Me rastin e 90-vjetorit të lindjes po radhis disa fjalë zemre, për babain tonë Zijain. Natyrisht të shkruash për prindin është një emocion i veçantë. Kjo ndjenjë dashurie, sidomos në këtë moshë të thyer të tij, sa vjen dhe shtohet. Kjo ndjenjë prekëse përshkruan gjithë shpirtin tim, kur po mundohem të hedh në letër këto rreshta të thjeshta për të. Për këtë burrë të shumëvuajtur por me karakter dhe cilësi të veçanta njerëzore që e kanë karakterizuar gjithë jetën e tij. Po shkruaj për këtë njeri të thjeshtë, që gjithë jetën e tij ka punuar shumë për familjen dhe ka qenë gjithnjë dashamirës dhe human me njerëzit e tjerë. Ai, është shumë bujar dhe mikpritës. Në familje ka pritur e përcjellë shumë miq, shokë dhe njerëz të shumtë. Ai me përkushtim maksimal për një periudhë shumë vjeçare ka mbajtur, drejtuar dhe sistemuar familjen tonë të të madhe.
Po i hedh këto radhë si djali i tij, që kam jetuar më pranë tij dhe që kam bashkëpunuar në të shumtën e kohës me të. Zijai është njeri i mirë, i ndjeshëm, i zgjuar, babaxhan në qëndrime dhe veprime, bashkëpunues me të tjerët, punëtor i gjallë, kërkues dhe organizues shumë i mirë në familje. Tolerant dhe i drejtë me të gjithë. Kështu ai përmbush cilësitë dhe virtytet më të mira të të qenurit, njeri.
Sot ai është në moshë të shtyrë, ka probleme të shumta shëndetësore, e megjithatë mbahet dhe e shtyn kohën duke lëvizur. Duke qenë aktiv ai shpesh kërkon të takohet e çmallet me njerëzit e familjes së tij të zgjeruar, të fisit të tij, me të afërmit, shokë dhe miq. Një karakteristikë e veçantë e tij është aftësia për të komunikuar lirshëm me grupmosha të ndryshme. Ka një memorje të mirë për moshën që ka. Shërbimin ndaj tij po e bëjnë shumë mirë familja e tij. Falë tyre ai po e shtyn shumë mirë kohën e tij. Nga ana tjetër ai bën shumë në biseda në familje, me nipër, mbesa dhe njerëz e dashamirës të tjerë.

Kur e shikon me një synim të thellë, në qenien fizike të tij “duken” qartë vitet mbi supe dhe jeta plot halle e tij që nga fëmijëria, si jetim që mbeti në moshën një vjeçare dhe deri më sot që po mbush të nëntëdhjetat. Parë në këtë aspekt, kujtesa të çon gjatë në kohë dhe kujtimet dhe mendimet për të, janë të shumta. Një pjesë të tyre ne i kemi përjetuar vetë, ndërsa të tjerat i kemi mësuar nga bisedat me të dhe nga më të moshuarit e familjes sonë të madhe, nga të afërt e persona të tjerë. Zijai ka “injektuar” me modelin e sjelljes së tij, norma dhe virtyte të larta në familje. Ai mund të merret nga ne si “etalion” për drejtimin e familjes dhe lidhjen e shkuarjen shumë mirë të tij me vëllain e tij, Shefqetin.
Për këtë ai, thotë: “Në moshën një vjeçare më la nëna ime, Sherifja, ndërsa në moshën 8-vjeçare më vdiq edhe babai im, Ibrahimi. Tani unë nga jetim për nënë mbeta jetim edhe nga babai. Nënë dhe babë për mua, Shefqetin dhe dy motrat tona të vogla, me emrin Zoje, që vdiqën në në moshën 1 dhe 3-vjeçe, ka qenë dhe do mbetet, Ishja. Ajo na dha dashuri, na martoji dhe u kujdes maksimalisht për ne dy djemt e saj. Unë me Shefqetin kemi shkuar si mollë e pandame. Edhe Shefqeti qe njeri me cilësi e vlera të rralla njerëzore”. Me aq sa unë shikoj e vlerësoj unë tani, ne pasardhësit e tyre jemi në rrugën e tyre të mbarë dhe shpresoj që vlerat të transmetohen në braza…

Zijai lindi në Bastar të Mesëm më 12.09.1936. Qe fëmija i parë i Ibrahimit dhe i Sherife Hysës, Kabili. Si fëmijë të parë ato e donin shumë djalin e tyre.
