32.1 C
Tirana
E hënë, 17 Gusht 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj REFLEKTIMI (?)

REFLEKTIMI (?)

0
Veprimtarët politikë kosovarë të ilegalitetit

Ibrahim-Miran Kelmendi

Mund të jem bërë monoton duke iu bërë apel e lutje ish-bashkëveprimtarëve, ish-protagonistëve të organizimeve klandestine (“ilegale”), ish-të burgosurve politikë, ish-punonjësve të UDB-së e ish-funksionarëve të pushteteve të kaluara – që të reflektojnë për komplotet dhe keqveprimet (të qëllimshme apo të paqëllimshme), qoftë edhe kur kanë menduar se po sakrifikonin për ideale kombëtare, marksiste-leniniste apo fetare.

Fatkeqësisht, nuk po reflektojnë. PSE?
Nuk po kuptojnë çfarë do të thotë reflektim, apo nuk kanë kurajë qytetare, patriotike e komuniste për të reflektuar?
Në filozofi, REFLEKTIMI përcaktohet si procesi mendor përmes të cilit ndërgjegjja kthehet nga jashtë drejt vetvetes, për të ekzaminuar, analizuar dhe kuptuar mendimet, përvojat, ndjenjat dhe parimet e saj operuese.

John Locke: Reflektimi është burimi i dytë i ideve tona (pas shqisave). Ai e përkufizon atë si vëzhgimin, që mendja i bën veprimeve të veta mbi idetë e marra nga përvoja e jashtme.

Sokrati dhe Kanti: Reflektimi është mjeti kryesor i vetëdijes. Sokrati e shprehte këtë me parimin “Jeta e paekzaminuar nuk ia vlen të jetohet”, ndërsa Immanuel Kant e shihte reflektimin si aftësi kritike për të ekzaminuar kufijtë dhe kushtet e mundësisë së vetë arsyes sonë.

Husserl dhe Sartre: Reflektimi shihet si akti ku ndërgjegjja bëhet objekt i vetvetes, duke dalluar përvojën e drejtpërdrejtë (jo-reflektive) nga vëzhgimi i mëvonshëm i asaj përvoje.

John Dewey: E përkufizon “mendimin reflektues” si ekzaminim aktiv, persistent dhe të kujdesshëm të çdo besimi apo forme të njohurisë, në dritën e bazave që e mbështesin atë dhe konkluzioneve drejt të cilave ai shpie.

Përmbledhtas, në filozofi reflektimi nuk është thjesht pasqyrim pasiv, por një akt aktiv i vetëdijes kritike që shndërron përvojën e paorganizuar në njohje të strukturuar dhe kuptimësi.

Ndërsa “katunarisht”, reflektim do të thotë të shohësh veten në pasqyrë: nëse je rruar keq apo nëse ke ndonjë njollë, që të bësh rregullimin e duhur.

Më shumë se një herë kam reflektuar se kisha një fëmijëri devijante, meqë ndihesha shumë krenar që mësoja përmendsh lutje kuranore në arabisht (pa ua ditur përmbajtjen), që agjëroja e praktikoja namaz qysh në moshë 5-6 vjeçare. Deshi fati që në moshën 15-vjeçare të filloja procesin e de-islamizimit. Por, në vend të “profetit” Muhamed, idealizova Enver Hoxhën, Mao Ce Dunin dhe “klasikët e marksizëm-leninizmit”.

Në vitin 1977, kur vazhdova studimet në universitet në Gjermani, fillova të de-enverizohem, duke u frymëzuar nga “revolucionariteti anarshist” i lëvizjes studentore gjermane. U frymëzova deri në ato përmasa, sa në vitin 1979 të angazhohesha në organizimin e demonstratave (bashkë me kolegë gjermanë) për ta sjellë Ajatollah Homeinin në pushtet në Iran dhe për të dëbuar vasalin e SHBA-ve, Shahun Riza Pahlavi, të bindur se po i shërbenim kauzës revolucionare botërore.

Gjatë verës së vitit 1978 më përfshiu euforia kombëtare për shënimin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Atëherë nuk e dija se atë Lidhje e kishte formuar pushteti osman, duke angazhuar 47 mercenarë për të miratuar “Kararnamenë” (dekalogun), me qëllim që t’ia prezantonin Kongresit të Berlinit si dëshmi se “mileti arnaut” ishte përcaktuar të vdiste në luftë për mbrojtjen e Perandorisë Osmane, Sulltanit dhe Sheriatit.

I dalldisur kombëtarisht siç isha, një marionetë gjysmë-analfatike e agjenturave të Beogradit, me emrin Xhevat Ramabaja – siç e dyshoja atëherë – më bindi të formonim Frontin e Kuq Popullor (FKP), madje në dhomën time në konviktin e studentëve në Bochum.

