38.5 C
Tirana
E mërkurë, 12 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Heronj dhe Mesazhe nga Muri i Berlinit!

Heronj dhe Mesazhe nga Muri i Berlinit!

0
Muri i Berlinit

Në 65 Vjetorin e ndërtimit:

Nga DR. JORGJI KOTE
Mjeshtër i Madh në Diplomaci, Ish Zv.Ambasador në Berlin

65 vite më parë, në orën 01:54 të datës 13 Gusht 1961 filloi ndërtimi i Murit famëkeq të Berlinit. Pavarësisht nga ngjarjet e shumta, tronditëse dhe zhgënjyese gjatë këtyre dekadave dhe pas shembjes së tij më 9 nëntor 1989, ajo ditë e ruan rëndësinë e saj epokale. Edhe pse po bëhet sërish ” modë” ngritja e mureve të shumtë me emra të frikshëm kudo; siç e përshkruan aq bukur edhe te poezia ”Muret ” poeti ynë i madh Xhevahir Spahiu, ato janë mure fizike, xhami, hekuri, ideologjike, racore, gjinorë, krahinorë, migratorë, etj.

Muri i Berlinit ishte shumë më tepër se sa e tregon emri. Në fakt, ai ishte impiant gjigand ndarës dhe vdekjeprurës 156 km; përbëhej nga katër breza; i parë 4 m i lartë ishte me beton dhe tela me gjemba; brezi i dytë që njihej dhe si « zona e vdekjes » shkonte 80 – 100 m thellësi dhe kushdo do të shkelte aty do të kapej gjallë ose do ta zinte korenti elektrik; brezi i tretë ishte plot transhe ndërsa brezi i katërt ishte një trase e pakalueshme. Muri vrojtohej në gjithë gjatësinë e tij nëpërmjet 302 kullave të vrojtimit, nga të cilat 32 ishin në qytetin e Berlinit.

Ai Mur vërtet që kufizoi ndjeshëm arratisjen e gjermanolindorëve drejt perëndimit, por ndërkohë ai mega absurd ishte katastrofë e vërtetë për imazhin e lindjes komuniste. Ai demaskoi në sytë e gjithë botës dështimin e ” vitrinës së socializmit lindor” përballë suksesit të RFGJ-së me mrekullinë ekonomike dhe shtetin social.

Eshtë folur dhe shkruar shumë për këtë Mur famëkeq; autori i këtyre radhëve, krahas shkrimeve të tjera ka botuar edhe Librin ”Berlini pa Mure” ( 2009) Në këtë shkrim, po ndalemi në efektet e ngritjes së Murit, në reagimin dhe kundërshtimin e menjëhershëm të popullatës, nga brenda dhe nga jashtë, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet, rrugët dhe mënyrat për kapërcimin e tij.

Gjatë 28 viteve të tij, Murin e kapërcyen me mijra vetë, ndërsa 134 u vranë në përpjekjet e tyre në kërkim të lirisë. Dëshmori i parë i Murit, Peter Fechter ra më 17 Gusht 1962 në rrugën “Bernauer Strasse”; pikëriësht aty ku ndodhet Memoriali i Murit, ku çdo vit zhvillohen homazhe në ditën e ngritjes dhe rënies së tij. Ndërsa dëshmori i fundit, 20 vjeçari Christian Gueffroy ra më 5 shkurt 1989.

Ngritja e Murit u shoqërua me shumë incidente, aksidente por dhe momente emocionuese, për të cilat janë shkruar me qindra libra, këngë, poezi dhe filma. Këtu po ndalem në tri raste të njohura të cilat përmenden më shpesh në këtë 65 Vjetor.

