe, Borrell bëri thirrje: “Të arrestohen dhe të dënohen kriminelët”.  Policia e Kosovës burgosi fillimisht 3 (tre) sish, Borrell ndërroi mendje: “Pse po i provokoni serbët në veriun e Kosovës?! Pas të gjitha nismave për shtrirjen e sovranitetit, Qeveria e Kosovës është anatemuar, shantazhuar, madje deri në kërcënim të hapur nga ndërkombëtarët, të cilët donin ruajtjen, me çdo kusht, të statusquaos në veriun e Kosovës, qoftë edhe “me banda nëpër këmbë”!

Kjo ishte inkurajimi dhe thirrja e hapur e ndërkombëtarëve, të bërë serbëve, për të kundërshtuar dhe barrikaduar kundër qeverisë së Kosovës. Madje edhe në dajakosjen e sakatosjen e dy amputimeve të këmbëve të dy ushtarakëve KFOR-istë hungarezë, pjesë e krimit të drejtëpërdrejtë janë edhe Borrelli, me shokë, përkatësisht, BE-në e tij. Qeveria filloi ushtrimin e sovranitetit, duke ndaluar votimin e serbëve të Kosovës, për zgjedhjet e Serbisë e deri ke mbyllja e komunave paralele në veriun e Kosovës. Dhe, të gjitha veprimet e qeverisë, për shtrirjen e sovranitetit, ndërkombëtarët i kanë quajtur provokim të serbëve!?

Së dyti, Kurti dhe qeveria e tij, për të gjitha veprimet sovraniste, në veriun e Kosovës, ka paralajmëruar dhe konsultuar ndërkombëtarët. Madje, edhe i ka alarmuar ata se ndarja e Kosovës, me kufirin e vënë në Urën mbi Ibër, nga KFOR-i francez, me praninë dhe aprovimin e trojkës së “UÇK-së”: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Agim Çeku, pikërisht, në ditët tragjike të vrasjes të një duzinë dhe përzënien e dhunshme të mijëra shqiptarëve vendorë të veriut.

Një dëshmi vetëfolëse, të pranuar nga amerikani James O`Brian: “Për mos ndalimin e – dinarit serb -, edhe pse i kemi thënë qeverisë Kurti, megjithatë ajo e bëri ndalimin”. Ndërkohë, ambasadori Jef Hovenier thoshtë të shtyhet afati i zbatimit të këtij vendimi, Jim O`Brian  dhe disa përfaqësues të Kuintit  ngulmonin të anulohet vendimi, pa përcaktuar asnjë afat kohor! Atëherë, çfarë koordinimi mund të bëhet, kur edhe pas një çerek-shekulli çlirim të Kosovës dhe njohjen e pavarëisë të Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ?!

Së treti, kryeministri shqiptar, Edvin Rama, me qeverinë e tij, u rreshtuan njëjtësisht me presidentin serb, Vuçiq dhe aleatët e tij brenda BE-së, gjithnjë kundër Kosovës, që nga Ballkani i Hapur e deri ke ndarja e Kosovës. Andaj, kujt i duhet në Kosovë marrëdhënia me klyshërinë serbe, qofshin ata edhe shqip-folës?!

E vështirë fushata e PDK-AAK, në raport me LDK dhe LVV

Fushata për zgjedhjet në pritje, pothuajse, ka filluar. Se çfarë do të jetë kjo fushatë, për LDK, PDK dhe AAK-NISMA, kundër partisë në pushtet, fillimi është i zymtë.  Nga partitë-banda të PAN-it, LDK-në do ta veçoja, duke shpresuar në disa avantazhe të saj, që e shquajnë në epërsinë e saj, në raport me opozitën aktuale.

Negativiteti i PDK dhe AAK, nismon me falsifikimin e madh, duke u vetëquajtura si të djathta!? Realisht, janë të majta ekstreme, pra, staliniste, të cilat kanë dalë nga një mitër e përgjakur. Hiqen si pro-amerikane, por janë, nismë e mbarim, kundra amerikane dhe tërësisht anti-perëndimore. Dhe, kjo zë fill me LPK-në amë të tyre, e cila, dikur, protestonte kundër bashkimit të dy Gjermanive, “sepse po dobësohet komunizmi botëror me nënën Rusi në krye!” Këto protesta ishin në vazhdën ideologjike-staliniste të udhëheqësit shpirtëror, kriminelit vrastar të shqiptarëve, Enver Hoxha, për gjysmë-shekulli radhazi.

