
Bexhet Fezolli
Më 28 korrik 1912, në Gurin e Kamjes, në Krahinën e Gorës të Qarkut të Korçës, kapedan Kajo Babjeni, së bashku me 800 luftëtarë të armatosur nga Gora dhe Mokra, ngriti Flamurin Kombëtar për Pavarësinë e Shqipërisë.
Festohet me madhështi 114-vjetori i Çlirimit të Gorës dhe Pogradecit nga pushtuesit osmanë, më 28 korrik 1912
Më 28 korrik 2026, në orën 10:00, pranë Gurit të Kamjes, në rrethin e Pogradecit, u organizua festa tradicionale për 114-vjetorin e ngritjes së Flamurit Kombëtar dhe të luftës për liri e pavarësi. Në këtë aktivitet morën pjesë banorë të krahinës, pavarësisht temperaturave të larta të verës. Në sheshin ku u zhvillua ceremonia ishin vendosur flamuj kombëtarë dhe pllakata me moton: “Të festojmë të bashkuar, ashtu siç e ka tradita e Gorës; ta mbajmë lart epopenë e të parëve tanë, të kapedanëve gorarë, që janë shquar për trimëri, besë dhe bujari.”
Në kuadër të këtij manifestimi u vendosën flamuj kombëtarë dhe një grup të rinjsh pogradecarë, djem e vajza, të veshur me kostume kombëtare, morën pjesë në ceremoninë festive. Programin e aktivitetit e hapi drejtori i Turizmit në Pogradec, z. Ledion Zeqollari. Në vijim u ngrit Flamuri Kombëtar, në kujtim të ngjarjes historike të 28 korrikut 1912, kur kapedan Kajo Babjeni, së bashku me luftëtarët e Gorës dhe Mokrës, udhëhoqi luftën për çlirimin e Pogradecit.
Kjo festë u organizua nga Bashkia Pogradec dhe Shoqata A.K. “Gora”, dega Pogradec, me kryetar z. Landi Qose. Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë përfaqësues të qendrave administrative të fshatrave të Gorës, ndër ta:
• Kryetari i Bashkisë Pogradec, z. Ilir Xhakolli;
• Kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Petrika Tollkuçi;
• Deputeti i zonës, z. Bledi Çomo;
• Nënprefekti Luan Maxhari;
• Përfaqësues nga Bashkia Maliq;
• Administratori i Njësisë Administrative Dardhas;
• Kryetari i Shoqatës A.K. “Gora”, dega Pogradec, z. Landi Qose.
Aktiviteti nisi me këndimin e “Himnit të Flamurit” dhe vendosjen e kurorave me lule në lapidarin kushtuar kësaj ngjarjeje historike 114-vjeçare, nga përfaqësues të Prefekturës së Qarkut Korçë, Bashkisë Pogradec dhe Shoqatës A.K. “Gora”, dega Pogradec. Drejtuesi i këtij eventi, z. Ledion Zeqollari, ia dha fjalën Kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, z. Ilir Xhakolli. Në fjalën e tij, ai u shpreh: “Është një kënaqësi e veçantë që sot përkujtojmë dhe festojmë 114-vjetorin e ngritjes së Flamurit Kombëtar në këtë vend të krenarisë së Gorës, nga kapedanët e Gorës dhe Mokrës. Historia e Gurit të Kamjes është rrënjosur në kujtesën e çdo gorari. Prandaj sot jemi mbledhur gorarë, mokrarë dhe pogradecarë, për të nderuar dhe kujtuar ata patriotë e atdhetarë që luftuan dhe dhanë gjithçka për Atdheun dhe çlirimin nga pushtuesit xhonturq.”
Më pas iu dha fjala deputetit të zonës, z. Bledi Çomo, i cili vlerësoi traditat dhe historinë e kësaj krahine, të shquar për patriotizëm, atdhedashuri, bujari dhe trimëri. Ai theksoi: “Gorari gjithmonë e mban derën hapur për mikun. Gora është një nga krahinat më të vjetra të vendit, me 65 fshatrat e saj. Ajo është e përmendur në histori dhe ngjarjet e saj meritojnë të shkruhen me gërma kapitale. Kjo krahinë është pararendëse e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, katër muaj para 28 Nëntorit 1912.”
Më tej ai u ndal në zhvillimet historike pas vendimeve të Kongresit të Berlinit të vitit 1878 dhe pas themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor 1878. Shqiptarët kuptuan se lufta për mbrojtjen e trojeve dhe identitetit kombëtar duhej të zhvillohej në disa drejtime: Së pari, liria dhe pavarësia e trojeve shqiptare do të arriheshin përmes luftës dhe qëndresës. Së dyti, zhvillimi i kulturës kombëtare do të arrihej përmes hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Së treti, duhej kundërshtuar rreziku i copëtimit të viseve shqiptare nga fuqitë fqinje, veçanërisht nga synimet serbe dhe greke. Vala e protestave dhe e qëndresës kundër këtyre padrejtësive ishte e fuqishme edhe në Gorë. Populli i kësaj krahine u bashkua dhe u organizua, duke mbajtur armët në dorë për mbrojtjen e lirisë dhe të trojeve shqiptare.