Fatmirësisht, në fund të vitit 1978 më befasuan me vizitë diplomatët e Shqipërisë, Simon Qirici e Sazan Beja, të angazhuar në ambasadën shqiptare në Vjenë. Ata erdhën në Bochum, më kritikuan pse po merresha me propagandimin e Enver Hoxhës, PPSH-së e Marksizëm-Leninizmit, duke më këshilluar (për të mos thënë duke më urdhëruar) të përkufizohesha vetëm në çështjet e barazisë kombëtare, kulturore, sociale e ekonomike të shqiptarëve në kuadër të Jugosllavisë, me arsyetim se Jugosllavija ishte e privilegjuara e botës, prandaj shqiptarët në Jugosllavi nuk do t’i përkrahte asnjë shtet për ta bërë bashkimin kombëtar e revolucionin marksist-leninist…

Pak muaj më vonë pësova një “sulm rrufe” në konvikt nga njësia speciale gjermane kundër terrorizmit, me akronimin famoz GSG 9. Arsyetimi i tyre ishte se kishin informacion që unë isha bërë pjesëtar i organizatës terroriste gjermane “Rote Armee Fraktion” (RAF / Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe). Rezultoi se informatën e kishin nga shpifjet që kishte publikuar marioneta e UDB-së, – siç e dyshoja, – Emin Fazlia (alias Emil Kastrioti), në gazetën ustashe kroate “Hrvatska Država”. Meqë fillova t’i vuaj pasojat (sepse tashmë nuk më thërriste më policia e gjyqet për të përkthyer), zura të ndërgjegjësohem për gabimin “aksidental” që kisha bërë kur bashkëthemeluam FKP-në.

Kur po mendohesha ta pezulloja atë veprimtari të organizuar, në Gjermani, në fund të dhjetorit 1979, erdhi Jusuf Gërvalla. Nuk kisha dëgjuar deri atëherë për emrin e tij. Por, meqë më telefonoi Bardhoshi, vëllai i Jusufit, shkova për vizitë. Vetvetiu krijuam besim e respekt të ndërsjellë, pasi në mes ishte Bardhoshi, të cilin rastësisht e kisha njohur gjatë verës së vitit 1977 kur po punoja në Plochingen. Që atëherë ishim bërë shokë, edhe pse ai ishte këshilltar zyrtar për imigrantët “jugosllavë”, i punësuar në AWO-në gjermane. Jusufi u bë një infuzion për FKP-në, sepse tashmë e kishim një profesionist për formulimin e materialeve propagandistike, deri edhe në redaktimin e faqosjen e organit të FKP-së, të emërtuar “Bashkimi” (kopjim i modelit të Shqipërisë).

Në janar të vitit 1981 e ngrimë veprimtarinë e FKP-së, sepse bashkatdhetarët filluan të keqkuptonin sikur po garonim kundër Jusufit. Ai në fakt, deri në prill të vitit 1981, nuk merrej fare me veprimtarinë e organizatës që i takonte (LNÇKVSHJ – Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi). Nuk i dija arsyet pse nuk merrej. Nga tetori i vitit 1981 e tutje fillova të informohem për raportet skllavëruese të Jusufit me udhëheqësin e tij, Sabri Novosella…

Fatmirësisht ndodhën protestat në Kosovë gjatë marsit e prillit 1981, prandaj e bashkuam veprimtarinë tri organizatat tona: LNÇKVSHJ (Jusuf Gërvalla), OMLK (Kadri Zeka) dhe FKP (Ibrahim Kelmendi). Këtë identifikim konkretizues e bënin atëherë bashkatdhetarët në Perëndim. Marrëveshja (vetëm gojore) u bë më 5 prill 1981. Filluam protestën e parë më 11 prill 1981, në Bernë. Vetvetiu, pothuajse në mënyrë mekanike, bëmë ndryshimin e platformave ideopolitike që kishin organizatat tona, duke u përkufizuar vetëm në kërkesën: Kosova – Republikë.

Edhe më 5 prill 1981 kam bërë sqarimin se unë duhet të veproja në prapaskenë, meqë institucionet gjermane më kishin skeduar si të dyshuar si pjesëtar i RAF-it. Fatkeqësisht, Jusufi dhe Kadriu nuk bënë të njëjtin reflektim, edhe pse ishin skeduar nga institucionet gjermane e zvicerane si ekstremistë enveristë.

Në bisedimet e gushtit 1981 u dakorduam të bashkoheshim në një organizatë / lëvizje për Republikën e Kosovës. Por, atë dakordim na e komplotoi Sabri Novosella në takimin që pati në Stamboll me Kadri Zekën, në tetor 1981.

Vendosëm për bashkim në Lëvizjen për Republikën e Kosovës më 17 janar 1982. Fatkeqësisht, në të njëjtën ditë na ndodhën vrasjet e udhëheqësve Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka, si dhe vrasja e Bardhosh Gërvallës.