Fushatën parazgjedhore të partive të PAN-it, e vështirëson shumë akuza bazike e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, për krime monstrume, me emërtesen adekuate – Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale -, e cila vetëm përgjatë sundimit kriminal të Qeverisë së Përkohshme të Hashim Thaçit u ekzekutuan, pa gjyq, 456 ushtarakë të FARK-ut; veprimtarë e kuadro të LDK-së, kundërshtarë politikë edhe brenda llojit, kuadro të hershme të LPK-së, për ta shmangur konkurrencën politike.

Tashmë krimi i faktuar vrastar dhe korrupsioni galopant, respektivisht, hajnia zyrtare, do të jenë pengesë serioze, për një fushatë normale, madje aspak të besueshme, pavarësisht propagandës leha-qene të stilit enverist, me byroistët e tij.

Rrjedhimisht, gjasat e opozitës PAN-iste në përballjen e suksesshme me pozitën aktuale në pushtet, nuk janë aspak premtuese. Pritjet për rezultatin zgjedhor të 9 shkurtit të ardhshëm, do të jenë zhgënjyese, sepse përveç ulurimave shpifëse, sharëse dhe denigruese ndaj pozitës, nuk kanë bërë asnjë reformë, asnjë nismë, për të  nxjerrur partitë e tyre nga bataku humbës i 14 shkurtit 2021. Të tmerruar nga mos reformimi, përshkak të grupeve klanore brenda partiake, në veçanti në PDK, zhbërja e partisë dhe riformimi i partive të reja, me elementë të pa inkriminuar, për të shpëtuar aq sa mund të shpëtohet nga anëtarësia aktuale, do të ishte e shëndetshme, jo vetëm për partitë e PAN-it, por edhe për Kosovën. Sepse inkriminimi i partive-banda të PAN-it, është mjaftueshëm masiv.

Të gjitha veprimet sovraniste, PAN-istët e çoroditur e vulë-humbur, i quajnë se bëhen për përfitim votash nga pozita! Kjo na kujton një bisedë në mes të një serbi dhe një shqiptari:
Serbi pyet shqiptarin – përse lufton ti?
Shqiptari: Për bukë goje për vete dhe fëmijtë.
– Shqiptari: Po ti, – pyet serbin?
– Serbi: Për nder e lavdi.
– Shqiptari: Vërtet, gjithkush lufton për atë që i mungon.

Pikërisht, votat po i mungojnë opozitës. Andaj, “ia çajnë hallin kalorësit, që po i varen këmbët!”

LDK-ja meriton të trajtohet, paksa, më ndryshe, sepse ajo është themeluar dhe drejtuar nga burrështetasi unik, Dr. Ibrahim Rugova. LDK-ja bëri paqen dhe luftën, duke e shpenë Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë. Në të kundërtën, partitë e koalicionuara në PAN, bojkotuan mbijetesën ekonomike të Kosovës përgjatë dekadës 1990-1998. Në vitet 1998-1999 sabotuan luftën, duke mos lejuar angazhimin e “UÇK-së të LPK-së” në Luftën e Kosovës. Dhe, këtë e thojnë dhe e faktojnë themeluesit e kësaj UÇK-je, ngaqë uzurpatorët e SHTAB-istë të Rognerit, duke qenë të shantazhuar me dosje të krimeve vrastare, ishin bërë argatë të Shërbimeve Infaormative të shteteve armike të Kosovës, të cilat nuk e donin çlirimin e Kosovës. Edhe këtë e thonë dhe e përserisin, madje me shkrime të botuara publike, ish-shokët në LPK-në e tyre.

Lidershipi i LDK-së së mëparshme, përkatësisht, klani brenda Kryesisë të saj, ishte kapur nga PDK-ja, duke u bërë bisht dhe patericë e saj. Për rrjedhojë, klani i saj, krejt i paautorizuar, foli në emër të LDK-së, duke e implikuar në fajësinë fatale, në firmosjen e disa marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën.