Historia e krahinave të Gorës dhe Mokrës gjatë viteve 1878–1912 përbën një periudhë të rëndësishme të luftës për liri, pavarësi, arsim dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, si dhe të përpjekjeve për të penguar copëtimin e tokave shqiptare. Në Manastir, në vitin 1905, u formua “Komiteti i Fshehtë për Lirinë e Shqipërisë”. Nën ndikimin e këtij komiteti, në Gorë, më 28 mars 1906, u organizuan çetat patriotike dhe u dhanë detyra për krijimin e një rrjeti të qëndresës kombëtare në Gorë, Mokër, Opar dhe Korçë. Ndër çetat patriotike që u dalluan në këtë periudhë ishin ato të:
• Kajo Babjenit;
• Ismail Dërdushës;
• Malkë Zvarishtit;
• Xhelo Selcës;
• Feim Zbogjit;
• Hysen Pirgut.
Nga Mokra e Pogradecit u dalluan gjithashtu luftëtarët:
• Ibrahim Baçi;
• Tun Kokoneshi;
• Shaban Blloshmi;
• Jashar Starova.
Autoritetet xhonturke ndërmorën masa represive në Korçë dhe Pogradec, duke arrestuar familje patriotësh dhe duke rrethuar çetat e luftëtarëve shqiptarë, ndër to edhe çetat e Kajo Babjenit, Ismail Dërdushës, Malkë Zvarishtit, Hysen Pirgut dhe Qemal Panaritit. Viti 1912 ishte vendimtar për lëvizjen kombëtare shqiptare. Në kuadër të përgatitjeve për çlirimin e vendit, u organizuan çetat patriotike dhe në fshatin Strelcë të Gorës, në korrik 1912, u zhvilluan takime të rëndësishme mes përfaqësuesve të Korçës dhe drejtuesve të lëvizjes në Gorë. Ndër përfaqësuesit që morën pjesë ishin: Koli Rodhe, Lluka Karafili, Kajo Zagori, Myrteza Qafa etj. Në këto takime u hartua plani i veprimeve për çlirimin e Pogradecit dhe u përcaktuan detyrat e çetave patriotike.
Organizimi i sulmit dhe Çlirimi i Pogradecit më 28 korrik 1912
Në planin e përgatitur për çlirimin e Pogradecit u përcaktuan këto detyra:
1. Për çlirimin e Pogradecit do të merrnin pjesë shtatë çetat e Gorës: çeta e Kajo Babjenit, çeta e Xhelo Selcës, çeta e Feta Goçës, çeta e Malkë Zvarishtit, çeta e Feim Zbogjit dhe çeta e Hysen Pirgut.
2. Nga Mokra do të merrnin pjesë çetat e Ibrahim Baçit, Tun Kokoneshit dhe Jashar Starovës, me rreth 150 luftëtarë.
3. Çetat e Gorës do të bashkoheshin në Gurin e Kamjes, pranë Lisit të Gorarëve.
4. Bashkëpunimi i çetave të Gorës dhe Mokrës u organizua në Potkozhan të Mokrës.
5. Në Potkozhan u krijua një shtab drejtues prej 12 anëtarësh, i përbërë nga:
Xhelo Selca – kryetar;
Kajo Babjeni – nënkryetar;
Feta Goça – komandant i çetave;
Telha Senishti;
Malkë Zvarishti;
Hysen Pirgu;
Koli Rodhe;
Ibrahim Baçi dhe drejtues të tjerë të lëvizjes patriotike.
6. Qëllimi i sulmit ishte dobësimi i forcave xhonturke në qytetin e Pogradecit dhe pengimi i ardhjes së forcave serbe nga Ohri.
Më 28 korrik 1912 u ndërmor sulmi mbi Pogradecin. Çetat e Gorës dhe Mokrës, me rreth 800 luftëtarë të armatosur, të udhëhequra nga kapedan Kajo Babjeni, çliruan qytetin nga pushtuesit xhonturq. Pas çlirimit, në vendin e quajtur “Guri i Kamjes”, u ngrit Flamuri Kombëtar dhe u shpall fitorja e luftës së krahinës së Gorës dhe Pogradecit për liri. Ky akt historik do të pasohej vetëm katër muaj më vonë nga shpallja zyrtare e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, nga Ismail Qemali.
Guri i Kamjes mbeti kështu një dëshmi e rëndësishme e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Pikërisht këtu, më 28 korrik 1912, çetat patriotike të Gorës dhe Mokrës u bashkuan dhe realizuan një nga aktet e rëndësishme të kryengritjes kombëtare. Përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve, që nga kryengritjet e viteve 1905, 1906, 1909, 1910 dhe 1911, deri në korrikun e vitit 1912, nuk arritën të shuheshin nga represioni osman. Qëndresa e gorarëve dhe e krahinave përreth vazhdoi me vendosmëri.