Policioti Hans Conrad Schumann

Kapërcyesi i parë i bujshëm i Murit të Berlinit ishte roja kufitare në pjesën lindore të Berlinit, 19 vjeçari Hans Conrad Schumman. Më 15 Gusht 1961, vetëm dy ditë pas ngritjes së Murit midis rrugës « Ruppiner dhe Bernauer Strasse » diku në qendër të Berlinit, Schumman i kapërceu me guxim telat me gjëmba i inkurajuar nga thirjet e vazhdueshme që vinin nga pjesa perendimore e Berlinit « hajde këtu, hajde këtu! » i ndihmuar edhe nga një makinë policie patrullimi e RFGJ-së. Fotoja e fotografit të ri Peter Leibing e shkrepur me një aparat « Exact » u botua te ”BILD” dhe bëri « xhiron e botës».

Si shkak i indinjatës së Schumman-it u bë kur një vajzë të vogël që kishte shkuar te gjyshërit e saj në pjesën lindore nuk e lejuan të të kthehej sërish te familja e saj. Më vonë ai u vendos në Bavari. Por jeta e tij u kthye në një kalvar vuajtjesh psikologjike, për shkak të presionit të vazhdueshëm nga pjestarët e familjes që e qortonin për veprimin e tij. Sepse dihen pasojat e hakmarrjes së rregjimit lindor ndaj tyre. Ra në depresion deri sa vdiq në vitin 1998 kur ishte vetëm 58 vjeç. Pavarësisht nga këto peripeci, ai i qëndroi deri në fund pohimit të tij se « vetëm kur kapërceva Murin jeta ime u bë plotësisht e lirë”.

Hapësi i tuneleve të nëndheshme

Gjatë gjithë asaj periudhe pati shumë qytetarë berlinoperendimorë, të cilët ndihmuan me të gjitha mjetet ata që donin të iknin në Perëndim.

Një ndër më të shquarit e tyre ishte Hasso Herschel, i cili u nda nga jeta këtë qershor në moshën 91 vjeçare. Bashkë me shokë të tjerë ai hapi tre tunele poshtë Murit të Berlinit. Kështu, vetëm përmes “Tuneli 29“ në vitin 1962 kaluan në perëndim 29 vetë, midis tyre edhe vetë motra e Herschel.

Ky tunel ishte vepër e vërtetë arti. Ai u bë edhe film me titullin “Tuneli“, ku dokumentohet ikja dramatike nëpërmjet tij Ai ishte nga Dresdeni dhe ishte dënuar me burgim disa vite, por kaloi me një pasaportë fallco në perëndim dhe prej andej ndihmoi edhe të tjerë për t’i shpëtuar tiranisë së kuqe.

Herschel vlerësohet si njeriu që më shumë se kushdo tjetër mendohet se ka ndihmuar rreth 1000 vetë në kapërcimin e Murit.

Dy zonjushat e Murit

Rasti i tretë por me fund të lumtur ndodhi më 13 Gusht 1961; kur dy vajza 15 vjeçare gjermane, shoqe shkolle në gjimnaz u afruan te njera tjetra dhe shtrënguan duart në formën e një lamtumire mbi murin që po ngrihej dhe po i ndante si shumë e shumë të tjera. E para nga e djathta e fotos më poshtë është Kriemhild Meyer, kurse tjetra nga e majta, Rosemarie Badaczevski. Kjo e fundit e kishte apartamentin në një godinë shumëkatëshe me ballkon nga pjesa perendimore; sipas planit të babait të saj që ishte në perëndim, ajo rrëshqiti poshtë ballkonit me litar më 19 Gusht 1961.

Kriemhild mbeti në lindje por u largua më vonë në perëndim. Ai takim ato ditë bëri bujë të madhe. Fotoja e tyre kishte dekada që qëndronte në Muzeun ‘Treptow‘ në pjesën lindore të Berlinit. Vitet e fundit, Muzeu kishte bërë shumë demarshe për t’i gjetur e bashkuar simbolikisht ato dy vajza. Më në fund, të dyja “ zonjushat e Murit” siç njihen në publik u gjetën një e nga një në distance kohore, sepse Kriemhild banonte prej vitesh në Zvicër ku kishte punuar si dekoratore. Ndërsa Rosemaria jetonte pranë Hamburgut, ku kishte punuar si sekretare në një universitet.