Befasuese dhe zhgënjyese do të ishte koalicioni me partitë e inkriminuara!

Kuvendi i 10-të i jashtëzakonshëm i LDK-së, solli në udhëheqje një lidership të ri, si shpresë e reformimit dhe të prosperimit të partisë, tashmë, të devijuar dukshëm nga rruga rugoviane. Vetë ndryshimet në Lidership, ishte nismë e reformave. Lënia e zyrës dhe dalja në terren të kryetarit të ri, me ekipin e përzgjedhur, ngjallën shpresë dhe kjo u lëndëzua me ngritjen e saj në zgjedhjet komunale. Megjithatë, reformat duhet të vazhdojnë, sepse janë të shëndetshme për partinë.

Lufta e LDK-së për vendin e parë, në zgjedhjet e ardhshme, nuk duhet të përqendrohet vetëm në luftën kundër pozitës, duke “harruar” rivalët e saj, të cilët përgjakën LDK-në dhe Kosovën. Dhe, këtë duhet thënë e përsëritur, përndryshe të spostojnë në renditjen listore, edhe pse LDK-ja kurrë nuk ka pasur struktura vrastare e kriminale në radhët e saj.

Heqja e vijave të kuqe për koalicione me partitë tjera, përkatësisht me partitë e PAN-it, pa asnjë përjashtim, pa asnjë kufizim, gjithsesi, dëmton fushatën zgjedhore të saj. Sepse e kthen LDK-në prapa, duke favozizuar sjelljen dhe mbajtjen e partive të inkriminuara në pushtet, siç bëri dikur, duke e zbritur partinë në kuotën fatale të 12 %-shit. Sidoqoftë, ka kohë për reflektim. Përndryshe, pasojat e koalicionit, respektivisht, të amnistimit të krimeve serike, madje pa kërkuar falje, LDK-ja i ka provuar, deri në përtokje. Sa më parë të kuptohet kjo gjëmë, aq më e leverdishme do të jetë për LDK-në, e cila, pa medyshje, është më e pastra dhe më fisnikja në Shqiptari. Pra, ka qenë dhe duhet të mbetet aset kombëtar, sepse nën udhëheqjen e mençur të kryetarit të saj, Dr. Ibrahim Rugova bëri paqen dhe luftën.

Në Kosovë çështja e koalicioneve është problematike dhe nuk ka shumë hapësirë për të zgjedhur partnerin në koalicion. Kemi hyrë në dekadën e tretë, me një shoqëri, skajshëm, të inkriminuar. Fillin e ka që nga lufta e Kosovës. Një soj “komandantësh”, fort të dyshuar për sjelljet e tyre ultra kriminale, të etur për pushtet dhe para, të përkrahur nga Shërbime Informative keqdashëse ndaj shqiptarëve, u zhytën në krime serike, për përfitime personale e grupore.

Drejtësia e kapur, është drejtësi e munguar. Andaj, kriminelë të bollshëm bredhin të lirë, duke bëre jetë përrallore, në kushtet e Kosovës, nga përfitime të pista e kriminale. Reagimi kundërshtues e kriminal ndaj Vettingut; Ligjit për Verifikimin e Pasurive të Paligjshme, Ligji i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë të Pajustifikueshme, është tregues faktik i degradimit të shoqërisë kosovare. Kjo na sjell ndërmend debatin e para dy dekadave, për heqjen e imunitetit të deputetëve të inkriminuar. Më rezistentët ishin, pikërisht, deputetet kriminelë, të futur kontrabandë në Parlament.

Pyetja e shtruar nëse mund të këtë ndonjë koalicion befasues, përgjigja e saktë do të ishte: Befasia proverbiale do të ishte nëse ndonjë subjekt politik i pa inkriminuar, do të koalicionohet me ndonjë parti rrast të inkriminuar, qoftë vrastare ose hajnore apo në të dyja bashkë. Dhe, sipas të gjitha gjasave, mjerisht, kjo mund të ndodhë. Sepse robëria tej shekullore, ka dëmtuar fort mendjen dhe shpirtin shqiptar.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.