Nga Rexhep Çullhaj
Ka njerëz që lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e brezave. Njëri prej tyre është pa dyshim Elmaz Ahmetaj, mësuesi, drejtuesi i arsimit dhe gazetari, për të cilin kam privilegjin të shkruaj jo vetëm si bashkëfshatar, por edhe si ish-nxënës i tij. Elmaz Ahmetaj ishte mësuesi im në klasën e parë fillore. Më vonë, pasi përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës, më dha mësimin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në klasat e gjashtë dhe të shtatë. Kanë kaluar shumë vite, por kujtimet për të mbeten të freskëta. Sot ai është rreth 79 vjeç, gëzon shëndet të mirë dhe vazhdon të jetë aktiv. Në kujtesën time ai mbetet ai djaloshi elegant që vinte çdo ditë nga qyteti në shkollën tonë, i veshur me shumë shije, serioz në punë dhe plot kulturë.
Ne nxënësit e shihnim me admirim dhe e konsideronim një shembull për t’u ndjekur. Ajo që e dallonte më shumë ishte përkushtimi ndaj nxënësve. Nuk mjaftohej vetëm me programin mësimor. Në biseda të lira na nxiste të lexonim libra artistikë, të pasuronim kulturën dhe të mendonim më gjerë. Ishte një mësues që edukonte karakterin po aq sa edhe dijen. Një kujtim që më ka mbetur i pashlyer është dita kur, pasi korrigjoi hartimet tona, zgjodhi hartimin tim ndër më të mirët dhe e lexoi para gjithë klasës. Ai vlerësim më dha besim dhe më nxiti të vazhdoja të shkruaja. Për këtë do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Elmaz Ahmetaj ishte gjithashtu i dashur dhe komunikues me prindërit tanë, duke krijuar një marrëdhënie besimi mes familjes dhe shkollës. Rruga e tij profesionale është e pasur.
Fillimisht punoi në shkollat e Murthit dhe të Shkallës, më pas u transferua në Kamzë, ku dha mësim në shkollën tetëvjeçare dhe në shkollën e mesme bujqësore të Qinamit. Më vonë shërbeu si zëvendësdrejtor në Politeknikumin “7 Nëntori” në Tiranë dhe më pas në shkollën për fëmijët me dëmtime të shikimit dhe dëgjimit. Në pension doli në vitin 2000, pas afro katër dekadash shërbim në arsim. Por pensioni nuk e largoi nga jeta publike. Përkundrazi, ai iu përkushtua gazetarisë. Me qindra artikuj të botuar në gazetat kombëtare dhe lokale, Elmaz Ahmetaj është bërë një zë i njohur për problemet e qytetarëve. Ai ka trajtuar me guxim çështje që lidhen me korrupsionin në drejtësi, administratë, noteri dhe institucione të ndryshme shtetërore.
Një vend të rëndësishëm në publicistikën e tij zë arsimi. Duke u mbështetur në përvojën e gjatë si mësues dhe drejtues, ai analizon ndryshimet që ka pësuar sistemi arsimor, evidenton problemet dhe propozon zgjidhje konkrete, duke ndërthurur traditën e mirë shqiptare me modelet bashkëkohore të edukimit. Së fundmi, Elmaz Ahmetaj i ka dhuruar lexuesit librin “Familja jonë e madhe”, një vepër që nuk është thjesht historia e një familjeje, por edhe një dëshmi e rëndësishme për historinë e Murthit dhe banorëve të tij. Në këtë libër autori përshkruan vendlindjen, historinë e familjeve Ahmetaj, Mema, Çullhaj, Hyssaj e Vreka, jetën ekonomike, pronat, traditat dhe kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërisë. Ai sjell të dhëna për të arsimuarit e fshatit, për emigrimin drejt qytetit pas viteve ’90, për investimet në vendlindje, si edhe për pjesëmarrjen e murthakëve në ngjarje të rëndësishme historike.
Edhe studiuesi Skënder Farka ka dhënë një kontribut të çmuar me librat e tij për historinë e Dajtit dhe të Tiranës, ku përmend edhe Murthin si pjesë të rëndësishme të kësaj trashëgimie. Po kështu, edhe unë kam shkruar pjesërisht për historinë e fshatit dhe kemi ngritur memorialin kushtuar rezistencës kundër pushtuesve serbë. Megjithatë, besoj se historia e Murthit ende nuk është shkruar e plotë. Ka shumë ngjarje, figura dhe dëshmi që presin të dokumentohen: jeta e familjeve të mëdha, prejardhja e tyre, toponimet, marrëdhëniet me administratën osmane, pjesëmarrja në luftëra të ndryshme, kontributi në ndërtimin e shtetit shqiptar, zhvillimet gjatë socializmit, periudha e demokracisë, emigracioni dhe ndikimi i murthakëve në zhvillimin e Tiranës dhe qyteteve të tjera.
Jam i bindur se një monografi e plotë për Murthin do të ishte nderimi më i mirë për të kaluarën dhe një pasuri e çmuar për brezat që do të vijnë. Ndërsa për Elmaz Ahmetajn mund të thuhet me bindje se ai i përket atij brezi mësuesish që nuk dhanë vetëm dije, por edukuan qytetarë. Me punën, përkushtimin dhe veprën e tij në arsim, gazetari dhe publicistikë, ai ka fituar respektin dhe mirënjohjen e të gjithë atyre që e kanë njohur. I urojmë shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe sa më shumë krijimtari në shërbim të arsimit, historisë dhe komunitetit.











