Doli në qarkullim Vëllimi i IV
Nga Enver Memishaj
Në vitin 2000 me rastin e njëqind vjetorit të rënies së Hysni Lepenicës, botova vëllimin e parë mbi veprimtarinë atdhetare të këtij patrioti, në vitin 2019, botova vëllimin e dytë dhe të tretë dhe mu duk se kisha botuar gjithçka që lidhej me këtë patriot. Të tre vëllimet janë redaktuar dhe vlerësuar nga profesorë të shquara të Institutit të Historisë.
Në vazhdën e hulumtimeve të mia gjeta të tjera dokumente dhe materiale për Hysni Lepenicën, të cilat po i botoj në këtë vëllim.
Pra në këtë vepër botohen dokumente e materiale që nuk janë përfshirë në tre vëllimet e para.
Hysni Lepenica ishte themelues i Ballit Kombëtar dhe Komandant i Përgjithshëm i Fuqive të Ballit Kombëtar.
Po çfarë ishte Balli Kombëtar?
Menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste, 7 prill 1939, u formuan grupe patriotike me qëllim që të luftonin kundër pushtuesit të vendit. Në radhë të parë ishte grupi që krijoi Mid’hat Frashëri, menjëherë pas pushtimit të vendit. Ky grup propagandoi ilegalisht për formimin e grupeve në qytetet kryesore të Shqipërisë. (“Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, Vëllimi IV, Tiranë 2021, f. 79)
Parimet themelore, ose programi kësaj organizate u publikua në qershor të këtij viti, në atë që ata e kishin quajtur “Nacionalizma Shqiptare”, “Balli Kombëtar”. (AQSH, F 270,V. 1943, D.11, faqe 2)
Në vjeshtën e këtij viti, filloi shtrirja e organizatës në qytetet kryesore të Shqipërisë: në Shkodër, në Vlorë më 25 gusht 1939, në Korçë, duke formuar komitete të fshehta nga armiku.
Përfundimit do thoshim se Balli Kombëtar ishte një alternativë për bashkimin e popullit për të luftuar pushtuesin e vendit.
“Balli Kombëtar nuk mbronte interesat e një klase të caktuar por të tërë Kombit, për këtë qëllim iu ofrua pjesa më e ngritur, elita e kombit dhe kështu u krijua një Organizatë me organizim të fortë… Në territoret e Shqipërisë Etnikë, nëpërmjet njerëzve të vet, arriti në fillim të mbjellë ndjenjën e atdhedashurisë e mandej të formojë organizatat. Në Prishtinë formoi organizatën e vet në Shkollën Normale “Sami Frashëri”. Paralelisht me këtë Balli arriti të formojë Rininë balliste dhe njësitë e armatosura të saj…
Në politikën e jashtësme Balli Kombëtar ishte për bashkëpunim të ngushtë me fuqitë e demokracive të mëdha, veçmas për një bashkëpunim dhe marrëveshje të sinqertë me shtetet fqinj”. (Prof. dr. Daut Bislimi “Formacionet Politiko-Ushtarake në Kosovë 1941 – 1945”, Prishtinë 1997, f. 87-88)
Politika dhe parimet e Ballit Kombëtar binin ndesh me politikën dhe parimet antikombëtare të Partisë Komuniste, prandaj ajo parti e falsifikoi historinë, e veçanërisht historinë e Ballit Kombëtar.
Hysni Lepenica, lindi në Lepenicë të Vlorës më 10 shkurt 1900. Pas mbarimit të shkollës qytetase shkoi për studime për mësuesi, në Shën Mitër Korona, të cilën edhe e mbaroi dhe në vitin shkollor 1918-1919 e gjejmë mësues në Vlorë.
Është njeri ndër themeluesit e Ballit Kombëtar dhe udhëheqës i Ballit Kombëtar të Vlorës.
Në vitin 1942, ai së bashku me Skënder Muçon kanë formuar çetën e parë nacionaliste, antifashiste në qarkun e Vlorës të emërtuar “Shqiponja”, duke qenë vetë në krye të sajë.
Në komandë të çetës “Shqiponja”, ai do të luftojë në shumë beteja kundër pushtuesit të vendit, italianë dhe gjermanë.
Nga data 31 dhjetor 1942 deti më 2 janar 1943, ai mobilizoi dhe udhëhoqi në luftë fuqitë popullore të Vlorës, kundër fashistëve italianë dhe mercenarëve vendas të Halil Alisë dhe Selim Kaloshit. Në histori kjo betejë është quajtur Lufta e Gjormit.
Hysni Lepenica është njeri ndër 12 përfaqësuesit e Ballit Kombëtar që mori pjesë në Konferencën e Mukjes 1 deri 2 gusht 1943.
Pas kësaj Konference ai u emërua Komandant i Përgjithshëm i Fuqive të Ballit Kombëtar i prefekturave të Jugut, që më pas ai është quajtur Komandant i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar.
Hysni Lepenica ra dëshmor në Gërhot të Gjirokastrës, duke luftuar kundër forcave italiane të pushtimit. Ai është shpallur dëshmor i atdheut, është dekoruar me “Urdhëri i Flamurit” të Klasit Parë dhe “Nder i Kombit”.

Në këtë libër, vëllimi i IV janë botuar shkrime për Hysni Lepenicën nga Mid’hat Frashëri, prof. dr. Sali Berisha, dr. Bujar Leskaj, prof. Zefa Pali, dr. Skënder Muço, prof. Abas Ermenji, prof.. Sadik Bejko, Eduard M. Dilo, nga gazetat “Oshtima e Korçës”, “Flamuri”, etj.
Pas këtyre shkrimeve botohen dokumente të viteve 1925, 1926, 1929, 1932, 1935, 1940.
Me rëndësi të veçantë për historinë e Ballit Kombëtar janë dokumentet e vitit 1942, të agjenturës së pushtuesve italianë.
Pra janë dy dokumente të agjenturës fashiste me siglën “Tepër Rezervat. Në dy zarfe”, që konfirmojnë ”se në Shqipëri ekziston nji Parti Komuniste dhe nji tjetër Kombëtare”. Kuestura e Vlorës me shkresën nr. 01733 dt. 24 korrik 1942, pranon se ekziston një lëvizje komuniste dhe një kombëtare, të dyja me një qëllim: të rrëzojnë qeverinë fashiste. (AQSH, F. 153, V. 1942, D. 252, f. 46, 46/1, 47 ; AQSH, F.153 V.1942, D.252, f. 22, 23; AQSH, F.153 V.1942, D.252, f.26,26/1)
Po këtë vit është shkrimi i autorit të librit, për formimin e çetës së parë antifashiste e qarkut të Vlorës nga Skënder Muçua e Hysni Lepenica.
Më tutje botohet një letër e komunistit Shefqet Musaraj, vëllavrasja, përpjekjet e Partisë Komuniste për eliminimin e Hysni Lepenicës e Skënder Muços.
Të gjitha këto dokumente, nuk janë përfshirë në tre vëllimet e para të Hysni Lepenicës, botohen për herë të parë dhe hedhin dritë mbi historinë e falsifikuar të Luftës Antifashiste 1939 – 1944.