Çeta e Kajo Babjenit kishte shtrirë veprimtarinë e saj luftarake në Gorë, Opar, Mokër, Korçë dhe Pogradec. Kajo Babjeni u shqua për trimëri, vendosmëri, aftësi organizative dhe për udhëheqjen e tij në drejtimin e çetës. Fshatrat e Gorës dhe Mokrës u bashkuan me çetën e kapedan Kajo Babjenit për të mbrojtur tokën dhe lirinë e atdheut. Ai njihej si luftëtar i zotë, komandant i aftë dhe figurë e respektuar për burrërinë, urtinë dhe besnikërinë ndaj popullit. Siç ka theksuar Sami Frashëri: “Patriotizmi tregon vlerën e njeriut.”
Gora, Mokra dhe Opari dëshmuan vlerat e tyre atdhetare dhe historike. Këta burra të vendit dhe të kombit mbeten figura të çmuara të kujtesës sonë kombëtare. Gora u bë një vatër e rëndësishme e patriotizmit dhe e lëvizjes kombëtare shqiptare. Në këtë krahinë vinin patriotë nga Korça, Opari, Mokra dhe Pogradeci, pasi ajo konsiderohej një bazë e sigurt e veprimtarisë atdhetare. 28 korriku i vitit 1912 ishte një ngjarje e madhe historike. Sulmi mbi Pogradecin u drejtua nga kapedan Kajo Babjeni dhe garnizoni osman u detyrua të largohej nga qyteti.
Pas çlirimit, kapedan Kajua u drejtoi bashkëluftëtarëve dhe popullit fjalët: “Lirinë e gëzofshi, por mendjen mos e flini. Gjumi mos u zërë, sepse armiqtë tanë grekë e sllavë nuk do të na lënë kohë të qetë.”
Më pas, Gora e dërgoi Kajo Babjenin si përfaqësues në Kuvendin e Vlorës të vitit 1912, me betimin: “Populli i Gorës është përsëri në këmbë, me pushkë në dorë, për të mbrojtur Atdheun tonë.” Kjo ngjarje historike e 28 korrikut 1912 vazhdon të kujtohet si Festa e Bashkimit në Gurin e Kamjes. Pjesëmarrja e çetave të Gorës, Mokrës dhe Oparit në luftën për liri dhe pavarësi është një burim krenarie dhe frymëzimi për brezat e sotëm.
Vazhdimi i festës dhe ruajtja e traditës gorare
Në përfundim të aktivitetit festiv, në lokalin “Çelo”, u shtrua një drekë tradicionale për të gjithë pjesëmarrësit. Sipas zakoneve të Gorës, nuk munguan kënga dhe vallja, veçanërisht këngët patriotike kushtuar figurave të shquara të historisë së kësaj krahine, si Kajo Babjeni, Nënë Pashko, Reshit Çollaku, Teki Kolaneci dhe figura të tjera të nderuara. Këngëtarët interpretuan këngë të njohura popullore e patriotike, ndër to edhe “O moj Kulla me tri kate”, të kënduara nga Çlirim Muçollari dhe artistë të tjerë. Grupet folklorike sollën atmosferën e traditës përmes valleve karakteristike të krahinës.

Gjatë kësaj feste u ngritën dolli dhe u përcollën urime në frymën e mikpritjes dhe të zakoneve të vjetra gorare. Aktiviteti i 28 korrikut vijoi për disa orë me këngë e valle nga grupet folklorike të Pogradecit dhe Shoqatës A.K. “Gora”. Kjo ditë përkujtimore dëshmoi edhe një herë se kujtesa historike, traditat dhe vlerat atdhetare të krahinës së Gorës vazhdojnë të ruhen dhe të përcillen brez pas brezi.
Gëzuar 28 korrikun 1912 dhe 114-vjetorin e Çlirimit të Gorës dhe Pogradecit! Lavdi jetës dhe veprës së kapedanëve trima gorarë dhe mokrarë, që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë!
Guri i Kamjes – dëshmitar i historisë
O moj krahinë, e bukura Gorë,
Të urojmë gëzuar 114-vjetorë.
Gora, Mokra në Kamje u bë kuvendi,
Në krye të kapedanëve, Kajo Babjeni.
Për liri e vatan e lidhi besën burri,
Për pavarësinë e Shqipes u ngrit flamuri.
Heroizmi i gorarëve është krenaria,
Në Gorë, Mokër e Opar rri lavdia.
Të trija krahinat rrezatojnë si drita,
Festimi i 114-vjetorit vazhdon tradita.
Gora e bujarisë hapi krahët si shqiponjë,
114 vjetorin bijtë e saj i pret si zonjë.
Guri i Kamjes, dëshmitar i historisë,
Është fron e taban i Gorës dhe Shqipërisë.
Gora e Guri i Kamjes, ndezur si vullkani,
Këtu lindin heronj e trima si titani.
Sot krahinat e Gorës dhe Mokrës e kanë merakun:
Ku janë Kajua, Ismaili, Kolaneci e Çollaku?
Festa e Gurit të Kamjes do të kujtohet përherë,
Se Gora e trimërisë filiza të rinj do të nxjerrë.
Rrofshin krahinat: Gorë, Mokër e Opar, për jetë,
Sa Guri i Kamjes me Tomorrin që bashkon retë.
Dërgoi për publikim Besnik Fishta