Më 15 Qershor 2019, këto dy shoqe u ritakuan pas 58 vitesh në katin e tretë të Muzeut në Treptoë, aty ku janë ekspozuar dhe fotot e tyre. E pamundur të përshkruhej gëzimi dhe emocioni i tyre, i stafit të Muzeut dhe publikut gjerman. Ai takim dhe fotoja pranë fragmentit të Murit në po atë vend ku u ndanë 58 vite më parë, në Harzer Strasse, në kufirin midis lagjes Treptower dhe Neukëln, “ pushtoi” faqet e para dhe kronikat televizive të atyre ditëve dhe në vazhdim.

Si shumë e shumë shembuj të tjerë të ngjashëm, edhe rasti i “ dy zonjushave të Murit” dëshmon qartë dhe bindshëm se megjithë suksesin fare të përkohshëm, nuk ka mur, gardh dhe pengesë, sado të gjatë e të sofistikuar qoftë që të ndajë njerëzit.

Këtë mesazh e dha Kancelarja Merkel në fjalimin e saj të zjarrtë më 19 Maj 2019 përpara 20.000 studentëve dhe profesorëve të Universitetit elitar të Harvardit. Ajo bëri thirje që “në vend të nacionalizmit të zgjedhim globalizmin, në vend të unilaterizmit multilaterizmin, në vend të mbylljes hapje, në vend të proteksionizmit tregtar, të hapim tregjet dhe në vend të mëndjengushtësisë mëndje të hapura.“

Presidenti që sfidoi Murin e Berlinit

Ngritja e Murit të Berlinit zhgënjeu dhe tronditi thellë jo vetëm berlinezët në të dy anët e tij por dhe gjithë Perëndimin; sepse u duk sikur ëndra e madhe e ribashkimit gjerman po shuhej. Por jo, se përtej Atlantikut ndriçonte një dritë e madhe shprese. Presidenti mitik Kenedi fluturoi drejt Berlinit më 26 Qershor 1963 me premtimin monumental për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, të solidaritetit dhe të ribashkimit. I shprehu këto mesazhe me shumë emocione por dhe bindshëm, me oratorinë e tij të pashoqe, pikërisht aty, pranë Murit. Berlini oshëtiu atë ditë nga brohoritjet entusiazte “ Kenedi” “Kenedi”!

Me fjalimin e tij historik, mes egzaltimit të gjysëm milionë berlinezë perendimorë të pranishëm, që nisi dhe u mbyll me deklarimin lapidar në gjermanisht “ Ich bin ein Berliner” – “Jam Berlinez” Kenedi dhe SHBA-të i thurën një himn madhështor Berlinit të ardhshëm të Europës së Ribashkuar, të etur për liri dhe paqe.

Vërtet që ky fjalim i konsideruar si më emblematiku i Luftës së Ftohtë kishte vetëm 685 fjalë; por me karizmën e tij të rrallë, Presidenti i 35 i SHBA-ve i dha zjarr aspiratës gjermane të ribashkimit; duke tronditur Berlinin dhe muret ndarës.

Atyre që kishin iluzione për komunizmin, ai iu drejtua ironikisht, qartë dhe thjeshtë: “ Le të vijnë ta shohin në Berlin!”
Vërtet që disa muaj më vonë e vranë Kenedin, por jo vizionin, ëndrën dhe premtimin e atij “ Berlinezi” të madh. Atë e mbajtën dhe përcollën më tej pasardhësit e tij, sidomos Presidenti Reagan, kur më 12 Qershor 1987, nga Portat e mbyllura të Brandenburgut i lëshoi thirjen kushtrim Gorbaçovit për ta shembur atë Mur dhe për t’i hapur ato porta; në vijim, me hapat dhe vendimet e tyre epokale ishin “të mëdhenjtë” e botës – Bush, Thatcher, Kohl, Mitteran dhe Gorbaçhov që më 9 Nëntor 1989 udhëhoqën shembjen e Murit famëkeq me të gjitha rrjedhojat e tij të njohura historike.