Prindërit e tij qenë të mirë. Ibrahimi njeri shumë punëtor, shumë serioz dhe krahu i djathtë i vëllait të tij, Shabanit. Edhe Shabani qe njeri shumë i mirë, tepër i zgjuar dhe me emër të mirë në Bastarin e atyre viteve dhe më pas. Nëna e Zijait, Sherifja, ishte motra e njeriut më në zë të kohës, Ymer Hysës. Sherifja, qe një grua e veçantë, e urtë, e sjellshme, trimëreshë, bujare dhe me emër të mirë. Ajo u trondit nga vdekja misterioze e bashkëshortit të saj nga martesa e parë, në fisin Nasufi, Maricaj, dhe i dha fund jetës në moshë të re rreth 20-vjeçe. Pas vdekjes së saj, Zijain e rriti Ishja, gruaja e tretë e Ibrahimit. Zijai u përball shpejt me vështirësitë e kohës që ishin prezent në fshatin shqiptar të atyre viteve dhe me kushtet e të mbeturit jetim. U angazhua që fëmijë të bënte punë në bujqësi dhe blegtori për ti ardhur në ndihmë familjes së mbetur. Në këtë kohë ai arriti të bënte edhe kursin kundër analfabetizmit në Bastar, dhe mësoi shkrim e këndim.
Babai i tij, Ibrahimi, para se të vdiste në vitin 1944, e kishte fejuar Zijain, me Razie Gani Ballaxhin. Fati deshi që Zijai të mbetet jetim. Nga kjo gjë, jeta e tij kaloi në shumë sfida dhe peripeci. Për rritjen, edukimin, martesën dhe kujdesin prindëror të tij gjatë gjithë jetës, u kujdes Ishja. Ajo u bë nënë e kaluar nënës për, Zijain. Ajo nuk i ndau nga njëri-tjetri, Zijain dhe Shefqetin (djalin e saj biologjik). Ajo edhe sot, thirret me emrin e dashur, nënë, nga ne pasardhësit e Zijait dhe të Shefqetit. Dhe e tillë do të mbetet në përjetësi… I lehtë qoftë dheu për të!
Pasi u martua me, Razien, Zijai së bashku me Të, Shefqetin dhe Ishen i’u përveshën punës dhe rritën pozitivisht të ardhurat familjare. Familja e re arriti shpejt mirqenien e saj falë edhe tokës që dispononte. Merita i takon Ishes, e cila megjithëse në kushte shumë të vështira nuk shiti asnjë pëllëmbë tokë e pasuri. Për këtë ajo u tregua më burrë, se vetë burrat. Të katër antarët e familjes i vunë “krahët” shtëpisë dhe përmirësuan kushtet e jetesës në famlje.

Nga martesa e Zijait me Razien lindën shtatë fëmijë. Falë punës dhe kujdesit të prindërve tanë, të gjithë ne fëmijët jemi shkolluar në nivele të ndryshme dhe kemi krijuar familjet tona. Ne si fëmijë kemi pasur një kujdes të shtuar nga ana e prindërve. Falë punës së tyre kemi arritur të krijojmë kushte më të mira jetese. Si fëmijë të tyre kemi marrë një edukatë të mirë familjare dhe për këtë, mund krenohemi shumë. Zijai ka një meritë të veçantë si baba pasi ka qenë shumë kërkues me ne dhe na drejtuar gjithnjë në drejtimin e duhur.
