ELEGJI E PARË
Ku kam me qenë i këputun
nga mundi i vjetve të rrëpita sa ‘i shkamb,
mos të vijë keq ty, Taze, për mue
të shtrimë mbi drrasat e vdekjes,
kingj i gatuem për flije.
Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë
për njerzit e vet, vdekë qysh kur.
Edhe një amanet, moj grue:
kur vdiq im atë, premë dy qe
me ngimun të unshmit e thneglat e lamit
me grimca buke.
Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë
të ngishëm,
prandej ndër drekët e mija qitni
vetëm kafe të idhta.
KORBI
Erdhi nje korb te dheu i bute nen shkrepa.
Ai s´dinte me ndjekun vallet e pllumbave
pale e pale nen hijen e ullive.
E u ruente mos me lshuemun za
mes gazullimit te pergjithshem
per mos me prishe
ritmin e flatrave nder valle.
Kur te e vona pllumbat kthyen ne banesa,
e ndiu vehten korbi pellumb ne shpirt
MOSPËRFILLJE
Mbas mjesnate hana derdhi rrezet
prej majes së shkambit deri në lumë.
Mbasi që u ngi me gjumë
këndon qokthi ndër rreze:
sytë, dy pika uji, ndrisnin dhe kanga
pikon në luginë, në terr.
Dikush buzë lumit n’agim gjeti
sqepin e thyem të qokthit e tha:
dam! Kqyre këtë tingull që ra
e plasi në gurë.
DREKË MALSORE
Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.
Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)
Sot ashtë marrë një gjak.
Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e
bardhë
Ndë tryeza, jashtë
Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.
DITA E MALIT TEM…
Dheu im asht i përmendun
për humneret e thella
ndër banorët e malit e të fushës
deri në det. Mbramjeve atjè
ndëgjohet klithma e grizhlës
ndër kthetrat e shqipes e shpirti i sáj
u flijohet hijevet.
Atje lot drita në sytë e njerzve tash e parë
e epshet s’i njeh kurrkush me emën.
Shpagimi me gjak asht, për shembull,
gjarpën nën gur e gjarpni vetë
na qenka mende femne
nën rubën e bardhë ose të kuqe.
Në muzg atje secili prek ballin e vet
e ndien ndër gishta fillin e jetës
e gëzohet
FILL I GJETUN
Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
qyteti në terr deri n’agim.
Amvisat kërkuen llampat vojguri
e s’i gjetën në terr.
Në nadje ra dielli e zbeu
faqet e rrokaqiellëve.
Në nadje vrejta rrethin e andrrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e ndaljes së dritës.
VALLE RUGOVE…
Shkyenje qiellin, zurla,
e kaltersia e sferave te nalta
le te bije mbi ne si shi.
Kamba e tupani cajne token e me duer
vrikllojme na shpatat e me duer sutat
ne mal i kapim ne pike te vrapit.
Mos e ulni zanin, kangtare, pse me bie
nder gjuj lodhja e moteve dhe ritmi i ndalun
dyshe m´a ndan krahnorin.
HOQA FLETEN E LIBRIT TË PARË
Hoqa fletën e librit të parë
Prej faqes sime dhe mbetën fjalë të paemën.
Dola jashtë e ndeja në shqimthin e derës
Dhe vrejta fiqtë e hindit me ferra
Në vjeshtën time.
Shpirtënt e rinisë larg korpit endeshin
Me fleta gjethi pa pushini shullajave.
NJI STINE E HUMBUN
Verës sa nji mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet
me sy të përlotun të sjellun
kah mali.
Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar e i dhimbet
e mbramja pikë e dyllit në djegie:
e sotmja ka ndijen e dridhjes
së fletëve të shqemes
para dhambëve të sutës.
MOTIV I VJETËR NE KTHIM
Shtatë vasha u çuen peshë
Kur ngjyra e korbit fluturoi
Përmbi shtyllën e jetës:
Sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë
Mes pendlave të zeza.
Shtatë vasha u quen peshë
E u turrën vrap me funda
Në duer sa qethi mbas korbave
E vetëm me za i tretën si plafa të murmë
Nën karmat e vendit tim.
Po s’erdhët ju, vasha,
Kur të zbardhen pusat e ujit
Në lumë përpara agimit,
Ngurzohen edhe duert e foshnjeve
Në palare
TRASHEGIMI
Katundi arbresh kaluer
mbi qafën e bjeshkës
shklet majën e humnerës
Shum ujë në lum
veshi i shkambit ushton.
Dheu më vren me synin e plakës
njiqindvjeçare
“Nanëmadhe, po shkon:
çka don me vehte të merrsh
në kodrinë, nën qeparisa?”
“Hijen e tire, bir!”
Dimën. Në ferrën e murrizit
la delja tri fjolla leshi.
Tri fjalë më la tezja arbreshe
te dheu i eshtnave tonë.
Fjalët e gjuhës seme – nji
udhtimë e gjatë e gjatë në kohë,
nji ushtimë e gjatë e gjatë
ndër veshë.
NATA E KONCERTIT
As bora nuk asht e bardhë në këtë muzg.
Gjindja me kambë të randa vrapon
kah dritaret e tingullit.
Në sallën e koncertit edhe diktatorët
marrin vesh masën e instrumentave.
Ndëgjuesit veshë-imët mbyllën sytë
e kapën currila pullazesh të lashta,
djegie qytetesh e drush të thata.
Në tempon e dytë gzhatshëm era
përkuli grunin deri në tokë.
Në sallën e koncertit edhe dirigjenti
symbyllë s’pau tjetër pos tingujsh
të ndezun mbrenda nji rrotulle terri.
Marrë nga Nacional
Eh more Martin Camaj, eshtnat mos tu kalbshin.