Pasuan një mori komplotesh, të cilat i tejkaluam vetëm kur ia dolëm të mbajmë Mbledhjen e Parë të Përgjithshme të LRSHJ-së, në korrik 1987. Ajo mbledhje përcaktoi si platformë atë që kishim miratuar në gusht 1981 dhe bëri riemërtimin nga LRSHJ në LPRK (Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës). Komplotet deri atëherë na i bënë Sabri Novosella, Abdullah Prapashtica e Xhafer Shatri, me sejmenë të tyre, të cilët i dyshoja si pjesë të skenarit të UDB-së për ta kap emigracionin tonë pas vrasjeve fizike.

Komplote pësuam më shumë se mjaft edhe deri në vitin 1998, kur vegjëlia çlirimtare e Kosovës ia doli të kryengritej. Edhe atëherë kishim brenda një bandë të rrezikshme komplotiste që udhëhiqej nga Xhavit Haliti. Kjo kulmoi edhe me kontrabandimin e “betimit ushtarak” në qershor 1998, se UÇK-ja po luftonte për bashkim kombëtar e jo vetëm për çlirimin e Kosovës. Protagonist i shpërdoruar ishte Jakup Krasniqi.

Megjithatë, ia dolëm ta çlirojmë e ta bëjmë Kosovën SHTET – jo pse ishim konstruktivë e me mend në krye, apo se kishim kapacitet të madh çlirimtar, por sepse në finale patëm fat me Millosheviçin, një delirant nazist, i cili më 24 mars 1999 përfundimisht i tha treshës pro-serbe Hill-Petritsch-Majorski se nuk e nënshkruante tekstin e marrëveshjes së Konferencës së Rambujesë. Në atë moment, ajo treshe u përcaktua ta ndryshonte qëndrimin për 180 shkallë: u urdhëruan bombardimet e objekteve policore e ushtarake të Serbisë nga NATO-ja – “për të evituar katastrofën humanitare në Kosovë”.

Uroj të mos jem bërë i bezdisshëm me këtë reflektim telegrafik. Por po vazhdoj të shpresoj se kështu do t’i motivoj të reflektojnë edhe të tjerët. Fatkeqësisht, edhe dje e pardje u zhgënjeva nga Osman Osmani, i cili vazhdoi të këmbëngulë në mbrojtje të “partisë” PKMLSHJ, të “themeluar” nga krye-UDB-ashi Abdullah Prapashtica!

Edhe Sabri Novosella u rishfaq me të njëjtën mendësi subvezive e dezinformime idioteske.
Adem Demaçi më shumë se një herë ka mbajtur qëndrime kritike ndaj enverizmit të tij në rini, por “rrëshqiste” në devijime të reja, deri edhe te “ballkania”. Kur e kam takuar për herë të parë në vitin 1993, ishte duke ngrënë iftar në banesën e Fatmir Zymerit në Oslo. Pra, kishte “rrjedhur” nga enveristi ateist në mysliman. Pak kohë më vonë u shpërfytyrua në një sekt aziatik, misionar i së cilës ishte Etem Ramadani në Lubjanë.

Askush nga OMLK-ja (të parës e të dytës) nuk ka reflektuar; vazhdojnë me vlerësime glorifikuese.
As pjesëtarët e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” (Xhavit Haliti & Co), të penetruar në UÇK, nuk po reflektojnë.
As Azem Vllasi nuk po reflekton, sepse ishte kuadër udhëheqës në Jugosllavinë titiste.

Ibrahim Rugova as shënime reflektuese nuk duhet të ketë lënë për mendësinë e tij titiste si funksionar i Lidhjes Komuniste, e as për marionetizmin e tij ndaj regjimit të Millosheviçit deri në korrik 1999.

Ish-titistët tjerë, të angazhuar në UDB dhe në funksione të Lidhjes Komuniste e në funksione qeveritare të KSAK-së, të RSS-së e të RSFJ-së, jo që nuk reflektojnë, por na shesin taraf se paskëshin qenë më demokrat e më shqiptarë se kuadrot e PPSH-së e të pushtetit në Shqipëri…

Hashim Thaçi shfaqte edhe krenari edhe publikisht që e kishte “shok” francezin Arnaud Danjean – shef sektori për Jugosllavinë i shërbimit famoz francez DGSE (i cili ishte më serbofil se simotra serbe RDB).

Albin Kurti, si me qenë delirant psikopat, ndien krenari që e ka katandis shtetin tonë pa kryetar shteti, komandant suprem, kryetar Kuvendi e kryeministër. Po na sundon si monark, edhe pse është vetëm deputet; u del zot të gjitha këtyre funksioneve, edhe pse nuk ka të drejtë kushtetuese e ligjore.

Përmbledhëse: pra, askujt nuk i ra ndërment, nga viti 1957 deri në vitin 1989, të formonin në Kosovë, organizatë apo grup klandestin (“ilegal”), me platformë të demokracisë pluraliste, por përherë u formuan organizata e grupe me platformë marksiste-leniniste, revolucionare, enveriste. Nuk kam dit t’i përgjigjem pyetjes: pse na ndodhi ashtu?

Krishtit legjendar i veshët lutja: “Fali o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!”
Fakti që Kosovën e kemi bërë shtet, nuk na amniston për komplotet e gabimet që kemi bërë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.