Tani, vërtet që po ngrihen gjithandej mure ndarës dhe pengues. Madje, edhe ndonjë urë bashkuese po kthehet në mur pengues dhe ndarës, për fat të keq edhe në Ballkanin Perendimor. Kjo ka ndodhur në Mitrovicë me urën e famshme mbi Lumin Ibër, një vepër e vërtetë arti me financime edhe nga BE-ja. Mirëpo, për vite të tëra deri tani vonë ajo është kthyer në një mur të madh pengues vetëm e vetëm që të mos i prishet mideja dhe humori politik Beogradit.

Konventa e Alpeve ndërton ura bashkuese!

Duke ardhur në terrenin tonë, një ndihmesë të madhe në shembjen e mureve, gardheve dhe pengesave të tjera vazhdon të japë Konventa Ballkanike dhe Gazeta e Alpeve. Kjo falë një seri projektesh, prgramesh dhe nismash të tjera; me synim shembjen dhe shmangien e mureve dhe gardheve ndarës dhe pengues ekzistues në çdo aspekt; midis veriut dhe jugut, Shqipërisë dhe Kosovës, të moshuarve dhe rinisë, shtetit dhe shoqërisë, midis atyre që e duan dhe e mbrojnë si sytë e ballit mjedisin, gjelbërimin dhe shkatërruesve/betonuesve të tij.

Në këtë betejë madhështore janë shquar mijra qytetarë të Alpeve, njerëz të thjeshtë patriotë. Kjo ndihmesë e çmuar është prezantuar dhe promovuar me cilësi elitare dhe në shumë veprimtari me jehonë të gjerë sociale, mjedisore, publike dhe mediatike. Në krye të këtyre proceseve kanë qenë me pasion dhe përkushtim pjestarë dhe drejtues të Konventës, me vlera, virtyte, pasione dhe profesione nga më të ndryshmet.

Në Alpet tona kreshnike kanë lindur, kanë zhvilluar veprimtarinë dhe rrezatojnë imazhin dhe veprën e tyre politikanë të shquar, shkrimtarë dhe poetë të talentuar të formatit ndërkombëtar, afaristë të zotë dhe bujarë, diplomatë dhe ambasadorë brilantë në metropolet dhe organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, mendimtarë, gjuhëtarë dhe filozofë të shquar, arkitektë, ndërtues dhe luftëtarë sypatrembur. Bashkë me këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë të famshëm që vazhdojnë të shkëlqejnë në skenat më të mëdha muzikore dhe operistike të vendit dhe të botës, sportistë me emër në të gjitha llojet, etj.

Lista e këtyre personaliteteve anti-mur është tejet e gjatë, por publiku ynë i njeh ata edhe falë promovimit në faqet dhe rubrikat cilësore të Gazetës së Alpeve, të cilën e drejton me pasion të pashuar publicisti, eseisti dhe veprimtari i palodhur patriot, zoti Ramiz Lushaj. Në vijim të eventeve të mëparshme, Takimi Ballkanik i kësaj Konvente i zhvilluar në muajin Maj në Valbonën e magjishme dhe evente të tjera gjatë vjeshtës, me praninë edhe të personaliteteve të spikatura nga Brukseli janë dëshmitë më të freskëta të angazhimit dhe rezultateve mbresëlënëse të Konventës Ballkanike të Alpeve në shembjen e mureve dhe gardheve; mbi të gjitha zëvendësimin e tyre me ura dhe nyje bashkuese, kudo, por mbi të gjitha në kokat dhe mendjet e njerëzve dhe shoqërive tona.

E pra, pikërisht për të tillë mure bashkues, lidhës dhe integrues e jo për blloqe ndarës dhe pengues njerëzit kanë sot nevojë më shumë se kurrë. Ky është mesazhi më i rëndësishëm që jep ky 65 Vjetor i ndërtimit të Murit famëkeq të Berlinit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.