Zijai shërbimin ushtarak e kreu në Ishullin e Sazanit, në Reparti Ushtarak Nr.1970 dega këmbësori zbulimi, nga periudha 24.11.1955 deri më 11.11.1957. Në ushtri ka qenë shembullor dhe është vlerësuar me certifikata dhe fletë nderi.
Pas ushtrie ai punoi në punë të ndryshme në bujqësi, blegtori dhe në kooperativë bujqësore. Ai ka punuar:
Nga viti 1958-vitin 1963 në Ndërmarrjen Pyjore në Tiranë, në sektorët Çajre të Selitës dhe Bicë të Shëngjergjit, bashkë me shokë të tjerë nga Bastari. Ai kujton me nostalgji njeriun e mirë, brigadierin Osman Danga nga Qafmolla.

Pasi u bë kolektivizimi ai ka punuar në Bastar të Mesëm me brigadier, të ndjerë tani, Nezir Kurti, Enver Ibrahim Hoxha dhe Ymer Doka. Ka punuar tre vite edhe në Gatrrin e Bastar Murrizës me brigadier, të ndjerin Sabri Tarja. Ka punuar në Gatrrin e Kooperativës Bujqësore “Shkëndija” Zall-Bastar nga viti 1977 deri në vitin 1988, me brigadier të ndjerin, Haki Fejza. Në këtë vit u aksidentua aty duke prerë tre gishtat e njërës dorë. Nga ky moment punoi si roje sektori deri në prishjen e sistemit kooperativist, me urdhër të përgjegjësit të Sektorit të Parë, Liman Visha. Në shenjë mirënjohje dhe respekti për këto, Zijai e kishte merak përmendjen e emrit të tyre…
Pas prishjes së sistemit Zijai ka punuar si fermer mjeshtër në ekonominë bujqësore të familjes së tij. Si kulturë të veçantë ka kultivuar duhanin.
Ai është një besimtar i devotshëm dhe kryen të gjitha ritet fetare të fesë islame sipas përcaktimit kuranor.
Në gjithë këto vite ai ka mbajtur mbi supe një peshë të madhe në familje, në punët e bujqësisë dhe drejtimin e familjes, pasi familja ishte me pak krahë pune. Gjatë kohës së kolektivizimit ai ka bërë punë të rënda në bujqësi. Shtëpia jonë nën drejtimin e Zijait, ka pritur e përcjell shumë miq, shokë, dhe njerëz të tjerë. Mikpritja ka qenë dhe mbetet cilësi e veçantë, e Zijait.
Shkrimi im modest për të, është në shenjë mirënjohjeje dhe respekti, për të. Unë kam bërë shumë shkrime për njerëz të therë. Ky shkrim mua më “çliron” shpirtërisht dhe e kisha obligim ndaj tij. Ai e meriton plotësisht këtë. Falenderoj shumë familiarët e tjerë për mendimet e dhëna dhe plotësimin e shkrimit për të.
90-vite për Zijain janë, punë sistematike, janë vite përkushtimi dhe përkujdesjeje për gjithë familjen, fëmijët dhe pjestarët e tjerë të famljes sonë. Ai është i vendosmëri për të ecur përpara, duke vlerësuar në maksimum punën dhe djersën e ballit. Zijai vlerësohet nga të afërmit dhe të njohurit e tjerë, si njeri i ndershëm, i drejtë, punëtor, si humanist në shpirt, me karakter të fortë në marrjen dhe zbatimin e detyrave, ai është njeri me zemër të madhe.
Neve si familje e zgjeruar jemi krenarë për, Zijain!
E falenderojmë atë për gjithçka që ai ka bërë për ne dhe familjen e tij!
I urojmë edhe shumë vite të tjera jete pranë familjes dhe të dashurve të tij!
Ibrahim Kabili
Tiranë, më 04.08.2026


